Agjencia ndërkombëtare e vlerësimit, notë pozitive përpjekjeve të qeverisë

0
119

Blendi Hasani

Kompania Moody’s ka konfirmuar se vlerësimi i Shqipërisë do të jetë me “notën” B1, ndërkohë që kuadri i përgjithshëm i ekonomisë së saj vazhdon të jetë i qëndrueshëm. Lajmi është bërë i ditur nga zyra e shtypit në Ministrinë e Financave. Në një periudhë kur kriza financiare dhe ajo e borxheve ka mbërthyer zonën euro, ekonomia shqiptare ka treguar se ka aftësinë për t’u adaptuar me situatën, duke bërë përparime në kapacitetet institucionale dhe duke marrë shtysë nga procesi i integrimit në Bashkimin Evropian.

Kufizimet në vlerësimin e kreditit vijnë si rezultat i nivelit të lartë të borxhit krahasuar me vendet fqinje dhe paqartësisë në konsolidimin fiskal afatmesëm dhe në reduktimin e borxhit. Pjesë e paqartësisë janë edhe zgjedhjet që do të mbahen vitin e ardhshëm.

Afirmimi i vlerësimit të Shqipërisë me B1 është bazuar në aftësitë relative që ka ekonomia për të pasur rritje ekonomike në një periudhë krize financiare, pavarësisht madhësisë dhe mungesës së diversifikimit të ekonomisë.

Pavarësisht kësaj, Moody’s konstaton se rritja ekonomike ka ardhur duke u ulur, megjithëse ekonomia mund të fitojë disa hapësira gjatë vitit të ardhshëm.

Moody’s pret që progresi për to integruar në Bashkimin Evropian të vazhdojë duke i dhënë zhvillim kapaciteteve institucionale të vendit.

Sipas agjencisë ky vlerësim reflekton dy faktorë. Së pari: atë të elasticitetit të ekonomisë gjatë krizave financiare dhe përmirësim të kapacitetit të saj institucional, nxitur kryesisht nga progresi në integrimin drejt BE-së. Dhe së dyti: atë të kufizimit të kreditimeve që vijnë nga nivelet e borxhit, të cilat lidhen me pasiguritë e strategjisë afatmesme për konsolidimin fiskal dhe uljen e borxhit. Pjesë e kësaj pasigurie vjen edhe nga zgjedhjet e pritshme parlamentare të vitit 2013.

Moody’s vëren se një plan fiskal që vendos raportet e borxhit në një trajektore rënëse në termat afatmesëm, do të jetë një burim i një presioni pozitiv në vlerësim. Por dështimi në zbatimin e reformave të programuara, – si ekonomike ashtu edhe institucionale, – mund të ushtrojë presion në rënie në vlerësim.

Vlerësimi nuk ka ndryshim nga ai i qershorit të këtij viti, ku agjencia jepte një pritshmëri të qëndrueshme për të ardhmen ekonomike dhe financat publike. Sipas Moody’s vëren përsëri se Shqipëria në të ardhmen do të kishte vlerësim në rritje nëse qeveria fuqizon institucionet, edhe pse ajo ka adresuar dukshëm problemet strukturore.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency