“Zgjimi i Enver Simakut” flet Pirro Milkani: Ja çfarë e nxiti regjisorin spanjoll për të realizuar një film rreth Shqipërisë

0
350

 

Ky film ka bërë bashkë “ajkën” e kinematografisë shqiptare si: Margarita Xhepa, Tinka Kurti, Viktor Zhusti, Pirro Milkani, Ema Andrea, Laert Vasili e Lulzim Guhelli etj.

Nga Irini Meçe

Shqipëria e 1997-s është bërë skena e filmit “Zgjimi i Enver Simakut” nga regjisori spanjoll Marco Lledo Escartindo. Një film që ka në qendër një ngjarje të mbushur me mister, që lëkundet mes besëtytnive popullore, kukudhëve, ekzorcizmit të një prifti ortodoks, që nuk e kishte ndërprerë ritualin edhe gjatë diktaturës së Enver Hoxhës dhe ngjarjeve reale. Filmi rrotullohet rreth një vrasjeje të mistershme, shkaqet e së cilës nuk janë ashtu siç mendohet. Pikërisht ky film, “Zgjimi i Enver Simakut” me regji nga spanjolli Marco Lledo u shfaq premierë ditën e shtunë në orën 21:00 në Pogradec, në kuadër të Festivalit të Filmit Ballkanik. Ky film ka bërë bashkë “ajkën” e kinematografisë shqiptare si: Margarita Xhepa, Tinka Kurti, Viktor Zhusti, Pirro Milkani, Ema Andrea, Laert Vasili e Lulzim Guhelli etj. “Zgjimi i Enver Simakut” u përzgjodh edhe si filmi i cili mbylli këtë festival që kishte mbledhur kineastët e gjithë Ballkanit. Të pranishëm në premierë ishte regjisori spanjoll Marco Lledo si dhe aktorët e filmit Margarita Xhepa, Tinka Kurti, Pirro Milkani etj. Regjisori i njohur Pirro Milkani i cili është pjesë e kastit të aktorëve të filmit, tregon për gazetën “Standard” se çfarë e ka nxitur regjisorin spanjoll Marco Lledo Escartindo për të realizuar një film rreth Shqipërisë dhe të përzgjidhte këta aktorë. “Marco, regjisori spanjoll, ka shumë kohë që është i njohur dhe i lidhur me Shqipërinë për arsye të lidhjeve të vjetra të babait të tij, pasi ai ka qenë një Marksist-Leninist i lidhur me Radio Tiranën që fliste spanjisht. Por ai sot kthehet pas kaq shumë vitesh, jo si një komunist, jo më si një nostalgjik, por si njeri që ka njohur njerëz të mirë në Shqipëri. Regjisori para 3 vjetësh ka ardhur tek Festivali i Filmit Ballkanik në Pogradec, i cili është njohur me kineastë shqiptarë , ka parë filma, dhe i ka lindur ideja për të trajtuar një temë të tipit thriller. Kjo kategori është pak e vështirë dhe jo shumë e praktikuar në Shqipëri. Ai duke biseduar, duke u konsultuar, ka përzgjedhur ajkën e aktorëve shqiptarë për të realizuar këtë film, si Margarita Xhepa, Tinka Kurti, Viktor Zhusti, Laert Vasili, Ema Andrea etj. Janë perlat e këtij filmi”, ka pohuar Pirro Milkani pas premierës së këtij filmi.

Regjisori i njohur i cili i ka dhuruar kinematografisë shqiptare dhjetëra filma, tek “Zgjimi i Enver Simakut” vjen me një rol të thjeshtë. Ai kishte rolin e një mësuesi fshati. “Meqenëse ai ka njohur dhe krijimtarinë time, ka parë dhe filmin “Trishtimi i zonjës Shnajder”, e ka patur shumë të vështirë të më propozonte këtë rol të vogël, një mësues fshati me bindje komuniste deri në fund, por që fenomenin e vdekjes donte ta denonconte sepse ishte i ndershëm. Këto vdekje kanë ndodhur për shkak të plehërimit të keq të tokës që është bërë në Karavasta në atë kohë. Me shumë “frikë” le ta them më ka propozuar këtë rol dhe unë e kam pranuar sepse e pash që ishte një rol i vogël dhe me dy ditë xhirim. Unë sigurisht nuk jam aktor, por kam lenë gjurmë në Spanjë, në Qipro etj. “Zgjimi i Enver Simakut” bëhet fjalë për një vepër dhe për një material pak të çuditshëm, por shkruar me profesionalizëm. Ai duhet të ketë kërkuar në arkivat e shtetit dhe ka gjetur një tragjedi të një fshati, i cili ishte i izoluar nga besimi fetar dhe për këtë gjë, në mungesë të këtij besimi lindin idetë e magjive, kukudhëve. Një film që ka një thelb filozofik. Marco ka mbaruar shkollë filmi, ka bërë filma dhe dokumentarë të ndryshëm. Ai nuk ka asnjë pikë keqdashje ndaj Shqipërisë, përkundrazi. Marco e tregon Shqipërinë e vjetër, Shqipërinë moderne. Tani presim se si do ta presë spektatori”, është shprehur Pirro Milkani për gazetën “Standard”.

Pirro Milkani

Ka lindur më 5 janar të vitit 1939 në  Korçë. Ai është i njohur si regjisor i cili i ka dhurar kinematografisë shqiptare shumë filma të cilat kanë lënë gjurmë tek publiku shqiptar. Vlen të përmendin “Zonja nga Qyteti” dhe “Një shoqe nga fshati”. Por përveçse si  regjisor ai e ka treguar aftësinë e vet profesionale edhe si aktor ku ka korrur sukses.

Veprat artistike

2008 “Smutek paní Snajdrové” (Trishtimi i zonjës Shnajder)

1990 “Ngjyrat e moshës”

1988 “Pranvera s’erdhi vetëm”

1987 “Eja!”

1985 “Në prag të jetës”

1984 “Militanti”

1983 “Fraktura”

1982 “Besa e kuqe”

1981 “Në kufi të dy legjendave”

1980 “Një shoqe nga fshati”

1979 “Ballë për ballë”

1977 “Shëmbja e idhujve”

1976 “Zonja nga qyteti”

1975 “Çifti i lumtur”

1974 “Shtigje lufte”

1974 “Një firmë e hekurt” (dokumentar)

1973 “Festa e madhe” (dokumentar)

1971 “Kur zbardhi një ditë”

1969 “Përse bie kjo daulle”

1969 “Festivali 7-te i femijeve” (dokumentar)

“Zgjimi i Enver Simakut”

Plot 18 vjet më parë, më 27 shtator të vitit 1997, afër Kishës së Mespotamit, ndodh një masakër, ku mbeti e vrarë edhe një gazetare, Anxhela. Situata nuk është e qetë në Shqipëri. Rënia e firmave piramidale u shoqërua me revolta të përgjakshme. Gjithçka doli jashtë kontrollit. Njerëzit e zhgënjyer dhe të varfëruar deri në qindarkën e fundit humbën arsyen, shpërthyen depot e armëve. Nuk kishte shtëpi pa armë e arka municioni. Dhe pasojat ishin tragjike. Në këtë tollovi ndodhi edhe vrasja e Anxhelës, e cila ishte vendosur në Vlorë. Çfarë kërkonte ajo në Mesopotam, fshatin e humbur, 180 kilometra larg qendrës së revoltës? Diçka tjetër ka ndodhur. Historia e pazbardhur e 18 viteve më parë dhe disa xhirime amatore të bëra natën e 27 shkurtit e nxisin Zhylienin, të shoqin e gazetares, të kthehet të Shqipëri, kësaj here vetëm, pa mbështetjen e ndonjë kanali televiziv, të gjejë vrasësit e së shoqes. Me ndihmën e bashkëpunëtorëve të vjetër shqiptarë ai do të mundohet të deshifrojë regjistrime të vjetra zanore të policisë dhe besëtytnitë popullore. Derisa frika dhe insinuatat të ri zgjojnë terrorin përsëri.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here