Rriten mundësitë, qeveria hap 1500 vende pune për arsimtarët praktikantë

0
174

Driçim Çaka

shkollaNga 1300 praktikantë me kontratë këtë vit do të jenë 200 më shumë

Kandidatët që mund të aplikojnë

 

Do të jenë 1500 arsimtarë të cilët do të kenë mundësinë të punësohen si praktikantë për vitin 2013. Qeveria ka miratuar rritjen e praktikantëve për këtë vit kur një vit më parë iu dha mundësia vetëm 1300 kandidatëve. Rritja e numrit të arsimtarëve praktikantë vjen në një kohë kur kuotat e pranimit për degët e mësuesisë kanë pësuar një rritje të ndjeshme. Kandidatët do të jenë të shpërndarë në të gjitha drejtoritë arsimore ku numri më i madh i praktikantëve do të jetë në Tiranë me 153 vende. Pas Tiranës renditen Elbasani me 105 praktikantë, Lezha dhe Shkodra me 88, Fieri dhe Durrësi me 83 dhe Zyra Arsimore Vlorë me 75 praktikantë.

Afatet

Të gjithë arsimtarët do të përfitojnë një kontratë të përkohshme për vitin 2013 duke filluar nga 1 janari deri në 15 qershor dhe nga 15 shtatori deri në 31 dhjetor. “Numri i praktikantëve “për kryerjen e praktikës profesionale”me kontratë të përkohshme, për sistemin arsimor parauniversitar, për vitin shkollor 2012-2013, për periudhën 01 janar – 15 qershor 2013 dhe periudhën 15 shtator 2013 – 31 dhjetor 2013, të jetë 1 500 punonjës”, – përcakton vendimi i qeverisë. Praktikantët gjatë periudhës për kryerjen e praktikës profesionale, përfitojnë nga punëdhënësi drejtoritë arsimore rajonale dhe zyrat arsimore, pagesën e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore në masën 16.7% të përllogaritur mbi pagën minimale 21 mijë lekë.

Përfitimi

Përveç kontratës arsimtarët praktikantë do të përfitojnë dhe pagesën e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore të llogaritur në bazë të pagës minimale. “Praktikantët gjatë periudhës për kryerjen e praktikës profesionale, përfitojnë nga punëdhënësi Drejtoritë Arsimore Rajonale dhe Zyrat Arsimore, pagesën e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore në masën 16.7% të përllogaritur mbi pagën minimale 21 000 (njëzet e një mijë) lekë”, – përmendet në vendimin e Këshillit të Ministrave. Në total do të jenë 47 344 500 lekë për pagesën e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.

Aplikimet

Për kryerjen e praktikës profesionale, aplikojnë kandidatë që kanë përfunduar studimet e ciklit të dytë në vitin akademik 2012 dhe më parë. Kandidati dërgon kërkesën për zhvillimin e praktikës pranë Drejtorisë Arsimore ku dëshiron të punësohet. Për të përfituar nga kjo mundësi më parë të rinjtë duhet të kenë mbaruar masterin shkencor ose masteri profesional si dhe të kenë marrë diplomën përkatëse.

 

Analiza vjetore e MASH-it, prioritet do të vazhdojë të jetë arsimi profesional

 

Ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, ka bërë dje analizën vjetore të ministrisë së tij. Sipas Tafajt, në 7 vitet e fundit paga e mësuesve është rritur mbi 2 herë, çka ka bërë që sot mësuesi të ketë një pagë dinjitoze, e cila qëndron mbi mesataren e pagave të sektorit publik në vendin tonë. Ndryshime janë bërë dhe për sa u përket pedagogëve kur në vitin akademik 2004-2005 stafi akademik numëronte vetëm 4140 pedagogë, ndërsa në këtë vit akademik janë rreth 10600 pedagogë me kohë të plotë dhe të pjesshme. “Mbi 1300 objekte arsimore (kopshte, shkolla, konvikte, godina universitetesh) janë ndërtuar të reja ose janë rikonstruktuar në 7 vite të kësaj qeverisjeje. Në vitin shkollor 2012/13 vihen në shërbim të nxënësve dhe studentëve 129 objekte arsimore të reja apo të rikonstruktuara”, – përmendi ministri gjatë analizës së tij. Mbi të gjitha, ministri Tafaj vlerësoi arritjet në arsimin profesional ku u rrit me 23% numri i nxënësve të regjistruar në vitin e parë të arsimit të mesëm profesional në krahasim me një vit më parë, si rrjedhojë e hapjes së degëve dhe profileve të reja (si ato të IT, agropërpunimit, bujqësisë e ushqimit, turizmit dhe shërbimeve), ndërtimit të 4 shkollave të reja (kapacitet 700-800 nxënës secila) si dhe zbatimit të paketës së bursave për nxënësit konviktorë. Investimi në arsimin profesional sipas Ministrit të Arsimit do të vazhdojë edhe gjatë vitit 2013. “Rritja e pjesëmarrjes në arsimin profesional është në krye të prioriteteve të MASH. Do të rriten më tej kapacitetet e sistemit përmes ndërtimit dhe rikonstruksionit të shkollave (Në vitin 2013 parashikohet zgjerimi dhe rikonstruksioni i 3 shkollave të arsimit profesional në Fier, Lezhë, Durrës, duke bërë që të rritet kapaciteti i sistemit të arsimit profesional për rreth 1500 nxënës). Do të hapen degë dhe profile të reja që u përgjigjen më mirë kërkesave të tregut të punës, në mënyrë të veçantë në fushën e bujqësisë, industrisë agroushqimore, turizmit, IT dhe shërbimeve”, – theksoi Tafaj.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency