Thyhet “Bankers Petroleum”, pranon të bisedojë me banorët e dëmtuar të Zharrëzës

0
165

fier naftaPas protestash të shumta, tensionesh dhe bllokime rrugësh, drejtuesit më të lartë të kompanisë kanadeze të shfrytëzimit të hidrokarbureve “Bankers Petrolium” janë ulur në një tryezë të përbashkët me përfaqësuesit e komunitetit të zonës naftëmbajtëse Patos-Marinëz, në prezencën e përfaqësuesve të qeverisë dhe pushtetit vendor.

Sipas sekretarit të Këshillit të Komunës Zharrëz, Arben Semanjaku, kompania ka bërë një hap të rëndësishëm në drejtim të normalizimit të marrëdhënieve me komunitetin e banorëve.

“Parimisht drejtori ekzekutiv i kësaj kompanie, Leonidha Cobaj, pranoi të ngrihet një komision i përbashkët për të diskutuar dhe zgjidhur të gjitha shqetësimet e komunitetit dhe të kompanisë”, – tha Semanjaku. Sipas tij, ai ka premtuar edhe mbështetje financiare për banoret e dëmtuar, pavarësisht se lëkundjet i ka quajtur një fenomen natyror, tërmet.

“Takimi ishte frutdhënës, pasi u ra dakord të vendosen kontakte të vazhdueshme mes kompanisë dhe komunitetit jo vetëm për transparencën e shpërthimeve, por edhe për shumë probleme të ndërsjella”, – tha Semanjaku.

Mosmarrëveshjet mes kompanisë “Bankers Petrolium” dhe komunitetit janë të hershme. Fillimisht banorët e kanë akuzuar kompaninë për ndotje të mjedisit, për dëmtim të fermave dhe prodhimeve të tyre, për mungesë investimesh dhe shfrytëzim antishkencor të shtresave nëntokësore. Kulmi i acarimit arriti disa vjet më parë kur kompania aplikoi për herë të parë injektimin e ujit në nënshtresa, proces që u shoqërua me një sërë lëkundjesh të fuqishme të tokës. Kompania asnjëherë nuk ka pranuar të ulet me komunitetin, të bëjë transparencën në organet mediatike, por ka bunkerizuar informacionin. Para pak ditësh, një shpërthim i forcës 4 balle të shkallës Rihter, qe u artikulua zyrtarisht si tërmet, solli irritimin e banorëve, të cilët fajësuan kompaninë “Bankers” për shpërthimet dhe i quajtën këto lëkukundje të fuqishme rezultat i procesit të injektimit të lëndëve shpërthyese që vendos kompania në nënshtresën e puseve. Shqetësimit të komunitetit iu bashkëngjit edhe qeverisja lokale dhe ajo qendrore, çka solli edhe tryezën e përbashkët të bisedimeve, ngritjen e komisioneve të përbashkëta, si dhe gatishmërinë për të diskutuar me frymë bashkëpunimi të gjitha problemet e akumuluara.

 

Akuzat

Fillimisht banorët e kanë akuzuar kompaninë për ndotje të mjedisit, për dëmtim të fermave dhe prodhimeve të tyre, për mungesë investimesh dhe shfrytëzim antishkencor të shtresave nëntokësore. Kulmi i acarimit arriti disa vjet më parë kur kompania aplikoi për herë të parë injektimin e ujit në nënshtresa, proces që u shoqërua me një sërë lëkundjesh të fuqishme të tokës.

 

 

Gjeologët: Sektori minerar, shteti ende nuk ka strategji

Shfrytëzimi pa kriter i burimeve natyrore shqiptare ka ardhur për shkak të mungesës së zbatimit të një strategjie në sektorin minerar.

Institucionet monitoruese dhe kontrolluese nuk kanë qenë asnjëherë të koordinuara në punën e tyre për të garantuar një zhvillim konkret të sektorit. Kompanitë e shumta që nxjerrin dhe përpunojnë mineralet shqiptare kanë përfituar nga situata duke shmangur çdo detyrim ndaj shtetit. Nëndrejtori i Shërbimit Gjeologjik Shqiptar, Arjan Beqiraj, thotë se, abuzimet nga ana e kompanisë vazhdojnë prej vitesh dhe se veprimet e fundit të ministrisë së Industrisë për revokimin e lejeve të shfrytëzimit ndaj 670 kompanive janë të vonuara.

Beqiraj thotë gjithashtu se, pjesa më e madhe e kompanive që veprojnë në territorin shqiptar nuk dorëzojnë dokumentacionin mbi shfrytëzimin dhe gjendjen e rezervave pranë këtij institucioni. Një praktikë tjetër abuzive që ngre hije dyshimi të shumta për vjedhje të tjera të kryera nga sektori privat në dëm të shtetit dhe qytetarëve shqiptarë. Një ditë më parë, ministri i Industrisë, Damian Gjiknuri, urdhëroi marrjen e masave penalizuese për 669 kompani në sektorin minerar që nuk kanë paguar taksat e rehabilitimit të mjedisit në një vlerë prej 2 milionë dollarë.

Gjithashtu, pranë ministrisë së Industrisë është ngritur një grup pune për verifikimin dhe vlerësimin e ushtrimit të aktivitetit minerar, kryesisht në zonën e Bulqizës, ku mendohet se abuzimet kanë qenë më të mëdha. Mungesa e zbatimit të planit të investimeve nga ana e koncesionarëve ka përkeqësuar kushtet e punës në këto miniera me pasoja shumë të rënda për jetët e minatorëve. Pas shfrytëzimit barbar, mungesës së dokumentacionit, koncesionarët e ndryshëm janë larguar nga vendi duke shpallur thjesht falimentimin e biznesit të tyre.

 

 

 

 

Telekomi i Kosovës realizon lidhjen e dytë optike me Shqipërinë

 

Telekomi i Kosovës ka finalizuar me sukses projektin e lidhjes me kabllo optike të Kosovës me Shqipërinë, përgjatë Rrugës së Kombit në vendkalimin kufitar, Vërmicë-Morinë. Kjo është dalja e dytë e bazuar në medium transmetues optik e Telekomit të Kosovës drejt Republikës së Shqipërisë, krahas asaj në vendkalimin kufitar Qafë-Morinë (Gjakovë – Bajram Curr), e cila kishte përfunduar dy vite më parë. Realizimi i këtij projekti hap një urë të re komunikimi, dixhitale, në mes të operatorëve telekomunikues andej dhe këndej kufirit, por edhe kompanive multi-mediale, në radhë të parë radio-televizioneve, transmeton telegrafi njoftimin.
Tashmë janë krijuar mundësitë që të ketë lidhje direkte të tipit Live-Studio (Studio e drejtpërdrejtë), me kosto dhe kualitet të pakrahasueshëm në mes të studiove televizive, radio studiove etj.; shkëmbim të të dhënave, video incizimeve, incizimeve zanore, shkëmbimin e internetit, si dhe thirrje telefonike të kualitetit të lartë me kosto të favorshme për konsumatorët tanë në të dy anët e kufirit.
Kjo ndërlidhje do të mundësojë, përveç të tjerash, edhe shkëmbimin dhe ruajtjen e të dhënave në formën e Data Recovery Centers (qendra e ruajtjes dhe rikthimit të të dhënave) në të dyja vendet respektive, duke ngritur kështu standardin teknik në këtë fushë dhe gjithmonë në pajtim me kuadrin ligjor.

 

 

 

 

Austria ndihmon veriun e Shqipërisë

 

Austriakët do të vazhdojnë angazhimin e tyre me investime për zhvillimin e qytetit të Shkodrës dhe rajonit verior të Shqipërisë

 

Prej afro 20 vjetësh, shteti austriak ka investuar disa miliona euro për përmirësimin e imazhit dhe të ekonomisë së kësaj zone, si një nga më të prapambeturat në shkallë vendi. Ky investim vjen si rezultat i marrëdhënieve dypalëshe të Austrisë me Shqipërinë, shumëvjeçare, e cila po konkretizohet me një bashkëpunim afatgjatë në disa fusha të rëndësishme. Lista e projekteve të qeverisë austriake për të mbështetur financiarisht Shqipërinë gjatë këtyre viteve, konsiston dhe përbëhet nga shumë sektorë të domosdoshëm dhe jetikë për zonat veriore dhe banorët e tyre si energjetikë, infrastrukturë, miniera, ujësjellës-kanalizime etj.

Investime të vazhdueshme ka pasur edhe nga mjaft agjenci me emër dhe donatorë të ndryshëm austriakë edhe në shëndetësi, turizëm, arsim-kulturë, bujqësi etj., duke përfshirë këtu edhe zonat rurale kryesisht ato malore, të cilat përballen sot me mjaft vështirësi ekonomike e sociale.

 

Lidhjet me Austrinë

Festa kombëtare e Austrisë këtë vit vjen pas 12 muajsh plot me aktivitete në kuadër të 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, që u kremtua me shumë madhështi nga i gjithë kombi shqiptar. Aty u evidentua dhe u konfirmua edhe njëherë roli i pazëvendësueshëm i Austro-Hungarisë së asaj kohe në procesin historik të shpalljes së pavarur të Shqipërisë me 28 Nëntor të vitit 1912. Ky fakt është vetëm një pjesë e historisë së lidhjeve midis dy popujve e dy vendeve mike, që zë fill, vitet e para të shekullit 18-të me Kultprotektorat sipas traktatit të paqes së Karlovcit në vitin 1699. Ato vazhdojnë të jenë edhe sot, të shumta e të gjithanshme, shpirtërore e kulturore, politike e shkencore, arsimore e ekonomike. Mjafton të përmendim rolin e studiuesve të shumtë të albanologjisë, historisë, arsimit e shkencës së asaj kohe si Gustav Meyer, Norbet Jockli, Johann George Van Hann, Baron Fon Nopça, Maksimilian Lambertzetj. Madje Konsulli Austriak i asaj kohe në Shkodër Adolf Ritter Von Zambaur, në të gjitha udhëtimet e tij brenda dhe jashtë vendit, është shoqëruar nga fotografi shkodran me emër Pjetër Marubi.

 

Investimet në veri

Marrëdhëniet dypalëshe ekonomike ndryshuan rrënjësisht me marrjen e bankës më të madhe shqiptare, Banka e Kursimeve, nga Raiffeisen International Holding SHPK në prill të vitit 2004. Në sektorin financiar, Raiffeisen Bank është një ndër më kryesoret në tregun bankar në Shqipëri.

Investimi i dytë më i madh në Shqipëri, ishte ai për ndërtimin e Hidrocentralit të Ashtës, në zonën e Bushatit, në afërsi të qytetit të Shkodrës. Financimi nga Shteti Austriak për këtë vepër në veri të Shqipërisë, llogaritet në shumën prej 218 milionë eurosh. Ndërtimi i kësaj vepre i është dhënë me koncesion kompanisë austriake “Verbund” dhe po zbatohen me një teknologji moderne dhe bashkëkohore, nga homologia e saj, firma “Porr”. Kjo tregon se pjesëmarrja e qeverisë austriake, nëpërmjet organizatave të specializuara dhe donatorëve të ndryshëm, ka qenë tepër efikase, për sa i përket hartimit dhe financimit të shumë projekteve të rëndësishëm.

 

Financime të tjera

Projektet dhe investimet e palës austriake janë shpërndarë edhe në përmirësimin e infrastrukturës komunale, furnizimin me ujë të pijshëm, rrjetit të kanalizimeve, ujërave të zeza etj. Nëpërmjet Agjencisë Austriake për Zhvillim ADA, tri prej zonave më të populluara dhe më të frekuentuara nga turistët vendas dhe të huaj në rajonin verior të Shqipërisë, kanë përfituar mbi 60 milionë euro, për rehabilitimin e plotë të këtij sistemi. Po kjo agjenci në formë granti ka investuar rreth 7 milion euro për ndërtimin e depozitës më të madhe të ujit të pijshëm në vënd, në afërsi të qytetit të Shkodrës, e para e këtij lloji në Shqipëri.

Ndërkaq 40 milionë euro nga ky fond, janë dhënë për rehabilitimin e sistemit të ujësjellësit në zonën turistike Shirokë – Zogaj. Gjatë kësaj periudhe është bërë edhe ndërtimi i katër ujësjellësve të rinj me fondin prej 1.2 milionë eurosh, enkas për rrethinat e Qarkut të Shkodrës. Investimet e qeverisë austriake që nga viti 1995, kanë bërë që qyteti verior i Shkodrës të jetë model dhe më i privilegjuari, për sa i përket furnizimit me ujë të pijshëm, në shkallë republike. Eksportet austriake në Shqipëri, kryesisht ai i prodhimeve farmaceutike, makinerive elektrike, turbinave të ujit, pijeve alkoolike etj., këto vitet e fundit, nga një nivel i ulët, kanë arritur tek një ritëm i ngjitjes deri në 80%.

 

Projekte të përbashkëta

Në gusht 1992 humanisti austriak, famullitari Franz Winsauer, do të vinte në Shqipëri dhe posaçërisht në Mirditë, i ngarkuar për ndihmë nga Kryqi i Kuq ndërkombëtar për të vazhduar me një sërë projektesh ndihme dhe zhvillimi. Ky organizëm humanitar me investimet e veta, shërbeu për shtresat në nevojë, dhe i dedikohej kryesisht grave dhe vajzave, të sëmurëve, personave me aftësi të kufizuar dhe përmirësimit e jetës sociale dhe shoqërore, arsimit e kulturës, pothuajse në të gjitha fshatrat e kësaj krahine.

Edhe sot marrëdhëniet mes dy vendeve po forcohen dita-ditës. Të tilla janë projektet e përbashkëta në fushën e arsimit ndërmjet universiteteve të Vjenës, Gracit e Klagenfurtit, me Universitetin e Shkodrës, të themeluara nga Walter Hofleschner që së bashku me profesorët me tituj Konrad, Sixl, Mayerhofer, Irgolic, Schuster, Portmann, Steinbauer etj., kontribuan në drejtimin akademik, shkencor e atë financiar.

Një tjetër projekt tepër ambicioz ishte edhe hapja e shkollës “Peter Mahringher”, ku këtë vit u diplomua matura e parë, dhe një pjesë e tyre fitoi të drejtën për të vazhduar studimet universitare në Austri. I suksesshëm ka qenë bashkëpunimi edhe në fushën e shëndetësisë, në drejtim të furnizimit me aparatura të vlefshme diagnostikimi dhe impiante dialize. Proces ky që u realizua mes Qendrës Spitalore Shkodër dhe Shoqatës “Shëndet më i Mirë”, me president Zotin Ervin Rebhandl dhe Mons. Ervin Gerst. Dhe së fundmi ndërtimi i qëndrës shëndetësore shumë moderne në komunën Fan të Mirditës, dhuratë kjo e familjes Hromberg, si dhe projekte të tjera të rëndësishme në ndihmë të popullsisë të këtij rrethi të realizuara nga Mariane Graf e Caritas- Austria.

(Marrë nga “Deutsche Welle”)

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency