Liverpuli ngec ndaj Aston Vilës, Mançester Siti dhe Arsenali nuk falin

0
154

Skuadra e Liverpulit u mjaftua vetëm me një barazim në shifrat 2-2 ndaj Aston Vilës

 Topçinjtë e Vengerit bashkë me blutë e Pelegrinit kanë arritur që të marrin një trepikësh që i mban në krye

 

steven-gerrard-liverpool-640Dje u zhvilluan tri nga sfidat e rëndësishme të kampionatit anglez. Ajo çka u vu re ishte më shumë barazimi i Liverpulit dhe ecuria e Arsenalit me Sitin. Të tria këto skuadra janë duke konkurruar në luftën për titull dhe, me sa duket, dje filluan edhe shkëputjet e para. Liverpuli barazoi ndaj një Aston Vilës të hekurt, ndërsa Arsenali me blutë e Mançesterit kanë marrë arratinë. Kështu, ëndrra e Liverpulit për të fituar titullin e kampionit të Premier Ligës ka marrë një goditje të rëndë, është ndalur në “Anfield” në një barazim 2-2. Dominimi nga fillimi i sfidës i takoi plotësisht Liverpulit, por më konkretë u treguan mysafirët. Në minutën e 25-të ishte Veiman ai që befasoi vendasit me një gol për 1-0, teksa epërsia e miqve u dyfishua në minutën e 37-të kur Benteke shënoi me kokë pas një krosimi të Agbonhlahorit. Në fund të pjesës së parë nga afërsia ishte Starrixh ai që ngushtoi diferencën në 2-1. Në pjesën e dytë Liverpuli bëri shumë presion, por portieri Bred Fridëll bëri ndërhyrje të mrekullueshme duke u mohuar golin. Mirëpo ishte pikërisht ky i fundit që shkaktoi një penalti ndaj Luis Suarezit në minutën e 52-të. Nga pika e bardhë i saktë u tregua Stiven Xherard. Në vazhdim Liverpuli provoi shumë dhe e kërkoi golin e barazimit, mirëpo 2-2 ishte rezultati përfundimtar. Pas këtij barazimi, “redsat” mbeten në vendin e katërt me 43 pikë, tri pikë më pak se Çelsi në vendin e tretë dhe dy më shumë se Evertoni, që të hënën mund ta kapërcejë rivalin lokal nga “Anfield”. Ndërsa Arsenali ka mbetur lider në klasifikimin e Premier Ligës, pasi ka mposhtur Fulhamin me rezultat 2-0, teksa hapin ka mbajtur edhe Mançester Siti që e mundi Kardifin me rezultat 4-2. Në “Emirates” u zhvillua ndeshje shumë e hapur nga fillimi, me dominim të Arsenalit në mbajtje e topit, por edhe Fulhami kishte rastet e veta. Gjithçka u vendos në pjesën e dytë. Pas një aksioni të jashtëzakonshëm ishte Santi Kacorla ai që në brendësi të zonës arriti të lëshonte një goditje për 1-0. Vetëm pesë minuta më vonë ishte përsëri Santi Kacorla ai që sërish realizoi duke e çuar rezultatin në 2-0. Ndërsa në “Etihad Stadium” sfidën e hapi shpejt Edin Xeko që realizoi golin e 100-të këtë sezon për Mançester Sitin. Për të vërtetuar golin u përdor teknika e teknologjisë së vijës së golit që përcaktoi nëse ishte apo jo gol. Në minutën e 29-të ishte None ai që realizoi për 1-1 duke frikësuar vendasit, por Hezus Navas e mbylli shpejt këtë gol duke realizuar për 2-2. Do të ishte Jaja Ture në minutën e 76-të që vulosi fitoren me golin për 3-1, teksa Aguero mbylli takimin me një gol për 4-2. Kështu të dyja skuadrat mbajnë pozicionin e parë dhe të dytë duke qëndruar në majë teksa duhet të presin edhe rezultatin e Çelsit që luan sot.

 

 Roma fiton ndaj Livronos

Roma ka shënuar fitoren e radhës me rezultat 3-0 ndaj Livornos, e kështu ka mbajtur edhe hapin me liderin, Juventusi. Matia Destro e hapi shpejt serinë e golave në minutën e gjashtë pas asistimit të Gervinjos. Epërsia u zgjerua pas dominimit nga Kevin Strotman për 2-0 që ishte dhe rezultati i fraksionit të parë. Në pjesën e dytë Roma vazhdoi të dominonte pa problem, kurse rezultatin përfundimtar prej 3-0 e vulosi serbi Adem Ljajiç në minutën e 79-të. Me këtë fitore Roma arrin në kuotën e 47 pikëve duke siguruar pozicioni e dytë.

 

Tohir: Të blesh Mesin, e vështirë

Bosi i ri i Interit, Erik Tohir, ka goditur sërish duke deklaruar se ai është në gjendje të transferojë edhe lojtarë si Lionel Mesi. Indoneziani, i cili ka marrë shumicën e aksioneve gjatë vitit 2013 te Interi, ka bërë shaka kohë më parë duke thënë se do ta transferojë Mesin. Sidoqoftë, tani Tohir e ka pasur seriozisht duke thënë se mund ta transferojë Mesin. “Lojtarët si Mesi mund t’i blej, por vetëm në rast se nuk preket gjendja financiare e klubit. Në janar do të jetë e vështirë të blejmë lojtarë, sepse tregu është shumë i keq dhe është vetëm edhe një gjysmë sezoni për të luajtur”, – deklaroi manjati tajlandez.

 

Reali i Madridit shkatërron Betisin

Galaktikët e Realit të Madridit kanë shënuar fitore shumë të rëndësishme në udhëtim ndaj Betisit, me rezultatin 5-0, në një sfidë që u përshkua nga shumë supergola. Reali i Madridit e fitoi shumë shpejt këtë takim. Pas 10 minutave lojë ishte Kristiano Ronaldo ai që lëshoi një predhë në drejtim të portës që shtangu portierin vendas. Në vazhdim Reali dominoi dhe pas një gjuajtjeje të lirë në minutën e 25-të, kësaj radhe ishte uellsiani Gareth Bejl ai që realizoi një super goditje nga gjuajtja e lirë. Pjesën e parë e përfundoi Karim Benzema, që me një goditje të fortë mposhti portierin e demoralizuar vendas pas një pasimi të Luka Modriçit. Në pjesën e dytë Reali luajti shumë qetë, por akoma nuk kishte mbaruar gjithçka për Angel di Marian, i cili pas një topi të kthyer lështoi një gjuajtje të fortë. Në fund të takimit pas një asisti të Ronaldos, ishte Alvaro Morata ai që e mbylli rezultatin përfundimtar prej 5-0, duke i dhënë fund sfidës.

 

 Baloteli: I lumtur të stërvitem nga Sedorfi

Sulmuesi i Milanit, Mario Baloteli, thotë se ai mezi pret që të punojë nën drejtimin e trajnerit të ri, Klarens Sedorf. Kuqezinjtë janë gjashtë pikë larg zonës Seria B në tabelë dhe Sedorf vjen në një moment ku duhet të dëshmohet, teksa Baloteli e përkrah holandezin që të ketë sukses. “Ishte zhgënjyese të shoh Alegrin duke u larguar, por Sedorf ka ardhur dhe jam shumë i lumtur që do të punoj me të”. “Rekordi i Sedorfit te Milani mund të kalohet te lojtarët. Është një gjë e mirë që ai sjell edhe përvojën me të”, – deklaroi Super-Mario.

 

Rojsh: Borusia di të bëjë edhe pa Levën

Fantazisti i Dortmundit, Marko Rojsh, ka këmbëngulur se Dortmundi do t’ia dalë ta menaxhojë humbjen e Robert Levandovskit. Sulmuesi polak nënshkroi me Bajernin kohë më parë dhe Rojsh, që ka mbetur i vetmi prej gjeneratës së artë të BVB, thotë se nuk e ka problem ekipi i tij një largim të tillë. “Levandovski është lojtar i madh, por ai e mori vendimin dhe ne duhet që të pajtohemi me këtë. Secili lojtar i merr vendimet e tij. Nëse ajo është e ardhmja e tij, atëherë dhe Dortmundi do të shkojë përpara edhe pa të”, – u shpreh Rojsh.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency