Barça është “himni” i pavarësisë

0
158

Marrë nga “Marca.com”

Kundër Levantes, katalanasit luajtën me plot 11 lojtarë të akademisë. Ishte një rastësi e këndshme ajo që ndodhi të dielën e kaluar kur në minutën e 14 të sfidës me Levanten, u dëmtua Dani Alveshi. Braziliani ishte i vetmi që “prishte” perfeksionin e asaj skuadre që kishte zbritur me plot 10 lojtarë të formuar po në Barcelonë.

Çdo fitore 4-0 në transfertë do të kënaqte edhe skuadrën më të mirë në botë, por stafi i Barcelonës, pas triumfit me Levanten, kishte një arsye më të fortë për t’u ndier krenar. Për herë të parë në historinë e klubit, katalanasit kishin në fushë një skuadër 100% të prodhuar nga akademia e “La Masias”.

 

Momenti historik

Momenti historik erdhi në minutën e 14-të, kur Dani Alveshi i la vendin Martin Montojës pas një dëmtimi. Atë që nuk e bëri dot Pep Guardiola, provoi ta arrinte me sukses nxënësi i tij, Tito Vilnova, me Valdesin, Montojën, Pujolin, Pikenë, Albën, Ksavin, Busketsun, Iniestën, Pedron, Mesin dhe Çesk Fabregasin. Jo keq për një klub që prodhon 100% të aseteve të tij dhe guxon t’i hedhë ata të gjithë një fushë gjatë një ndeshjeje. Megjithatë, jo çdo lojtar ka lindur në Katalunjë. Mesi ka lindur 6500 milje larg Barcelonës, në Rozario të Argjentinës, ndërsa fshati i Andres Iniestës është më afër Madridit se Barcelonës. Stafi drejtues i klubit ka bërë edhe “gabime”, kur ka shitur yje të saj, si Fabregas, Pike apo Alba, përpara se t’i risisllte sërish në “Camp Nou” me shifra të kripura.

 

“Foleja”

Për 30 vite me radhë, “La Masia” e vendosur në një fermë të shekullit XVIII, ka qenë foleja ku janë rritur talentet e Barcelonës. Veç këtij brezi magjik, ata që ka nxjerrë kjo akademi, janë edhe Krujf, Reina, Arteta apo Tiago Mota. Veç 15 skuadrave të ndryshme që ka vetëm Barcelona B, akademia mbetet shtëpia shpirtërore edhe e 300 talenteve të huaj. “Lojtari që del nga La Masia, ka diçka ndryshe nga të tjerët”, – thoshte ish-trajneri Guardiola.

 

“Xhelozia”

Një rekord i tillë vjen kur mesatarja e klubeve në botë është një apo dy lojtarë të shkollës së klubit. Në Angli, për shembull, vetëm Mançester Junajtid dhe Njukasëlli janë klubet me më shumë lojtarë të tyret, ndërkohë që gjashtë skuadra të tjera, përfshirë edhe emra të mëdhenj, si Çelsi apo Mançester Siti, nuk kanë asnjë lojtar të akademisë për momentin. Por, edhe “djajtë e kuq” dhe “qymyrxhinjtë” nuk është se u afrohen katalanasve. Ata kanë vetëm nga 4 lojtarë secili në ekipin e parë dhe ata jo të gjithë janë titullarë. Fergusoni ka prodhuar nga ekipet zinxhirë në skuadrën aktuale vetëm Xhoni Evansin, Pol Skollsin, Daren Fletçerin dhe Deni Uellbekun. Njukasëlli ka Tim Krulin, Stiven Tejlorin, Shejn Fergusonin dhe Semi Ameobin. Ndërkohë, Arsenali, i cili mbahet si skuadra me më shumë vogëlushë në gjirin e saj, për momentin ka vetëm Kieran Gibsin lojtar të shkollës së saj. Nuk ka ndonjë ndryshim të madh as Liverpuli. Brendën Roxhers ka vetëm kapitenin Stiven Xherard dhe talentin Rahem Sterling. Veç Çelsit dhe Mançester Sitit, ekipet e tjera që nuk kanë asnjë futbollist nga akademia e tyre, janë Fulhemi, QPR-ja, Uest Bromuiçi dhe Uigani. E të mendosh që kjo ndodh në kampionatin më të fortë të botës. Imagjinoni se çfarë tabloje ka në ligat e tjera, atje ku ka skuadra që nuk kanë qoftë edhe një lojtar vendës jo më të fidanishtes së klubit

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency