Ish-ambasadori amerikan, Ryerson: Duhet të arrihet mirëkuptim në Parlament për ligjet

0
122

Ish-ambasadori amerikan në Tiranë, William Ryerson, deklaroi se politika shqiptare duhet që të gjejë gjuhën e konsensusit dhe të mirëkuptimit në Parlament. Ai u shpreh se tashmë në Shqipëri gjërat kanë ndryshuar pozitivisht që nga koha kur ai shërbente në Tiranë, por ende ka mjaft punë për të bërë dhe për të ecur përpara, pasi sipas tij asnjë demokraci nuk është perfekte. Ryerson aktualisht është diplomat në pension dhe shërbeu në vendin tonë nga viti 1991 deri në 1994. Sa i përket integrimit evropian të Shqipërisë ish-ambasadori i SHBA-së deklaroi: “Janë bërë hapa të mirë, por ka për të bërë akoma. Kam shumë shpresë se do arrihet në një mirëkuptim në parlament për të bërë çfarë ka kërkuar Bashkimi Evropian”. Ndërsa duke u ndalur tek çështja dhe niveli i demokracisë në vend, Ryerson nënvizoi se nuk ka perfeksion në asnjë vend, por kjo nuk do të thotë se politika duhet të reshtë punën për të çuar vendin përpara. “Ne të gjithë, edhe ju shqiptarët, edhe ne amerikanët kishim shpresë për Shqipërinë, një Shqipëri të lirë. U bë. Demokraci bëhet çdo ditë. Perfekt nuk ka, as tek ne, as në Zvicër. Ka gjëra për të kritikuar, por edhe tek ne”, – tha Ryerson. Ky i fundit shprehu opinionin e tij edhe në lidhje me çështjen e dosjeve dhe hapjen e tyre. “Në Shqipëri nuk janë hapur akoma dosjet. Si do të hapen? Kur do të hapen? Është pyetje për shqiptarët. Duhet bërë, por si dhe kur, është një pyetje tjetër. Të bëhet si në Çekosllovaki apo si në Gjermaninë Lindore, është tjetër pyetje. Por edhe për këtë do të vendosin shqiptarët”, – tha Ryerson. Ambasadori i parë amerikan ndodhet prej disa ditësh në Tiranë, i ftuar në festimet e 100-vjetorit të pavarësisë. Ai u dekorua nga Presidenti i Republikës me Urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” për veprimtarinë dhe kontributin e tij si ish-Ambasador i Shteteve të Bashkuara në vendin tonë.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency