Prokurori i ri, Nishani: Emri, çështje ditësh

0
141

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, deklaroi se çështja e prokurorit të Përgjithshëm pritet të zgjidhet brenda pak ditëve. Kreu i shtetit, Bujar Nishani, e ka bërë fakt të kryer zëvendësimin e kryeprokurores, duke njoftuar se dekreti me emrin e pasuesit të saj nuk do të vonojë. “Edhe për pak ditë do t’jua shuaj kuriozitetin”, – tha Presidenti Bujar Nishani. Dekreti për emërimin e prokurorit të Përgjithshëm pritet të vijë pas pak ditësh paralelisht me dekretin për caktimin e datës së zgjedhjeve të 2013-ës. Zgjedhja e Presidentit Nishani për kreun e organit të akuzës pritet të votohet në Kuvend me shumicë të thjeshtë votash në fillim muajit dhjetor. Ndërkohë, burime nga prokuroria bëjnë të ditur se Ina Rama pritet ta ankimojë largimin e saj në Gjykatë Kushtetuese, duke e konsideruar vendimin e Presidentit si shkarkim. Në 20 nëntor, kreu i shtetit zhvilloi konsultime me partitë politike, pikërisht për kriteret mbi të cilat do të bëhet zgjedhja e drejtuesit të ri të organit të akuzës. Pas atij takimi opozita u shpreh se Ina Rama duhet të qëndrojë në detyrë deri në 23 maj të 2013-ës, kur hynë në fuqi ndryshimet kushtetuese që i kufizuan mandatin. Ndërsa, sipas mazhorancës, mandati i saj mbaroi këtë nëntor kur u bënë 5 vjet nga marrja e detyrës. Me herët zyra e shtypit e Presidencës ka sqaruar se “në respekt të Kushtetutës së vendit dhe ligjit organik të prokurorisë, prokurori i Përgjithshëm i Republikës ka një mandat 5-vjeçar. Mandati përbën periudhën kohore gjatë së cilës i emëruari ushtron funksionin e tij”. Nga ana e tij, kryesocialisti Ramë pas konsultave që kreu i shtetit zhvilloi pak ditë më parë me krerët e grupeve parlamentare ka thënë se mandati i kryeprokurores mbaron në maj të vitit të ardhshëm. “Prokurorja e Përgjithshme, sot në detyrë, nuk mund të zëvendësohet apo shkarkohet përpara datës 23 maj të vitit të ardhshëm”, – ka thënë kreu i PS-së.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency