Përvjetori i përkthyesit/ Letra ekskluzive e Amik Kasoruhos: Pse po kujdesem për Shvarcin, mikun tim të rrallë?!

0
611

 

 

Letra ekskluzive per “standard”/ Miqësia e rrallë e Amik Kasoruhos me Robert Shvarcin, si u plotësua amaneti i përkthyesit për “Vargjet e pluhurosura”, letra e plotë, që Kasoruho ma dergoi ne posten elektronike (V.Murati), maj 2014,  mbi projektin e poezive…

 

Çka thoni për projektin për botimin e poezive të Shvarcit është e saktë. Projekti u paraqit prej meje, por më vonë u tërhoq, sepse, siç thoni se ju ka thënë edhe zonja Shvarc, puna ishte me një vëllim të atillë që nuk lejonte të paraqitej libri brenda afateve të kërkuara nga Ministria e Kulturës.

Pavarësisht se projekti për financimin e librit është kërkuar të tërhiqet, kjo nuk do të thotë se libri nuk do të përgatitet. Për këtë po punon i biri, Edvin Shvarci dhe unë. Është çështje kohe.

Me pyetni pse tani ky botim. Për dy arsye fare të thjeshta: para shembjes së diktaturës as që mund të mendohej të botohej një vëllim me poezi lirike që nuk përshkoheshin aspak nga rryma që kërkonte realizmi socialist. Vjershat e Shvarcit janë shprehje lirike të një jete që e ndiente trysninë e një shoqërie ndrydhëse. Arsyeja e dytë, se poezitë nuk kanë qenë kurrsesi të sistemuara.

Projekti i vëllimit të poezive përfshin një përzgjedhje të poezive të shkruara, duke filluar që nga vitet e rinisë së hershme, domethënë andej nga viti 1955 dhe deri pak kohe para se të vdiste në vitin 2003.

Sa qe gjallë nuk ka mundur t’i botonte, pikërisht pse arsyet e mësipërme. Ka botuar vetëm 4 apo 5 vjersha.

Vëllimi që mendohet të botohet është i pari me poezi i Robert Shvarcit, që lexuesit e njohin vetëm si përkthyes. Poezia e tij ka për të qenë një risi e beftë. Ajo është e ngrohtë e plot ndjenjë.

Unë kam ruajtur një pjesë të vogël të krijimeve poetike të Shvarcit. Një pjesë të tyre, ia pata kthyer nga fundi i viteve ‘90 dhe ai i ka ruajtur ashtu siç ia pata kthyer unë, me shënimin “Amikut, nga veprat e mia postume”.

Ju keni pasur rast të shkruani edhe më përpara për miqësinë tonë. Ishte një miqësi do të thosha e pazakonte, fisnike, e pastër dhe që i duroi tallazeve të jetës. Një miqësi që – e them pa frikë se lajthis – i kishte të rralla shoqet.

Poezitë e tij, ashtu sikurse edhe përkthimet e tij mjeshtërore, Shvarci i ka punuar gjithmonë në mbrëmje apo natën. Ditën duhej të punonte për të fituar kotheren e bukës.

Ma do fort zemra që botimi i poezive të panjohura të Robert Shvarcit të mundësohej nga Ministria e Kulturës.

Ky është një synim i kahershëm imi, gjë që e kam shkruar edhe më përpara në ndonjë gazetë.

Por, siç ju thashë, meqë materiali mendoja se nuk do të mund të përgatitej në kohën e duhur, unë i kërkova zonjës Miranda Haxhia, e cila punon në Ministrinë e Kulturës, ta tërhiqte projektin. Por ajo nuk e ka bërë diçka të tillë dhe ka këmbëngulur në mendimin se krijimtaria me vlerë e një njeriu si Robert Shvarci nuk i përkiste vetëm njerëzve të tij të afërt, por kulturës dhe letërsisë shqiptare. Me duhet ta pranoj se ka të drejtë. Projekti pra nuk është tërhequr dhe mbetet i depozituar në ministri. Puna për seleksionimin dhe përgatitjen për botim të poezive të Robert Shvarcit po vijon dhe do të çohet deri në fund. Materiali i përpunuar prej meje do t’i dorëzohet familjes Shvarc, e cila ka të gjitha të drejtat të vendosë në lidhje me përzgjedhjen dhe me kushtet e botimit. Uroj të mund ta bëj brenda muajit mars. Më 25 prill bie përvjetori i tetë i vdekjes së mikut tim të rrallë.

Ju përshëndes miqësisht

Amik Kasoruho

6 maj, 2014

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here