Reagon kreu i opozitës/ Basha: Rama gënjeu tre herë për ligjin e Shërbimit Civil, ka detyrim ta zbatojë

0
131

Florenc Drizari

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha: Vënia në pikëpyetje e ligjit akt destabilizues

Basha deklarateNdryshimet e mundshme në ligjin për Shërbimin Civil vazhdojnë të shkaktojnë përplasqje qëndrimesh mes pozitës dhe opozitës. Një ditë më parë kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha reagoi ndaj deklaratave të bëra ditën e shtunë nga Kryeministri Edi Rama. Në intervistën e dhënë për “Zërin e Amerikës”, Rama theksoni se ligji për nëpunësin civil ka nevojë për ndryshime. Për këtë kreu i mazhorancës kërkoi edhe bashkëpunimin e opozitës, duke vënë theksin se drafti i miratuar në maj të këtij viti me konsensus kërkon ndryshime që mund të bëhen vetëm me shumicë të cilësuar votash në Kuvend.

Nga ana e tij, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve gjatë inaugurimit të punimeve për rikualifikimin urban Njësia 7, deklaroi se Rama gënjeu tre herë shqiptarët për 3 çështjet që kanë lidhje me ligjin e Shërbimit Civil.

“Gënjen kur thotë se ligji është i pazbatueshëm sepse aktet normative nuk janë hartuar. Ligji i miratuar me unanimitet në sallën e Kuvendit me 30 maj thotë që aktet nënligjore do të bëhen tre muaj pas hyrjes së ligjit në fuqi. Ligji hyn në fuqi me 1 tetor dhe zoti kryeministër ka tre muaj kohë për të bërë aktet nënligjore. Pra në mos qoftë një keqkuptim apo keqkëshillim është një gënjeshtër e pastër. Së dyti, gënjen kur thotë që ka kërkuar konsensusin e opozitës aq më pak të Partisë Demokratike, as një akt nuk kemi pasur deri sot për të kuptuar se çfarë do të ndryshojë dhe se çfarë e pengon zotin Rama të zbatojë ligjin, të cilin e ka detyrim ta zbatojë. Së treti, gënjen kur thotë se ky është një sugjerim i partnerëve, kur në fakt është mësuar se është ai që ka kërkuar në mënyrë jo transparente, tinëzare në dhoma të errëta për qëllime të errëta përkrahje për nëpërkëmbjen e konsensusit të 30 majit, konsensusit të tre ligjeve për integrimin e vendit në Bashkimin Europian. Këto janë tre gënjeshtra.”- u shpreh Basha.

Ashtu siç ka deklaruar edhe më parë, kryetari i opozitës paralajmëroi Ramën që të zbatojë ligjin e votuar me konsensus në Parlament të cilin e ka detyrim, pasi në të kundërt ai do ishte një akt destabilizues. Basha konfirmoi se opozita nuk do të bëjë asnjë lëshim dhe ligji do të hyjë në fuqi me 1 Tetor.

““Ligjet nuk janë që të gjykojë kryeministri janë apo s’janë të zbatueshme, ligjet nuk janë që të gjykojë qytetarët janë apo s’janë të zbatueshme. Janë apo s’janë të zbatueshme ligjet e vendosin gjykatat e vendit, kryeministri, ministrat, drejtorët dhe çdo qytetarë ka për detyrim ta zbatojnë ligjin dhe jo të venë në pikëpyetje zbatueshmërinë e ligjit. Vënia në pikëpyetje e zbatueshmërisë së ligjit është një akt destabilizues jo vetëm për administratën, por për vendin në tërësi. Ndaj i bëj thirrje të heqë dorë nga ky hap që ka një dhe vetëm një motiv spastrimin e administratës publike me mjete të jashtëligjshme. Ligji hynë në fuqi me 1 tetor, është një ligj i miratuar me unanimitet, i hartuar me ekspertizën më të mirë vendas dhe të Bashkimit Europian dhe kryeministri e ka për detyrim ta zbatojë e jo të vëre në pikëpyetje zabtueshmërinë e tij. Çdo hap tjetër e vë në pikëpyetje legjitimitetin e një kryeministri që vë në pikëpyetje zbatueshmërinë e Kushtetues dhe ligjeve të vendit”-theksoi Basha, teksa i ka bërë thirrje mazhorancës të heqë dorë nga tentativa e spastrimit të administratës.

Në një intervistë të dhënë për Zërin e Amerikës, gjatë vizitës së tij zyrtare në SHBA, kryeministri Rama tha se ligji për statusin e nëpunësit civil ka nevojë për disa ndryshime në mënyrë që ai të bëhet i zbatueshëm. Rama tha se ligjit i mungojnë aktet nënligjore të cilat sipas tij, nuk janë plotësuar gjatë kësaj periudhe para se drafti të hyjë në fuqi më 1 tetor të 2013-ës. Ligji për Shërbimin Civil ishte një nga tri kushtet që Brukseli i kishte vënë Tiranës zyrtare për t’u plotësuar, me qëllim dhënien e statusit të vendit kandidat për në BE.

 

Rama: Ligji për Shërbimin Civil është i pazbatueshëm

Kryeministri Edi Rama deklaroi dy ditë më parë se ligji për Shërbimin Civil është i pazbatueshëm dhe për këtë ai duhet të plotësohet me akte nënligjore. Sipas kreut të mazhorancës, për ndryshimin e ligjit kërkohet edhe vota e opozitës. Gjatë një intervistë të dhënë për “Zërin e Amerikës”, Edi Rama tha se qeveria nuk ka plane spastrimesh nga puna për nëpunësit, por tha se administrata duhet të jetë me aktive në shërbim të qytetarëve.

“Nuk ka debat mbi statusin e nëpunësit civil. Ka vetëm një domosdoshmëri për ta bërë të zbatueshëm ligjin që është miratuar me tre të pestat para zgjedhjeve dhe që është i pazbatueshëm pasi në gjithë këto muaj nuk janë nxjerrë aktet e domosdoshme nënligjore për ta bërë atë të zbatueshëm. Kjo që ne kërkojmë sugjerohet nga partnerët tanë që kanë bashkëpunuar me ne për të ndërtuar ligjin në fjalë dhe për të bërë ato ndryshime që pastaj u votuan nga parlamenti, e para. Dhe së dyti, akuzat për spastrime janë të gjitha shembuj të asaj shprehjes që thotë “ kush shpif ndaj teje e bën duke u nisur nga çka në fakt është në gjendje të bëj vetë”. Ne nuk kemi plane spastrimi, ne kemi një projekt të madh të shtetndërtimit  dhe të ndërtimit të një shteti në shërbim të qytetarëve. Një administrate që është aty për t’u shërbyer qytetarëve. Të një raporti të ri mes shtetit dhe qytetarit”, – ka thënë Rama.

 

 

Nëpunësi civil, PD thirrje Ramës: Mos destabilizo vendin

Partia Demokratike i ka bërë thirrje mazhorancës që të ndalë përpjekjet e saj për të ndryshuar apo shtyrë përtej datës 1 tetor, hyrjen në fuqi të ligjit për Shërbimin Civil.

Në një deklaratë për mediat, deputeti Oerd Bylykbashi theksoi se Kushtetua ia ndalon qeverisë të ndryshojë aktet normative që kërkojnë 3/5, ndërkohë që sipas pozitës çdo tentativë do të destabilizonte vendin.

“Kur na ndajnë më pak se 36 orë nga hyrja në fuqi e Ligjit për Nëpunësin Civil, Rama po tenton në mungesë të plotë transparence të shkelmojë konsensusin e arritur për këtë ligj, që u votua me votë unanime dhe të shtyjë datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji. Ligji i ri me një dispozitë të veçantë, përkatësisht nenin 68, ndalon marrjen dhe largimin nga puna gjatë periudhës 3 mujore që i paraprin hyrjes në fuqi të ligjit. Ky nen i ka shtrirë tashmë efektet mbrojtëse nga data 1 korrik deri nesër më 30 shtator. Ky ndalim i vendosur me konsensus, synon të pengojë pikërisht atë që Rama ka në plan: spastrimin arbitrar dhe politik të shërbimit civil. Duke shtyrë datën e hyrjes në fuqi, Rama kërkon të rrëzojë mbrojtjen 3 mujore që jep ky nen. Ky është motivi i vetëm. Rama kërkon ta shtyjë dhe jo ta zbatojë ligjin pasi kërkon dorë të lirë për të larguar masivisht nga puna nëpunësit civilë të kualifikuar dhe të trajnuar. Partia Demokratike denoncon këtë përpjekje antikushtetuese që synon gjymtimin e shërbimit civil. Kushtetuta ia ndalon qeverisë të ndryshojë me akte normative ligjet që kjo Kushtetutë detyron të miratohen me konsensus me 3/5 e votave. Gatishmëria për të shkelur Kushtetutën dhe shkelmuar konsensusin është një alarm për stabilitetin jo vetëm të administratës publike, por të vendit në tërësi”, -përfundoi deklaratën Bylykbashi.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency