Kur s’mundemi me shtrydhë Një pikë dashni…

0
193

Abdullah Konushevci

 

MarcChagallMuseeNationalMarTë pabotuara/ Në homazh të ndarjes nga jeta të poetit nga Kosova, Abdullah Konushevci; duke luftuar me jetën, krijon himnet shpirtërore, si përjetesë dhe zbulim të qenies, deri ku mbërrijnë, tashmë jo thellësitë e imagjinatës, por fjala dhe dija për jetën; balada, lirika, elegji, që zhveshin misteret e dhimbjes, të dashurisë, aty ku fillojnë dhe mbarojnë ndjesitë si lëndë ekzistenciale për poezinë

 

 

 

 

 

 

Një top në hapësi

 

Ajo është një top loti

Një top loti

 

Bjeshkë duhet me lëvizë

Mos me lanë m’u rrokullisë

 

Ajo është një top bore

Një top bore

Që rrotullohet papra rreth meje

 

Ajo s’i ka dy fije mend

Krejt do m’u shkri për mua

Për mua që po shkrihem

Më shpejt se bora

 

Ajo është një top në hapësi

Një top në hapësi

Disa e shohin si një kometë

Disa si një meteorit

 

Ajo është një ëndërr

Që rri nalt në ajri

Mos me përgjakë vrasësit

 

Ajo është një top loti

Një top loti

Lum si ai që e ka parë

Si ndrin në errësinë

Prishtinë, më 26 prill 2013

 

 

Diell i qeshur

 

Me nisë ditën

Me një diell të qeshur

Si në vizatime fëmijësh

Shenjat janë se ke m’e sosë

Si një djalë diell

 

Me nisë ditën

Me një këngë gëzimi

Me një Haleluja të gjatë

Shenjat janë se ka me ardhë

Qengji dhe bisha ka m’u shtrue

 

Me nisë ditën

Me një puthje të thellë

Gjithë ditën ke me qenë

Dy në një

 

Me nisë ditën

Me lëng portokalli

Nuk është gjë

Dita ka m’u zgjatë pa lidhje

Dhe muzgu kurrë s’ka me ra

Prishtinë, Dita e Pranverës 2013

 

 

Loja me vdekjen (1)

 

Kujtoi se shkoi

Me atë bisht magjik palloi

 

Nuk e pa se la erën la ngjyrën

Se në shpirt e zemër i ruaj fytyrën

 

I them mos druaj

Kur vdekja të afrohet

Kam me veshë këmishën e gjarprit

Dhe kam me mashtrue

 

Kur të më lidhë për brezi

Si shokë kam me pështjellë ylberin

Dhe kam me çmeritë

 

Kujtoi se u kthye

Pa u larguar kurrë

Se ngjyrën erën

Bashkë me sytë e mëdhenj fytyrën

Ashtu të freskët të njomë

I kish lënë tek unë

 

Natyrisht

Diku tjetër qetësi nuk gjenin

Nëntor 2012-shkurt 2013

 

 

Dritë e saj është në mua

 

Ajo më lëshon dorën

Më lë vetëm në rrugë

Pa të jam unë

Ende një i verbër

Një hap më tutje s’mund të bëj

 

Vjen dhe më nxjerr në shteg

E shoh një dritë të vogël

Një dritë që vjen e bëhet e madhe

Një dritë që jam unë

I shumëzuar shumëfish me të

 

Besoj do më kthehet

Kur të pjesëtohet me të gjithë

Dhe terri t’i vrasë sytë

Kur ta shohë dhe vetë

Se dritë e saj është në mua

Prishtinë, 23 nëntor 2011

 

E sigurt është vetëm vdekja

 

Nuk është e sigurt

Në më deshi më shumë se veten

 

Nuk është e sigurt

Në e desha me shumë se veten

 

Nuk është e sigurt

E ndoqën sigurinë nga unë

Apo e humba rrugës

 

Nuk është e sigurt

Ka sigurimi fytyrë burri

A bishe të trembur

 

Nuk është e sigurt

Jam një shuk drite

Apo njeri prej mishi e gjaku

 

Nuk është e sigurt

Po e shkruaj unë këtë vjershë

Po i shtyp unë shkronjat në tastierë

Këtë as sigurimi s’mund ta dijë

 

Nuk është e sigurt

Do të vdes në shtrat

Apo do të më vrasin

 

E sigurt është se dua

Të kem këmishë të bardhë

Të bjerë më shumë në sy gjaku

 

Nuk është e sigurt

Ç’do të bëhet me sigurinë e brendshme

Do të ma kthejnë një ditë

Apo do ta nxjerrin në treg

 

Nuk është e sigurt

Më përgjojnë telefonin

Apo ai jehon vetiu

 

Nuk është e sigurt

Cilën ditë do të më nxjerrin

Prapë në gjyq

Apo më parë do të më marrin në hetime

 

Nuk është e sigurt

Cilin rrugaç cilën kurvë

Do ta ndërsejnë nesër kundër

 

Nuk është e sigurt

Se nuk do të djersij

Se nuk do të pëlcas

 

E sigurt është vetëm vdekja

Dhe ringjallja po ashtu

Prishtinë, më 28 prill 2011

 

 

 

Loja me vdekjen (3)

 

Mos ki frikë, ti mikja ime

As vdes unë pa ty

As vdes ti pa mua

 

Nuk kemi me lanë

Pa u harrnuar me ëndrra

Me ba vdekjen me na kërkue

Te njerëzit e tjerë

 

Kur më s’mundemi me shtrydhë

Një pikë dashni

Ki frikë, mikja ime

Zoti po çon dorë prej nesh

Shumë më mirë

E kemi me vdekë

 

Kemi m’u kujtue

Siç kujtohet dritë e Zotit

Matanë

Një shuk i fortë purpuri

Kemi me qenë

 

Mos ki frikë, ti mikja ime

Dashnia rritet nuk vdes

Prishtinë, 2012 – shkurt 2013

 

 

FJALA

Ajo pret në errësirë

Pret të më lodhë gjumi

Të më zërë rakia

Të humbem në dashuri

 

Unë e shoh si rri

E gatshme si macja

 

Ajo është vrasëse

S’ngopet së piri

Gjak blu

Ia shoh dhëmbët kthetrat

Gjithë gjak

 

E ndiej si merr frymë

Llahtarshëm

Lavirja e ndezur në epsh

Kur në dhomë bie nata

Dhe unë strukem në qoshe

Dhe rri dhe pres

Të zbardhë agimi

Prishtinë 4 gusht 1995

 

 

TROJA ISHTE NDRYSHE?!

 

Dhe rridhni ende gjak

Ti Paramithi ti Filat

 

Dhe digjeni ende në flakë

Ti Artë edashur ti Pargë

 

Zerva shënon me shpatë

Kokat e foshnjave të prera

 

Troja ishte tjetër thonë disa

Po grekët

Grekët ishin po ata

 

Nga Dodona ikën pleqtë

Dhe pëllumbat ikën diku

Tash dhe lisat më nuk fëshfërijnë

Eh, po t’i dinim

Sikur tash i dimë

 

Kudo tokë e djegur

Kudo tym e flakë

Një gjëmë që ngjitet

Lart e më lart

Prishtinë, më 20 maj 2010-30 maj 2013

 

 

Katër sonete nga Fernando Pessoa (nga “Duhantorja”) përkthyer në shqip, ekskluzivisht për “Logos & Art” nga Linsadri Kola

 

 

Ma nuk shoh kë deshta…

 

 

 

4 sonete

 

 

Fernando Pessoa

*

Pjesa e përtesës asht jeta njimtue.

Ai që nuk shfaq mundë në vijimësi,

por e len të amullt, e len n’gjumësi,

e len pa të ardhme e pa u strehue,

 

çka mundet me thithë nga lufta dekë thue,

për me ndjekë, nga e njoftuemja kotësi,

nji hap, ma fort prej inercisë me ndi,

nga vegimi humbë e zjermi vorrue,

 

përpos qetsisë ’dorëzueme që ka

shpërnda në gjak, dhe nëpër trup të tanë

vetdín as me dashtë as me kenë asgja,

 

mbrendavegimi i sendeve t’gërmueme

dhe kundërshtimi, si nji e bukur anë

e duerve që zbehja i ban t’akullueme?

*

Kam pushue s’kêni aj që shpresova un,

Kshtu, kam pushue s’kêni aj që s’isha aspak…

Mes valës me valë, vala s’grryhet ndopak

e gjithçka, zgjat e rrjedh, kur asht e lidhun.

 

Zhgjeta dridhet, ngaqë, n’harkun ’tërhekun,

e tashmja krijon e rrok t’ardhmen sak.

Nse detet tërbohen egër pa cak,

kjo a’ se paqja e ardhshme, gjurmën ka fshimun.

 

Gjithçka varet nga ajo që s’ka ekzistue.

Prandej qenia ime e heshtun kthehet

me t’njejten përgjasí, i vrazhdë e trishtue.

 

Asgja s’më shpjegon. Asgja s’më takon.

E mbi gjithçka hana e huej lëshohet

n’dritën që krejt shpërndan dhe asgja s’fiton.

 

*

Jeta ime asht nji barkë braktisë tash pak:

s’i shërbej, n’port shkretue, pajtue me fatin.

Pse nuk niset dhe nuk e ndjek instinktin

e lundrimit, martue me short vetjak?

 

Ah, mungon kush e lshon n’ujë e flutrak

e ban skafin me vela; pelegrinin

të freskët banimit, në përqafimin

hyjnor të mjesit, të pastër e idhnak.

 

Trup i dekun n’veprim pa farë dëshrimit

për me jetue, hije sterile e gjallnisë,

tue value në lulen e kotë t’vajtimit.

 

Algat e bajnë t’blertë drunin e lakuem,

të përkund era hiç për pa të lëvisë,

dhe asht përtédetit Ishulli i lakmuem.

 

*

O kthesë horizonti, që të përshkon,

skaj shikimi, zbraztë s’kêni a tu’ qëndrue.

Zhgjetë, që krahnori përbind më tejshkon.

Mos u ligso: me dekë asht me vazhdue.

 

Ma nuk shoh ke deshta. Kupa q’anon,

e artë, nuk asht coptue. N’det humbue,

përmbytun, po në fund hirsin dallon

e fshehun për ne, por tue kallzue.

 

O kthesë horizonti, t’qasem dikundit,

për ke rrin, kur kam me u zhdukë nji ditë

nga shikimi i fundit i majës ’fundit,

 

por në t’njejten përjetsí tue shkue jam

mbi kthesë, dersa koha ma s’ka me pritë

e ku kam kenë nji ditë me u kthye kam.

 

Përktheu nga italishtja Lisandri Kola

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency