Gjykata: Mashtrimi po gjen terren në kryeqytet, dukuri shqetësuese

0
154

Sonja Caka

Në një vit, 155 çështje për mashtrim në gjykatë, vendim fajësie për 97 çështje. Precedenti i gushtit, pronarja e agjencisë braktisi 188 turistë në Egjipt

 

Mashtrimi duket se ka gjetur terren në kryeqytet gjatë këtij viti, nisur kjo nga statistikat policore, të organit të akuzës apo dhe gjykatës. Mashtrues të shfaqur në forma e mënyra të ndryshme, duke u prezantuar bindshëm te preja e tyre si punonjës apo me të afërm brenda strukturave apo institucioneve ku të mashtruarit kanë probleme. Aq shqetësues paraqitet si fenomen, saqë gjyqtarët në vendimet e tyre për rastet e mashtrimit, ndërsa arsyetojnë momentin e ndëshkueshmërisë për të pandehurit, shprehen se është duke gjetur terren në vend dhe po shndërrohet në problematikë. Nga evidencat statistikore të Gjykatës së Tiranës shihet qartë se vetëm gjatë këtij viti janë regjistruar për t’u gjykuar rreth 155 çështje për veprën penale të “Mashtrimit”, referuar neneve 143, 143/1 e143/2 të Kodit Penal, nga të cilët janë shpallur fajtorë për 97 çështje. Masat e dënimit kanë qenë nga më të ndryshmet, të cilat variojnë nga 1 deri në 10 vite, sipas shkallës së dëmtimit apo numrit të të mashtruarve. Vetëm dy ditë më parë, gazeta “Standard” ka bërë publik rastin e mashtrimit të dy shtetasve nga një grua që prezantohej si punonjëse gjykate, duke u përvetësuar paratë, me pretendimin se njërës i siguroi shtëpi në bashki dhe po i paguante këstet dhe tjetrit do i nxirrte djalin nga burgu. Por jo vetëm, pasi vetëm në gusht të këtij viti, 188 turistë shqiptarë u mashtruan dhe u braktisën në Egjipt, pasi pronarja e agjencisë “Pasha Holiday” u mori paratë dhe nuk u rezervoi hotelin.

Precedenti

Në mes të gushtit të kaluar, policia e Tiranës arrestoi për braktisje dhe mashtrim të klientëve në Egjipt një pronare agjencie turistike. Bëhet fjalë për pronaren e agjencisë “Pasha Holiday”, Marselinda Kërtoçi, e akuzuar për veprat penale “Mashtrim”, “Fshehje e të ardhurave” dhe “Mosdeklarim i falimentit”. Marselinda Kortoçi, 27 vjeçe, akuzohet se u ka marrë 188 qytetarëve shuma të konsiderueshme parash për t’i çuar me pushime verore në Sharm El Sheik të Egjiptit. Ndërkohë që kompania nuk ka zbatuar detyrimet për kthimin e tyre, pasi pretendoi se kishte falimentuar. Sipas policisë, më 02 gusht 2012 kompania ka nisur 188 qytetarë për në Egjipt kundrejt pagesave që variojnë nga 316 deri 600 euro. Agjencia ka paguar vetëm ditët e qëndrimit në Egjipt dhe nuk ka paguar kthimin e tyre. Pasagjerët janë kthyer me shpenzimet e tyre, duke paguar 250 euro për transportin tek kompania ajrore “Belle Air”, e cila ka bërë të mundur kthimin e turistëve. Policia bëri me dije se arrestimi i 27-vjeçares u krye pas kthimit të përgjigjes nga agjencia turistike me të cilën bashkëpunonte gruaja për dërgimin si turistë të shtetasve shqiptarë në Egjipt. Kjo agjenci mësohet t’u ketë kthyer një përgjigje autoriteteve shqiptare ku thuhej se, agjencia “Pasha Holiday” nuk kishte kryer asnjë pagesë për akomodimin në hotel të turistëve. Deklaratë kjo që rrëzoi pretendimin e 27-vjeçares Kërtoçi, e cila kishte thënë më herët se i kishte kryer të gjitha pagesat dhe se nuk kishte asnjë dijeni se çfarë kishte ndodhur më tej. Materialet hetimore të përpiluara në ngarkim të saj ju referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për konsumim të veprës penale të “Mashtrimit”, “Fshehje të të ardhurave”, “Fshehja e gjendjes së falimentimit”, parashikuar nga nenet 143/2, 180 dhe 194 të Kodit Penal.

Detaje

155 çështje të trajtuara përgjatë vitit 2012 në Gjykatën e Tiranës për veprën penale të “mashtrimit”

97 çështje kanë përfunduar dhe janë shpallur fajtorë nga gjykata për mashtrim, me dënime nga 1 deri në 10 vite burg

51 çështje janë ende duke u trajtuar nga gjykata për mashtrim, për këtë vepër penale

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency