Filmi i parë horror shqiptar/Shfaqet premiera e “Bloodlands”,publiku shqiptar më në fund ‘u takua’ me Shtrigën. Flasin aktoret

0
463

Nga Irini Meçe

“Bloodlands” filmi i parë horror shqiptar shfaqi mbrëmjen e mërkurë premierën për publikun shqiptar në kinema Millennium. Një organizim i mirëfilltë ishte realizuar për të shfaqur premierën , ku miq, kolegë të stafit të filmit u bënë bashkë për të parë filmin dhe për ta diskutuar më vonë. Dhe çdo gjë shkoi ashtu siç pritej. Filmi me skenar dhe regji të Steven Kastrissios pas premierës botërore në  Glasgow tashmë ka marrë edhe shpërblime ndërkombëtare, duke përfshirë edhe çmimin për aktoren shqiptare, Suela Bako. “Bloodlands” është realizuar në gjuhën shqipe dhe luajnë aktorët Gëzim Rudi, Ilire Vinca, Suela Bako, Alesia Xhemalaj, Emiljano Palali, Dritan Arbana, Florist Bajgora, Enxhi Cuku. Me skenar dhe regji nga Steven Kastrissios, në produksion është edhe Dritan Arbana. Ka mjaftuar fenomeni i gjakëmarrjes që ka ngacmuar regjisorin australian Steven Kastrissios që të vinte në Shqipëri dhe të realizonte një film horror në gjuhën shqipe dhe aktorë shqiptarë. Një kafe me mikun e tij shqiptaro-australian, Dritan Arbana do të bëhej shkak, që ai të gjendej në sheshxhirim në Shqipëri për filmin e tij “Bloodlands”. Në datën 25 shkurt të këtij viti filmi u shfaq në “Horror Channel Fright Fest Glasgoë”. Kastrissios e ka ngritur filmin e tij mbi legjendat e vjetra shqiptare me shtriga. Xhirimet janë realizuar në Ibë, fshat afër Tiranës, në pyll lart në Krrabë, në Elbasan edhe në Tiranë. Kanë qenë lokacione të ndryshme, por pjesa më e madhe e filmit është zhvilluar në Ibë. Filmi tregon historinë e një gruaje, e cila dhunohet, mbetet shtatzënë dhe stigmatizohet nga banorët e lagjes së saj. Ajo largohet në mal, ku edhe shndërrohet në një shtrigë të vërtetë, e cila mbledh rreth vetës një grup njerëzish të cilët njëlloj si asaj shoqëria u ka kthyer shpinën. Së bashku me grupin e saj ajo vendoset që të kthehet dhe të fillojë hakmarrjen. Ngjarja zhvillohet në periferi të kryeqytetit të Shqipërisë, Tiranë. Në gjithë këtë ngjarje dhe në luftën kundër shtrigës dhe klanit të saj përfshihet edhe familja e një kasapi, fëmijët e të cilit edhe pse më mendime të kundërta kundër babait të tyre tradicional duhet që të bëhen së bashku në mënyrë që të kenë shanse të shpëtojnë.

Pas premierës flasin aktoret Alesia Xhemalaj dhe Enxhi Cuku

Alesia Xhemalaj: Mezi pres të realizoj një tjetër film horror

Alesia Xhemalaj ishte futur nën lëkurën e Ilirjanës, vajzës së familjes e përbërë nga prindërit dhe nga 2 fëmijët. Iliriana është një personazh që është mërzitur me jetën që bën, sepse jetojnë dhe në periferi. Është e mërzitur dhe do sa më parë që të largohet nga familja. Ajo ka mbushur dhe moshën 18 vjeç dhe ëndrra e saj e vetme është që të fillojë jetën e saj, pasi nuk do të jetë aty, nuk do që të jetë nën ndikimin e prindërve dhe është gjatë gjithë kohës e pakënaqur për çdo gjë. Ka një natyrë ironike, karakter të fort, por dhe një lidhje shumë të veçantë me familjen e saj.

Alesia sapo u shfaq premiera “Bloodlands” për publikun shqiptar. Si shkoi për ju kjo përballje me publikun shqiptar? Emocionet që patët?

Pavarësisht se e kisha parë filmin më përpara përballja me publikun për më tepër me publikun e vendit tënd është një emocion shumë i madh. Ndërkohë që e pash u ndjeva pak në siklet  por u ndjeva edhe mirë në të njëjtën kohë. Mezi prisja që të mbaronte dhe të dëgjoja si I’u ishte dukur miqve më të afërt.  Kam përshtypjen se çdo gjë shkoi shumë mirë. Tani të shohim reagimet e publikut.

Ndërkohë që e shihje ke bërë ndonjë autokritikë?

Po, shumë. E tmerrshme, shikoja tavanin ndërkohë që po jepej filmi. Madje nuk doja ta shikoja. (Qesh)

Interpretoni rolin e Ilirjanës, vajzës me karakter të fortë, ironike dhe e vendosur në atë çka donte. Sa i përshtatet natyrës suaj Ilirjana?

Përsa i përket vendosmërisë po. Kjo është një pikë e përbashkët e imja që është kyç bashkë me Ilirjanën. Ndërsa përsa i përket dëshirave dhe ëndrrave që ajo ka, janë pak të ndryshme nga unë sepse ajo ishte një vajzë e mbyllur në kërkim të lirisë. Kjo ndryshon goxha nga temperamenti im.

Po zhanri horror?

Ishte hera e parë dhe ishte një eksperiencë e parë që provova këtë zhaner dhe ti nuk mund ta dish asnjëherë se si do shkojë. Tani që e provova mezi po pres që të bëj një tjetër. (Qesh)

Ka pasur ndonjë skenë në film që ju vërtet keni ndjerë ‘frikë’?

Unë kisha më shumë merak se si do shkonte, sepse kur xhiron është komplet tjetër gjë. Ndërsa tani kur po e shikoja, pash që njerëzit që kisha afër trembeshin dhe kishin impakt ndërkohë që e shihnin. Ndërkohë që mua më vinte për të qeshur sepse kujtoja si ishte xhiruar.

Pas premierës këtu në Tiranë a do të ketë më udhëtime ky film?

Do shfaqet për publikun më datë 22 do të vazhdojë të jepet në Kinema Millenium për dy javë. Më pas kam përshtypjen që do të shkojë në Kosovë dhe Shkup.

Enxhi Cuku: Skenat në film surprizuese dhe për ne që i kemi xhiruar

 

Enxhi Cuku në filmin horror interpreton Lorenën, vajzën e çiltër, plot ëndrra. Lorena dëshiron që të largohet nga vendi i saj për të shkuar me studime në Tiranë.

U dha premiera për herë të parë në Tiranë e filmit të parë horror shqip ‘Bloodlands’. Na përshkruaj të gjitha emocionet që pate kur u shfaq ky film?

U ndjeva shume mirë. Më përpara e kisha parë filmin së bashku me aktorët dhe stafin, por kur shfaqet në ekranin e kinemasë dhe përpara një publiku emocioni rritet. Pati goxha komplimente për filmin dhe më vjen mirë që u arrit rezultati që dëshironim.

Ishte hera e parë për ju që morët pjesë në një film të zhanrit horror. Si e përshkruani si eksperiencë dhe mendoni se do të jeni më afër këtij zhanri?

Unë jam duke eksperimentuar me veten time dhe dua të prek të gjitha zhanret. Nëse regjisorët do e shohin të pershtatshme, pse jo? Ishte një eksperiencë shumë e bukur, dhe e veçantë pasi kur ti xhiron i sheh skenat me një sy ndryshe , para se të dalin në ekran të përpunuara me efekte në montazh etj. Është surprizuese dhe për ne që i kemi xhiruar.

Sa i përshtatet natyrës suaj ‘Bloodlands’ apo dhe roli i Lorenës në film?

Lorena është një vajzë nga fshati më ëndrrën për të studiuar në qytet. Lozonjare, e qeshur, dhe mundohet t’u gjendet prane familjes të sulmuar dhe për t’i ndihmuar me diçka. Mund te them qe është brenda natyrës time.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here