Ngrihet flamuri në Vlorë 100 vjet shtet, Nishani: Ta mbajmë të paprekur flamurin tonë

0
175

Florenc Drizari

Shpëtim Gjika: Bashkim vëllazëror në të gjitha dimensionet, bashkim kombëtar si një proces i pakthyeshëm

 

Shqipëria festoi 100-vjetorin e pavarësisë. Mijëra shqiptarë nga Kosova, Mali i Zi, Maqedonia si dhe vende të tjera të rajonit u dyndën në qytetin simbol të themelimit të shtetit shqiptar, në Vlorë, për të festuar Ditën e Pavarësisë. Në këtë jubile Vlorën e vizituan edhe personalitetet më të larta të shtetit, të Kosovës dhe të trupit diplomatik të akredituar në vendin tonë. Presidenti i Republikës Bujar Nishani së bashku me kryetarin e Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjikën, ngritën në mënyrë simbolike flamurin kombëtar, ashtu siç kishte bërë 100 vite më parë Ismail Qemali bashkë më firmëtarët e aktit të pavarësisë. Nga Sheshi i Flamurit Presidenti Nishani lëshoi mesazhe bashkimi dhe bashkëpunimi për të gjithë shqiptarët kudo që janë, duke vënë theksin tek roli që ka luajtur simbolika e flamurit tonë kombëtar në periudha të ndryshme të historisë së vendit.

Presidenti Nishani

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, gjatë fjalës së mbajtur në Sheshin e Flamurit në Vlorë e vlerësoi Ditën e Pavarësisë si ngjarjen më të bukur për Shqipërinë. “Ditëlindja e 100 e shtetit shqiptar është ngjarja më e bukur për çdo bashkëkombas kudo ku jeton në Shqipëri dhe jashtë saj. Të gjithë sot e festojmë të bashkuar, të lirë të fortë dhe me miq të shumtë. Kam nderin dhe privilegjin t’i ndaj me ju këto çaste me anë të këtij mesazhi”, – tha Nishani. Presidenti Nishani duke përmendur peripecitë që i është dashur të kalojë flamuri kombëtar përballë rreziqeve të shumta që iu kanosën theksoi se pavarësisht se përpjekjeve për të shuar dhe lënë në harresë shqiptarët mbrojtën me gjak shenjën e tyre bashkuese, flamurin. “Shenja jonë bashkuese ky flamur, të cilin jemi mbledhur ta nderojmë ka bërë një rrugë të gjatë, kësaj rruge ja kemi arritur që të mos ndahemi nga flamuri ynë dhe t’i dalim zot, na e kanë rrëmbyer dhe ja kemi marrë përsëri dhe është bërë më i dashur. Kanë provuar të na e çjerrin dhe grisin dhe si kemi lejuar. Janë përpjekur të na e zhdukin duke u përpjekur të na bindin ta harrojmë, por ne e kemi nxjerrë përsëri nga hiri i harresës. Janë përpjekur ta ndryshojnë, por nuk kanë mundur. Dhe ja tek e kemi sot duke u valëvitur. Historia e vendit tonë dëshmon qartë për gjakun e derdhur dhe mundin e drejtësisë”, – u shpreh Nishani. Në fjalën e tij, kreu i shtetit vlerësoi lart kontributin e 40 firmëtarët të aktit të Pavarësisë, pa turpin e fshehjes së të vërtetave historike.“Ne kujtojmë dhe nderojmë ata që na falën dinjitet kombëtar dhe krenarinë e të qenit shqiptar. Sot 100 vjet më vonë njohim të gjithë emrat e firmëtarëve të aktit të pavarësisë, pa turpin e fshehjes së një pjesë të tyre. Janë 40 patriotë që firmosën aktin e shpalljes së rrugëtimit të lirë të Pavarësisë. Është nder për ne të vlerësojmë rrugën e madhe të atyre. Presidenti Nishani nënvizoi se Shqipëria e sotme ka ëndrra të mëdha për të ardhmen dhe shqiptarët janë të pandarë si trupi me shpirtin teksa uroi Pavarësinë, shqiptarëve në çdo cep të Botës.

“Sot kemi ëndrra të mëdha, Shqipëria e sotme dhe e nesërmja si krijesa të zjarrta ballkanike, ne shqiptarët nuk mund të ekzistojmë ndryshe vetëm në simbiozë me flamurin tonë. Si të tillë ne dhe flamuri ynë jemi të pandarë dhe të pandashëm si toka dhe qielli, si trupi dhe shpirti jemi një me flamurin dhe të gjithë bashkë. Ta vijojmë ta mbajmë të pastër dhe të paprekur flamurin tonë dhe simbolin tonë të shenjtë ashtu siç dielli ndrin dhe mbron tokën, na ndrin na bashkon dhe shpirtrat na i ngroh. Si president i një vendi të lirë dhe demokratik më shumë se kurrë pranë familjes evropiane u uroj gëzuar Pavarësinë të gjithë shqiptarëve në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, kudo ku janë në botë që kanë shijuar vitin e madh të lirë kur u shemb muri i diktaturës”, – deklaroi Presidenti Bujar Nishani.

Shpëtim Gjika

Fjalën e parë pas ngritjes së flamurit dhe homazheve tek varri i Ismail Qemalit, e mori kryebashkiaku i Vlorës, Shpëtim Gjika. Kreu i Bashkisë së Vlorës përshëndeti nga Sheshi i Flamurit të gjithë shqiptarët kudo që janë dhe kudo që festojnë ditën e Pavarësisë. Nga foltorja ai lëshoi mesazhin e bashkimit mes shqiptarëve në të gjitha dimensionet. “28 nëntori 1912 është për të gjithë ne shqiptarët pasqyra ku ne duhet dhe mund të shohim veten tonë, vizionet e baballarëve të kombit tonë. Sot shënohet mbyllja e 100 viteve të parë për të nisur një shekull të ri. Ky shekull historie që sot mbyllet ka pasur pak nga ajo që e kemi dashur shumë, lirinë. Le të na shërbejë që të çelim dyert e së nesërmes. Nuk kemi asnjë minutë kohë për të humbur. Bashkim vëllazëror në të gjithë dimensionet, bashkim kombëtar si një proces të pakthyeshëm. Shembull dhe model i këtij bashkimi është ajo që po ndodh sot, e Vlora ndjehet krenare se e mbajti të ndezur këtë frymë krenarie”, – shtoi ai.

Ngritja e flamurit

Rreth orës 10:00 të paradites së djeshme u ngrit në mënyrë simbolike flamuri kombëtar kuqezi me shqiponjën dykrenare. Ceremonia u shoqërua me të shtëna topi dhe mes brohoritjeve të mijëra shqiptarëve të cilët kishin mbushur Sheshin e Flamurit në Vlorë. Pas ngritjes së flamurit nga Presidenti Bujar Nishani, i cili u shoqërua nga kryetari i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, personalitete të larta nga Shqipëria dhe Kosova kanë vendosur kurora me lule në varrin e Ismail Qemalit. Në varrin e burrit të shtetit vendosën kurora me lule autoritete të larta, që nga Presidentja e Kosovës, Jahjaga, Kryeparlamentarja Jozefina Topalli, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, Kryeministri Sali Berisha, Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, kreu i PS-se, Edi Rama, dhe me radhë ministrat e kabineteve qeveritare.

Homazhet për Ismail Qemalin

Krerët më të lartë të shtetit shqiptar por edhe atij të Kosovës, përfaqësues të trupit diplomatik si dhe mijëra qytetarë pas ceremonisë së ngritjes së flamurit kombëtar në Sheshin e Flamurit në Vlorë, zhvilluan homazhe në Monumentin e Pavarësisë dhe vendosën kurora me lule në varrin e Ismail Qemalit. Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama etj. zhvilluan homazhe dhe vendosën kurora me lule sipas ceremonialit zyrtar të përcaktuar nga protokolli i shtetit. Mijëra shqiptarë nga mbarë trevat shqiptare mbushën Sheshin e Flamurit në Vlorë në të cilën u zhvillua ceremonia zyrtare që shënoi edhe nisjen e kremtimeve për 100-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë.

 

Nisja e festimeve dhe dyndja e mysafirëve në Vlorë

Në orët e parë të ditës së djeshme qyteti i Vlorës u kthye në kryeqendrën e Shqipërisë. Mijëra njerëz mbushën sheshet e këtij qyteti me rastin e festës së flamurit. Ndërkohë që personalitetet më të larta të shtetit mbërritën aty rreth orës 09:00 – 10:00. Mijëra banorë nga rrethe të ndryshme të vendit, si dhe nga trevat shqipfolëse, janë dyndur në Vlorë me rastin e 100-vjetorit të shpalljes së pavarësisë, ndërkohë që hotelet e qytetit ishin të prenotuara më parë. Për këtë, vlonjatët hapën edhe dyert e shtëpive të tyre për të pritur mysafirët. Përgjatë gjithë ditës së djeshme, grupet folklorike nga të gjitha trevat mbushën rrugët dhe sheshet e qytetit bregdetar, duke shtuar atmosferën festive. Festivalet polifonike çelën siparin dy ditë më parë dhe do të vazhdojnë deri më 29 nëntor. Me rastin e përvjetorit të Pavarësisë, muzeu i qytetit të Vlorës do të jetë i hapur 24 orë, me qëllim që të gjithë vizitorët ta vizitojnë atë në çdo orë. Larmisë së aktiviteteve të organizuara nga lokalët i janë shtuar dhe improvizimet e bëra nga shqiptarët e ardhur nga Kosova dhe Maqedonia.

 

Nishani dhe Gjika ndajnë tortën 12 m të gjatë

Presidenti i Republikës së Shqipërisë Bujar Nishani dhe kryebashkiaku i Vlorës Shpëtim Gjika prenë bashkë super-tortën simbolike të Festës së Flamurit kombëtar e përgatitur me rastin e 28 Nëntorit. Dy bustet u derdhen në çokollatë, ndërsa torta u bë me shijen e luleshtrydhes dhe çokollatës. Gjatësia e saj ishte 12 metra. Më pas autoritetet më të larta të Shqipërisë, të Kosovës, nderuan themeluesin e shtetit shqiptar, Ismail Qemalin. Pas prerjes së tortës së pavarësisë, para qytetarëve të mbledhur në sheshin e Flamurit, kryebashkiaku i Vlorës, në këtë 100-vjetor mesazhi që vjen natyrshëm është ai bashkimit kombëtar. Më pas e mori fjalën edhe Presidenti i Republikës Bujar Nishani i cili i uroj të gjithë shqiptarëve gëzuar festën e Pavarësisë. “Gëzuar festën të gjithë shqiptarëve, në Kosovë, në Maqedoni e Malin e Zi; kudo ku janë në botë, që kanë shijuar ditën e madhe të lirisë kur u shemb muri i lartë i diktaturës! Gëzuar festën të gjithë djemve dhe vajzave njëzet vjeçare që lindën në liri dhe sot jetojnë ëndrrën që nuk e jetuan dot të parët tanë!”, – tha Bujar Nishani.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency