Nishani, Papës: Shtëpia e shqiptarit është e Zotit  dhe e mikut. Sot kjo shtëpi është dy herë e juaja

0
153

“Jemi krenarë që gjuha shqipe e shkruar ngjizet me një formulë të shenjtë

“Unë të pagëzoj në emër të atit e të birit e shpirtit shenjt” në vitin 1462”

nishani_papaPas takimit që Ati i Shenjtë pati me Kryeministrin Edi Rama në aeroportin “Nënë Tereza”, kreu i Shtetit shqiptar, Bujar Nishani, mikpriti në Institucionin e Presidentit Papa Françeskun. Pas ceremonisë solemne të mirëseardhjes, ekzekutimit të himneve kombëtare të Republikës së Shqipërisë si dhe të Shtetit të Vatikanit dhe nënshkrimit të Librit të Miqve nga Shenjtëria e Tij, Presidenti Nishani dhe Papa Françesku zhvilluan një takim kokë më kokë.  Më pas Presidenti dhe Ati i Shenjtë iu drejtuan me nga një fjalë përshëndetëse autoriteteve më të larta të shtetit shqiptar, Trupit Diplomatik të akredituar në Tiranë, krerëve të bashkësive fetare si dhe personaliteteve të tjera të ftuar në një takim të veçantë në Sallën “Skënderbeu” të Institucionit të Presidentit të Republikës.

 

Fjalimi i plotë i Presidentit

At i Shenjtë,

Ne shqiptarët jemi një popull i vjetër, me vetëdije të fortë kombëtare, kemi një gjuhë po aq të rrënjosur e përbashkuese, tradita e zakone të njëjta, por i falemi Zotit në mënyra të ndryshme. Këtë akt themelor të jetës sonë e kemi bërë gjithmonë në paqe e harmoni me njëri-tjetrin. Ngrehinën tonë shpirtërore e përbëjnë Krishterimi me Islamin, këto dy besime të mëdha të botës, përkatësisht me Katolicizmin, Ortodoksinë, Muhamedanizmin sunit dhe atë bektashi, të cilat në gjirin e këtij populli të lashtë, bashkautor në ngjizjen e qytetërimeve mesdhetare, dinë veç të dialogojnë.

Shqiptarët bashkë i kanë kaluar të gjitha proceset historike si njësi unike etnike mbi të gjitha, Rilindjen Kombëtare, duke respektuar përkatësitë fetare të njëri-tjetrit, në evokim të të njëjtit identitet kombëtar. Si të tillë kemi mbërritur te Pavarësia  më 28 Nëntor 1912 deri sot në vitin e 102 –të të shtetit shqiptar. Jemi krenarë për këtë! Mes nesh nuk ka diskriminim, nuk ka intolerancë, nuk ka ekstremizëm, por respekt reciprok të trashëguar brez pas brezi, harmoni e barazi të plotë të komuniteteve fetare të garantuara nga Kushtetuta e shtetit tonë laik.

Siç ju e dini Shenjtëri, ne përjetuam për gati 50 vjet një diktaturë të egër ku komunizmi tentoi të ndryshojë antropologjinë humane, të krijojë njeriun e ri pa Zot, pa liri, pa objekte kulti, pa kler duke u vetëshpallur si i vetmi vend ateist në botë. Unë dhe bashkëkombësit e mi mendojmë që Kisha Katolike Shqiptare dhe klerikët e saj, si dhe komunitetet e tjera fetare i kanë rezistuar në mënyrë heroike diktaturës komuniste duke i dhënë kombit, Kishës, botës së qytetëruar martirë të denjë në jetë të jetëve për këtë status.

Fjalët e fundit të  shumë prej priftërinjve katolike para skuadrave të pushkatimit  ishin “Rroftë Shqipëria! Rroftë Papa!”

Në emër të binomit Atdhe e Fe ishin me dhjetëra klerikët që dhanë jetën e tyre. Ky eksperiment famëkeq kundër natyrës së njeriut na rezulton pa etalon krahasimi  në epokën e modernitetit. Falë Zotit, falë qëndresës së shqiptarëve, dështoi. Ishte edhe kjo një sfidë që shqiptarët e përballuan të gjithë së bashku si vëllezër, si bij të të njëjtit Zot, myslimanë e të krishterë u ringritën nga hiri në kërkim të lirisë, demokracisë dhe besimit në Dhjetorin e vitit 1990.

At i Shenjtë,

Krishterimi zu fill herët në Shqipëri, me gjasë që në kohën e Apostullit Pal dhe pa dilema mund të thuhet që historia e katolicizmit shqiptar është një pjesë e rëndësishme e historisë së katolicizmit botëror. Vendi im i ka dhuruar martirë e shenjtorë Kishës Katolike ndër shekuj, ndërsa brenda historisë sonë kombëtare komuniteti katolik, Kisha Katolike e Shqipërisë dhe kleri i saj zënë një vend nderi.

Ne të gjithë jemi krenarë që gjuha shqipe e shkruar ngjizet me një formulë të shenjtë “Unë të pagëzoj në emër të atit e të birit e shpirtit shenjt” në vitin 1462. Ky bekim hyjnor e ruajti atë nga zhdukja që i kanosej. Jo rastësisht libri i parë i gjuhës shqipe është një “Meshar” i vitit 1555, i murgut Gjon Buzuku, për të vijuar me të tjerë shkrimtarë e prelatë katolikë si Budi, Bogdani, Bardhi deri tek poeti kombëtar Gjergj Fishta e shumë të tjerë, të cilët ushqyen limfën e identitetit kombëtar në një periudhë të rëndë të historisë së kombit.

Po ashtu, nga tradita e kësaj Kishe dhe këtij vendi doli modeli madhështor i besimit, sakrificës, mirësisë, dashurisë e humanizmit që modifikoi fytyrën e një shekulli të mbarsur me luftë të nxehtë e të ftohtë, ajo është bija e madhe e një kombi të vogël , është e lumja Nënë Terezë.

Ne jemi populli i Nënë Terezës!

Shenjtëri,

Nga historia me rezulton që Selia e Shenjtë i ka ofruar ndihmë dhe mbështetje të pakushtëzuar gjithmonë kombit tim. Heroi ynë kombëtar, prijësi, simboli i lirisë kundër robërisë, një nga kolonat e civilizimit evropian, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, ishte aleati i zgjedhur i Shtetit të Vatikanit, mik i etërve të shenjtë, e në veçanti i humanistit të madh Enea Silvio Pikolomini, i cili do të nisej drejt brigjeve arbërore, por “jeta e përtejme” e ndali në Ankona. Historisë sonë i ka munguar  pazëvendësueshëm zbritja e tij në Durrës për të kurorëzuar Mbret Skënderbeun dhe Kardinal Pal Engjëllin.

Fort i nderuar Papa Françesku,

Ne jemi një popull me histori tragjike, por kemi mbijetuar, jemi ringritur dhe me besim ecim drejt së ardhmes, virtytet nuk na kanë braktisur asnjëherë e një prej  tyre  është mirënjohja te cilën distanca historike nuk e zbeh, por e bën më të vyer.  Ne  e kemi ndier dorën e Vatikanit kur miqtë nuk i kishim të shumtë. Dua të kujtoj se me nxitjen e Papa  Klementit ose Albanit, origjina shqiptare e të cilit është motiv frymëzimi për ne,  zë fill “Kuvendi i Arbërit”, djepi i Rilindjes shqiptare.

Ndiej kënaqësi të thellë tek ju falënderoj për mbështetjen që na dhatë gjatë procesit të pavarësisë kombëtare e po me kaq mirënjohje kujtojmë aktin e një shekulli më parë, të Benediktit XV, i cili ngriti zërin kundër copëtimit të tokave shqiptare menjëherë pas Luftës së Parë Botërore.

Po kaq e rëndësishme ka qenë mbështetja dhe zëri i Selisë së Shenjtë kundër tiranisë, kundër persekutimit gjatë stinës së vetmisë së madhe nën komunizëm! Mbështetja vinte  në emër të Zotit, në emër të lirisë. Po, At i Shenjtë, kemi marrë prej jush një zë shprese, një horizont lirie nga valët e Radio Vatikanit!

Në memorien e vendit tim është skalitur përjetësisht kujtimi i Papa Gjon Palit II, kur në vitin 1984 nga Pulja thirri fuqishëm kundër persekutimit të Kishës Katolike dhe besimeve në vendin tonë, kundër dhunës ateiste, kundër totalitarizmit. Ishte pikërisht ky burrë i ndritur dhe i shenjtë që në prillin e vitit 1993, erdhi në Shqipëri për të bekuar e frymëzuar një popull të vuajtur, një demokraci të re, për të ringritur Kishën Katolike dhe nxitur edhe më tej  harmoninë ndërmjet besimeve shekullore këtë vlerë shqiptare.

I dashur Atë,

Kam ndjekur me vëmendje të madhe predikimet, ligjëratat dhe fjalën Tuaj nga Sheshi i Shën Pjetrit. Mund të pohoj me bindje se ato janë një leksion i ndritur, besimi e humanizmi, kuraje e kulture, një doktrinë e mirëfilltë për paqen, prosperitetin dhe stabilitetin në botë. Ato janë një reflektim i madh shpirtëror e  etik mbi fatet e njeriut dhe perspektivën e tij, mbi respektin që çdo qenie humane meriton.

Individi dhe shoqëria, pasuria dhe skamja, shoqëria dhe institucionet, besimi dhe e drejta për ta ruajtur atë, korrupsioni dhe egocentrizmi, religjioni dhe shteti, shteti dhe demokracia  , bashkëjetesa ndërmjet religjioneve tema të mëdha  të trajtuara nga ju  janë tepër frymëzuese, tepër të dobishme për demokracinë 24-vjeçare shqiptare dhe për botën mbarë. Shqipëria sheh tek ju një personalitet të madh të njerëzimit, një mik të shtrenjtë, të cilit sot i ka hapur zemrën dhe derën sipas kodit zakonor të shqiptarëve në të cilin thuhet  “Shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut”.

Sot kjo shtëpi është dy herë e juaja.

 

Berisha: Një vizitë hyjnore!

Ishi-kryeministri i vendit, Sali Berish,  e quajti një vizitë hyjnore ardhjen e Papa Françeskut në Shqipëri. Duke publikuar një album me foto, Berisha e quajti historike vizitën e Papa Françeskut në Shqipëri. Berisha tha se Ati i Shenjtë, në prani të qindra mijëra qytetarëve të të gjitha besimeve fetare, iu foli shqiptarëve dhe botës për martirzimin e këtij populli, i bëri thirrje njerëzimit të frymezohen nga mesazhi i madh i harmonisë dhe tolerancës fetare kombetare të shqiptarëve, apeloi që askush të mos përdori Zotin si mburojë për të vrare të tjerët.

“President Nishani, mikëpritësi i Papa Françeskut, e priti Shenjterinë e Tij me fjalet se: vizita Juaj është bekim për vendin dhe se shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut, dhe sot ajo është dy herë e Juaja. Kryetari i Bashkisë së Tiranës Basha, i dorezoi titullin “Qytetar Nderi” Atit te Shenjtë. Sheshi “Nenë Tereza” u shenjtërua me meshën Papale. Të dashur miq, le të shprehim sot mirënjohjen më të thellë Atit të Shenjtë që zgjodhi të vizitojë Shqipërinë këtë të dielë. Kjo ishte një zgjedhje hyjnore!”,-ka shkruar ish-kryeministri Berisha në rrjetin social “Facebook”.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency