Fullani zgjohet nga letargjia, ja masat e propozuara përballë uljes së kreditimit bankar

0
123

Ervin Kaduku

fullaniBanka e Shqipërisë – me shumë vonesë – ka përgatitur më në fund ndryshimet përkatëse rregullative për rritjen e kreditimit, ndryshime që u janë dërguar për opinion bankave tregtare

 

E ndodhur përballë presioneve të vazhdueshme për marrje të masave të shpejta dhe efikase, për t’iu kundërvënë fenomenit të rënies së kreditimit nga ana e bankave të nivelit të dytë, Banka e Shqipërisë – me shumë vonesë – ka përgatitur më në fund ndryshimet përkatëse rregullative për rritjen e kreditimit, ndryshime që u janë dërguar për opinion bankave tregtare. Ka qenë TV “Scan”, i cili ka publikuar dje për herë të parë ndryshimet që propozohen nga Banka e Shqipërisë dhe që pritet të miratohen së afërmi nga Këshilli Mbikëqyrës.

 

Ulja e kapitalit

 

Së pari, Banka e Shqipërisë do të ndryshojë rregulloren “Për raportin e mjaftueshmërisë së kapitalit” në dy drejtime. Rritja e portofolit të kredisë së dhënë brenda vendit mes niveleve 4% dhe 10% do të shoqërohet me ulje të kërkesës për kapital. Rritja e kredisë gjatë vitit do t’i zbritet totalit të aktiveve të bankave, duke ndikuar në këtë mënyrë në rritjen e raportit të mjaftueshmërisë së kapitalit.

E thënë më thjesht, Banka e Shqipërisë incentivon bankat që e rrisin kredinë me të paktën 4%. Por, kjo duket se është pritur me rezerva nga disa banka, që nuk dëshirojnë që përfitimet të kushtëzohen nga përqindja e rritjes së kredisë. Në të kundërt, vendosjet e parave jashtë vendit do të shoqërohen me rritje të kërkesës për kapital. Kjo do të bëhet duke i shtuar totalit të aktiveve vlerën emërore të rritjes vjetore në klasat “veprime me thesarit dhe transaksione ndërbankare” dhe “veprime me letrat me vlerë”, duke ndikuar kësisoj në uljen e treguesit të mjaftueshmërisë së kapitalit.

 

Jorezidentët

 

Ndërkohë, Banka e Shqipërisë do të diskutojë me shoqatën e bankave edhe mundësinë që kërkesa për kapital shtesë të shtrihet edhe ndaj totalit të aktiveve në valutë të mbajtura nga jorezidentët, megjithatë kjo ende nuk është pjesë e propozimeve zyrtare. Ndryshimet në këtë rregullore propozohen në mënyrë që bankat të kenë më shumë nxitje për dhënë kredi brenda vendit dhe të kufizohen në investimet jashtë vendit.

 

Rreziku i parasë

 

Rregullorja e dytë që do të ndryshojë është ajo “Për administrimin e rrezikut të likuiditetit”. Përqindja e detyrueshme e aktiveve likuide me maturim deri në një vit, në raport me detyrimet afatshkurtra, për bankat ulet nga 25% në 20%. Ndërsa, e ndarë sipas valutave, niveli i aktiveve likuide ulet nga 20% në 15% për secilën. Ky ndryshim në rregullore ju krijon hapësira bankave për të mbajtur më pak likuiditete të lira dhe për të rritur investimet afatgjata dhe kryesisht kreditë.

 

Rreziku i kredisë

 

Rregullorja e tretë që Banka e Shqipërisë propozon të ndryshohet është rregullorja “Për administrimin e rrezikut të kredisë”. Banka e Shqipërisë ka hequr nga rregullorja përcaktimin se kreditë e ristrukturuara në asnjë rast nuk mund të klasifikohen më lart se kategoria “nënstandarde”. Kredia që ristrukturohet për herë të parë ruan të njëjtën klasë në të cilën ndodhet. Por, megjithatë edhe në këtë rast, ka një kufizim.

Kreditë e ristrukturuara duhet të mbulohen në çdo rast me fonde rezervë apo provigjione në jo më pak se 10% të vlerës. Sot, për kreditë që nuk klasifikohen si të këqija, masa e provigjionimit është maksimalisht 5%. Kjo do të thotë se, pavarësisht se kreditë që ristrukturohen nuk do të llogariten domosdoshmërisht si kredi të këqija, përsëri bankat do të detyrohen të shpenzojnë më shumë për provigjione kur pranojnë të ristrukturojnë një kredi. Lehtësimi konsiston në faktin se provigjionimi nuk do të jetë minimalisht 20%, siç ndodh sot, por vetëm 10%.

Ky ndryshim do t’i kënaqë vetëm pjesërisht bankat. Më datë 4 mars, guvernatori pati premtuar se kreditë e ristrukturuara nuk do të uleshin në kategori, por pa specifikuar se, pavarësisht nga kjo, sërish ristrukturimi do të ketë një kosto shtesë për bankën.

 

 

 

 

Komisioni i Ekonomisë, OK për sigurinë e digës së Komanit

 

Komisioni për Ekonominë dhe Financat miratoi dje marrëveshjen e huasë ndërmjet Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) për financimin e projektit të përmirësimit të sigurisë së digës në hidrocentralin e Komanit. Financimi do të mbështesë qeverinë në sigurimin e hidrocentralit të Komanit. Ai do të ndihmojë edhe në përmirësimin e efiçencës operacionale dhe përmirësimin e qëndrueshmërisë së furnizimit me energji.
HEC-i i Komanit u ndërtua mbi lumin Drin në pjesën verilindore të Shqipërisë në mes të kaskadës së Drinit në vitin 1985. Baseni i këtij HEC-i ka një kapacitet prej 450 milionësh metra kub ujë. Impianti u vu në punë në dy faza: njësitë 1, 2 dhe 3 në vitin 1985 dhe njësia 4 është vënë në punë në vitin 1988. Diga është e lartë 125 metra. Dy tunele furnizojnë me ujë të katër turbinat që ndodhen në sallën e turbinave. Kapaciteti i instaluar i HEC-it Koman është 600 megavat dhe prodhimi mesatar vjetor 2 miliardë kilovat/orë. Impianti është i lidhur me rrjetin 220 kilovolt të transmetimit.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency