Gëzim Saliu
Kreu i PS-së: Kundër ndarjes së mandateve nga Kuvendi, KQZ duhet të vendosë
Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, hedh poshtë akuzat e LSI-së për ekzistencën e një marrëveshjeje mes socialistëve dhe demokratëve për çështjen e shpërndarjes së mandateve të deputetëve. Duke e cilësuar akuzën e LSI-së si një protagonizëm të një partie politike të vogël që përpiqet të akuzojë dy forcat e mëdha politike për të marrë më shumë ndikim politike, Rama theksoi në bashkëbisedimin me gazetarët se PS nuk do të pranojë kalimin e atributeve të KQZ-së tek Kuvendi. “Çdo parti e vogël përpiqet të bëhet e madhe, duke akuzuar partitë e mëdha. Akuza e përbashkët është që mes të mëdhave ka marrëveshje. E vërteta është se unë e pres me kënaqësi këtë qëndrim sepse është qëndrimi që kanë mbajtur përfaqësuesit tanë në KQZ dhe ky është qëndrimi që do të mbajmë grupi ynë parlamentar. Kuvendi nuk mund të marrë atributet e KQZ, e cila sipas ligjit ka për detyrë ndarjen e mandateve dhe afati është deri më 7 mars. Padyshim në rast se edhe qëndrimi i mbajtur sot nga një parti që ka një anëtar në KQZ kjo është pozitive dhe është KQZ që duhet të vendosi, ashtu si kundër kemi një ndryshim qëndrimi nga partia që ka anëtarin e forcës së dytë në koalicionin qeverisës”, – u shpreh Rama. Më parë, nënkryetari i LSI-së, Ylli Manjani, akuzoi dy partitë e mëdha PD-PS, se kanë arritur një marrëveshje për ndarjen e mandateve në sallën e parlamentit.
Akuzat për bashkëshorten
Në bashkëbisedimin me gazetarët, kreu socialist nuk dha asnjë përgjigje lidhur me akuzat për lejen e ndërtimit të pallatit të familjarëve të bashkëshortes së tij, duke theksuar se të gjitha përgjigjet janë dhënë nga vetë Linda Rama në intervistën që ajo dha pak ditë më parë në televizion. Ndërkohë lidhur me votimin e kandidatëve për kreun e ri të ILDKP-së, Rama tha: “Nuk ka shumë për të zgjedhur mes një kandidature të panjohur dhe tjetrës që nuk plotëson asnjë kusht. Vendimi i takon grupit të PS-së”. Nga ana tjetër i pyetur nga gazetarët se kur publiku do të ketë mundësinë të njihet me listën e deputetëve që do të propozojë PS në zgjedhjet e 23 qershorit, Rama iu shmang përgjigjes duke deklaruar se për atë prioritare janë listat e borxhlinjve nëpër dyqane që shtohen çdo ditë dhe se lista e deputetëve të PS-së për të është gjëja e fundit që i shkon në mendje.
Ekonomia
Në fjalën e tij kryesocialisti theksoi vendosmërinë e opozitës për të hequr taksën e biznesit të vogël me të ardhur në pushtet. “Duke iu referuar përpjekjeve të kryeministrit për të përçuar nëpërmjet një propaganda banale tek shqiptarët që po jetojnë përditë një Shqipëri në rrënim, pamjet e një Shqipërie që nuk ekziston. Flitet për rritje rrogash e çmimet janë rritur shumë më tepër. Flitet për rritje të punësimit, kur shifrat zyrtare flasin për 51 mijë vende të humbura nga viti 2009. Realiteti është ende më i hidhur se shifrat zyrtare. Kryeministri thotë se nuk mund të heqë dot taksën e biznesit të vogël, madje akuzon se unë si kryetar bashkie e paskësha dyfishuar taksen për biznesin e vogël. Bashkia as nuk e rrit as nuk e ul dot taksën e biznesit të vogël, që vendoset nga qeveria. Heqja e taksës së biznesit të vogël është emergjencë”, – deklaroi Rama. Ndërkohë sa i përket premtimit për hapjen e 300 mijë vendeve të reja të punës, lideri i selisë rozë theksoi se PS do të ndryshojë jo vetëm numrin e papunësisë që sipas tij shkon në mbi 1 milion, por edhe aksesin në shërbimin shëndetësor. “Kjo për ne është e papranueshme dhe ne nga njëra anë do të krijojmë kushtet për të hapur 300 mijë vende pune në mandatin tonë të parë dhe nga ana tjetër do të krijojmë kushtet që çdo i papunë të mund të marrë kujdesin shëndetësor edhe pse nuk ka mundësi të paguajë. Shërbimin do ta blejë shteti dhe do ta ofrojë një institucion i ri, që ne do të themelojmë, Shërbimi Shëndetësor Kombëtar, duke përmbysur rrënjësisht skemën aktuale të financimit të shëndetësisë”, – tha kreu i PS-së Edi Rama.
21 Janari
Duke iu referuar 2-vjetorit të ngjarjeve të 21 Janarit, kreu i PS-së tha në bashkëbisedimin me gazetarët se kjo është një nga ato plagë që kombet nuk mbyllin dot me sytë e harresës. “Nesër (sot) është 21 janari, një tjetër 21 janar pa drejtësi, madje një 21 janar që e gjen procesin gjyqësor në një fazë rrënimi të mëtejshëm. Ne do të jemi nesër aty ku kemi qenë qysh nga dita e parë, në kërkim të drejtësisë, duke kujtuar 4 dëshmorët e 21 janarit”, – tha Rama, duke vlerësuar edhe qëndrimin e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, nëpërmjet përfaqësuesve të tyre, lidhur me 21 Janarin.
LSI: PD dhe PS, marrëveshje të fshehtë për mandatet
Nënkryetari i LSI-së, Ylli Manjani, akuzoi dy partitë e mëdha se rënë dakord që çështja e shpërndarjes së mandateve të deputetëve të zgjidhet në Kuvend. Në një intervistë për “News 24”, Manjani theksoi se shmangia e KQZ-së është e paligjshme, ndërsa procedura parlamentare për këtë çështje ligjëria ka mangësi. “Nëse do kishte parti më shumë të interesuar se gjithkush tjetër për të ndryshuar zonat zgjedhore, kjo duhet të ishte PS, sepse normalisht ajo i ka humbur zgjedhjet me ndarjen e vjetër dhe do kërkonte një ndarje të re. Çuditërisht PD nuk e luajti këtë lojë dhe ka hyrë në një marrëdhënie dashurie me PS. Çështja është teknike dhe KQZ duhet ta kishte marrë atë vendim. Dështimi për ta marrë atë vendim, sipas kodit zgjedhor, duhet të korrektohej në Kolegjin Zgjedhor. Partitë politike kishin interes ta dështonin këtë proces. Duke e shndërruar KQZ në një zonë ALUIZNI zgjedhor për të legalizuar çdo dëm që bëhet”, – deklaroi nënkryetari i LSI-së, Ylli Manjani.
100 milionët dhe pallati, Argita Malltezi: Rama, mos iu shmang si burracak transparencës
Vajza e kryeministrit Berisha, Argita Malltezi ka reaguar sërish dje ndaj akuzave të Partisë Socialiste ndaj pasurisë së saj, duke i cilësuar sulmet ndaj saj si një mënyrë që kreu i PS t’i shmanget transparencës mbi pasurinë e familjes së tij. “Sot z. Rama vazhdoi serialin e tij të shpifjeve e sulmeve politike ndaj meje në konferencën e tij të shtypit dhe me tellallët e tij të paguar. Z. Rama çdo ditë që kalon ju bëheni me qesharak para shqiptarëve, por dhe i mjerë, kur përpiqeni të përdorni veprimet e mia të bazuara në ligje për të justifikuar veprimet tuaja të paligjshme dhe akoma me keq, kur i përdorni këto sulme për t’ju shmangur si burracak transparencës që të detyron ligji i vendit”, – tha Malltezi. Më tej vajza e Kryeministrit deklaroi se çdo veprim i biznesit që ajo drejton është konform ligjit ndryshe nga veprimet që kreu Rama si kryebashkiak. “Z. Rama unë për kohën që kam ushtruar avokatinë, çmimin e shitjes së tokës private tek të interesuarit ua kam njoftuar haptas sipas kërkesave të pronarit privat, pa detyruar asnjeri të blejë apo të mos blejë, siç demonstron dhe korrespondenca të cilën ti keqlexon dhe pa cenuar asnjë interes privat të ndokujt. Kurse ju zoti Rama, në emër të nenit 62 të ligjit të urbanistikës i anuluat lejen e ndërtimit familjes Frashëri dhe i dhatë në po të njëjtin vend leje ndërtimi në sheshin e pallateve bashkëshortes suaj, në shkelje flagrante të po të njëjtit nen”, – u shpreh Argita Malltezi, duke shtuar se fton kreun socialist të bëj publike burimin e 100 milionshit të huasë pa interes të znj. Lindita Basha si dhe të gjitha faturat e investimit prej 1 milion euro në pallatin pesëkatësh të familjes së saj, tatimet e paguara për to dhe transaksionet bankare për financimin e tij.





