Tri orët e mbledhjes në kryesinë e PS-së, detajet e strategjisë për strukturat socialiste

0
202

Gëzim Saliu

kryesiaRama: Në fillim të shkurtit paraqesim programin e plotë dhe strategjinë e votës

Vendimi i kryesisë, Asambleja Kombëtare thirret në 26 janar

 

Kryesia e Partisë Socialiste miraton në parim elementët bazë të strategjisë elektorale të cilat pritet të ndiqen nga strukturat e kësaj force politike në zgjedhjet e 23 qershorit. Për më shumë se tri orë, anëtarët e kryesisë së PS-së në një mbledhje me dyer të mbyllura kanë diskutuar lidhur me organizimin e strukturave të partisë në funksion të zgjedhjeve, duke përfshirë këtu strategjinë e komunikimit dhe verifikimin e listave të votuesve. Po ashtu pjesë e rëndësishme e mbledhjes ishte edhe strategjia e fushatës elektorale, për të cilën u diskutuan mundësitë e rritjes së efikasitetit të saj në raport me zgjedhjet e 2009-ës.

 

Mbledhja

E mbledhur në orën 9:40 minuta e deri në përfundim të saj në orën 13:10, kryesia e PS-së vendosi në qendër të diskutimit të saj detyrat kryesore për strukturat e partisë në kuadër të parlamentareve të 23 qershorit. Duke rishikuar detajet teknike të strategjisë elektorale, të miratuar më parë në mbledhjen e kaluar të Asamblesë, anëtarët e kryesisë diskutuan mbi detyrat e shtabeve elektorale në secilin qark të vendit, ku përpilimi i strategjisë do të jetë i bazuar gjithmonë mbi parimet e strategjisë kombëtare. Ndërkohë një tjetër çështje e rëndësishme e mbledhjes së djeshme të kryesisë ishte edhe ajo lidhur me fushatën zgjedhore. Mësohet se anëtarët kanë vendosur në qendër të diskutimit detajet organizative të kësaj fushate, ku peshë kryesore do të ketë grupi i punës i ngritur me drejtuesit më të lartë të Partisë Socialiste. Ky grup, ku bën pjesë kryetari i Asamblesë Kombëtare Gramoz Ruçi, sekretari për koordinimin Fatmir Xhafa, sekretari organizativ Blendi Klosi si dhe sekretari për pushtetin vendor Bashkim Fino, edhe në saj të diskutimit të djeshëm, do të ketë si detyrë kryesore koordinimin e veprimeve nga qendra deri në bazë. Gjithashtu edhe situata e përgatitjes së zgjedhjeve nga KQZ-ja ishte një tjetër temë e diskutimit të kryesisë. Për këtë, anëtarët e këtij forumi kanë vendosur për monitorimin specifik të punës së institucionit më të lartë zgjedhor. Në të njëjtën linjë, anëtarët e kryesisë e kanë cilësuar si parësore detyrën e identifikimit dhe verifikimit të listave të votuesve, ku në bazë të këtij procesi qëndron censusi derë më derë. Kryesia ka diskutuar me detaje se si do të përgatiten tabelat e verifikimit të votuesve, duke theksuar rëndësinë e konsolidimit të grupeve të punës që do të angazhohen për ruajtjen e votës. Por krahas këtyre diskutimeve teknike, kryesia e PS-së vendosi që të thërrasë në 26 janar në takim anëtarët e Asamblesë Kombëtare, ku edhe do të shqyrtohet më imtësisht e gjithë strategjia elektorale e socialistëve për parlamentaret e 23 qershorit. Ndërkohë i pyetur në bashkëbisedimin me gazetarët lidhur me atë se çka u vendos në mbledhjen e kryesisë, kreu socialist Edi Rama tha se,: “Sa i përket mbledhjes së kryesisë, ne sot(dje) u mblodhëm për të vënë pikat mbi i mbi disa aspekte. Që kanë të bëjnë me komunikimin, që kanë të bëjnë me organizimin, që kanë të bëjnë me procesin zgjedhor në tërësi. Ditën e shtunë do të thërrasim Asamblenë Kombëtare dhe në ditët e para të muajit shkurt do të dalim përpara shqiptarëve përmes një eventi të posaçëm lidhur me votën për të ardhmen qoftë në kuptimin e programit, qoftë në kuptimin e garancisë që vota për të ardhmen nuk do të kthehet në një votë për të shkuarën nëpërmjet deformimit të procesit zgjedhor”.

 

Strategjia elektorale e PS për zgjedhjet e 23 qershorit

Strategjia elektorale e Partisë Socialiste, e miratuar në mbledhjen e kaluar të Asamblesë Kombëtare, është ndërtuar në dy kolona, komunikimi dhe organizimi. Kjo strategji parashikon katër çështje ku do të fokusohet komunikimi me elektoratin, demokracia e re, ekonomia e re, shoqëria e re dhe integrimi. Një pjesë e rëndësishme e strategjisë është edhe ndërtimi koalicioneve, ku PS është shprehur e hapur për kontributin e çdo force politike për t’iu bashkuar një koalicioni të gjerë opozitar.

 

Mediu: Interesi kombëtar, mbi atë politik

Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, deklaron se integrimi evropian kërkon që interesi kombëtar të prevalojë mbi atë politik. Në konferencën e Partisë Republikan në degën e Paskuqanit, Mediu tha se Partia Socialiste është bërë mur bllokues, pasi nuk voton tre ligjet, në një kohë, që sipas tij, BE është e gatshme ti hapë Shqipërisë dyert.”Më e rëndësishme se çdo gjë tjetër është vendosja e interesit kombëtar mbi interesin politik. Jemi vend anëtar i NATO-s por më shumë se sa jemi duhet të sillemi si të tillë. Jemi vend që kërkojmë të shkojmë në Bashkimin Evropian, por më shumë se të kërkojmë duhet të sillemi si evropianë në mënyrë që çdo shqiptarë kudo ku të jetë, të gëzojë dinjitetin dhe identitetin e tij”, – deklaroi Mediu. Ndërkohë, kreu i PR-së e cilësoi 100 vjetorin e Pavarësisë si një moment reflektimi për përgjegjësitë kombëtare të politikës shqiptare. Në këtë kontekst, kryetari i PR-së u ndal edhe në çështjen kombëtare duke e cilësuar rrezik banalizimin e saj në një frymë ultranacionaliste.

 

1073 personalitete, thirrje Ramës: Lejo deputetët të votojnë ligjet

Arrin në 1073 numri i personaliteteve shqiptare që i bashkohen nismës së elitës shqiptare në letrën drejtuar z. Rama, ku i kërkojnë të mos pengojë deputetët të votojnë tre ligjet. Mes intelektualëve, piktorëve, artistëve, shkrimtarëve, akademikëve, profesorëve të mirënjohur, doktorëve të shkencave, mjekëve, sportistëve, veteranëve, pasardhësve të firmëtarëve të aktit të pavarësisë e shumë emra të nderuar, këtij apeli i janë bashkuar sot 317 emra të mirënjohur. Peticionin drejtuar kreut socialist e kanë mbështetur dje me firmat e tyre veteranë të Luftës, ku spikasin emrat e Liri Belishovës, Rrahman Parllakut, Edip Ohrit, kolonel Ali Demushit, etj. Po ashtu, këtij peticioni i janë bashkuar akademikë, drejtues të katedrave prestigjioze nga universitetet në mbarë vendin, nga arkitektura, inxhinieria e mjedisit, të shkencave biologjike, ekonomike, të së drejtës dhe të mjekësisë. Ndër emrat bie në sy profesori i stomatologjisë Cerciz Mingomataj, doktore e shkencave Loreta Kuneshka, arkitektët Daniel Guralumi (dr. i shkencave) Ermira Margariti, Estela Kokalari si dhe pedagoge e pedagogë, kolegë të tyre. Letrën drejtuar liderit të opozitës e kanë firmosur edhe ish të përndjekur politik, ndër të cilët, Uran Kostreci, Reshat Kripa, Bedri Çoku, Qamil Merlika e të tjerë. “Tradicionalisht, elitat politike shqiptare marrëdhënien e privilegjuar me Evropën e kanë pasur vizion dhe mision. Sot, këtij programi shpirtëror të kahershëm të shqiptarëve i kanë mbetur vetëm pak hapa për t’u shndërruar në një realitet konkret. Ky nuk është më vetëm vizion, as vetëm mision, tashmë është thjesht një detyrë që nuk kërkon asgjë të veçantë për t’u kryer, thjeshtë kurajë qytetare”, – thuhej në letrën e intelektualëve drejtuar kreut të PS-së. Nismëtarët e kësaj lëvizjeje theksojnë se kjo nismë nuk ka ngjyrime politike pasi sipas tyre interesi i vetëm është interesi kombëtar.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency