Kuvendi nderon 40 firmëtarët e pavarësisë, Topalli: Mirënjohje përjetë Ismail Qemalit

0
206

Florenc Drizari

Topalli: Ismail Qemali ngriti flamurin që nuk sulmoi kurrë të tjerët, flamurin tonë, të Skënderbeut, më të bukurin

 

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, nderoi me aktet e themelimit të shtetit 40 firmëtarët e pavarësisë, anëtarët e Qeverisë së Lushnjës si dhe udhëheqës të kryengritjeve në trevat shqiptare. Ceremonia e nderimit për figurat e shquara të kombit nisi pasditen e djeshme pa sallën e Parlamentit shqiptar dhe në të morën pjesë personalitete nga vendi dhe të huaj. Në sallën e zbukuruar me flamurin kombëtar, simbolin që bashkon të gjithë shqiptarët, ishin të ftuar nderi Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, Kryeministri Sali Berisha, Kryetari i Kuvendit të Kosovës Jakup Krasniqi, familjarë dhe pasardhës të firmëtarëve të Aktit të Pavarësisë, anëtarëve të Qeverisë së Lushnjës, patriotëve, udhëheqësve të kryengritjeve dhe rilindasve të shquar. Të pranishëm ishin edhe përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Shqipëri.

Në fjalën e saj përpara të pranishmëve, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, uroi të gjithë shqiptarët për pavarësinë, për datëlindjen e kombit, për kryefestën e të gjithë shqiptarëve. Një nderim të veçantë Kryeparlamentarja ia kushtoi edhe figurës së Ismail Qemalit. “Historia e përpjekjeve për të ruajtur pavarësinë e Shqipërisë është fondamentale. Ismail Qemali ngriti flamurin që nuk sulmoi kurrë të tjerët, flamurin tonë, të Skënderbeut, më të bukurin, faleminderit Ismail Qemal Vlorës, përjetë mirënjohës”, – tha Kryeparlamentarja Topalli. Në mbrëmjen gala, Jozefina Topalli u dhuroi familjarëve të firmëtarëve të Aktit të Pavrësisë, të udhëheqësve të kryengritjeve në të gjitha trevat shqiptare, si dhe të afërmve të rilindasve të shquar botimin special të Kuvendit të Shqipërisë me Aktet e Themelimit të Shtetit Shqiptar.

Ceremonia

Ceremonia e nderimit të firmëtarëve të pavarësisë dhe figurave të tjera të shquara të kombit u organizuar pasditen e së hënës në sallën e Parlamentit shqiptar dhe në të morën pjesë personalitete të shquara nga vendi dhe të huaj. Salla e Parlamentit u mbush nga të ftuar të shumtë të cilët u ulën bashkë me deputetët në sallë. Fjalën e hapjes e mbajti Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, gjatë së cilës vlerësoi kontributin e dhënë nga figurat e shquara të kombit, duke i dhuruar botimin e Kuvendit me aktet e themelimit të shtetit shqiptar familjarëve dhe të afërmve të tyre. Fillimisht u nderuan 40 firmëtarët që firmosën aktin e themelimit të pavarësisë dhe më pas anëtarët e Qeverisë së Lushnjës si dhe udhëheqës të kryengritjeve në trevat shqiptare. Personalitetet e larta të shtetit shqiptar, të Kosovës, por edhe të trupit diplomatik në vendin tonë ishin shpërndarë si rrallë herë në ambientet e Kuvendit të Shqipërisë, duke i lënë vend edhe të afërmve, miqve dhe të ftuarve të ishin pjesë e ceremonisë në vendet ku në seanca të zakonshme parlamentare ulen deputetët apo ministrat. Kreu i shtetit Bujar Nishani ishte ulur në lozhat e Kuvendit dhe ngjitur tij qëndronte Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga. Ndërsa Kryeministri Sali Berisha së bashku me Kryetarin e Parlamentit të Kosovës, Jakup Krasniqi, në rreshtin e parë në të cilën qëndrojnë deputetët e opozitës. Edhe pse ishin të ftuar në këtë ceremoni, përfaqësuesit e majtë nuk morën pjesë në këtë eveniment të organizuar nga Kuvendi i Shqipërisë. Përjashtim bëri deputeti Kastriot Islami, i cili ishte i pranishëm në ceremoninë e mbrëmshme, por me ndryshimet e fundit që u bënë në grupin parlamentar të PS-së disa muaj më parë, ai nuk është më pjesë e grupit socialist. Në mbrëmjen gala të organizuar nga Kuvendi i Shqipërisë ishin të ftuar gjithashtu dhe muzikantë të njohur nga vendi dhe Kosova, të cilët kënduan këngë patriotike në sallën e Parlamentit me rastin e nderimit të figurave të shquara të kombit. Në fund të ceremonisë, Kryeparlamentarja Topalli u kërkoi të falur në emër të shtetit shqiptar familjarëve të firmëtarëve të aktit të pavarësisë për vrasjet e kryera nga sistemi komunist dhe për internimin të afërmve tyre.

 

Topalli, historianëve: Shkruajeni historinë, thoni të vërtetat

“Shkruajeni historinë, thoni të vërtetat! Kjo është detyra e çdo historiani!” Me këto fjalë Kryetarja Jozefina Topalli tha se ky 100-vjetor duhet të jetë një moment meditimi, reflektimi për çdo shqiptar e në veçanti për historianët. Kryetarja e Kuvendit, u shpreh se është e mundshme që historianët të gjejnë faktet dhe të thonë të vërtetat e historisë së kombit tonë. “Mjafton të shohim vetëm Deklaratën e Pavarësisë, vetëm emrat e firmëtarëve të pavarësisë. Ne nuk e kemi thënë të vërtetën për Dom Nikollë Kaçorin, ne s’kemi folur, kemi pasur frikë. Ne s’kemi folur, aq sa duhet të thoshim për Lef Nosin. Në cilin vend të botës gjysma e firmëtarëve u detyrua të arratisej, ose të burgosej, ose të pushkatohej. Ne, shqiptarët e kemi bërë dhe këtë duhet ta themi. E them këtë, se ju keni për detyrë ta shkruani, por nuk e them këtë për t’i mësuar gjë ndokujt, e them për të kërkuar të falur në emër të shtetit të ri për atë që shqiptarët kanë bërë për gjysmë shekulli”, – tha Kryetarja Jozefina Topalli. Kryetarja e Kuvendit, mori pjesë një ditë më parë në konferencën ndërkombëtare “100 vjet pavarësi”, e organizuar nga Qendra e Studimeve Albanologjike dhe Instituti i Historisë, ku të pranishëm ishin historianë të shquar shqiptarë, kosovarë dhe ndërkombëtarë, albanologë, akademikë, profesorë, ministra, deputetë etj. Kryeparlamentarja Topalli vijoi më tej duke deklaruar: “E them këtë, se ju keni për detyrë ta shkruani, por nuk e them këtë për t’i mësuar gjë ndokujt, e them për të kërkuar të falur në emër të shtetit të ri për atë që shqiptarët kanë bërë për gjysmë shekulli. E them këtë, sepse ne së bashku duhet ta drejtojmë shoqërinë drejt së ardhmes. Për të kuptuar se cilët jemi ne shqiptarët, çfarë kemi bërë ne shqiptarët në historinë tonë, sa trima dhe sa të orientuar jemi ne shqiptarët”.

 

 

Mbretëresha Elizabeth uron 100-vjetorin e pavarësisë

Mbretëresha Mbretërisë së Bashkuar i ka dërguar një mesazh urimi Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani për 100-vjetorin e pavarësisë. “Me kënaqësinë më të madhe po ju dërgoj Shkëlqesia Juaj, urimet e mia për festimin e njëqindtë të pavarësisë së Shqipërisë. Shekulli i kaluar ka paraqitur shumë sfida për vendin tuaj duke u bërë një testament për forcën dhe vendosmërinë e popullit shqiptar në mënyrë që ju mund të festoni përvjetorin e 100-të si një shtet i pavarur, anëtar i NATO-s, kryetar i suksesshëm i Këshillit të Evropës dhe një partner i respektuar rajonal. Më lejoni t’i shpreh Shkëlqesisë Suaj urimet e mia më të mira për lumturinë dhe begatinë e qeverisë dhe popullit të Shqipërisë në vitin e ardhshëm, dhe shekullin tuaj të dytë të pavarësisë”, – shkruante Mbretëresha Elizabeth. Më parë, Nishani është uruar për 100-vjetorin e Pavarësisë nga një sërë krerësh shtetesh, midis tyre edhe Presidenti i SHBA-së, Barack Obama, i cili në mesazhin e tij rikonfirmoi edhe një herë mbështetjen e SHBA-së për vendin tonë, thellimin e bashkëpunimit mes shteteve dhe inkurajoi ecuri në rrugën e integrimit. Aleanca jonë me Shqipërinë është e fortë dhe e qëndrueshme. Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten të përkushtuara për të ndihmuar Shqipërinë në konsolidimin e institucioneve demokratike dhe në ndërmarrjen e reformave të nevojshme për të arritur integrimin e saj të plotë në bashkësinë euroatlantike. Në këtë ditë festimi, populli amerikan bashkohet me ju, duke ju uruar më të mirën në përpjekjet tuaj të ardhshme për ndërtimin e një Shqipërie demokratike dhe të begatë!”, – shprehej në urimin e tij kreu i Shtëpisë së Bardhë, Barack Obama.

 

100-vjetori rikthen në Shqipëri Ryerson dhe Withers

Ambasada Amerikane në Tiranë shtroi dje një pritje në nder të 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, ku pjesëmarrës, përveç ambasadorit aktual, Alexander Arvizu, ishin edhe dy ish-ambasadorët, William E. Ryerson dhe John L. Withers II. Ambasadorët Ryerson dhe Withers rikthehen në Shqipëri për këtë përvjetor të pavarësisë. Në njoftimin e shpërndarë nga Ambasada Amerikane, dy diplomatët kanë shprehur entuziazmin dhe emocionet e veçanta për rikthimin në atë që ata e quajtën “familje”. Ambasadori Ryerson është diplomati amerikan i parë që udhëhoqi Ambasadën Amerikane në Tiranë në vitin 1991. Me këtë rast, diplomati i dorëzoi kolegut të tij Arvizu flamurin e parë amerikan që u ngrit në Ambasadën Amerikane. “Po prisja një rast të veçantë për ta kthyer këtë flamur në Tiranë dhe nuk mendoj se ka rast më të mirë sesa ky”, – tha ambasadori Ryerson.

 

Patriotët e nderuar në Kuvendin e Shqipërisë

Ismail Qemal bej Vlora (1844-1919)

Dom Nikollë Kaçorri (1862-1917)

Vehbi Dibra Agolli (1867-1937)

Jorgji Karbunara – Bab Dudë Karbunara (1842-1917)

Elmas Boce (1850-1925)

Qazim Kokoshi (1882-1945)

Jani Minga (1872-1947)

Rexhep Mitrovica (1888-1960)

Dhimitër Tutulani (1875-1937)

Abas Dilaver (Çelkupa) (1850 – 1926)

Shefqet Dajiu (1882-1946)

Xhelal Koprencka (1876-1919)

Hajredin Cakrani (1860-1940)

Iljaz Vrioni (1882-1932)

Murad Toptani (1867-1918)

Luigj Gurakuqi (1879-1925)

Spiridon Ilo (1876-1950)

Thanas Floqi (1884-1945)

Lef Nosi (1873-1946)

Nuri Sojliu (1870-1940)

Ferit Vokopola (1887-1967)

Ymer Deliallisi (1873-1944)

Xhemal Deliallisi (1880-1941)

Mustafa Merlika Kruja (1887-1958)

Abdi Toptani (1864-1942)

Veli Harçi (1850-1914)

Nebi Sefa (1861-1942)

Mit’hat Frashëri (1880-1949)

Zihni Abas Kanina Hamzaraj (1885-1957)

Qemal Karaosmani Elbasani (1875-1949)

Sali Gjuka (1876-1925)

Dhimitër Berati (1888-1970)

Dhimitër Mborja Emanoil (1884-1945)

Dimitër Zografi (1878-1945)

Pandeli Cale (1879-1923)

Bedri Pejani (1885-1946)

Qemal Mullaj (1881-1966)

Dr. Myrteza Ali Struga (Dibra) (1876-1937)

Aristidh Ruci (1875-1950)

Zyhdi Ohri (1872-1938)

Sulejman Delvina (1884-1932)

Eshref FRASHËRI (1874-1938)

Mehmet Konica (1878-1948)

Mbreti Zog i Parë, 1895-1961, Ahmet Zogu

Ndoc Çoba (1870-1945)

Hoxhë Kadri Prishtina, 1878-1925

 

Ali Riza Kolonja (1880-1930)

 

Sotir Peci (1873-1932)

 

Bajram Curri (1862-1925)

 

Spiro Jorgo Koleka (1880-1940)

Hysen Vrioni

Hasan Prishtina (1873-1933)

Isa Boletini (1864-1916)

Naim Frashëri

Sami Frashëri (1850-1904)

Abdyl Frasheri (1839-1892)

Mehdi Frashëri (1874-1963)

Dedë Gjo Luli (1840-1915)

Imzot Luigj Bumçi 1872-1944

Elez Isuf Ndreu (1861-1924)

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency