Meta, mielli, vota!

0
126

Nga Fatmir Lamaj *

Nga Fatmir LamajEthet elektorale të 21 qershorit janë shtrirë anembanë vendit, por dukshëm nga herët e tjera pamja sipërfaqësore e këtyre zgjedhjeve, pavarësisht nga disa incidente të konstatuara, të cilat mund të quhen të pranishme në raste të tilla. A do të jenë të lirë shqiptarët të votojnë të pandikueshëm këtë herë? Unë nuk e besoj! Duke pasur parasysh atë që ndodhi në 2013-ën, mendoj se edhe këto zgjedhje do të jenë një dukuri e përsëritur e tyre. Saliu në 2013-ën e kishte të pamundur fitoren, por jo atë humbje poshtëruese të 1 milion (shuplakave), e cila e nxori knockout atë dhe partinë e tij. Vota në 2013-ën u shit e u ble si një plaçkë tregu jo me shumë vlerë, me paratë pa origjinë të qarqeve të caktuara që kishin të vetmin qëllim, rrëzimin e Berishës… Berisha ra. I fituari i madh i atyre zgjedhjeve nuk ishte Rama, por kryeustai i shitblerjeve të votave, Ilir Meta, i cili aktin e shitblerjes të votës e ka kthyer në një lloj akti unikal duke e shndërruar atë në një dukuri negative që do ta quaja metizëm. Metizmi është bërë sot fenomeni sundues i gjithë politikës shqiptare. Ai është i vetmi mekanizëm që blen dhe shet vota kur i duhet për zgjedhje presidentësh apo shefa institucionesh kushtetuese, që kërkojnë shumicën e cilësuar për t’u zgjedhur, sidomos para ndryshimeve kushtetuese të 2008-ës. Metizmi ka filluar që me rënien e Majkos, kur ai i përcjellë nga vetë shoku i tij i ngushtë, mbas mbledhjes së KPD-së së famshme, po ecte në atë orë të vonë i zhytur në zhgënjim drejt shfronëzimit si Kryeministër i këtij vendi. Mbas disa ditësh “shoku” i tij i ngushtë, Ilir Meta, i zuri vendin me bekimin e Nanos. Tashmë dihen bëmat e Ilir Metës si Kryeministër, ku del bilanci më negativ i një kryeministri të tranzicionit të tejzgjatur shqiptar. E filloi me shitjen e AMC-së grekëve, si e para dhe e vetmja kompani celulare për disa vite me radhë dhe si e vetmja mundësi për ato kohë të vështira, që prindërit shqiptarë të komunikonin me fëmijët e tyre në emigracion. Kjo kompani u zhvati shqiptarëve të varfër dhe në mjerim qindra milionë ose ndoshta miliarda euro, duke abuzuar tejskajshmërisht me shërbimet e saj të pakontrolluara dhe të inkurajuara nga heshtja e shtetit shqiptar. Kuptohet, heshtja e atij që dëmton paguhet. Vjedhja e floririt në Thesarin e Shtetit mbetet akti më i rëndë në historinë e qeverisjes “Meta”, e cila u mbyll me një fund qesharak më gjetjen e fajtorit të vërtetë… E vodhi një fshatar me gomar nga Peza, ha ha ha. Rrugët që u shtruan në kohën e Metës janë ribërë disa herë. Shikoni autostradën Tiranë – Durrës etj. Abuzimet në dogana e tatime dhe kudo ku vileshin të ardhura nga buxheti i shtetit, arritëm rekorde të frikshme duke u licencuar si diçka fare normale. Sot nga kjo sëmundje e trashëguar zor se do të shpëtojmë ndonjëherë dhe sidomos tani kur metistët kanë uzurpuar të gjitha institucionet ku bëhet kontakti me lekun. LSI që në fillim u krijua si intrus interesash, duke mbledhur rreth vetes njerëz të etur për para dhe të zbrazët idealisht dhe politikisht duke u kthyer në lëvizjen skraparllishte për përfitim, d.m.th. LSP. Rikualifikimi politik i Metës në zgjedhjet e 2009-së i kushtoi shtrenjtë jo vetëm PD-së e Berishës, por gjithë skemës politike shqiptare si dukuria më negative e postkomunizmit. Çdo tentativë justifikuese se Shqipërisë i mungonin partitë e qendrës, siç mundohen të bëjnë disa pseudoanalistë, duke pasur parasysh kontekstin aktual të zhvillimeve politike në Shqipëri ose është e paguar prej atyre që s’ju mungojnë paratë ose në të kundërt, është një produkt mjeran i mendjeve që e konceptojnë realitetin politik në Shqipëri, jashtë përmasave të saj reale. Politika shqiptare sot është një kaos dhe në kaos nuk ka pole apo qendër. Meta në çdo marrëveshje di të bëjë pazare për të dalë i fituar, por të humbur gjithmonë dalin ata me të cilët ai bën marrëveshjet. Rama zgjedhjet e 2013 i fitonte edhe pa Metën, Berisha kishte rënë. Me Metën unë besoj se ai i ka humbur ato zgjedhje sepse, rilindja si një ëndërr e bukur për të gjithë ata shqiptarë që kërkonin ndryshimin, vdiq pa lindur ende në shtratin e ndotur të marrëveshjes së 1 prillit. Rilindja u kthye në gënjeshtër, ditën e gënjeshtrave. Militantët dhe anëtarët e thjeshtë të PS që u hoqën zvarrë për 8 vjet të sillnin partinë e tyre në pushtet, tani janë sërish pa punë dhe enden rrugëve të zhgënjyer (kuptohet jo të gjithë se kudo ka pehlivan). Sot në vend të tyre janë ata që ishin dhe dje pjesë e administratës berishiane dhe sërish kapardisen nëpër kolltukët e rehatoshëm me një pameritësi fyese, për këdo që sakrifikoi dhe besoi për 8 vjet në opozitë. Kohët e fundit të ardhurat në buxhetin e shtetit nga doganat dhe tatimet kanë rënë ndjeshëm, sepse lukunia e uritur e çakajve LSI-stë, duhet jo vetëm të marrin pjesën e tyre, por duhet të paguajnë tatimdetyrimin në arkën e partisë. Duhen para për të fituar sa më shumë pushtet në zgjedhjet që po vijnë. Sinjalet shqetësuese që vijnë nga terreni tregojnë çdo ditë e më qartë se kjo lukuni do të bëjë batërdinë në shitblerjen e votave duke u turrur shfrenueshëm drejt kutive të votimit sipas porosisë së partisë. Partia kërkon sakrifica dhe ato duhen dëshmuar! A do të triumfojë metizmi, d.m.th. shitblerja e votave në 21 qershor?! Të shikojmë. Vota e lirë është shpirti i demokracisë. Çdo deformim i saj e çon atë drejt vdekjes së sigurt. Demokracia shqiptare, që ndodhet sot në një lëngim të vazhdueshëm, po vuan pasojat e këtij fenomeni që riciklohet herë pas here nga ata që duan pushtet për para e para për pushtet. Metizmi po i shtrin çdo ditë e më shumë metastazat e veta kanceroze në jetët e shqiptarëve, duke u kthyer në një shpresëvrasës e një gijotinë ëndrrash për ta. Sot shqiptarët janë një popull në arrati, ku vetëm pamundësia për t’u larguar nga ky vend ka zëvendësuar klonin e dikurshëm të diktaturës. Evropa kthen shqiptarët e dëshpëruar e të rraskapitur dhe kërcënon me heqje vizash. Ajo duhet të bëjë përgjegjëse politikën shqiptare për gjendjen e mjerueshme ku ndodhen sot shqiptarët. Shqiptarët sot përjetojnë dhimbshëm një vdekje për së gjalli në atdheun e tyre që është kthyer në një varrezë gjigante për këdo që është i ndershëm dhe i drejtë e parajsë për çdo horr e bandit, kusar e kriminel. Ne sot jemi kthyer në një popull të pafuqishëm nga një pamundësi e detyruar për të ndryshuar këtë gjendje ku jemi nga deformimi i vazhdueshëm i votës dhe nga kornizat e hekurta që ka krijuar sistemi në përcaktimin e saj. Ky sistem zgjedhjesh u bë terren i favorshëm për lindjen, vegjetimin e harlisjen e metizmit, i cili sot harbon pa zot, i shpenguar në shkretëtirën sahariane të politikës shqiptare. 21 qershori po afron, thasët me miell janë bërë gati për të blerë votat e shqiptarëve, si dhe paratë, produkt i korrupsionit të vazhdueshëm për t’u hedhur pa kursim gjithandej. Shqiptarë, çdo thes me miell që merrni sot të detyruar për bukën e gojës së fëmijëve, ai shndërrohet në një grusht helm. Çdo 5-mijëlekësh kthehet në prangosje dhe pamundësi për të ndryshuar me votën tuaj atë që dëshironi ju, duke i dhënë kështu mundësi e përmasë riskllavërimit komunist. Mjaft vuajtëm nga paraardhësit e këtyre që janë sot në pushtet, por si duket komunizmi vazhdon të ripërtërijë vetveten nëpërmjet pinjollëve të vet në forma të sofistikuara si pseudodemokracia, neokomunizmi apo metizmi.

* Ish-i burgosur politik

Mjerë Shqipëria

Medet politika

50 vjet Nexhmia

25, Monika

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here