Burgimi i padrejtë, Roshi e Hoxha padisin Prokurorinë e Përgjithshme

0
154

Sonja Caka

prokuroriShkaktimi i dëmit pasuror dhe jopasuror, kërkohen 4.4 milionë lekë si dëmshpërblim

 

Artur Roshi dhe Çelo Hoxha kanë paditur Prokurorinë e Përgjithshme për akuzat e padrejta dhe hetimin e nisur ndaj tyre, për akuzën e falsifikimit të vulave, stampave ose formularëve, me pasojë pushimin e gjykimit për ta nga Gjykata e Tiranës pesë vite me parë dhe lënien në fuqi të vendimit edhe nga shkallët e tjera të gjyqësorit. Organi qendror i akuzës është paditur në Gjykatën e Tiranës për shkaktim të dëmit pasuror dhe jo pasuror dhe për këtë arsye, Artur Roshi e Çelo Hoxha kërkojnë dëmshpërblimin me nga 4.4 milionë lekë secili. Padia e tyre është depozituar dje në gjykatë dhe mban nr. 11179, ndërsa kërkesën e argumentojnë me pasojat e ardhura nga arrestimi me urdhër të prokurorisë. Dëmet janë morale, pasurore dhe jo pasurore dhe pasi morën pafajësi në të tri shkallët e gjyqësorit dhe vetë prokuroria i ka cilësuar si të përfshirë në ngjarje, Roshi e Hoxha i janë drejtuar Gjykatës së Tiranës për t’u dëmshpërblyer për dëmin e shkaktuar në vlerën e 4.4 milionë lekëve.

Akuza

Organi i Prokurorisë pranë Gjykatës së Tiranës ka sjellë për gjykim çështja penale me nr. 183 akti e date ardhje 4.9.2007, në ngarkim të pandehurve Artur Roshi, Çelo Hoxha, Tomorr Gostivari dhe Pajtim Hoxhaj, të akuzuar për veprën penale “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”, parashikuar nga neni 190/3 – 25 i Kodit Penal. Nga shqyrtimi në tërësi i çështjes rezultoi e provuar se në zgjedhjet vendore të 18 Shkurtit 2007 është regjistruar subjekti elektoral “Partia e Ballit Kombëtar Demokrat” për Tiranën me kandidatin (të ndjerin) Akile Rama. Në momentin e zhvillimit të zgjedhjeve lokale të vitit 2007, funksionet e kryetarit janë ushtruar nga ana e të pandehurit Artur Roshi, sipas ndryshimeve përkatëse me vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, Nr. 33/3, datë 28.6.2005. Të pandehurit e tjerë janë gjithashtu drejtues të lartë të këtij subjekti politik, dhe konkretisht i pandehuri Çelo Hoxha – sekretar i përgjithshëm, i pandehuri Tomor Gostivari, shef organizativ, ndërsa i pandehuri Pajtim Hoxhaj – kryetar i Degës së kësaj Partie për Rrethin e Fierit. Komisioni i Zgjedhjeve për Qeverisjen Vendore të 18 shkurtit 2007, i ngritur pranë Bashkisë Tiranë, me vendimin nr. 31, datë 25.1.2007, ka regjistruar shtetasin (të ndjerin) Akile Zaharija Rama si kandidat për kryetar të Bashkisë në kryeqytet, si kandidat i subjektit politik Partia e Ballit Kombëtar Demokrat . Regjistrimi i këtij kandidati është bërë në bazë të dokumenteve të dorëzuara nga i pandehuri Çelo Hoxha më datën 23.1.2007 në Komisionin e Zgjedhjeve për Qeverisjen Vendore pranë Bashkisë Tiranë, pikërisht shtetasve Vladimir Hodaj dhe Alma Bazej. Sipas organit të prokurorisë për regjistrimin e subjektit Partia e Ballit Kombëtar Demokrat për zgjedhjet vendore janë përdorur dhe dorëzuar një numër i konsiderueshëm formularësh me përmbajtje të rreme në Komisionet Zgjedhore për Qeverisjen Vendore (KZQV) në disa rrethe të Republikës. Por, nga hetimi, organit të akuzës i rezultoi se kreu i partisë Artur Roshi dhe sekretari i Përgjithshëm, Çelo Hoxha, nuk ishin të përfshirë në këtë falsifikim, ndërsa janë dënuar dy të pandehurit Tomor Gostivari dhe Pajtim Hoxhaj.

 

Gashi

Tahiraj na shoqëroi për mungesë dokumentacioni të makinës

Gjykata e Krimeve të Rënda vijoi dje me dëshminë e katër personave, të cilët kanë rrëfyer momentet e fundit të kryekomisariat Adem Tahiraj, para se të ekzekutohej nga i pandehuri Ilir Xhakja. Dy dëshmitarët e parë nuk dhanë ndonjë element me rëndësi, ndërsa më me interes për akuzën ka qenë dëshmia e atë e bir me mbiemrin Gashi nga Sukthi. Ata kanë qenë të fundit që e kanë parë gjallë kryekomisarin nga banorët e kësaj zone, pasi kryekomisari i Shijakut i ka shoqëruar deri në gjysmën e rrugës për një mungesë dokumentacioni të makinës. Para gjykatës, Gashi ka rrëfyer sesi shkoi në lokalin e tij Adem Tahiraj, komunikimi me të lidhur me makinën tip Golf që gjendej jashtë ambientit e parkuar, kërkesa e dokumentacionit dhe vendimi i kryekomisarit për të shoqëruar në komisariatin e Shijakut. “Ishim brenda në lokal kur hyri brenda shefi i komisariatit Adem Tahiraj. Na pyeti se kush e kishte makinën tip Golf që gjendej e parkuar para lokalit. I thashë se është e tim biri dhe kemi pak kohë që e kemi blerë. Na kërkoi dokumentet dhe i thamë që nuk i kemi bërë për shkak se kishim pak kohë që e kishim blerë. Atëherë na kërkoi që bashkë me makinën të shkonim në komisariatin e Shijakut. I kërkuam të na linte kohë derisa të bënim dokumentet, por ai nuk pranoi dhe u nisëm drejt Shijakut. Një makinë para, ne në mes dhe makina tjetër e policisë pas. I kërkuam edhe njëherë të na jepte mundësinë t’ia çonim vetë makinën në komisariat të nesërmen pasi po kalonim mespërmes Sukthit me dy makina policie, sikur të kishim vrarë njeri, por nuk pranoi. Po na vinte turp nga kjo skenë. Në një moment përballë po vinte një tjetër makinë që drejtohej nga Ledio. Ndaloi dhe kërkoi dokumentacionin. Në atë moment i kërkuam që t’ia çonim të nesërmen makinën në komisariat dhe pranoi dhe më pas vazhdoi me automjetin tjetër. Nuk di çfarë ka ndodhur më pas”, – përfundoi rrëfimin e tij para gjykatës pronari i një lokali në Sukth, i shoqëruar nga kryekomisari deri në gjysmën e rrugës për mungesë dokumentacioni të makinës. Më pas seanca u shty për javën e ardhshme, ku të tjerë dëshmitarë pritet të shoqërohen për të dhënë dëshminë e tyre rreth ngjarjes së 13 shtatorit të vitit të kaluar.

 

Grabitet me armë zyra e financës në njësinë bashkiake nr. 5

Policia shoqëron 6 persona, arrestohet një i ri si i dyshuar. Të dhëna kontradiktore për shumën e grabitur, 1 dhe 10 milionë

Tiranë

Zyra e financës së njësisë bashkiake nr. 5 është bërë në orët e mesnatës duke u gdhirë dita e djeshme prej e grabitjes. Dy të rinj kanë grabitur me thyerje këtë zyrë, duke goditur në kokë rojën e njësisë, ndërsa kanë marrë prej andej shumën prej 1 milionë lekësh, të cilat ishin të destinuara për ndihmën sociale. Ndërkohë që, mbetet ende për t’u sqaruar shuma e grabitur pasi nga policia dhe punonjës të njësisë bashkiake jepen vlera të ndryshme, herë 1 milionë dhe herë 10 milionë. Sipas të dhënave policore, në orët e pasdites së djeshme, policia e Tiranës ka arritur të vërë në pranga njërin prej grabitësve, ndërsa konfirmoi zyrtarisht se personat që kanë kryer grabitjen kanë qenë të armatosur. Lidhur me ngjarjen ka reaguar dhe kreu i kësaj njësie, znj. Jeta Seitaj, e cila deklaroi se për momentin janë duke u interesuar më tepër për gjendjen shëndetësore të rojës së njësisë, i cili ka ngelur i dhunuar gjatë grabitjes. Sipas burimeve policore, provat e gjetura në vendngjarje dhe dëshmia e rojës së dhunuar, i cili ka dhënë disa karakteristika të personave që e sulmuan, bënë që brenda një kohe të shkurtër të arrihet në identifikimin e të paktën një prej autorëve të dyshuar, i cili u prangos ditën e djeshme. Gjithashtu, sipas burimeve policore, për këtë ngjarje janë shoqëruar edhe gjashtë persona të tjerë, për të gjetur personin apo persona të tjerë të përfshirë në këtë grabitje. Lidhur me ngjarjen e rëndë, burime policore bëjnë me dije se paratë kanë qenë në kasafortën e zyrës së financës, ndërsa grabitja e parave në të është bërë pa thyerje, por me çelës, të cilët dyshohet të kenë qenë në një nga sirtarët e kësaj zyre. Për këtë arsye, policia ka marrë në pyetje dhe ka shoqëruar për disa orë për të dhënë dëshmitë e tyre edhe punonjës së njësisë bashkiake. Mësohet se ka qenë vetë kreu i kësaj njësie, znj. Seitaj, e cila ka denoncuar në policinë e Tiranës grabitjes e zyrës së financës.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency