Gjyqtari i Xhakes, Tabaku, s’paraqitet në prokurori

0
230

Refuzon të merret në pyetje për të disatën herë, gjyqtari Neritan Tabaku, që është vënë nën hetim për lirimin e Ilir Xhakes, të akuzuar për vrasjen e kryekomisarit Adem Tahiraj. Edhe pse Prokuroria e Tiranës, ku është transferuar dosja, i kishte dërguar kërkesë zyrtare, gjyqtari nuk është paraqitur, pasi sipas tij, avokati i tij mbrojtës ka pasur angazhime të tjera. Burime të prokurorisë thanë se nëse ai nuk paraqitet përsëri, hetimi penal do të nisë edhe pa praninë e tij. I akuzuar për “Shpërdorim detyre” gjyqtari Tabaku erdhi në Prokurori javën e kaluar, por nuk iu përgjigj pyetjeve të prokurorëve për shkak se nuk kishte një mbrojtës ligjor. Pak kohë më parë Tabaku mungoi dhe në mbledhjen e fundit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë ku pritej të mbahej dhe një seancë dëgjimore, ndërsa mungesa e tij u cilësua si një zvarritje. Këshilli i Lartë i Drejtësisë pezulloi gjyqtarin Tabaku dhe i hapi rrugë prokurorisë për procedimin e tij nën akuzën e shpërdorimit të detyrës, pasi jo vetëm nuk zbardhi vendimin për lirimin e Ilir Xhakes, por nuk depozitoi në sekretari fashikullin e gjykimit, i cili hapi problem në zhvillimin e procesit në Gjykatën e Apelit në Durrës. Ilir Xhakja akuzohet për ekzekutimin në Sukth të Durrësit të kryekomisar Adem Tahirajt. Më herët ai ka qenë i dënuar për vrasje, por ishte liruar nga gjykata e Durrësit me vendim të treshes së kryesuar nga gjyqtari Tabaku.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency