Aktori paralajmëron luftë “Do ia fus gishtin në sy politikës”

0
165

Artistët vazhdojnë  betejën me qeverinë, e cila duket e vendosur për të shembur Teatrin Kombëtar dhe për të ndërtuar një godinë të re.

Mes reagimeve të shumta është edhe ai i aktorit Romir Zalla, i cili paralajmëron se nëse do të shkohet drejt luftës, luftë do të ketë.

Sipas tij, prej më shumë se një viti artistët po protestojnë kundër padrejtësisë, paligjshmërisë, korrupsionit, vjedhjes dhe propagandës, ndërsa shton se përplasja finale do të jetë ligjore.

Postimi i plotë

“Është bërë një vit e gjysmë që protestohet përpara godinës së Teatrit Kombëtar, për projektin që thuhet se do të marrë jetë. Mëngjesin e së mërkurës, pati përplasje midis forcave policore dhe aktivistëve. Si mund ta përkufizoni ju këtë betejë jetëgjatë?

Preferoj ta quaj qëndresë, megjithëse nëse kjo punë do të shkojë drejt luftës, luftë do të ketë. Është rezistencë qytetare mbi një vit e gjysmë ndaj padrejtësisë, paligjshmërisë, korrupsionit, vjedhjes dhe propagandës. Qëndresë e nisur nga artistët, të cilëve u janë bashkuar edhe aktivistë, intelektualë, studentë, gazetarë dhe qytetarë.

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha nënshkroi mëngjesin e së enjtes marrëveshjen me artistët, se sapo të jetë në mazhorancë do të anulojë ligjin që parashikon prishjen e Teatrit Kombëtar. Gjithashtu, PD-ja mori përsipër që Teatrin Kombëtar ta shpallë monument kulture, duke e ndalur përgjithmonë prishjen e tij, për t’i hapur rrugë vetëm restaurimit. Çfarë mendoni për këtë pakt me opozitën?

Ajo “kontratë” është firmosur si një akt publik, ku politika zotohet se nuk do të bëjë si t’i dojë qejfi me Teatrin dhe në dëm të tij. Personalisht nuk besoj te premtimet politike në përgjithësi. Nesër, edhe politikës së krahut tjetër “do t’ia fus gishtin në sy” nëse tallet me teatrin. Një gjë është e sigurt: Qëndresa jonë besoj se i ka bërë politikanët e të gjithë krahëve që të kuptojnë se ka ikur koha kur mund të bësh gallatë me teatrin dhe popullin në përgjithësi.

Një përplasje finale, si dhe kur e shihni?

Unë besoj se me një ligj të paligjshëm të kthyer dy herë dhe të ankimuar në Kushtetuese nga Presidenti i Republikës, të kundërshtuar nga ndërkombëtarët, dhe që në fund të fundit ka skaduar që në dhjetor të vitit 2018, me projekte plagjiaturë, të kundërshtuara dhe të pezulluara, me konkurse të hapura me urgjencë dhe konflikte interesi midis firmave private, publikes, bashkisë që nuk ka tagër fare dhe mungesës totale të shkresave dhe vendimeve zyrtare të firmosura dhe vulosura në bazë të ligjit dhe Kushtetutës, përplasja finale do të jetë ligjore. Tregimet e forcës, sikurse ndodhi mëngjesin e së mërkurës, nuk bëjnë gjë tjetër veçse tregojnë se sa të dëshpëruar, frikësuar, të nxituar janë dhe se sa e paligjshme dhe e padrejtë është kjo çështje. Kush ka sy dhe veshë duhet ta ketë kuptuar tashmë këtë. Neve na ka mbetur veç fjala dhe mbështetja e qytetarëve dhe ndërkombëtarëve. Koha do ta tregojë kush ka të drejtë.

Ndërkohë tek oborri i Teatrit vijon rezistenca, ku Aleanca nënshkroi dhe një marrëveshje me PD për ruajtjen e godinës ekzistuese. Nga ana tjetër Presidenti Ilir Meta dërgoi në Gjykatën Kushtetuese ligjin special që i hap rrugën shembjes së Teatri Kombëtar dhe atij Eksperimental.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here