Alarmi: Kreditë e këqija mund të arrijnë në 44 për qind!

0
145

Ervin Kaduku

 download– Studimi i bankës qendrore nxjerr në pah rreziqet që mund të vijnë nga një skenar i rënduar i ecurisë së ekonomisë shqiptare

Kreditë me problem rrezikojnë të kalojnë mbi 44%, sipas një skenari të rënduar të ushtruar në testin e provës ndaj bankave tregtare nga Banka e Shqipërisë. Nëpërmjet provës së rezistencës me vështrim nga e ardhmja, vlerësohet stabiliteti i sistemit financiar dhe mjaftueshmëria e kapitalit në sektorin bankar, deri në fund të vitit 2016. Në skenarin bazë, rritja ekonomike supozohet se përmirësohet gradualisht në nivelin 3%, në fund të vitit 2016. Në skenarin e parë të rënduar, supozimet për nënçmimin e kursit të këmbimit të lekut deri në 25%, për rritjen e normave të interesit me 5 pikë përqindje dhe për ngadalësimin e normës vjetore të kreditimit në 3% në fund të vitit 2016, rezulton në një rritje të dobët ekonomike prej 0.6% për vitin 2015 dhe tkurrjeje me 2.6% për vitin 2016. Në rastin e skenarit të dytë të rënduar, supozimet për nënçmim të kursit të këmbimit me 30%, shoqëruar me rritje të normës së interesit me 8 pikë përqindje dhe tkurrje vjetore të kredisë në 4%, reflektohen në tkurrje të aktivitetit ekonomik për të dy vitet e ushtrimit, përkatësisht me 2% dhe me 3.74%.

Banka e Shqipërisë raporton se, sipas skenarit bazë, raporti i kredive me probleme për periudhën 2015- 2016 do të përmirësohet gradualisht. Ecuria e këtij raporti në fund të vitit 2015 ndikohet ndjeshëm nga procesi i fshirjes nga bilanci të kredive të humbura në bazë të kërkesës rregullative që hyn në fuqi në janar 2015. Ky efekt i akumuluar, mbartet edhe gjatë vitit 2016 dhe përforcohet më tej nga qëndrueshmëria ekonomike, norma të ulëta të interesit dhe përmirësimi gradual i aktivitetit kreditues në vend. Trajektorja e ecurisë së cilësisë së kredisë, reflekton edhe ndikimin që vjen nga pagesa e faturave të prapambetura të qeverisë, si dhe përmirësimi në terma të ekzekutimit të kolateralit në vijim të ndryshimeve ligjore të ndërmarra nga autoritetet. Në rastin e skenarëve të rënduar, efekti i kombinuar i përkeqësimit të aktivitetit ekonomik, nënçmimit të kursit të këmbimit dhe rritjes së normës së interesit në rastin e skenarit të parë të rënduar, reflektohet në rritjen (përkeqësimin) e raportit të kredive me probleme me 6 pikë përqindje në fund të vitit 2015 dhe 14 pikë përqindje në fund të vitit 2016, në krahasim me skenarin bazë. Në skenarin e dytë të rënduar, raporti i kredive me probleme përkeqësohet me 13.2 pikë përqindje në vitin e parë të ushtrimit dhe 23.7 pikë përqindje në vitin e dytë, në krahasim me skenarin bazë.

 

Ulen interesat e kredisë

Interesi i kredive të reja në lekë është ulur më tej në tremujorin e parë të këtij viti. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, interesi mesatar i kredive të reja, për të gjitha maturitetet, zbriti në 8.1%, nga 8.8% që kishte qenë në të njëjtën periudhë të vitit 2014. Ulja e interesave është më e theksuar në segmentin e kredive me maturitet mbi pesë vjet, sinjal ky që sistemi bankar është më i angazhuar në financime afatgjata, sidomos në segmentin e individëve. Rritja e ekspozimeve afatgjata është në vetvete një shenjë e përmirësimit të besimit dhe një perceptimi më optimist për zhvillimet e ardhshme. Interesat janë ulur edhe për kredinë në euro, që përbën edhe monedhën kryesore të kreditimit të ekonomisë shqiptare. Sipas Bankës së Shqipërisë, interesi mesatar i kredive të reja në euro për tre muajt e parë të vitit ishte 6.3%, nga 7% që kishte qenë në tremujorin 2014. Ulja e interesave është ndikuar nga politikat monetare lehtësuese, që janë përcjellë në zinxhirin e transmetimit, duke sjellë ulje të interesit edhe për depozitat dhe për titujt e qeverisë. Kjo mundëson kreditim me interesa më të ulët, duke përmbushur qëllimin për të ulur çmimin e parasë në ekonomi. Kushtet monetare janë rrjedhimisht të favorshme për të kryer investime të reja, me kosto më të ulët.

 

Mikrofinanca rrit aktivitetin

“Gjatë vitit 2014 institucionet e mikrofinancës kanë kredituar 65.104 sipërmarrës dhe familje me një vlerë totale prej 16.1 miliardë lekësh. Sot institucionet e mikrofinancës kanë 150 degë dhe punësojnë një staf prej 1052 njerëzish në të gjithë Shqipërinë. Vetë shifrat tregojnë që ne po rritemi nga viti në vit. Sot ne i shërbejmë 20% të kredi marrësve në vend”, – tha Perlat Sula, drejtor i Financave pranë NOA. Konferenca “Mikrofinanca shqiptare, një histori suksesi në shërbim të zhvillimit të vendit”, e organizuar ditën e sotme nga Shoqata e Institucioneve të Mikrofinancës në Shqipëri, në kuadër të vlerësimit të institucioneve të mikrofinancës, si ndihmese e madhe për ekonominë vendase. “Institucionet e mikrofinancës janë një ndihmë e madhe për ekonominë vendase dhe po ndihmojnë mijëra fermerë, sipërmarrës të vegjël dhe familje fshatare. Një kategori kjo që përfiton çdo ditë shërbimet e mikrokredisë duke shmangur burokracitë e institucioneve bankare. Dhe më konkretisht, mikrofinanca paraqet sot 20% të totalit të numrit të kredive që jepen në vend. Një shifër tejet e lartë kjo që tregon dhe nevojat e larta financiare të fermerëve dhe sipërmarrësve të vegjël në vend”, – thuhet sipas shifrave të këtij takimi. Gjithashtu u bë e ditur se, gjatë këtyre viteve institucionet e mikrofinancës kanë kredituar më shumë se 350.000 sipërmarrës të vegjël dhe familje në të gjithë Shqipërinë duke injektuar në ekonominë kombëtare mbi 1 miliardë dollarë.

 

 

Drejt “çlirimit” të hapësirës për trafikun ajror

Qeveria shqiptare është pranë arritjes së marrëveshjes për heqjen e ekskluzivitetit të fluturimeve ndërkombëtare për aeroportin e Rinasit. Vendimi pritet të merret brenda dy muajve, duke mundësuar kështu edhe lejimin e fluturimeve ajrore nga tre aeroporte të tjera, në Kukës, Vlorë e Sarandë. Monopoli i fluturimeve ajrore ndërkombëtare që gëzon aeroporti “Nënë Tereza” ka ndikuar jo vetëm në çmimin e lartë të biletave për udhëtarët, por edhe në frenimin e zhvillimit të turizmit në vend për shkak të tarifave të larta dhe pamundësisë së përzgjedhjes. Marrëveshja koncesionare që ka vendosur monopolin e fluturimeve ajrore në Rinas është firmosur nga qeveria shqiptare e drejtuar nga Fatos Nano në vitin 2004. Qeveria shqiptare e kohës formuloi së bashku me një kompani koncesionare, “Tirana Airport Partners”, një marrëveshje për ndërtimin dhe menaxhimin e aeroportit të ardhshëm ndërkombëtar të Rinasit. Marrëveshja e koncesionit parashikonte një kohëzgjatje prej 20 vjetësh, gjatë të cilës do të rehabilitohej terminali i vjetër, do të zhvillohej terminali i ri dhe do të rinovoheshin shërbimet që ofroheshin në zonën e aeroportit. Marrëveshja ia jepte kompanisë koncesionare të gjitha të drejtat mbi hapësirën e aeroportit, përfshirë tarifat e shërbimeve në tokë, për të gjitha kompanitë ajrore që operonin në Shqipëri.

 

 

Parashikohet ulje në 10% e TVSH-së për turizmin

Brenda dy javësh qeveria shqiptare do të miratojë një paketë me lehtësi fiskale në mbështetje të biznesit. Paketa parashikon ndër të tjera uljen e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar nga 20 për qind që është aktualisht në më pak se 10 për qind. Nga ana tjetër, paketa pritet të përmbajë edhe një serë masash të tjera lehtësuese, mes të cilave edhe rimbursimin e kontributeve shoqërore gjatë periudhës jashtë sezonit turistik. Këto masa, vijnë në një kohë kur parashikimet janë për një rritje me 25 për qind të numrit të turistëve në sezonin turistik dhe në kushtet kur vendet fqinje kanë nivel TVSH që varion nga 6­ në 10 për qind. Sa i përket sezonit turistik të këtij viti, një nga problematikat që paraqitet është ajo e pastrimit të plazheve. Për shkak të zgjedhjeve vendore, situata e pastrimit të plazheve paraqitet problematike. Për t’i dhënë zgjidhje kësaj problematike, qeveria pritet të miratojë një vendim të posaçëm për shtimin e numrit të punonjësve të Agjencisë së Bregdetit që do të krijojnë kushtet për ecurinë normale të sezonit turistik. Referuar të dhënave zyrtare, turizmi gjeneron 4.8 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

 

 

Merr OK nga ndërkombëtarët ligji i ri i energjisë

Sekretariati i Komunitetit të Energjisë e ka mirëpritur të hënën miratimin nga Parlamenti i Shqipërisë të ligjit të ri për energjinë elektrike, në përputhje me Paketën e Tretë Rregullatore. Dirk Buschle, zv.drejtori i Sekretariatit të Energjisë, ka deklaruar se, rëndësia e ligjit të sapomiratuar në Shqipëri shkon përtej anës formale të përmbushjes së detyrimeve të legjislacionit evropian. “Ligji përbën një hap vendimtar përpara në rrugën e gjatë të reformës energjetike në Shqipëri, për të cilën ai vendos një themel të fortë. Që në fazën e draftit paraprak të këtij ligji, ne kemi punuar ngushtësisht së bashku me autoritetet shtetërore në Shqipëri. Jam veçanërisht mirënjohës për bashkëpunimin që kemi patur me partnerë të aftë e të përgjegjshëm në Qeveri dhe në Parlament, ndaj më duhet t’i përgëzoj për punën e tyre”, – ka shtuar Buschle. Mes vendeve kontraktuese të Komunitetit të Energjisë, Shqipëria është shteti i dytë që miraton kërkesat e Paketës së Tretë Rregullatore për sektorin energjetik. Kuvendi i Shqipërisë miratoi pak ditë më parë me 83 vota pro projektligjin për sektorin e energjisë elektrike, por pa nenin ku parashikohej sekuestrimi e banesës në rast debie ndaj OSHEE-së. Para votimit, Partia Demokratike u shpreh edhe kundër nenit që parashikon sekuestron për bizneset që regjistrojnë një debi mbi 200 mijë lekë ndaj OSHEE-së. Opozita kundërshtoi edhe këtë formë, duke paralajmëruar madje se do ta çojë këtë ligj në Gjykatën Kushtetuese. Deputetja Jorida Tabaku tha se barrën hiptekore për bizneset do ta pësojnë bizneset e vogla, te cilat nuk kane mundësi të paguajnë, ndërsa ‘peshqit’ e mëdhenj si gjithmonë do ja hedhin pa u lagur. Propozimi fillestar parashikonte vendosjen e barrës hipotekore për konsumatorët familjarë kur kalojnë vlerën debitore prej 300 mijë lekësh, ndërsa për bizneset kur kalojnë vlerën e 2 milionë lekëve. Një tjetër pikë debati ishte ajo e çmimit të lartë, që qytetarët duhet të paguajnë për faturat aforfe, për të cilën kryetari i Komisionit të Veprimtarive Prodhuese tha se synohet që fundi i këtij viti të jetë edhe fundi i kësaj mënyre faturimi, pas pajisjes së të gjithë konsumatorëve me matësa. “Ne i kërkojmë qeverisë dhe Entit Rregullator të mbikëqyrin procesin e pajisjes me matësa për të gjithë konsumatorët shqiptarë, në mënyrë që në fillim të vitit 2016, asnjë konsumator shqiptar të mos ngarkohet aforfe”, – deklaroi deputeti Eduard Shalsi.

 

 

Tregu i banesave po del nga recesioni

Tregu i banesave po përmirësohet pas një recesioni gati trevjeçar. Banka e Shqipërisë raporton se, në fund të vitit 2014, zhvillimet në tregun e pasurive të paluajtshme treguan një situatë lehtësisht të përmirësuar. Gjatë tremujorit të fundit të vitit 2014, indeksi i çmimit të banesave u përmirësua me 1.2% ndaj një viti më parë, nga një trend rënës që kishte nisur që nga tremujori i fundit të 2013. Agjentët e pasurive të paluajtshme janë më optimiste. Kredia për blerje pasurie të paluajtshme u përmirësua në gjashtëmujorin e dytë të vitit dhe norma e interesit për këtë portofol shënoi rënie. Gjithsesi, cilësia e portofolit të kredisë për blerje pasurie të paluajtshme paraqitet e përkeqësuar. Në të njëjtën periudhë, teprica e kredisë për blerje pasurie të paluajtshme është përmirësuar ndjeshëm ndaj pjesës së parë të vitit me një rritje prej 8.3%. Gjithsesi, gjatë vitit 2014, kjo kredi rezultoi 1% më pak se një vit më parë. Në gjysmën e dytë të vitit 2014, norma e ponderuar e interesit për kredi për blerje pasurie të paluajtshme ka rënë në 6.7%, duke ndjekur prirjen rënëse të normave të interesit të kredisë në treg, si rezultat i një politike monetare lehtësuese. Si rrjedhojë, edhe kostoja22 relative e pagesës së kësaj kredie është zbutur, duke reflektuar kushte më të favorshme për blerjen e pronave të patundshme nga këndvështrimi i huamarrësit Gjithsesi, cilësia e portofolit të kredisë për pasuri të paluajtshme vijon të bjerë. Raporti i kredive me probleme për blerje pasurie të paluajtshme u ngjit në nivelin 15.1%, nga 14% që ishte në pjesën e parë të vitit dhe 13.6% një vit më parë. Megjithatë, cilësia e kësaj pjese të portofolit të kredisë mbetet më e mirë se cilësia e portofolit total të kredisë, për shkak të formës së kolateralizimit, e cila dikton një sjellje të kujdesshme për sektorin bankar dhe kredimarrësit.

 

 

Gjobat për hidrokarburet pritet të 6-fishohen

Qeveria shqiptare është duke përgatitur disa ndryshime në ligjin “Për tregtimin e hidrokarbureve në Republikën e Shqipërisë”. Burime nga Ministria e Energjisë dhe Industrisë, bëjnë të ditur për median se ndryshimet parashikojnë ashpërsimin e vlerës së gjobave që do të vendosen nga Inspektorati Qendror Teknik (IQT). Të gjitha ato subjekte që do të rezultojnë se mashtrojnë me cilësinë e karburantit. Pritet që masa e gjobave të gjashtëfishohet, nga 2 milionë lekë që është aktualisht, në 12 milionë lekë për abuzuesit. Megjithatë, ende nuk është marrë një vendim dhe opsionet janë që masa e gjobës të jetë akoma edhe më e lartë. Gjithashtu, subjekteve do u hiqet licenca në rast se konstatohet abuzimi për të dytën herë edhe nëse është paguar penaliteti i mëparshëm. Ndërsa inspektorët e ministrisë së Industrisë do të bashkëpunojnë direkt me institucionin e Prokurorisë në mënyrë që të përshpejtohet ndjekja penale e abuzuesve. Kontrolle do të ketë edhe nga Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë, si edhe nga inspektorët tatimorë dhe ata doganorë. Ndërsa subjektet do të jenë të detyruara që, çdo shitje të produktit ta raportojnë online në Ministrinë e Financave. Në Tetor të vitit të kaluar, qeveria shqiptare miratoi një sërë ndryshimesh në ligjin “Për tregtimin e hidrokarbureve” me qëllim rregullimin e tregut dhe mbrojtjen e konsumatorit. Abuzimet e shumta nga operatorët privatë gjatë kësaj periudhe kanë treguar se efekti i akteve nënligjore të ndryshuara nuk ka qenë i plotë, duke lënë vend për abuzime, ndërsa qeveria është përgatitur për aksionin e radhës në këtë sektor.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here