Dy djemtë e Shejzës

0
138

Josif Papagjoni

ernest koliqi martin camajJa pra që ka ardhur koha t’i drejtohemi ca më shumë, më shpesh e më thellë disa burimeve bazike, që nëpër libra u themi edhe “literaturë” a “shtypi i kohës”, në fletët e të cilave frymon mendimi kritik e teorik shqiptar mbi letërsinë shqipe, i shndërruar tashmë në “histori” të po këtij mendimi. Dhe teksa qoftë edhe njërin prej këtyre burimeve, si në rastin e revistës “Shejzat”, me drejtor Ernest Koliqin dhe redaktor Martin Camajn, botuar në ndërkohën 1957-1978 në Romë

Tek lexojmë tituj librash studimorë e kritikë, pak a shumë në mendjen tonë ravijëzohen dy-tri tipa kësisoj: një tezë që sjellë vështrime përfshirëse, t’i quajmë kronotopike, pra në kohë dhe hapësirë, mbi një dukuri, proces letrar, rrymë, shkollë, madje gjer edhe shqyrtime historike shteruese për krejt letërsinë; më tutje një argument i veçuar e i vetëmjaftueshëm, i kahut teorik, estetik a historik, që shtrihet njëherit në diakroni e konkretizohet në sinkroni veprash, autorësh a drejtimesh të caktuara letrare; ose ka pastaj libra me shënime kritike fort interesante e të ngrohta, polemika të nxehta e ndonjëherë që cenojnë etikën, të cilat dalin nga frymimi i procesit letrar së fundmi apo nga konkurrenca mes autorësh, stilesh, paradigmash, si magmat vullkanike; ka të tjerë e të tjerë libra që…

…Nuk po e shtyj më tutje, sepse sado t’i identifikosh a përcaktosh në terma teorikë, qasjet janë të shumëfarta andaj dhe librat të tillët janë. Libri “Kritika letrare në Shejzat (E. Koliqi, M. Cama)”, shkruar nga prof. dr. Ymer Çiraku dhe Elona Plaku, ani pse ka formën e një studimi me objekt të mirëpërcaktuar (revistën letrare “Shejzat” dhe ndihmesat e E. Koliqit dhe M. Camajt aty), ani pse mund ta shenjosh atë kryekreje si një këqyrje të llojit të kritikës së kritikës, prapëseprapë në fletët e tij mëtohen edhe të tjera hapësira, që lidhen si me pjesën hulumtuese, ashtu dhe sidomos me spikama mendimesh të një natyre tejet sintetike, me shkurtesa e artikulime idesh, gjykimesh e vlerësimesh thuajse precize mbi shkrimtarë të shquar të letrave shqipe, cekur posaçërisht nga dy të mëdhenjtë Koliqi e Camaj – pretekstet e vetë librit që po flasim.

Ja pra që ka ardhur koha t’i drejtohemi ca më shumë, më shpesh e më thellë disa burimeve bazike, që nëpër libra u themi edhe “literaturë” a “shtypi i kohës”, në fletët e të cilave frymon mendimi kritik e teorik shqiptar mbi letërsinë shqipe, i shndërruar tashmë në “histori” të po këtij mendimi. Dhe teksa qoftë edhe njërin prej këtyre burimeve, si në rastin e revistës “Shejzat”, me drejtor Ernest Koliqin dhe redaktor Martin Camajn, botuar në ndërkohën 1957-1978 në Romë të Italisë, e merr si objekt një studiues me emër si prof. Y. Çiraku dhe bashkautorja E. Plaku duke bërë njëkohësisht prerje vertikale dhe horizontale të materies së saj në mbi 20 vjet, atëbotë themi se është mbërritur pikërisht në prag të një porte të mirëpritur shqyrtimi. Themi “portë e mirëpritur” sepse autorët e librit nuk kanë shestuar thjesht lëndën e bollshme të botuar nga Koliqi dhe Camaj në fletët e revistës, as vetëm një indeks bibliografik shkrimesh, por nëpërmjet tyre janë sjellë ide me vlerë pikërisht në rikualifikimin e proceseve letrare shqipe, të autorëve të saj më të zëshëm, pikëtakime e ndryshime, rryma e shkolla letrare. Të dy autorët kanë bërë me dije posaçërisht aspekte rivlerësuese, të cilat kanë qenë krejt të ndryshme nga optikat opake e refuzuese të historiografisë letrare të realizmit socialist. Bëhet menjëherë e kuptueshme në kategori të tillë librash, vështirësia për të përballuar një lëndë të gjerë e për të vijuar fill më pas në abstragime e sinteza që kërkojnë kujdes si dhe një gjuhë tejet lakonike, duke shmangur përsëritjet, shtjellimet e gjera, që nuk i shkojnë stilit të studimeve kësilloj.

Libri është organizuar në 7 kapituj dhe më shumë vend i është kushtuar Koliqit dhe shkrimeve të tij. Kjo sepse ky sqimatar i letrave dhe mendimtar i thellë e fort i ekuilibruar, ka dhënë deviza historiografike e analitike me vlerë për letërsinë shqipe, të kumtuara me elegancë nga autorët, sidomos në librin e tij “Shkrimtarët shqiptarë” (1941) si dhe në mjaft artikuj botuar rrjedhës së 20 viteve të jetës së revistës. Koliqi u kushton vëmendje të veçantë tre të mëdhenjve Naim Frashëri, Jeronim de Rada dhe Gjergj Fishta, duke afruar aty edhe Fan Nolin e më tutje mendjen enciklopedike të Faik Konicës dhe gjuhën e krehur të tij. Por në vetëdijen kritike tëKoliqit, sikurse përvijohet nga autorët e librit, gjeti vend një aksiologji dinamike ku merreshin në shqyrtim pranëvënie a riintegrime shkrimtarësh që vinin nga qarqet veriore katolike e jezuite, ato ortodokse të jugut, areali arbëresh, letërsia e unifikuar pas Rilindjes, letërsia e viteve 20-30 me autorët e saj të shumtë, mes tyre fort të spikatur Migjeni, Poradeci, Kuteli dhe më tutje shkrimtarë bashkëkohës, paçka se në Shqipërinë e izoluar komuniste ngujimi i mendimit dhe i shprehjes së lirë u kthye në një lëngatë të vërtetë dhe pamundësi aplikimesh të shkollave moderniste. Përkundrazi, në Kosovë dhe në viset arbëreshe në Italinë e Jugut procesi letrar nuk u shkëput nga ai evropian e botëror sa i përket eksperimentimeve dhe kodeve të reja që ofroheshin nga emrat autoritarë të letërsisë. Andaj dhe në “shkoqitje e pleqnime”,sipas autorëve të librit, në mendjen e hapur e pa paragjykime të Koliqit është sendërtuar një hierarki e njëmendtë vlerash letrare, prej të cilës historiografia e pas viteve ’90 ka përvetësuar mjaft ide serioze.

Një kapitull i është kushtuar Martin Camajt, redaktorit të revistës “Shejzat”, i kundruar në tri rrafshe: atë të krijimtarisë, të filologjisë dhe të kritikës. Sipas autorëve, edhe pse në shumëçka Koliqi dhe Camaj puqeshin dhe shfaqnin prirje të afërta, sa i takon shkrimeve analitike i pari ishte studiues më fort i formatit akademik duke iu përkushtuar problematikave të gjera e principiale të historishkrimit letrar si ato të periodizimit, shkollave letrare, autorëve më impakte përcaktuese në proceset e zhvillimit, ndërsa i dyti ishte studiues që ndiqte shpesh promovimin e veprave të reja dhe shkrimtarëve të ndryshëm, shqyrtime të holla stilistike dhe formale.

Në kontekstin e zhvillimit të mendimit kritik bashkëkohës libri “Kritika letrare në Shejzat” të Ymer Çirakut dhe Elona Plakut sjell një optikë jo fort të pranishme, pra dhe të mirëpritur, e cila ka kërkuar një punë hulumtuese dhe një afilim të mirëstudiuar në togun e shkrimeve të shumta për të rilevuar atë çka ka qenë me të vërtetë kontributive në mendimin kritik të Koliqit, Camajt e më gjerë, pra të faqeve të revistës “Shejzat”. Libri “Kritika letrare në Shejzat” nga Ymer Çiraku dhe Elona Plaku është dëshmi e kritikës që lëvrohet aktualisht me seriozitet në katedrat universitare të vendit, i hartuar me përkushtim dhe që shfaq ndikim në një lexues të kualifikuar universitar me mendimet e shtjelluara. Më në fund, përtej këtij libri, na duhet të themi se mendimi kritik letrar shqiptar në gjithë hapësirën kombëtare, gjithnjë e më shumë duket se po përvetëson traditat më të mira të shënuara në kohë, duke u shfaqur herë në formë dijeje, herë me theksa filologjikë e ndonjëherë komparatiste, herë si qasje psikanalitike, herë me shqyrtime të përimtuara në kapilarë e njësi “atomike” të lëndës letrare, herë si kritikë objektive e pozitiviste, herë me studime të një rrafshi polifonik që alternon kritikën, estetikën, eseistikën dhe historinë, herë me projektime të letërsisë shqipe si njësi unitare e po ashtu në larminë stilistike të saj, herë me parapëlqimin e metodave të kryqëzuara sociologjike, gjenetike, biografike, strukturaliste, semiologjike. Sido që të shfaqet, mendimi kritik e historiografik është i mirëpritur duke u përfshirë në një klimë mirëkuptimi e polemike shkencore. Për këtë arsye edhe ky libër i ri që i shtohet bibliotekës së mendimit kritik e historiografik mbi letërsinë shqipe mbart në mënyrë modeste, por skrupuloze për nga shtjellimi dhe paraqitja, pjesë të hipotekës së dijes duke realizuar vetiu një lidhje organikë të letërsisë me lexuesin e saj si dhe rrjedhën e kohës nga dje, sot e nesër.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency