Zbardhet biseda Clinton-Thaçi për çarmatimin e UÇK-së

0
1139

Ruben Avxhiu

Ditën kur Ushtria Çlirimtare e Kosovës nënshkroi marrëveshjen për çarmatimin e saj, udhëheqësi politik i saj, Hashim Thaçi, mori një thirrje telefonike nga vetë Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton.
Teksti i bisedës, i panjohur deri tani, është bërë publik në Bibliotekën Presidenciale William J. Clinton, në bazë të ligjit për të drejtën e informimit publik që ekziston në SHBA.
Ishin ditët euforike të çlirimit të Kosovës, ushtarët e NATO-s u pritën me gëzim si çlirimtarë dhe refugjatët po ktheheshin me shpejtësi në shtëpitë e tyre. Forcat serbe bashkë me një pjesë të popullatës serbe kishin vrapuar drejt veriut.
E megjithatë, për UÇK-në nuk ishte vendim i lehtë të dorëzonte armët. Besimi te SHBA ishte i madh. Pas 78 ditësh lufte, nuk do ta lejonte kush Millosheviçin që të kthehej në Kosovë, por për statusin nuk ishte vendosur asgjë. Do të priteshin edhe gati nëntë vite që të shpallej pavarësia. Udhëheqësve të UÇK-së po u kërkohej të besonin edhe një herë tjetër e mbase kësaj radhe ishte më lehtë se në Rambuje.
Pas nënshkrimit të marrëveshjes, telefonata nga vetë Presidenti Clinton, një gjë e rrallë për një udhëheqës si Thaçi, ishte nga një anë një lloj shpërblimi e nga ana tjetër një sinjal garancie se shpërndarja e UÇK-së nuk do të rrezikonte çlirimin e Kosovës. Sipas dokumentit, biseda është kryer në datën 20 qershor 1999, në orën 6:30 të pasdites, kur Kryeministri i sotëm i Kosovës ndodhej në “Hyatt Hotel” në Këln të Gjermanisë. Biseda ka zgjatur më pak se dhjetë minuta. Si përkthyese dhe mbajtëse e shënimeve ka shërbyer Lindita Imami.
Më poshtë vijon biseda e plotë, siç është zbuluar nga Biblioteka Presidenciale William J. Clinton.

Presidenti Clinton: Përgëzime për nënshkrimin e marrëveshjes për çmilitarizimin dhe transformimin e UÇK-së! Jam shumë i kënaqur që ndodhi në të njëjtën ditë që forcat serbe plotësuan tërheqjen e tyre nga Kosova.

Thaçi: Faleminderit! Është një nder që po na përgëzoni për çmilitarizimin dhe transformimin e UÇK-së. Ky është edhe suksesi juaj gjithashtu. Nga ana jonë ka qenë një kompromis për hir të të punuarit drejt paqes dhe qëndrueshmërisë në Kosovë dhe në rajon.

Presidenti Clinton: E di. Dhe ju jam mirënjohës për këtë. Mund t’ju siguroj se do të bashkëpunojmë në mënyrë të plotë për të sjellë sigurinë, një forcë policore lokale dhe vetëqeverisje të vërtetë për popullin e Kosovës. Kjo është një ditë shumë e rëndësishme për Kosovën. Unë jam shumë i kënaqur që ia arritëm të ndalonim spastrimin etnik në Kosovë.

Thaçi: Ky proces është gjithashtu edhe rezultat i përpjekjes suaj. Kemi qenë të përkushtuar në të kaluarën dhe do të vazhdojmë të jemi edhe në të ardhmen të përkushtuar ndaj procesit të paqes. Ne garantojmë se do të respektojmë të drejtat e njeriut dhe të drejtat e pakicave në Kosovë. Jemi të vendosur që të sjellim lirinë, paqen dhe demokracinë për të gjitha grupet etnike në Kosovë. Gjithashtu do të punojmë për një ekonomi të lire dhe të hapur. Biseda jonë sot do të jetë edhe një faktor nxitës drejt këtyre synimeve.

Presidenti Clinton: Deklarata juaj për respektimin e të drejtave të njeriut dhe pakicave është shumë e rëndësishme. Kur, me gjithë vuajtjet e popullit të Kosovës, ju merrni nismën për këto çështje, kjo u dëshmon të gjithëve se sa e drejtë është kauza jonë. Millosheviçi nuk është si të tjerët. Ne do të kemi një të ardhme të mirë. Mezi pres t’ju takoj dhe ju admiroj për udhëheqjen tuaj.

Thaçi: Faleminderit zoti President! Beteja e re që na pret është kthimi i refugjatëve, rindërtimi, vendosja e shoqërisë civile dhe mbajtja e zgjedhjeve të lira e pluraliste. Do t’i realizojmë këto me mjetet tona, por edhe me ndihmën dhe mbështetjen tuaj. Ju uroj shëndet dhe suksese si në jetë ashtu edhe në punë!

Presidenti Clinton: Faleminderit! Mirupafshim!

(“Illyria”, Nju Jork)

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency