Ekzekutimi/ Zbardhen detaje për vrasjen e Shkodrës, shoqërohen 12 persona

0
152

Zbardhen detaje për vrasjen e Shkodrës,Policia ka arritur të identifikojë se në vrasjen e 72-vjeçarit kanë marrë pjesë 3 persona. Ndërkohë, vazhdon hetimi për gjetjen e elementeve të krimit

Një ngjarje që tronditi Shkodrën. Kështu është cilësuar vrasja e një 72-vjeçari disa ditë më parë në këtë qytet. Ndërkohë, policia ka arritur të nxjerrë fakte tronditëse për të. Deri në këto momente, sipas burimeve të policisë, bëhet e ditur se i moshuari është vrarë për shkak të problemeve që ka pasur vite më parë. Ndërkohë që lidhur me ngjarjen policia shprehet se brenda një harku kohor të shkurtër ka shoqëruar në komisariat një numër të konsiderueshëm personash të dyshuar si të përfshirë në ngjarje. Vrasja ka ndodhur ditën e diel, por deri në këto momente, përveç faktit se ka ngritur pistat e hetimit dhe ka identifikuar disa prej personave që mund të jenë autorë të mundshëm, është e rezervuar për detaje të tjera. Në polici janë shoqëruar për t’u pyetur edhe familjarë të të moshuarit, kjo për të vërtetuar nëse kanë pasur apo jo probleme në të kaluarën.

 

Policia

Policia e Shkodrës në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur mbrëmjen e së dielës, ku u vra një i moshuar në banesën e tij, ka shoqëruar në komisariat 12 persona. Burime nga policia kanë bërë me dije se 72-vjeçari Lekë Jaku mbeti i vrarë në orët e vona të së dielës, teksa persona të paidentifikuar kishin hyrë në banesën e tij për të grabitur. Sipas policisë, në krim janë përfshirë tre persona, të cilët, pasi kryen grabitjen dhe krimin, u larguan me këmbë në drejtim të rrugës kryesore Shkodër – Mjedë. Autorët arritën të hapnin me dhunë njërën nga dyert e ballkonit të banesës ku jetonte Lekë Jaku dhe më pas kanë goditur me sende të forta të moshuarin, duke e lënë të vdekur. Viktima Lekë Jaku jetonte i vetëm në banesë, pasi djali i tij ndodhej në Greqi. Policia e Shkodrës bën me dije se po kryen kontrolle në terren në kërkim të autorëve, të cilët dyshohen se janë banorë të zonës. Burime nga grupi hetimor bëjnë të ditur se nga informacionet e marra në rrugë operative, ngjarja është drejt zbardhjes dhe identifikimit të autorëve.

 

Ngjarja

Ngjarja është regjistruar mbrëmjen e së dielës në fshatin Ganjoll të komunës Gur i Zi, ku sipas policisë tre persona kanë hyrë për të grabitur banesën e shtetasit Lekë Jaku, 72 vjeç. Gjatë kësaj tentative ata kanë hasur në rezistencën e të moshuarit, i cili për pasojë është lidhur e torturuar, e më pas është goditur me mjete të forta duke u lënë i vdekur në vend. Autorët kanë arritur të largohen dhe vetëm në orët e para të mëngjesit të së hënës, kanë qenë fqinjët ata që kanë konstatuar derën e banesës të hapur me forcë, duke njoftuar menjëherë Policinë e Shkodrës. 70-vjeçari Lekë Jaku jetonte i vetëm, pasi djali i tij jeton në Greqi, ndërsa nusja e djalit së bashku me nipërit mbrëmjen kur ndodhi ngjarja e rëndë ndodhej tek familja e saj. Nga këqyrja e vendit të ngjarjes sipas burimeve mësohet se shiheshin qartë shenjat e dhunës së shkaktuar në banesë por edhe shenjat e përleshjes së 72-vjeçarit me grabitësit. Nga ana e policisë po punohet për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje dhe arrestimin e autorëve. Deri më tani është bërë shoqërimi në polici i 12 personave, të cilët dyshohet se mund të kenë dijeni për ngjarjen.

 

 Itali/ Grabiti ambasadorin shqiptar, kapet pas 6 muajsh autori

Autoritetet italiane kanë vënë në pranga ditën e djeshme një 45-vjeçar nën akuzën e vjedhjes së një banese, por shenjat e gishtave ai ka rezultuar se është edhe personi që ka grabitur me dhunë makinën e ambasadorit shqiptar në Portugali, Edmond Trako. Ngjarja sipas mediave italiane ka ndodhur më 5 tetor 2014, ku ambasadori Edmond Trako ishte rrugës për në Portin e Barit ku do hipte me makinën me targa diplomatike në tragetin e linjës Bari-Durrës. Mësohet se personi i arrestuar është italiani Loconsole Scipione, i cili sipas hetimeve i ka dalë përpara me një makinë tjetër automjetit me të cilën udhëtonte ambasadori Trako me bashkëshorten e tij duke u vjedhur më pas sendet personale. Polica organizoi një ballafaqim midis ambasadorit Trako, bashkëshortes së tij dhe të dyshuarit për grabitje, të cilët sipas mediave italiane e kanë njohur menjëherë Scipionen si një nga personat që i grabitën me dhunë. Tashmë 45-vjeçari Loconsole Scipione ndodhet në burgun e Barit në pritje për t’u përballur me drejtësinë.

 

Sarandë/ Sekuestrohen 10 mijë rrënjë kanabis, 7 në pranga

Policia e Sarandës ka sekuestruar gjatë pasdites së djeshme plot dhjetë mijë rrënjë kubikë kanabis sativa. Burime nga Policia e Sarandës kanë bërë me dije se sekuestrimi i këtyre kubikëve me kanabis sativa, është bërë gjatë një operacioni të efektivëve të policisë së këtij qyteti. Gjithashtu, në bazë të këtij operacioni kanë përfunduar në pranga edhe shtatë persona, të cilët janë kapur në flagrancë nga policia. Lënda narkotike mësohet se rritej me llamba në një hapësirë rreth 1 mijë metra katror. Policia po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Po ashtu, rreth një javë më parë një tjetër qytet, Lushnjë, policia ka bërë të mundur sekuestrimin e një numri të konsiderueshëm bimës lënde narkotike. Mësohet se lënda narkotike është gjetur e mbjellë në 7 tunele serash në fshatin Barbullinjë të Lushnjës. Ndërsa në pranga janë vënë të gjithë pjesëtarët e familjes që kishte në pronësi serën ku ishte mbjellë lënda narkotike.

 

Laç/ Shpallet në kërkim 52-vjeçari, qëlloi me armë 1 person

Policia e Shtetit ka shpallur në kërkim një 52-vjeçar nga Laçi, pasi mbrëmjen e së hënës ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të një shtetasi tjetër pas një konflikti për pronat. Burime nga Policia e Laçit kanë bërë me dije se procedimi penal ka filluar menjëherë pas kontrollit që u bë në banesën e Tonin Krosit ku u gjetën dhe sekuestruan 2 armë zjarri të llojit automatik, model 56, me 5 krehra e me 133 copë fishekë, si dhe i mbante pa leje. Të njëjtat burime kanë bërë me dije se ngjarja ka ndodhur gjatë mbrëmjes të së hënës pranë stadiumit të qytetit të Laçit, ku 52-vjeçari qëlloi me armë ndaj shtetasit me inicialet A. P. Menjëherë pas kësaj ngjarje policia ka ushtruar një kontroll në banesën e tij dhe ka gjetur një armë zjarri të cilën 52-vjeçari e mbante pa leje. Ditën e djeshme Policia e Shtetit ka bënë më dije se ka shpallur në kërkim 52-vjeçarin Tonin Kroci, pasi akuzohet se ka qëlluar me armë ndaj një personi tjetër.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency