TENDERI QË BIE ERË/ Si u paracaktua gara për miliona euro brenda SPAK-ut, “Axians &ATOM” dalin fitues. SPAK anuloi BIG tenderin

0
167

Bashkimi i operatorëve ekonomikë “Axians Albania” që përfaqësohet nga Kleanthi Prifti dhe “ATOM” që zotërohet nga dy biznesmenët Luan Basha dhe Armand Agolli, rezulton fitues absolut në dy nga 5 procedurat tenderuese të hapura në 15 prill 2024 nga prokuroria e posaçme SPAK.

“Atom” dhe “S&T alias Axians Albania”, janë dy kompani në dukje të ndryshme nga njëra-tjetra. Por ato kanë një lidhje shumë të fortë. Dominimin e tenderave të OSHEE-së në sektorin e IT-së. Dhe ky është një biznes shumë i madh, që tashmë këto dy kompani po e shtrijnë në formë monopoli jo vetëm në OSHEE por dhe tek tenderat e SPAK.

E gjithë procedura e tenderin me vlerë të përgjithshme prej 1 miliard e 647 milion lekë , por e ndarë në 5 lote të posaçëm ka nevojë për tu hetuar nga vetë SPAK. Kjo strukturë heton të gjithë tenderat e administratës Shtetërore, por asnjëherë nuk meret me rastet e hetimit të tenderave të vetë.Askush nuk i kontrollon, madje as KLSH-ja.

I ngritur gati 4 vite më parë si institucioni që do përndiqte dhe gjurmonte abuzimet me tenderat me vlera të mëdha në Administratë, tashmë është vetë SPAK, që po hap procedura me miliarda lekësh, ku shpesh herë në shumicën e rasteve fituesit janë të paracaktuar.

Subjektet “Axians Albania“ dhe “ATOM”, janë shpallur fitues në Lotet Nr. 1 me Lotin Nr.2, të hapur nga SPAK, për blerjen e paisjeve të ndryshme si: “Sisteme për monitorimin, kontrollin e aksesit dhe identitetit në rrjet dhe pajisje netëork” si dhe “Blerje sisteme sigurie Antivirus EDR dhe Firewall”.

Në Lotin Nr. 2 me vlerë prej 363.810 euro fitoi oferta e vetme garuese “ATOM” shpk dhe “Axians Albania”, të cilët hynë në tender me vlerën prej 33,246,200 lekë të reja.

Ndërsa në Lotin Nr.1 me vlerë të përgjithshme prej 151 milion lekë të vjetra, ka marë pjesë B.E “Axians Albania“, “ATOM” dhe “QuantX IT Solutions” si dhe operatori tjetër “INFIGO IS”. Edhe pse kishin hyrë me ofertë me të ulët dy kompanitë e fundit me vendim të komisionit të ngritur në SPAK, janë skualifikuar nga gara.

Nisur nga kjo situatë komisioni ka shpallur fitues B.E “Axians Albania“, “ATOM”, të cilët ofruan për kryen e shërbimit shumën më të lartë ekonomike prej 138 milion lekë të vjetra.

Kjo garë ishte paracaktuar dhe dihej që tenderat brenda godinës së SPAK, ishin fituar ende pa nisur mirë dhe hapur zarfat e ofertave ekonomikë, nga ku më pas do shpallej dhe fituesi.

Në datën 16 Maj 2024, vetëm pak orë pasi ishte mbyllur procedura konkurruese në 5 lotet e shpallura nga SPAK, gazetari i “Ora News” Elton Qyno, i është drejtuar me një kërkesë për informacion kreut të SPAK, Altin Dumani, duke e vënë në dijeni se tenderat e zhvilluar brenda kësaj strukture ishin paracaktuar dhe fitues ende pa u hapur letrat është shpallur kompania “Axians Albania”.

Mes rreshtave në kërkesën e tij drejtuar SPAK, Qyno shkruante se:

“…që nga shpallja e kësaj procedure është folur për kompani të paracaktuar si fituese dhe nga interesimi jonë në disa kompani në Tiranë, na është konfirmuar se nuk do marrin pjesë, sepse kjo procedurë është paracaktuar nga punonjës brenda SPAK për “Axians Albania”, kompani e cila ka përgatitur dhe termat e referencës së kësaj procedure. A është pjesëmarrëse në këtë procedurë “Axians Albania” dhe a renditet kjo kompani në pikëzim pretedente për ta fituar këtë procedurë dhe konkretisht lotet për sisteme rrjeti, fire-ëalle, sisteme sigurie…”?

Nga ana tjetër SPAK në datën 29 Maj përgjigjet përmes një E-maili, duke dhënë një përgjigje të thatë si më poshtë vijon:

“…sqarojmë se procedura e prokurimit i nënshtrohet për zbatim legjislacionit në fuqi për realizimin si një procedure publike e hapur, transparente, konkurruese duke krijuar akses pjesëmarrjeje për çdo operator ekonomik të interesuar. Nëse pretendimet tuaja janë të bazuara në fakte të dokumentuara, të adresuara nga subjekte publike apo private me identitet të deklaruar, lutemi t’i vendosni në dispozicion…”.

Ndërkohë në vijim të kryerjes së procedurave, SPAK ka vendosur të anulojë shpalljen e fituesit për Lotin Nr. 3, që kishte vlerën më të madhe ekonomike prej 1 milion e 123 mijë euro me qëllim blerjen e “Blerje sistem mbrojtje anti-ransomware, storage, server, switch”.

Edhe kjo procedurë e anuluar me shumë urgjencë nga SPAK, burime pranë komisionit të vlerësimit të ofertave thanë se fitues ishte paracaktuar Bashkimi i Operatorëve “Axians Albania“ dhe “ATOM”. Por për arsye kriteresh të nxjerra nga vetë anëtarët e komisionit, BIG tenderi me 1.123 milion euro është anuluar për t’u rihapur në një moment të dytë.

Ndërkohë në Lotin Nr. 4 që kishte si zë “Blerje fibër optike + terminim + patchpanel” është shpallur fitues konkurrenti “Vodafone Albania”, duke ofruar vlerën financiare prej 2.9 milion lekë të vjetra. Në këtë garë kishte hyrë dhe konkurrenti tjetër “QuantX IT Solutions” i cili ofroi 222.000 lekë.

Kurse Lotin Nr. 5 për blerjen e “Blerje pajisje audio-video konference” e ka fituar kompania “QuantX IT Solutions”, e cila për blerjen e kësaj pajisje ka ofruar vetëm 440 mijë lekë të vjetra.

Tenderi me vlerë 1.6 miliard lekë vjen në një kohë kur dhe partnerët e huaj të SPAK, kanë investuar mjaft para në donacione, duke dhuruar sisteme kompjuterike për këtë Prokurori të Posaçme.

Ora news

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here