Ma sheh më shpirtin në ëndërr?

0
199

shpirtiNjë tufë poezish të përkthyera nga Romeo Çollaku nga poeti francez Paul Verlaine botuar në “Fjala review”; simbioza e mendimit në simbolizmin francez si një shtytje e gjendjes drejt empirizmit shpirtëror; një lëvizje që krijon kulmin e lirisë shpirtërore, ku udhëtimi në brendësi të qenies kthehet në një melodi që mbetet në shqisën e fjalës si ndjesi

 

Paul Verlaine

NEVERMORE

 

Kujtim, kujtim, ç’kërkon nga unë? Dikur Vjeshta

Qiellit mullibardhën grishte përmbi kreshta,

Teksa meknin rrezet e diellit, të mefshta,

Në korijet e verdha flladin e në vreshta.

 

 

Ëndërrimtarë ne, të veçuar nga shokët,

Çapiteshim; mendimet në erë dhe flokët.

Befas, i vetoi diçka në kokërdhokët

Dhe më tha «Tregomë!» zëri i saj i proshkët.

 

 

Kish prej shenjtëreshe një kumb zëri i saj.

I matur iu gjegj një buzagaz pastaj

dhe dorën e bardhë ia putha plot dëshirë.

 

 

-Ah, lulet e para, ç’ erë vijnë ato!

Ashtu dhe kundërmuan duke mërmërirë

Buzët e shtrenjta kur thanë të parën Po.

 

 

 

ANKTH

 

Asgjë prej teje s’më magjeps, natyrë,

As fushat, as siçilianet jehona pastorale,

As ojnat e agimit përmbi male,

As madhështia e muzgjeve të mpirë.

 

 

Qesh me artin, me njeriun, varg e lirë,

Me tempujt grekë dhe kullat plot spirale

Që në qiell avitin katedrale,

Dhe s’di kush është i lig e kush i mirë.

 

 

Nuk besoj në Perëndi dhe kam tejflakur

Çdo mendim, ndërsa shakaja e mplakur,

Dashuria, më mirë për të mos dija.

 

 

Nga jeta i braktisur, kam frikë të shkoj përfare,

Në baticë e zbaticë, si ajo anija,

Shpirti im pret mbytjen mes llahtare.

 

 

 

VEGULLI NATE

 

Natë. Shi. Një qiell i zbehtë, i shpuar nga rreze,

Por dhe nga thepa e nga kulla, nga trajta e një qyteze

Gotike që në grinë e largët shuhet dalëngadalë.

Shesh. Trekëmbëshi plot kurme dhe një galë

Tek, me sqepin e panginjur, i përkund qiellit të zi

Këmbët e tyre, sillë bishash, duken, për çudi,

Sikur një valle hedhin që s’e patën hedhur kurrë.

Dhe ca gëmusha gjembaçe, përtokë ca shkurre

Që flakin tutje-tëhu shajnitë e gjethnajave,

Shkulme bloze, si sfond skice, duke u ngjitur majave.

Tre të burgosur çapiten zbathur, çehrevrarë,

Rreth e rrotull tyre një togë me ushtarë,

Dhe kamat përpjetë, tek marshojnë drejt sheshit,

Përkundër shkëndrijnë kamave të rrebeshit.

 

 

BISEDË E NDJERË

 

Mes thëllimit, në parkun e vjetër e të shkretë,

Si hije papritmas u shfaqën dy vetë.

 

 

Buzët i kanë të ngrira, kurse sytë bosh

Dhe fjalët që thonë me zor mund t’i dëgjosh.

 

 

Mes thëllimit, në parkun e vjetër e të shkretë,

Sjellin dy vegulli ndërmend një tjetër jetë.

 

 

-E kujton ndonjëherë dëfrimin tonë?

-Është e thënë që ta kujtoj gjithmonë?

 

 

-Po zemra jote, në emrin tim rreh më ajo?

-Ma sheh më shpirtin në ëndërr? -Jo.

 

 

-Ndjeheshim të dy të lumtur tej mase

Kur putheshim në buzë! -Mbase.

 

 

-Qielli ishte i kaltër, gjithë shpresa unë e ti!

-Tani shpresat i ka përpirë qielli i zi.

 

 

Dhe u çapitën gjer tej, mespërmes kallinjve,

Por veç nata ua dëgjonte fjalët dy të rinjve.

 

 

 

VËRTET…

 

Vërtet, qoftë dhe të lajthisin ca gdhë apo trutharë

Nga lumturia jonë që as e marrin dot me mend,

Le ta lëmë një çast përunjen për të qenë krenarë.

 

 

Edhe të ngazëllyer, vërtet, të shkojmë në çdo vend

Ku buzagaz po na prin Shpresa, pa e peshuar gjatë

Në s’i vlejmë kurrkujt apo në i vlejmë gjësend.

 

 

Humbur në dashuri si në errësirën e pamatë

Të një pylli, dy zemrat tona, paqë duke çliruar,

Do ngjajnë me dy bilbilë që pingërojnë në natë.

 

Sa për Botën, në i dukemi të mbrapshtë a të shtruar,

Ç’rëndësi ka për ne gjykimi i saj? Ajo gjithnjë

Na ndan, disa të zgjedhur, ndërsa të tjerët të ndëshkuar.

 

 

Me vargonj të bukur e të fortë lidhur, tanimë

Shqyti ynë do jetë prej diamanti dashuror,

Do qeshim me gjithçka dhe s’do na frikësojë asgjë.

 

 

Le të shkojmë kryelartë pa ndjerë brengë a zor

Për ç’na dhuroi Fati, në një hap, pra, unë dhe ti

Të zënë dorë për dore, me shpirtin fëmijënor

 

 

Të atyre që, vërtet, duhen pa trazuar njeri.

 

 

 

PO ÇAPITESHA…

 

Po çapitesha shtigjesh të vështirë

Me shpirtin vrer dhe mendjen kuturu.

Duart e tua u dhanë për të më prirë.

 

 

Mandej, e agullimës, vetoi, ashtu

Si e mekët, shpresa përmbi mal.

Mëngjesin më sollën sytë e tu.

 

 

Veç hapi i vet kumbues si cimbal

Shtegtarin e ndih; e tremb qetësia.

Zëri yt më tha dikur «Mos u ndal!».

 

 

Frikacake kjo zemër, mbytur nga zymtia,

Qante, qyqarja, mes rrugës së shkretë;

Kur, zonjë ngadhnjyese, dashuria

 

Na nxori të dyve te hare’ e vërtetë.

 

 

 

TË PIANOS…

 

Tingull gazmor, i mërzitshëm klaviçembali kumbues

PÉTRUS BOREL

 

 

 

Të pianos që butë e puthin dy duar

Shndritjen e vagullt mbrëmja rreh ta fikë,

Ndërsa porsi flatër mërmërima e lëmuar

E tingujve të vjetër, të ëmbël dhe magjikë

Endet e drojtur, pothuajse me frikë,

Nëpër dhomën prej Saj të kundërmuar.

 

 

Ç’janë vallë këto ninulla të befta fëmijërie

Që ngadalë ma përgjumin këtë jetë qyqare?

Ç’kërkon prej meje, moj Këngë lozonjare?

Refren i brishtë, i hutuar, ku më shpie

Tek avitesh e jep shpirt te një dritare

E hapur paksa lart përmbi kopshtije?

 

 

GREEN

 

Ja degët gjithë, me gjethe, me lule dhe me fruta,

Dhe zemra ime që, veç për ju, s’deshi kurrë të reshtë.

Mos e shqyeni me ato duar të bardha e të buta,

Për sytë tuaj të bukur qoftë dhuratë e thjeshtë.

 

 

Po kthehem mbuluar nga një vesë visesh të huaja,

Që era mëngjesore ma ngrin akull mbi ballë,

Ndaj lereni kapitjen time, rënë te këmbët tuaja,

Të harrojë ëndrrash çdo brengë e çdo andrallë.

 

 

Tashti, mbi gjoksin tuaj të ri lermëni të ul kryet

Me puthjet tuaja të mbrame që kumbojnë paprerë;

Pas furtunës së mbarë të prehen nën qiellin me yjet,

E, për sa po flini dhe ju, të dergjem një copë herë.

 

Përktheu: Romeo Çollaku

 

Kuraja e madhe

 Agron Tufa

 

Kurajë e madhe duhet në zgrip…

 

Nga ekuilibri i flatrave të fluturës varet fati yt.

Shenja të tjera: frymim’ i ngutun i bulkthit para kange,

fashitje larash ndër bebëzat e muzgut,

kthesa t’befta kujtese dhe vrima t’zeza harrimi.

Uri brejtse andrrash e ngazllimi,

tkurrja e bymimi i qelizave t’gjalla,

ngrimja dhe shkrimja,

zhurma dhe heshtja,

batica e zbatica e gjakut që rreh ndër qepalla.

 

Shenja të tjera (përforcuese):

kryqi dhe mbipesha – por jo kryqëzimi.

Kur marramendthi mes botës të sillesh

ndër mija llampadarë,

T’i ruhesh, ban mirë, topitjes dhe instinktit të zgjimit,

turrin zotnoje dhe baje zap krahun –

i platitun zhvendosu n’milimetra rrethrrotullues.

 

Në zgrip kurajë e madhe duhet prej vetë kurajës.

 

Disa parashenja: pika ujit u stërfry buzë rubineti –

e koka e saj ka me u këputë nën tehun fatal.

Gremisja jote pritet me vigma brohorie përgjatë segmentit t’ shkallzuem.

Çfarë trandje tektonike ka me ndodhë! Kullat në karta

përmbys do kenë ra. Rrota e Fortunës del udhësh prej

Rrotës s’Fatumit…

N’atë plojë rrënimtare lëngue do t’kenë përfund mjekra të vdekuna,

ligje e teori që mugulluen e u zbehën n’radhor –

Poezia e dijeve të nxana qyshkur e dijsa t’gabuem.

Mirë e pat thanë një plak: (me fjalë e rrëmallë e shprazi):

“Një humbje ndjell humbjen tjetër – jo tandën, të tjervet…”

 

Në zgrip, vetëdija e zgripit lypet. Rueju, se dhe vështrimi yt i patakt,

randë i bie pushit në krahët e fluturës.

 

Marrë nga “Fjala review”

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency