Për shqiptarët që bashkohen te Zoti dhe Skënderbeu!

0
1084

Violeta Murati

Kryeministri Berisha, mesazh ridimensionimi për identitetin, kombin e besimin. Ceremoni politike brenda Muzeut Historik Kombëtar në rastin e ekspozitës, për herë të parë pas 5 shekujsh, së armëve të Skënderbeut; ndërsa në rrugë, dje në mesditë, me qindra qytetarë në pritje për të parë armët e heroit; masa të jashtëzakonshme nga policia duke rrethuar qendrën e Tiranës, makina dhe forca të rendit; Muzeu propozon qeverisë 100 lekë bileta për çdo vizitor, ku përjashtohen studentët, nxënës dhe pensionistët. Ndryshon orari i vizitave deri në fund të këtij viti Muzeu do të jetë i hapur nga çdo ditë ora 09:00-17:00. Të dielën e fundit të ekspozimit hyrja falas për të gjithë

 

Një grumbull i madh njerëzish para Muzeut Historik Kombëtar, bllokim trafiku, policë që mbajnë rrugët nën kontroll dhe pamja më mbresëlënëse: banda e veshur me të kuqe duke luajtur muzikë të rreshtuar në shkallët e Muzeut, shoqëruar hyrjen disa roje të veshur në të kuqe e imitim të veshjes skënderbejane… kjo ishte çfarë ndodhte dje në mesditë, në orën 14:00, kur eskorta e Kryeministrit shqiptar Sali Berisha hyri për të përuruar ekspozitën e hapur për herë të parë, me armë e përkrenare të Heroit tonë Kombëtar, sjellë nga Austria.

Ndryshe nga “Meshari”, ceremoniali i ekspozimit të armëve të Skënderbeut në Muze është më politike. Trupa diplomatike e zyrtarë të lartë austriakë ishin zhvendosur dje në Tiranë, shoqëruar nga Kryeministri shqiptar, Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, kryetari i bashkisë, Lulzim Basha si dhe ministri i Kulturës, Aldo Bumçi. Nga pala austriake ishte kryetari i Grupit të Miqësisë në Parlamentin austriak z. Wolfgang Grossruk, ministrja e Kulturës së Austrisë znj. Claudia Schmid dhe personalitete të tjerë nga të dyja vendet.

Të gjithë mbajtën fjalimin e rastit ku pas rreshtit të parë të kamerave, ishte e vështirë të dëgjohej deri në fund të hollit të katit të dytë, për shkak të zhurmës dhe bisedave me zë të lartë. Këta hynin në rangun e lartë të personaliteteve që e bënin krejt të pamundur dëgjimin, ashtu siç ndodh në shumë raste të tilla ceremoniale në kryeqytet.

Për fat fjalën e plotë të Kryeministrit, si dhe përmbledhjen çfarë thanë të tjerë, në pamundësi për t’i kuptuar, zbardhen të plota në web-in e Këshillit të Ministrave.

Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha e vlerësoi rikthimin e armëve të Skënderbeut, prijësit të përjetshëm të kombit shqiptar, pas shekujsh në dheun e vet, si një moment shumë të rëndësishëm dhe emocionues për shqiptarët. Skënderbeu, theksoi Kryeministri, është frymëzimi i guximit e krenarisë dhe shtylla kryesore e identitetit kombëtar të shqiptarëve, ndërsa nënvizoi se ai është njëkohësisht edhe vizionari i madh i vokacionit të tyre perëndimor.

Kryeministri shprehu falënderimet për qeverinë dhe kombin austriak për këtë dhuratë të çmuar që u bëjnë shqiptarëve në këtë 100-vjetor të pavarësisë. “Ardhja e armëve të Skënderbeut në këtë 100 vjetor të pavarësisë është dekorata më e bukur e këtij përvjetori, ndaj është një rast për mua të shpreh mirënjohjen e thellë kombit austriak, qeverisë austriake”. Ai vlerësoi marrëdhëniet e dhe lidhjet e veçanta që ekzistojnë mes dy vendeve dhe kombeve tona, përgjatë zhvillimeve të hershme historike dhe deri në ditët e sotme. Austria, theksoi Kryeministri, e ka mbështetur Shqipërinë dhe ka kontribuar jo vetëm në momente të rëndësishme historike të saj, por edhe në fushën studimore, të gjuhësisë, etj., ndërsa shtoi se këto 20 vitet e fundit këto marrëdhënie kanë njohur zhvillime të fuqishme, të gjithanshme.

Ndërsa para armëve të heroit inspirimi i fjalës së kryeministrit lidhej me identitetin e shqiptarëve në raport me kombin dhe Zotin, aq i ndërlikuar por konsideruar si vlerë tolerance për shqiptarët, ndërkohë që i ka shpëtuar pikërisht implikimi me politikën.

“Skënderbeu është frymëzimi, është shtyllë kryesore e identitetit të tyre kombëtar. Shqiptarët ndajnë besime të ndryshme, respektojnë dhe besojnë Krishtin, Muhamedin, por ata bashkohen që të gjithë te Zoti dhe Skënderbeu. Në besimin e tyre ata janë 1, respektojnë besimin e njëri-tjetrit, janë të bashkuar te i gjithëfuqishmi Zot dhe te prijësi i përjetshëm i tyre, Skënderbeu”, ka thënë kryeministri. Nga ana tjetër nuk është hera e parë që shqiptarëve u shteren forcat intelektuale, dhe që sjellin nga historia fjalime mbi nevojën e ridimensionimit shpirtëror duke vështruar nga Heroi. Kujtojmë rilindasit, Shqipërinë e viteve ‘30-‘40, e sigurisht risillet fjalimi i famshëm i Nolit në thirrjen legjendare për më shumë entuziazëm atdhetar. Por, kjo nevojë të himnizimit shpirtëror mbi komb e besim, u ndërpre në diktaturë. E në këta 20 vjet të demokracisë, fjalia që po ja citojmë kryeministrit jep ndoshta këtë reprizë të historisë: “Armët që ju (drejtuar diplomatëve austriakë) sot sollët këtu, janë guximi, burrëria, kuraja e dhjetëra e mijëra shqiptarëve, që në shekuj ranë për liri e dinjitet, ranë për t’u bërë të pavdekshëm në beteja nga më të pa barabartat, por që frymëzimi i prijësit të tyre u jepte guxim, vetëmohim, i ngrinte ata në këmbë pas çdo disfate dhe që, i solli sot të lirë, në këtë 100-vjetor të pavarësisë së tyre. Skënderbeu nuk është vetëm frymëzimi kryesor i guximit e trimërisë së tyre, por Skënderbeu është edhe vizionari i madh i vokacionit të tyre perëndimor. Në të gjitha betejat e tij, Skënderbeu mbrojti vokacionin perëndimor të kombit shqiptar”.

Si një rast për t’i shprehur mirënjohjen qeverisë austriake, Kryeministri tha se “ardhja e armëve të Skënderbeut në këtë 100 vjetor të pavarësisë është dekorata më e bukur e këtij 100 vjetori”, duke e vijuar në disa sentenca që dëshmojnë lidhjet e mëdha cilësore që kanë ekzistuar në të shkuarën si kontributi në gjuhën shqipe i Gustav Mayer dhe studimi i këtij albanologu të famshëm në mbarë botën, së bashku me Joklin, të cilët hodhën themelet e etnogjenezës së vërtetë të kombit shqiptar.

Por, duket sikur pak rëndësi marrin kësi fjalimesh mes njerëzve të serës përballë peshës së ceremonisë dhe mizërisë së njerëzve që pritën në mbi dy orë jashtë Muzeut, në rrugë, në padurimin për të parë reliktet e luftës së heroit tonë kombëtar.

Dje, Muzeu Historik nga të gjitha anët ka qenë rrethuar me makina të policisë dhe forcat e rendit duke dhënë si ndër rastet e rralla potencialin se ne mund ta mbrojmë “pasurinë tonë”, pa rrezikuar të vidhet, në ironi, prej po prej nesh! Janë dy shpata, përkrenarja, gravura të përmasave të mëdha dhe kodeksi i jetës së Skënderbeut.

 

Armët e Skënderbeut me vlerë 35 milionë euro, marrëveshje sigurie

Armët e Skënderbeut vijnë për herë të parë në Shqipëri me mbështetjen e Sigal Uniqa Group Auastria. Për armët, përkrenaren, kodeksin dhe gravurën me vlerë 35 milionë euro është bërë dje një marrëveshje për t’u siguruar me kompaninë më të madhe të sigurimeve në vend. “Sigurimi i një pasurie të tillë me vlera të mëdha historike për Shqipërinë është në përputhje me strategjinë e Sigal Uniqa për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe historike duke e siguruar atë”. Koleksioni Armët janë pjesë e koleksionit të Muzeut të Historisë së Artit Vjenë. Shpata dhe Përkrenarja e Skënderbeut përmenden për herë të parë në vitin 1593 në inventarin e koleksionit Ambraser të Ferdinandit II. Arqiduka Ferdinand II i Tirolit (1529-1595) ishte një koleksionist i apasionuar i armatimeve. Për Ferdinandin II Skënderbeu ishte mjaft i rëndësishëm, sepse pas fushëbetejës së tij të suksesshme të vitit 1556 kundër turqve në Hungari ai e shihte veten si një pasardhës të drejtpërdrejtë të Skënderbeut. Që prej viteve 1580 Armët e Skënderbeut nuk janë larguar asnjëherë nga territori austriak.

 

 

100 lekë bileta për armët e Skënderbeut, studentë e pensionistë falas

Nëse për ekspozitën e librit të parë shqip, shënuar për herë të parë për publikun hyrja është falas, ndryshe si duket do të ndodhë për armët e Skënderbeut. Dje, kur ceremonia në katin e dytë vazhdonte të ndiqej nga turma e personaliteteve në vend, në banakun e recepsionit dy gra të japin përgjigjen se ishte nisur një letër drejt kryeministrisë që bileta të bëhej 100 lekë për publikun, të huaj e vendas dhe studentë, nxënës e pensionistë të ishte falas. Në ditë të zakonshme bileta për të parë Muzeun është 200 lekë. Në fakt mendohej se ekspozimi i relikteve të Skënderbeut do mund të ishte falas për publikun. Na bëhet me dije se vetëm e diela e fundit e ekspozimit të Armëve do të jetë falas për publikun. Për t’u bërë 100 lekë bileta pritet sot vendimi i këshillit të ministrave. Ndërsa orari për të vizituar Muzeun është përcaktuar tashmë: çdo ditë nga ora 09:00-17:00

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency