Raporti kontribuues-pensionistë, ja sa do të jetë me skemën e re

0
141

arkeNorma e varësisë së sistemit (NVS) për të gjithë pensionistët e pleqërisë nga 62 pensionistë për 100 kontribuues, në vitin e parë të reformës, arrin vlerën rreth 66.8 pensionistë për 100 kontribuues. Kjo vjen si rezultat i rritjes me një ritëm pak më të shpejtë të numrit të pensionistëve se sa kontribuuesve, por nëse në projeksionet e skemës aktuale ky raport ndryshonte me 18%, gjatë periudhës së parë të parashikimit, në propozimin e ligjit të ri rritja do të jetë 5.6%. Më pas ka tendencë në ulje, duke arritur në 55.7 pensionistë për 100 kontribuues, në vitin e fundit të parashikimit, meqenëse gjatë kësaj periudhe numri i kontribuuesve rritet me ritme më të shpejta se numri i përfituesve. Përmirësimi në skemën e propozuar nga ky projektligj është më se i dukshëm, pasi në projeksionet e skemës aktuale norma e varësisë është 118 pensionistë për 100 kontribuues, në vitin 2080.

 

Skema

Skema e re e propozuar karakterizohet nga një rritje më e shpejtë e numrit të kontribuuesve, nga rritja e  pagës minimale kontributive, që në vitin e parë të reformës, si edhe nga rritja graduale e moshës së daljes në pension, e cila ul numrin e pensionistëve të rinj. Të gjitha këto sjellin një reduktim të menjëhershëm të deficitit të skemës. Deficiti është matur si diferencë mes të ardhurave nga kontributet dhe shpenzimeve totale dhe nuk përfshin koston e pensionit social. Kështu, me skemën aktuale deficiti mbetet mbi 2% e PBB-së deri në vitin 2035, duke arritur pikën kulmore në vitin 2027, me 2.3%, të PBB-së. Pas vitit 2027, deficiti nis e ulet gradualisht, duke arritur në 1.5% të PBB-së në vitin 2041, në 1%, të PBB-së në vitin 2046 dhe mbetet nën 0.5%, të PBB-së nga viti 2062 deri në vitin 2080. Përkundrazi, skema e propozuar në këtë projektligj sjell një reduktim shumë më të shpejtë të deficitit. Nga 1.6% i PBB-së në vitin 2015 deficiti zbret në 1% në vitin 2018. Reduktimi i deficitit vazhdon edhe për vitet në vijim, duke arritur në 0.4% të PBB-së, në vitin 2030, dhe në 0%, të PBB-së në vitin 2043. Pas këtij viti, skema kalon në suficit, deri në vitin 2057. Nga ky vit e në vazhdim, për shkak të përfundimit të reformës për rritjen e moshës së pensionit, fillimit të uljes së numrit të kontribuuesve dhe masave të larta të pensionistëve të rinj që kanë hyrë në skemë, duke kontribuar me paga më të larta, deficiti nis e rritet sërish, duke mbetur në nivele normale nga viti 2059 derri në vitin 2080. Për më tepër, shpenzimet shtesë të qeverisë për të mbuluar kontributet e skemës rurale dhe për kompensimet do të ulen në mënyrë graduale, duke qenë se kompensimet do të përfshihen në pensionin social, ndërkohë që edhe shpenzimet për pensionet suplementare do të reduktohen. Këto masa do të sjellin një reduktim të mëtejshëm të kostove të qeverisë.

 

Mosha

Duke marrë në konsideratë traditën e vendit tonë, zhvillimet e tregut të punës, nivelin e papunësisë të grave afër moshës së pensionit, problemet sociale etj, është menduar që mosha e daljes në pension për gratë të rritet me tre vjet, pra nga 60 në 63 vjeç, duke harmonizuar të gjitha kërkesat dhe detyrimet. Për të shmangur efektet sociale dhe rritur pranueshmërinë është përcaktuar që kjo rritje moshe të bëhet në mënyrë graduale, duke u rritur me vetëm 2 muaj në vit, dhe efektin e plotë do ta ketë në vitin 2032 ose pas 18 vjetësh. Në vitin 2032 do të dalin në pensin, në moshën 63 vjeç, femrat e lindura në vitin 1969. Rritja graduale e moshës së daljes në pension për gratë do të ndikojë natyrisht në uljen e shpenzimeve për pension dhe, nga ana tjetër, do të shmangë 20 diskriminimin e deritanishëm, do të plotësojë rekomandimet e Bashkimit Evropian dhe do të harmonizojë këtë me vendet e tjera të rajonit dhe Evropës. Gjithashtu, kontribuimi më i madh, i shoqëruar edhe me disa “privilegje” të tjera, që skema ofron për gratë, do të japin një pension më të lartë se sot për gratë në pension.

 

Studimi i OKB-së: Femrat, më të penalizuara se meshkujt

Në Shqipëri gratë zotërojnë vetëm 10 për qind të fermave bujqësore dhe janë drejtuese vetëm në 20 për qind të bizneseve të tjera. Një studim i fundit tregoi se punësimi i grave është i vështirë dhe i keqpaguar. Një plan i ri veprimi synon të shtojë pjesëmarrjen e tyre në sipërmarrje. Gratë shqiptare në tregun e punës kanë tregues dhe paraqitje që janë mjaft shqetësuese. Studimi i fundit i Kombeve të Bashkuara dhe i qeverisë shqiptare për shtimin e sipërmarrjeve të grave nxori se papunësia e tyre në Shqipëri është më e lartë dhe më afatgjatë se ajo e burrave. Pjesëmarrja e grave në tregun e punës dhe vetëpunësimi i tyre është në nivel shumë të ulët. Vëzhgimet pohojnë se gratë janë përqendruar të punojnë në sektorë me prodhimtari të ulët dhe me shkallë të lartë informaliteti, sepse nuk u jepen mundësi të tjera. “65 për qind e të diplomuarve aktualisht nga universitetet janë vajza e gra, por ato nuk gjejnë dot një punësim fitimprurës, – thotë David Sanders, përfaqësues i Kombeve të Bashkuara. – Maksimumi ato punojnë punonjëse sociale në Tiranë apo si shitëse në qytete të tjera. Gratë kanë hapësira minimale në drejtimin e industrive të mëdha, në shërbime dhe sektorë të tjerë. Por është koha që kjo gjendje të ndryshojë…”, – theksoi ai. Studimi dëshmoi se gratë janë më pak të përfshira në industri dhe në shërbime. Kjo vjen prej përgjegjësive të tyre në punët e shtëpisë dhe në angazhime familjare. Dallimet mes pagave të grave dhe burrave janë shumë të larta. Gratë që marrin kredi për biznes, janë sa gjysma e numrit të burrave, sepse nuk kanë të drejtën e pronës. Ato nuk përfaqësohen drejtpërdrejt në pronësi. Vëzhgimet treguan se koha që harxhojnë gratë në punë të papaguara, kujdestari dhe detyra në familje është shumë më e madhe se koha e burrave. Gratë kryejnë 85 për qind të punës së papaguar dhe 95 për qind të punëve në familje. Gratë detyrohen të ndërpresin punën edhe për shkak të fëmijëve. Punësimi në fshat është një mundësi e madhe, por në fakt vetëm 10 për qind e fermave bujqësore zotërohen nga gratë, ndonëse në ferma punojnë 60 për qind e grave. Edhe në sektorin jobujqësor ka ngurrim të madh nga gratë për të udhëhequr. Bizneset e drejtuara nga grate përbëjnë 20 për qind të bizneseve industriale jobujqësore. Një përqindje më e vogël punojnë me kohë të plotë dhe me të drejta dhe sigurime shoqërore. Pjesa më e madhe e grave gjenden në fundin e piramidës së pagave. Problem kryesor mbetet arsimimi i vajzave dhe grave.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency