Arvizu: E drejta e autorit po vidhet si energjia elektrike

0
151

Duke marrë shkas nga fakti se pirateria është rritur në nivele shqetësuese në vend, ambasadori amerikan Alexander Arvizu e krahasoi dje vjedhjen e së drejtës së autorit me atë të vjedhjes së energjisë elektrike. “Ne besojmë se qeveria shqiptare e cila ka marrë disa masa, duhet të punojë më shumë për mbrojtjen e pronësisë intelektuale, pasi shume produkte janë të vjedhura. KKRT-ja ka vendosur disa gjoba për televizionet kabllore, por vjelja e tyre është e vështirë. Pirateria në Shqipëri është në nivelin 75%, e dyta pas Maqedonisë dhe kjo është një shifër shumë e lartë për një vend që aspiron integrimin në BE. Përvetësimi i pronësisë është si vjedhja e energjisë. Një kompani nuk bën dot biznes kur gjysma e energjisë vidhet. Pa paguar, sistemi shpërndarës i energjisë nuk mund të jetë i qëndrueshëm”, – tha Arvizu gjatë konferencës “Mbrojtja e pronësisë intelektuale/Përafrimi me legjislacionin e BE/Sfidat”. Ndërkohë, ambasadori i BE-së në Tiranë, Ettore Sequi, deklaroi se Shqipëria është mbrapa sa i përket zbatimit të ligjit për mbrojtjen e së drejtës së pronësisë intelektuale. “Në MSA thuhet se Shqipëria duhet të zbatojë ligjin mbi respektimin e së drejtës mbi pronësinë intelektuale deri në vitin 2013, na vjen keq por ne nuk jemi ende në këtë fazë. Bashkimi Evropian ka financuar 1.8 milionë euro për programin e 2010-2015 për Mbrojtjen e së Drejtës mbi Pronësinë Intelektuale”, – u shpreh Sequi. Ndërsa ministri i Ekonomisë, Edmond Haxhinasto, nënvizoi lidhur me këtë çështje: “Është fakt që qeveria e Shqipërisë e ka miratuar që në vitin 2010 strategjinë kombëtare të pronësisë intelektuale dhe industriale, ndërgjegjësimi i publikut, është presioni i publikut, kërkesa e konsumatorit në fund të fundit, një nga shtyllat themelore për një konkurrencë të ndershme”. Ndërsa, biznesi i Dhomës Amerikane të Tregtisë kërkoi nga qeveria mbështetje me ligj në mbrojtje të së drejtës së pronësisë intelektuale pasi zhvillimi ekonomik dhe integrimi në Bashkimin Evropian ka kërkesë zbatimin e këtij kushti. Sipas të dhënave të biznesit amerikan, janë afro 800 çështje në gjykatë, ku është shkelur e drejta e pronësisë dhe autorësisë dhe asnjëra prej tyre s’ka marrë zgjidhje.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency