Papa bekon Shqipërinë/ “Shqiponja e flamurit t’ju kujtojë besimin dhe shpresën te Zoti”

0
190

Më poshtë fjala e plotë e Atit të Shenjtë: “Shqipëria shembull frymëzimi  për bashkëjetesën fetare”

PAPA-NE-TIRANE-1Falenderoj me gjithë zemër secilin prej jush për mikpritjen e ngrohtë dhe si Shën Gjon Pali i II , në prill të 1993 , i lutem Marisë , Nënës së Këshillit të Mirë, ta mbrojë Shqipërinë dhe i besoj asaj shpresat e mbarë popullit shqiptar. 

Jam shumë i gëzuar që gjendem mes jush në tokën e fisme të Shqipërisë, tokë heronjsh që kanë flijuar jetën për pavarësinë e vendit, tokë martirësh të cilët e kanë dëshmuar fenë në kohët e vështira të përndjekjes. Ju falënderoj që më ftuat të vizitoj atdheun tuaj, “tokën e shqiponjave”, si edhe për pritjen tuaj kremtore. Me këto fjalë Ati i Shenjtë Papa Françesku iu drejtua të gjithë shqiptarëve nga ambientet e presidencës, ku zhvilloi paraditen e djeshme edhe takimin me kreun e shtetit Bujar Nishani. Papa Françesku lëshoi mesazhe të forta jo vetëm për shqiptarët dhe të pranishmit lidhur me shfrytëzimin e fesë në kundërshtim me dinjitetin e njeriut.

“Askush të mos mendojë se mund të përdorë Hyjin si shqyt, kur sheston e kryen akte dhune e mujshie! Askush të mos e përdorë fenë si pretekst për veprimet që bien në kundërshtim me dinjitetin e njeriut e me të drejtat e tij themelore, në radhë të parë me të drejtën e jetës dhe të lirisë fetare të të gjithëve!”,-tha Papa Françesku.

 

Fjalimi i plotë në presidencë

ka kaluar tashmë gati një çerek shekulli që kur Shqipëria e gjeti përsëri udhën e mundimshme, por edhe joshëse të lirisë. Kjo udhë i krijoi mundësitë shoqërisë shqiptare të niste ecjen e rindërtimit material e shpirtëror, të vinte në lëvizje shumë energji e nisma, të ishte e gatshme për bashkëpunim e shkëmbim me vendet afërta të Ballkanit e të Mesdheut, të Evropës e të mbarë botës.

Liria, të cilën e gjetët përsëri, ju ka lejuar ta shikoni ardhmërinë me besim e shpresë, të nisni projekte e të rilidhni marrëdhënie miqësore me kombet e afërta e të largëta.

Respektimi i të drejtave njrëzore, ndër të cilat spikat liria fetare dhe ajo e shprehjes së mendimit, është kushti paraprak për vetë zhvillimin shoqëror e ekonomik të një vendi.

Kur respektohet dinjiteti i njeriut dhe njihen e garantohen të drejtat e tij lulëzon edhe shpirti krijues e nismëtar, e personaliteti njerëzor mund t’i shpalosë nismat e veta në dobi të së mirës së përbashkët.

Ju përgëzoj posaçërisht për një karakteristikë fatlume të Shqipërisë, që duhet ruajtur me shumë kujdes e vëmendje; e kam fjalën për bashkëjetesën paqësore dhe bashkëpunimin ndërmjet anëtarëve të feve të ndryshme.

Klima e respektit dhe e besimit të ndërsjellë ndërmjet katolikëve, ortodoksëve e myslimanëve, është pasuri e çmueshme për vendin dhe fiton rëndësi të veçantë në kohën tonë, në të cilën grupet ekstremiste e shtrembërojnë kuptimin e vërtetë fetar dhe i përçudnojnë e instrumentalizojnë dallimet ndërmjet besimeve të ndryshme, duke i kthyer në faktorë të rrezikshëm përplasjeje e dhune, e jo në mundësi për dialog të hapur e të respektshëm, për persiatje të përbashkët rreth domethënies që ka besimi në Hyjin e zbatimi i ligjit të tij.

Askush të mos mendojë se mund të përdorë Hyjin si shqyt, kur sheston e kryen akte dhune e mujshie! Askush të mos e përdorë fenë si pretekst për veprimet që bien në kundërshtim me dinjitetin e njeriut e me të drejtat e tij themelore, në radhë të parë me të drejtën e jetës dhe të lirisë fetare të të gjithëve!

Kjo që ndodh në Shqipëri tregon, përkundër, se bashkëjetesa paqësore dhe e frytshme ndërmjet njerëzve dhe bashkësive me përkatësi të ndryshme fetare jo vetëm që urohet, por është e mundur dhe e zbatueshme konkretisht. Bashkëjetesa paqësore ndërmjet bashkësive të ndryshme fetare, në të vërtetë është pasuri e paçmueshme për paqen dhe zhvillimin e harmonishëm.

Është vlerë që duhet ruajtur e duhet ushqyer çdo ditë me edukimin për të respektuar dallimet dhe identitetet specifike të gatshme për dialog e bashkëpunim në dobi të të gjithëve duke e njohur dhe nderuar njëri- tjetrin. Ështe dhuratë që duhet t’ia lypim gjithmonë Zotit , në lutje. Uroj që Shqipëia ta vijojë këtë udhë duke u bërë për shumë vende shembulll frymëzimi.

Zoti President, pas dimrit të izolimit e të përndjekjeve , erdhi më në fund pranvera e lirisë. Përmes zgjedhjeve të lira e strukturave të reja insitucionale është përfocuar pluralizmi demokratik dhe kjo ka ndihmuar në rihapjen e veprimtarive ekonomike. Shumë vetë, veçanërisht në fillim të shtyrë nga kërkimi për punë e kushte më të mira jetese, morën rrugën e emigrimit dhe ndihmojnë si e sa munden për përparimin e shoqërisë shqiptare.

Shumë të tjerë i gjetën arsyet për të ndenjur në atdhe e për ta ndërtuar nga brenda . Mundimet dhe flijimet e tyre kanë ndikuar në përmirësimin e kushteve të përgjithshme.

Kisha Katolike nga ana e vet mundi të rinisë jetën normale duke rindërtuar hierarkinë e saj dhe duke rilidhur fijet e një tradite të lashtë.

U ndërtuan ose rindërtuan vendet e kultit, ndër të cilët spikat Shenjëtorja e Zonjës së Këshillit të Mirë në Shkodër, u hapën shkolla dhe qendra të rëndësishme edukimi e asistence në shërbim të të gjithë qytetarëve. Prania e Kishës dhe veprimi i saj shikohen me të drejtë, prandaj jo vetëm si shërbim ndaj bashksëisë katolike, por ndaj mbarë kombit.

E lumja Nënë Terezë bashkë me martirët që e dëshmuan fenë me heroizëm -atyre u takon mirënjohja jonë më e thellë e lutja jonë – sigurisht galdojnë në Qiell, për punën e burrave e të grave vullnetmira në rilulëzimin e shoqërisë dhe të Kishës në Shqipëri.

Mirëpo tani paraqiten të tjera sfida , që presin përgjigje. Në një botë që priret ndaj globalizmit ekonomik e kulturor, duhet bërë çdo përpjekje që rritja e zhvillimi të jenë në shërbim të të gjithëve e jo vetëm të një pjese të popullsisë. Gjithashtu ky zhvillim nuk do të jetë i vërtetë, nëse nuk do të jetë i përballueshëm dhe i barabartë, dmth nëse nuk do t’i ketë mirë parasysh të drejtat e të varfërve dhe nëse nuk do të respektojë mjedisin.

Globalizimit të tregut duhet t’i përgjigjet globalizimi i solidaritetit; rritja ekonomike duhet shoqëruar me më shumë respekt për botën e krijuar; bashkë me të drejtat individuale duhen mbrojtur edhe ato të realiteteve të ndërmjetme mes individit e shtetit me në krye familjen. Shqipëria sot mund të përballet me këto sfida në kornizën e lirisë dhe të stabilitetit që duhen përforcuar dhe që japin shumë shpresa për të ardhmen.

Falenderoj me gjithë zemër secilin prej jush për mikpritjen e ngrohtë dhe si Shën Gjon Pali i II , në prill të 1993 , i lutem Marisë , Nënës së Këshillit të Mirë, ta mbrojë Shqipërinë dhe i besoj asaj shpresat e mbarë popullit shqiptar. Hyji dikoftë mbi Shqipërinë hirin dhe bekimin e vet!.

 

Predikimi i Atit të Shenjtë gjatë meshës në Sheshin Nënë Tereza: Paqe për kombin e shqiponjave

Papa Françesku: Paqe në kombin e shqiponjave

“Uroj që Shqiponja të cilën e shikojmë në flamurin e vendit tuaj, t’ju kujtojë gjithnjë  shpresën për ta mbështetur përherë besimin tuaj në Hyjin, që nuk zhgënjen”

Papa Françesku zhvilloi dje një vizitë 11 orëshe në Shqipëri, duke shënuar kështu edhe vizitën e tij të parë në Evropë. Ati i Shenjtë zhvilloi takime me krerët e shtetit shqiptar, përfaqësues të besimeve fetare etj. Ati i Shenjtë, përshkoi me makinën e tij Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, duke u përshëndetur me duartrokitje nga rreth 300 mijë qytetarë dhe besimtarë, pa dallim feje e kombësie që kishin mbushur si asnjëherë tjetër rrugët e sheshet e Tiranës për të pritur me entuziazëm Papa Françeskun, në vizitën e tij të quajtur si historike për Shqipërinë. Automjeti i tij gjatë udhëtimit në bulevard ishte tërësisht i hapur, paçka see masat e sigurisë ndjeheshin kudo. Pas takimit që Papa Françesku pati me kreun e shtetit, ai mbajti meshë në sheshin “Nënë Tereza”, ku e prisnin edhe përfaqësuesit e të gjithë politikës shqiptare.

 

Fjalimi te “Nënë Tereza”

Ungjulli i sotëm na thotë se përveç 12 Apostujve Jezusi thërret shtatëdhejtë e dy nxënës të tjerë dhe i nis ndër fshtara e qytete për të kumtuar mbretërinë e Hyjit. Ai erdhi për të sjellë në botë dashurinë e dëshiron ta përhapë përmes bashkimit e vëllazërisë. Prandaj formon menjëherë bashkësinë e dishepjve, bashkësi misionare, e atje i stërvit për mision për të shkuar. Metoda misionare është e qartë dhe e thjeshtë dishepujt shkojnë nëpër shtëpi e kumti i tyre nis me një përshëndetje plot kuptim”Paqe në këtë shtëpi”. Nuk është thjesht përshëndetje, është edhe dhuratë, paqja. Duke ardhur sot mes jush të dashur motra e vëllezët të Shqipërisë, në këtë shesh kushtuar bijës së madhe e të përvuajtur të këtyre trojeve, Nënë Terezës së Kalkutës, Dëshiroj ta përsëris këtë përshëndetje, Paqe në shtëpitë tuaja, paqe në zemrat tuaja, paqe në Kombin tuaj.

Në misionin e shtatëdhjetë e dy dishepujve pasqyrohet përvoja misionare e bashkësisë së krishterë të të gjitha kohëve: Zoti i ringjallur e i ngjallë nuk nis vetëm të dymbëdhjetët, por nis Kishën mbarë, nis çdo të pagëzuar për ti’a u kumtuar Ungjillin gjithë popujve. Në rrjedhë shekujsh jo gjithnjë u pranua kumti i paqes i sjellë nga lajmëtarët e Jezu Krishtit: nganjëherë ia mbyllën portat. Në një të kaluar jo të largët edhe porta e popullit tuaj u kyç, u mbyll me vargonjtë e mohimeve e ndalimeve të një sistemi që mohonte Zotin e pengonte lirinë fetare.

Ata që kishin frikë nga e vërteta e liria  bënin ç’ështe e mundur që të dëbonin Hyjin nga zemra e njeriut e ta përjashtonin Krishtin e Kishën nga historia e vendit tuaj, ndonëse ai qe ndër më të hershmit që mori dritën e Ungjillit.

Në leximin e dytë dëgjuam të përmendet Iliria, që në kohët e apostullimit të Palit, përfshirë edhe troejt e Shqipërisë së sotme. Duke sjellë përsëri në vëmendje dhjetëvjeçaret e vuajtjeve e të persekutimeve të egra kundër katolikëve, ortodoksëve e myslimanëve mund të themi se Shqipëria ka qenë tokë martirësh: shumë ipeshkvij, meshtarë rregulltarë e besimtarë laikë e paguan me jetë besnikërinë e tyre. Nuk munguan provat e guximit të madh e të qëndrimit të pandshëm në shpalljen e fesë. Sa e sa të krishterë nuk u përkulën përballë kërcënimeve, por vijuan pa luhatje udhën e filluar !. Shkoj sot, shpirtërisht, pranë atij muri të varrezës së Shkodrës, vend-simbol i martirizimit të katolikëve, ku kryheshin pushkatimet dhe i prekur thellë në shpirit, vë lulen e lutjes e të kujtimit.

Zoti ishte pranë jush, të dashur vëllezër e motra, për t’ju mbajtur në këmbë. Ai ju priu e ngushëlloi e së fundi ju ngriti lart mbi krahë shqiponje, siç pati bërë me popullin e lashtë të Izraelit. Uroj që Shqiponja të cilën e shikojmë në flamurin e vendit tuaj, t’ju kujtojë gjithnjë shpresën për ta mbështetur përherë besimin tuaj në Hyjin, që nuk zhgënjen, por është gjithnjë përkrah nesh, posaçërisht në çaste të vështira.

Sot portat e Shqipërisë janë të hapura e përparon stina e protagonizmit të ri misionar për të gjithë ata që bëjnë pjesë në popullin e Hyjit. Secili i pagëzuar e ka një vend e një detyrë për ta kryer në Kishë e në Shoqëri. Secili duhet të ndjejë veten të thirrur për të punuar bujarisht në kumtimin e Ungjillit e në dëshmimin e dashurisë: për të fuqizuar lidhjet e solidariteti, për të krijuar kushte jete më të drejta e më vëllazërore për të gjithë. Sot erdha t’ju jap zemër e ta përforconi shpresën në ju e rreth jush: t’i vini në lëvizje breznitë e reja; të ushqeheni përherë me fjalën e zotiti, duke ia hapur zemrat Krishtit: Ungjilli i Tij ku tregon udhën! Feja juaj duhet të jetë ngazëlluese e rezatuese, duhet të tregojë se takimi me Krishitn i jep kuptim jetës së njerëzve të çdo njeriu.

Me frymën e bashkimit ndërmjet ipeshkvijve, meshtarëve, rregulltarëve e besimtarëve, laikë ju inkurajoj t’i jepni hov të ri veprimtarisë baritore e të vijoni kërkimin e formave të reja të pranisë së Kishës në gjirin e shoqërisë.

Posaçërisht ju drejtohem të rinjve: mos keni frikë t’i përgjigjeni bujarisht Krishtiti, që ju fton që ta ndiqni!.

Në thirrjen meshtarake e rregulltare do të gjeni pasurinë dhe gëzimin e dhurimit të vetvetes për t’i shërbyer Hyjit e vëllezërve tuaj. Shumë burra e gra presin dritën e Ungjillit e hirin e sakramenteve

Kishë që jeton në tokën e Shqipërisë, faleminderit për shembullin e besnikërisë ndaj Ungjillit! Shumë nga bijtë e bijat tuaja vuajtën për Krishtin edhe deri në flijimin e jetës. Uroj që dëshmia e tyre t’i mbështesë hapat tuaj, të sotëm e të nesërm në udhën e dashurisë, të lirisë e drejtësisë e të paqes. Amen!

 

 Detajet nga vizita e Papa Françeskut në Tiranë

Ora 07:15- Mijëra besimtarë të krishterë nga të gjitha trojet shqiptare dhe Ballkani janë nisur me autobusë prej orëve të para të mëngjesit për të pritur dhe përshëndetur Papa Françeskun në sheshin “Nënë Tereza” në kryeqytet. Besimtarët e parë mbushin sheshet dhe rrugët e kryeqytetit.

Ora 07:30– I hipur mbi një makinë, tip ”Ford”, me targa SCV, papa Françesku iu drejtua aeroportit të Fiumicinos për t’u nisur për në Shqipëri, vizita e tij e parë në Evropë që nga koha kur u zgjodh në krye të Kishës Katolike.

Ora 08:40-Vizita e Papa Françeskut ka bërë jehonë në mbarë botën. Mediat po transmetojnë hap pas hapi vizitën e Atit të Shenjtë në tokën shqiptare

Ora 08:51– Avioni, tip ”Airbus A321”, i kompanisë ”Alitalia”, është ulur në Rinas, ndërsa në pritje të Papa Françeskut dolën Kryeministri Edi Rama, ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro dhe ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, si edhe përfaqësues të Kishës Katolike.

Ora 09:06 minuta kur Ati i Shenjtë Papa Françesku preku tokën shqiptare. Ai u takua me Kryeministrin Rama si dhe delegacionin që e priste në aeroportin “Nënë Tereza”, për rreth minuta në ambientet e këtij aeroporti Papa zhvilloi një takim me kreun e qeverisë.

Ora 09:16- Në takimin për mediat kryeministri Edi Rama i ka dhuruar Atit të shenjtë, kupën me dheun e tokës së shqiptarëve. Kjo kupë mbante këtë mesazh: “Shenjtërisë së Tij, Papës Françesku, me lutjen e zjarrtë që duke bekuar këtë grusht dhe, nga trualli që shkeli në këtë ditë, të shtrijë mirësinë e Zotit mbi të gjithë vendin e shqiptarëve”.

Ora 09:24- Qindra e mijëra shqiptarë por jo vetëm, presin Papën e të thjeshtëve, i nisur nga Rinasi në drejtim të Tiranës.

Ora 09:50– Në çdo rrugë Papa përshëndetet dhe nderohet. Pritet në Presidencë nga gjitha nderimet nga kreu i shtetit Bujar Nishani.

Ora 10:00- Pasi ka lënë mesazhin për shqiptarët në Librin e Përshtypjeve në Presidencë Ati i Shentë Papa Françesku dhe Presidenti Bujar Nishani kanë mbajtur një konferencë të përbashkët për mediat.

Ora 11:00- Në sheshin “Nënë Tereza” mes brohoritjesh, teksa qëndronte mbi një makinë të hapur për të përshëndetur shqiptarët, Papa Françesku përqafoi disa fëmijë të vegjël, të zgjedhur krejt rastësisht mes trumës.

Ora 11:05- Kryebashkiaku Lulzim Basha, i cili i ka dorëzuar Atit të Shenjtë një tjetër dhuratë domethënëse “Çelësin e Tiranës”.

Ora 11:30– Papa Françesku kremton Meshën e Shenjtë së bashku me 2 kardinalë, 18 ipeshkvinj, 240 meshtarë, 10 seminarista dhe 4 diakonë.

Ora 13:30– Papa Françesku nisi një takim dhe drekë me Ipeshkvinjtë Shqiptar, dhe me shpurën papnore në Nunciaturën Apostolike.

Ora 16:34- Stacioni i radhës në këtë vizitë historike të Papa Franceskut në Tiranë ka qenë Universiteti Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë”.

Ora 17:15-Papa Françesku mbërrin në Katredalen e “Shën Palit”, i cili mban edhe një meshë me përfaqësues të katolicizmit në Shqipëri.

Ora 18:30- Mbërrin në qendrën e fëmijëve jetim “Betania”.

Ora 19:30– Papa Françesku takon Kryeministrin Rama në aeroportin “Nënë Tereza”. E pranishme edhe abshkëshortja e Kryeministrit Linda me djalin e porsalindur Zaho, të cilin ia tregon Papës.

Ora 19:45- Papa Françesku mbyll vizitën në Shqipëri, niset nga aeroporti i Rinasit për në Romë. Shoqërohet nga Kryeministri Rama dhe disa ministra të kabinetit qeverisës.

 

Shefi i Zyrës së Shtypit të Selisë së Shenjtë/ At Lombardi: Rreth 300 mijë pelegrinë përshëndetën Papa Françeskun në Shqipëri

“Ja pse Papa zgjodhi Shqipërinë në vizitën e tij të parë në Evropë”

Zëdhënësi i Vatikanit, At Frederico Lombardi zbardh detajet e “fshehta” të vizitës së Papa Françeskut. Në një prononcim për media ai ka zbardhur edhe mesazhin që Papa la për shqiptarët në Librin e Përshtypjeve në Presidencë.

“Popullit fisnik shqiptar me respektin dhe admirimin tim për dëshminë e tij dhe vllazërinë në çuarjen para të vendit”- ka shkruar Papa Françesku. Në fund të mesazhit ai ka hedhur edhe firmën e tij Françesko. Gjithashtu Lombardi ka dhënë detaje lidhur me numrin e besimtarëve dhe peligrinëve në sheshin “Nënë Tereza”. Sipas zëdhënësit të Vatikanit përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” dhe në sheshin “Nënë Tereza” përshëndetën Papa Françeskun 250-300 mijë pelegrinë.

Më tej At Lombardi renditi tre elementë që i kishin bërë përshtypje Papës gjatë udhëtimit . Së pari Papa Françesku shikonte se sa e re është popullata shqiptare krahasuar me atë të Evropës që po vjen drejt plakjes.

Një tjetër vëzhgim i rëndësishëm ishte edhe simboli I shqiponjës. “Papa thoshte shqiponja fluturon larg por kthehet në folenë e saj. Që e bëri edhe në fund të Opelisë kur tha që mos e harroni folenë, fluturoni larg por mos harroni origjinën”- u shpreh Lombardi.

Ndërsa një element i rëndësishëm që i ka bërë përshtypje Papa Françeskut ka qenë njohja me Nënë Terezën. “Kur Papa njohu Nënë Terezën, e ka njohur në Sinodin e ‘93-it në Sinodin e Ipeshkve. Nënë Tereza ishte e ftuar nga Papa dhe qëndronte pas tij. Admironte forcën, vendosmërinë e ndërhyrjeve të saj e cila nuk impresionohej nga Asambleja e Ipeshkëve. Ai bëri dhe një batutë të vogël “Do kisha pasur frikë nëse do kishte qenë superiorja ime. Kjo ishte me humor dhe kjo tregon që Papa është me humor në këtë vizitë”- u shpreh zëdhënësi i Vatikanit.

Element i veçantë i kësaj vizite sipas zëdhënësit të Vatikanit ishte edhe prania e shumë besimtarëve myslimanë gjatë mbajtjes së meshës së shenjtë. “Papa theksoi çështjen e respektit mes komuniteteve. Një kolege shqiptare më tha se gjatë meshës dhe asamblesë janë të pranishëm shumë myslimanë. U shpjegua që komunikimi është për katolikët, por myslimanët donin që të merrnin bekimin e Papës”-u shpreh At Lombardi.

Së fundi ai ju përgjigj pyetjeve të gazetarëve lidhur me sigurinë dhe çështjen e njohjes së Kosovës nga Vatikani. Sipas zëdhënësit të Vatikanit, Papa në këtë vizitë është i qetë dhe deri tani nuk ka asnjë motiv dhe kërcënime specifike dhe se lëvizja me makinë të hapur ishte tregues i qartë për një klimë normaliteti. Ndërsa për çështjen e Kosovës ai theksoi se vizita e Papës nuk ishte diplomatike apo politike por fetare.

At Lombardi theksoi se Papa Françesku është shumë i kënaqur nga mikpritja shqiptare dhe e cilësoi të bukur dhe efikase zgjedhjen për dekorimin Bulevardit me portretet e 40 martirëve.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency