Skandali i ilaçeve në 47 farmaci, raporti u mbajt i fshehtë

0
116

Artan Cena

Skandali i ilaçeve në 47 farmaciProkuroria ka zgjeruar hetimet në lidhje me çështjen e hapur për rimbursimin e ilaçeve, kryesisht të sëmundjeve kancerogjene. Si u zbuluan shkeljet nga auditi i kryeministrisë

Zgjerohet skandali i vjedhjes së parave të rimbursimit të ilaçeve. Pas denoncimit në media, prokuroria dyshon se janë 47 farmaci që janë përfshirë në skemën e falsifikimit të recetave. Sipas denoncimit të Fondit të Sigurimeve, farmacitë e përfshira në këtë skandal ishin vetëm 4. Por pa hetimeve numri ka shkuar në 47 farmaci të cilat dyshohet se janë përfshirë në skandalin e vjedhjes së qindra mijëra eurove nga fondi i rimbursimit të ilaçeve. Hetimet e prokurorisë nuk u kufizuan vetëm në 4 farmacitë e denoncuara nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore për një abuzim që arrin shumën e mbi 420 mijë euro. Prokurorët kanë bërë të ditur se hetimet do të zgjerohen me tej. Në hetime do përfshihet edhe raporti i përgatitur nga auditi, sipas të cilit, në këtë skandal janë përfshirë jo 4, por 47 farmaci dhe shuma e vjedhur dyshohet të jetë disa miliona euro.

 

Zgjerohen hetimet

Hetimet e prokurorisë do të përfshijnë rimbursimin e ilaçeve që nga fillimi i vitit 2014, ndryshe nga sa parashikohej në denoncimin e bërë nga fondi i sigurimeve, që përfshinte periudhën nga nëntori 2014 deri në prill të 2015. Recetat e falsifikuara nga organizatorët e kësaj skeme ishin ato të sëmundjeve kancerogjene. Kjo sepse, ilaçet për këto sëmundje kushtojnë më shtrenjtë dhe rimbursimi arrinte në shifrat e 350-800 mijë lekë për një ilaç. Gjithsej 420 mijë euro sipas padisë janë përfituar nga 4 farmaci fiktive vetëm në periudhën nëntor 2014- prill 2015. Menjëherë pas rimbursimit të kësaj shume, auditi i zyrës së anti-korrupsionit në kryeministri ka hartuar një raport prej 50 faqesh për këtë skandal. Por skandali është thelluar me tej, kur ky raport nuk është dorëzuar në prokurori por është mbajtur i fshehtë. Burime pranë zyrës së antikorrupsionit thanë se një kopje e raportit që evidentoi skandalin, i është vënë në dispozicion zyrtarëve të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore. Në raport konstatohen shkeljet e dhjetëra farmacive dhe shkelje të tjera që kapin shifra marramendëse, por këto u mbajtën të fshehta nga zyrtaret e fondit.

 

Denoncimi i mangët

Burime japin një shpjegim të mundshëm se përse në prokurori u referuan vetëm 4 farmaci që kishin falsifikuar recetat mjekësore. Në mesin e përfituesve janë edhe të afërmit e zv.drejtorit aktual të Fondit të Sigurimeve të kujdesit të detyrueshëm shëndetësor, Sokol Skura.

Bashkëshortja dhe kunata e zëvendësdrejtorit Skura, thuhet në raport kanë përfituar ilaçe të rimbursueshme nga këto kontrata, duke shtuar se në asnjë raste farmacitë e tyre nuk janë kontrolluar. Mos dorëzimi i këtij raporti, mund të ketë pasur qëllimin që drejtuesit e këtij institucioni kanë dashur të përqendrojnë hetimin e prokurorisë vetëm në këto 4 farmaci.

Mes farmacive që do të verifikohen janë edhe kontratat e të afërmve të zv.drejtorit Skura, i cili në këto zgjedhje është përfshirë edhe në listat e këshilltarëve bashkiakë në Librazhd.

 

Historia në Lushnjë: Mbollëm kanabis për të paguar energjinë elektrike

 Kultivimi i tokave bujqësore me kanabis sativa është përhapur në masë në vend. Por cilat janë arsyet që fshataret rrezikojnë burgun dhe mbjellin droge? Një arsye e kanë edhe pjesëtarët e një familjeje në fshatin Mërtish të Lushnjës, aty ku pak ditë më parë policia asgjësoi bimët narkotike në një serë dhe arrestoi pronarin e saj. Pronari i këtyre serave të shkretuara, Ardian Kokoni, në Mërtish të Lushnjës, u arrestua para dy javëve. Veç prangave, mbi të rëndojnë edhe akuzat për prodhim dhe trafikim të kanabis sativa. Me shtëpinë gati në shembje ndodhet nëna e tij 85 vjeçe, dhe gruaja. Një borxh ndaj OSHEE, kushte në të cilat jetojnë, për gratë e familjes Kokoni janë shkaqet pse në token e tyre u mboll bima narkotike. Ata thonë se “djali i kishte mbjellë këto parcela me qëllim që të paguante borxhin që kishin për energjinë elektrike”. Megjithatë debia e energjisë është ende e pashlyer. Policia u vuri flaken bimëve narkotike në token e tyre. Por gratë mendojnë se nuk janë të vetmit që mbjellin drogë në fshat. Me burrin e shtëpisë në burg, pesë pjesëtarët e tjerë të familjes aktualisht ushqehen vetëm me pensionin 10 mijë lekë të së moshuarës. Por ajo e do të birin në shtëpi. Kjo familje tani është edhe më e varfër se më parë. Gratë nuk do mund të mbjellin dot asnjë perime, ndërsa iu duhet të kujdesen edhe për njeriun e tyre në pranga, i cili është në pritje të gjyqit. /abc/

 

Alarmi i rremë për bombë në shkollë, hetim dy nxënësve

 Dy adoleshentë janë autorë të vendosjes së pakos së dyshimtë për eksploziv në shkollën 9-vjeçare “Bajram Curri”, në Durrës. Ngjarja ka ndodhur më 23 mars të këtij viti, ku u gjet një pako me një celular përsipër. Burime zyrtare të policisë bëjnë të ditur se E. K., 16 vjeç dhe E. Ll., 15 vjeç, janë autor të vendosjes së pakos, e cila rezultoi e rremë. “Ata janë nxënës të kësaj shkolle dhe kanë pranuar autorësinë e ngjarjes. Do të ndiqen në gjendje të lirë, për shkak të moshës”, njoftoi policia. Mbi dy adoleshentët rëndon akuza e “përhapjes së informacioneve të rreme që ngjallin panik”.

 

Bankers Petroleum nën hetim edhe për evazion fiskal dhe fshehje

 Prokuroria e Fierit po heton Bankeres Petrolium edhe për evazion dhe fshehje të ardhurash. Pranë institucionit të akuzës ka mbërritur dosja me të dhënat tatimore, ndërkohë që ende nuk ka përfunduar hetimi për pasojat e shpërthimi në Marinëz. Hetimit të prokurorisë së Fierit ndaj kompanisë naftënxjerrëse Bankers Petroleum i janë shtuar edhe dyshime për evazion fiskal. Burime pranë prokurorisë kanë bërë të ditur se dosja me të dhënat tatimore ka mbërritur në prokurori dhe do të shqyrtohet nga ekspertë kontabël. Të dhënat i janë dorëzuar prokurorisë pas kërkesës së kësaj të fundit nga drejtoria e Tatimeve. Deri tani Bankers po hetohej për shkatërrim prone dhe ndotje të mjedisit pas shpërthimit të fontanës së gazit në muajin 1 prill në Marinëz. Dyshimet për fshehje të ardhurash i shtojnë edhe një akuzë tjetër hetimit. Prokuroria ka marrë në pyetje deri tani 5 përfaqësues të lartë të kompanisë për të mësuar rrethanat e ngjarjes sipas versionit të tyre. Ende nuk ka një kërkesë për masë sigurie ndërsa Bankers ka zyrtarizuar nëpërmjet një raporti të miratuar në këshillin e Komunës Kuman se do të kompensojë dëmet që u shkaktuan nga shpërthimi. Gjithsej 44 shtëpi janë të dëmtuara plotësisht, 67 pjesërisht si dhe disa parcela bujqësore. Situata në Marinëz vazhdon të jetë e parehabilituar. Uji i nëntokës dhe ujësjellësit nuk përdoret nga banorët. Furnizimi bëhet nga autobote që i mundëson Bankers.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here