25 Prilli – Qeveria kërkon ta mbajë SPAK larg krimit zgjedhor

0
138

Të majtët në komisionin e ligjeve kanë bllokuar dje amendimin e ligjit për prokurorinë, i cili është pjesë e marrëveshjes së 5 qershorit, dhe ka të bëjë me hetimin e krimit zgjedhor. Bëhet fjalë për detyrimin që Prokurori i Përgjithshëm dhe kreu i SPAK kanë për të raportuar në KQZ.

Vetëm pesë muaj para zgjedhjeve, mazhoranca po tregon mungesë të vullnetit politik për të miratuar ligjet që penalizojnë manipulimin e votës.

Nga shtatë ligje që parashikohen në marrëveshjen e 5 qershorit, deri më tani janë miratuar vetëm dy, ndërkohë që mbeten pezull amendimet në Kodin Penal për dënimet, roli i gjyqtarëve dhe kompetencat e SPAK.

Të majtët në Komisionin e Ligjeve nuk kanë pranuar të kalojnë dje një nga nenet e marrëveshjes së pesë qershorit, që ka të bëjë me hetimin e krimit zgjedhor. Në marrëveshjen e 5 qershorit të miratuar në Këshillin Politik, u ra dakord që Prokuroria Speciale (SPAK) të jetë ajo që do të marrë në dorë hetimin e krimit elektoral.

Ndërhyrja në ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë”, e detyron prokurorin e Përgjithshëm dhe drejtuesin e SPAK t’i japin informacion KQZ për hetimin e krimeve zgjedhore, një nga dakordësitë e marrëveshjes së 5 qershorit.

Por kur jemi vetëm pesë muaj larg datës së votimeve, mazhoranca nuk është ende e bindur për të votuar ndryshimet që detyrohen në bazë të marrëveshjes së pesë qershorit. Në fakt janë shtatë ligje, që kanë të bëjnë me rolin e policisë në zgjedhje, financimin e partive, hetimin e krimit elektoral të cilat pas votimit në korrik të marrëveshjes u lanë për një moment të dytë. Nga këto shtatë ligje deri më tani janë miratuar vetëm dy.

Pretendimet

Adnor Shameti e ka depozituar ndryshimin e ligjit për prokurorinë që në shtator, por ai ende nuk ka kaluar në kuvend. Por duket se ky ndryshim i ligjit do të vazhdojë të qëndrojë për një kohë të gjatë në ambientet e kuvendit. Kjo për arsye se përfaqësuesit e mazhorancës, në komisionin e Ligjeve Ulsi Manja dhe Vasilika Hysi u shprehën kundër ndryshimeve në ligj.

Kundër tij kanë dalë dhe përfaqësuesi i Prokurorisë së Përgjithshme Kujtim Luli dhe ai i Ministrisë së Drejtësisë Besmir Beja, me pretendimin se cenohet pavarësia e gjyqësorit. Ulsi Manja e justifikoi me daljen e sekretit hetimor, ndërsa Vasilika Hysi tha se kjo zhbën Reformën në Drejtësi.

Për përfaqësuesin e Ministrisë së Drejtësisë, kjo cenon pavarësinë e gjyqësorit pasi në bazë të ligjit të ri, zot i çështjes është prokurori dhe jo shefat e tij. Ndërkohë nga ana e tij Komisioni i Ligjeve nuk mund të bëjë asnjë ndryshim pasi në bazë të dakordësisë së 14 janarit, çdo ndryshim duhet të bëhet në Këshillin Politik.

Dosjet 339 dhe 184

Në fakt, deklaratat duken më shumë si pretendime të socialistëve për të mos ia deleguar çështjen e krimit zgjedhor SPAK, megjithëse këto ndryshime nuk prekin çështjet e kaluara por rreken të parandalojnë vjedhjen e votës në zgjedhjet e ardhshme. Ideja është që mos përsëritet precedenti që ndodhi me dosjen 184 të Dibrës, ku nga SPAK i kaloi prokurorisë së rrethit e cila deri më tani nuk duket të ketë kryer ndonjë veprim.

Në atë dosje veç drejtorëve të policive, apo drejtorive arsimore ishin dhe një duzinë deputetësh dhe ministrash të PS që ishin kapur në përgjime. Një ndër ta dhe kreu i komisionit të ligjeve Ulsi Manja, i cili fliste për promovime në detyrë të personave që kishin bërë sekserin e votave në Dibër.

SPAK si detyrë specifike ka hetimin e korrupsionit në nivele të larta të qeverisjes. E megjithatë, një dosje e cila bëri jehonë në mediat ndërkombëtare vazhdon të jetë ende e pazbardhur. E pazbardhur vazhdon të jetë dhe dosja 184 e zgjedhjeve të përgjithshme në Shijak, ku në përgjime përfshiheshin kryetarë bashkish, drejtorë dhe të afërm të kandidatëve për deputet që bisedonin për pazare votash me krerë të krimit të organizuar të zonës./MAPO

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here