Shoqëria civile, “Voto Tani”: Tri ligjet duhen votuar për interesat kombëtare

0
156

Shoqatat e shoqërisë civile i bëjnë thirrje klasës politike shqiptare të tregohet e përgjegjshme në kuadër të votimit të tri ligjeve të domosdoshme për marrjen e statusit të vendit kandidat. “Shumica e qytetarëve shqiptarë kanë shprehur vullnetin që Shqipëria, atdheu i tyre, të jetë anëtare e Bashkimit Evropian. Sipas sondazheve, vetëm 7.1% e tyre nuk kanë qenë dakord që vendi ynë të jetë anëtar i familjes së madhe evropiane. Ne jemi të ndërgjegjshëm se rruga që Shqipëria të bëhet anëtare me të drejta të plota në BE, do të jetë një sfidë për të gjithë shoqërinë shqiptare. Vendit tonë do t’i duhet të punojë për rritjen e nivelit të zhvillimit në aspektet social-ekonomike dhe të shtetit të së drejtës, për t’u përafruar me nivelin e zhvillimit të vendeve të tjera, anëtare të BE-së. Sfida e zhvillimit, qartazi, do të bëhet në bashkëpunim dhe në transparencë të plotë me vete BE. Për këtë arsye, si hap i parë, neve na duhet në mënyrë imediate të realizojmë përafrimin e legjislacionit të vendit tonë me atë të BE-së. Në sinkron me këtë objektiv është edhe vetë kërkesa e Komisionit Evropian për dhënien e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë”, – theksohej në reagimin e shoqatës “Voto Tani”. Më tej, kjo shoqatë e cilësoi si të pakuptimtë vetëdënimin e interesave të vendit dhe të qytetarëve shqiptarë, për arsye të paefektshme politike. “Për sa thamë më sipër, ne u drejtohemi forcave politike parlamentare dhe specifikisht të gjithë deputetëve të parlamentit shqiptar që të votojnë të tria ligjet, që janë kusht për marrjen e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë. Apeli i çdo qytetari dhe i shoqërisë civile për të gjithë deputetët e Parlamentit shqiptar është: I nderuar deputet i Parlamentit shqiptar, Voto Tani: për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, për forcimin e demokracisë, për rritjen e standardit të jetesës, për forcimin e shtetit të së drejtës, për më tepër vende pune, për të pasur një jetë më të mirë, për rininë shqiptare, për të ardhmen tonë, për marrjen e statusit të vendit kandidat për Atdheun tonë të përbashkët, Shqipërinë”, – përfundoi thirrjen e saj shoqata e shoqërisë civile “Voto Tani”.

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency