Mëkatarët si grupimi anti-Rama ose “e keqja më e vogël” në PS

0
147

 Nga Gëzim Saliu

Ka ditë tashmë që Edi Rama nuk është më i qetë. Dhe kjo duket qartazi në deklarimet e tij në publik, shumë larg këto batutave pikante të Kryeministrit apo edhe qëndrimeve të tij tipike propaganduese, duke kaluar në përdorimin e gjuhës së urrjejtes ndaj kundërshtarit deri aty sa të flasë për “shkrirje të opozitës”. E padyshim ajo që e trazon Kryeministrin ëhstë situata në të cilën ndodhet vendi. Me opozitën reale në shesh, pasi vetë Rama është i vetëdijshëm se ajo në sallën e Parlamentit nuk është opozita e vërtetë kundërshtare e PS (aq sa edhe vetë në fjalimet e tij i drejtohet vetëm PD e LSI)  padyshim Kryeministri nuk mund të ndihet rehat. Përtej retorikave politike, djegia e mandateve të deputetëve të opozitës e ka gjetur të papërgatirur Ramën, i cili nuk e kishte menduar se gjendja mund të shkonte deri këtu. Aq më pak të priste që çdo seancë do përcillej jashtë me protesta të fuqishme e ndërsa thuajse një herë në tre javë të zhilloheshin para zyrës së tij protesta kombëtare. Në këtë pikë, vlen të theksohet se niveli i pjesëmarrjes në protesta ka qenë shumë herë më lartë se sa i militanëtve politikë të PD e LSI, ku dukshëm irritimi ndaj qeverisë ka ardhur në rritje dhe nga një pjesë e konsiderueshme e popullsisë.

Por përtej këtij shqetësimi që i rri si çekan mbi kokë çdo ditë, Kryeministri ka një tjetër arsye për sjelljen e veprimet e tij të fundit, shumë larg liderit që kontrollon gjithçka dhe s’ka pse shqetësohet për palën kundërshtare. Rama qartazi ka humbur qetësinë edhe për shkak të situatës së brendshme në Partinë Socialiste. Prej muajsh tashmë në PS po vlon për brenda një grup anti Rama, megjithëse ende në qetësi dhe i pa dalë në sipërfaqe tërësisht. Padyshim ndryshimi i gjysmës së Qeverisë dy muaj e gjysmë më parë nuk u prit aspak mirë nga ata që pak kohë më parë cilësoheshin si njerëzit më të afërt të Edi Ramës. Ditmir Bushati, Damian Gjiknuri e Arben Ahmetaj nuk e gëlltitën dot shkarkimin, ku dukshëm ish-ministri Jashtëm po kthehet në faktor kritike brenda rradhëve këto kohë. Megjithëse Gjiknuri e Ahmetaj nuk janë ndjerë ende publikisht, kjo pasi lidhja e tyre me Ramën e qeverinë është më e “ngushtë” përmes firmave të vëna ku në lojë janë miliona euro, sërisht ata nuk do nguronin të thërrisnin në përfundim të ndonjë katrsisi të brendshëm në PS: “vdiq mbreti rroftë mbreti”!

Por të kthehemi te Ditmir Bushati. Ky i fundit sot përmes një fjalimi në Parlament,dukshëm mbi palët e jo me pak kritika për arrogancën e mazhorancës, theksoi se duhet gjetur zgjidhja e krizës politike për hir të ardhmes së vendit. “ Duke dalë nga Parlamenti, unë jam i bindur se opozita ka dëshmuar një lloj frike dhe kapitullimi, por kjo nuk mund të na bëjë ne të jemi arrogantë. Kjo nuk mund të na bëjë ne të shpenzojmë orë të tëra duke u marrë me protestat e opozitës. Ne nuk mund të biem në kurthin e profecisë vetëpërmbushëse. Ne jemi Partia Socialiste e Shqipërisë, ne jemi socialistë, demokratë, progresistë. Ne duam të ndërtojmë një shoqëri më të drejtë, më të mirë, për fëmijët tanë, por edhe për fëmijët e opozitës që nuk janë në sale”, tha Bushati. Më tej duke mos ja përmendur asnjëherë emrin kryeministrit, Bushati vazhdoi duke pohuar:  “si ka mundësi Z. Ruçi, si kryetar i Kuvendit si politikan me eksperiencë, si ka mundësi Z. Ulqini, si ka mundësi Z. Majko e deri te kolegia që foli për herë të parë në këtë Parlament; përse kur grekët dhe maqedonasit e gjekan gjuhën për të parë përpara, ne nuk paskemi mundësi për të gjejmë gjuhën me njeri-tjetrin? A jemi të gjithë shqiptarë? A jemi pjesë e një kombi? Përse e kemi kaq të vështirë të turpërojmë veten tonë lart e poshtë? Përse nuk e gjejmë dot ne gjuhën për të parë përpara?”

Padiskutim, Ditmir Bushati është një prurje e Ramës në PS dhe në këto 5 vite ka luajtur bindshëm e pa kundërshti rolin e “ushtarit” në Qeveri. Po ashtu me siguri mund të thuhet se deri para pak kohësh, në postin e ministrit, fjalimet e Bushatit ishin shumë herë më të ndryshme se këto që ai tani po përcjell në Parlament, ku nuk mungoni as  etiketimet fyese për opozitën sic Rama vazhdon edhe sot. Po ashtu është i njejti Ditmir që sa ishte ministër i Jashtëm nuk nguroi ta përdorë postin për të bërë lobingje në Bruksel e kudo ku shkelte si kryediplomat, kundër aksioneve të opozitës nga dekriminalizimi e deri tek reforma në drejtësi. Është i njejti Ditmir që vetëm para pak muajsh opozita e akuzoi për lidhje të ngushta me bandën e Bajrajve në Shkodër dhe se ka ndikuar përmes tyre në votimet e zgjedhjeve të 2017-ës.

Padyshim i njejti Ditmir, por tashmë i mbetur pa post dhe i kthyer në rival të Ramës! Dhe në këtë rivalitet nuk është se mund ti vihet shumë faj, pasi zëvendësimi i tij krejt pa lidhje me situatën në vend ( protesta e studentëve dhe ajo e banorëve të Unazës që realisht preknin Gjiknurin e Nikollën) erdhi me një emër të panjohur të diplomacisë në vend. Çunaku Gent Cakaj, i cili në tre dalje publike ka arritur të na “mahnisë” me dijet e tij, aq sa është bërë i padëshifrueshëm në fjalime, padyshim do të mërziste çdokënd që do ishte paraardhës në detyrë. Përtej këtij fakti, Bushati nuk mund të dalë sot i pastër nga 5 vite qeverisje, ai ka qenë pjesë dhe në bashkëpunim të plotë me Kryeministrin e Qeverinë! E megjithatë, në kompleks, duhet theksuar se Ditmir Bushati nuk është Edi Rama! Mëkatet e tij janë aty, por shumë herë më të vogla se ato të Kryeministrit.

Ashtu sic mund të thuhet edhe për Fatmir Xhafajn, që ka jo pak mëkate në krye të minsitrisë së Brendshme, ku primare mbetet çështja e vëllait. Edhe ish-ministri Brendshëm bën pjesë në grupimin anti Rama, dhe nuk nguroi të vërtetonte këtë që një ditë pas shkarkimit, ku si për ti bërë karshillëk Kryeministrit doli në një aktivitet me kryebashkiakun Erjon Veliaj, atëherë në lëkundje për rikandidimin për Tiranën.  Por ashtu si Bushati, ndonëse Xhafaj mbetet socialist tradicional dhe jo i “infiltruar” nga Rama në PS, ish-ministri Brendshëm ka heshtur e ndoshta bashkëpunuar për shumë nga mëkatet e qeverisë dhe Kryeministrit. E për këto ka përgjegjësitë e veta, por padyshim jo aq sa të Ramës.  Pjesë e këtij grupimi thuhet se në heshtje është edhe ministri për Diasporën Pandeli Majko. Ky i fundit më i moderuar në kritikët e tij e kjo ndoshta pasi ende pret zhvillimet brenda partisë për të dalë më hapur, duke parë që shanset e grupimit të “senatorëve” socialistë kundër Ramës po rriten gjithnjë e më shumë.

Në gjuhën popullore përdoret shprehja “zgjedhim të keqen më të vogël”, sic shpeshherë edhe vetë shqiptarët arsyetojnë në votimet e tyre. As Bushati, e aq më pak Xhafaj e Majko nuk janë politikanë inovativë dhe që mund të sjellin risi në drejtimin e partisë Socialiste. Tërë këto kohë kanë qenë në nën diktatin e Ramës dhe shpesherë kanë përdorur modelin e tij si referencë për “qeverisjen e drejtë”. Por dukshëm me aq sa kanë treguar deri më tani, ata janë “e keqja më e vogël” brenda PS-së.

Në konkluzion, rezulton se një fuqizim i grupimit anti Rama brenda PS-së krijon mundësinë e kthimit të kësaj partie në një force politike më të dedikuar drejt daljes nga tuneli pa dritë në fund, ku është futur vendi prej kohësh. Dhe kjo do mund të vijë jo si rezultat i dëshirës së kritikëve të Kryeministrit për të qenë pozitivë e të mirë me opozitën, por si pasojë e presionit të drejtpërdrejtë të tyre për marrjen e partisë. Në mesin e një krize të thellë politike e kushtetuese, pasi edhe sistemi i drejtësisë është në kolaps të plotë pa Gjykatë Kushtetuese dhe të Lartë, grupimi anti Rama mund të jetë shtysa e dytë pas protestave të pandalshme të opozitës që mund të ndikojë tek Kryeministri drejt një zgjidhje të detyruar.  Njërën shenjë e dha sot me fjalimin në Parlament ku pranoi se zgjedhjet e parakohshme janë një mundësi!

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here