Kosovë, dështon sërish seanca për Demarkacionin

0

Kuvendi i Kosovës ka shtyrë sërish seancën e jashtëzakonshme për ratifikimin e Marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.

Seanca e jashtëzakonshme fillimisht ishte parashikuar të mbahej një ditë më parë, por u shty për sot. Por edhe në seancën e së premtes duket se nuk u arrit asnjë marrëveshje, duke e shtyrë serish seancën për ditën e mërkurë.

Aktualisht, Kuvendi po ballafaqohet me problematikën e vendimmarrjes, pasi nuk janë siguruar 80 votat e nevojshme për ratifikimin e kësaj marrëveshjeje.

Në fillim të seancës të së enjtes, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli kërkoi deklarimin e grupeve parlamentare, duke ua bërë me dije deputetëve, se votimi mund të ndodhë vetëm në një rast dhe nëse dështon ratifikimi i marrëveshjes, Kosova do ta humbasë liberalizimin e vizave.

Të enjten, gjatë orëve të pasdites, partitë kanë zhvilluar konsultime intensive. Për ndërmjetësimin e arritjes së një marrëveshjeje, janë angazhuar edhe përfaqësuesit ndërkombëtar, por në përfundim nuk ka pasur dakordësim të plotë.

Sidoqoftë, duket si një mision i pamundur sigurimi i 80 votave të nevojshme për miratimin e demarkacionit në një kohë kur Vetëvendosje, me 35 deputetë, dhe Lista Serbe me 10, kanë deklaruar votën kundër.

Demarkacioni është kushti që Bashkimi Europian i ka vendosur vendit për liberalizimin e vizave, ndërkohë që Kosova mbetet i vetmi shtet në Europë që ka ende një regjim vizash për lëvizjen në zonën “Schengen”.

Lini nje pergjigje