Thirrja e Uashingtonit Votoni tri ligjet e integrimit, mosmarrëveshjet politike trajtojini më vete

0
123

Florenc Drizari

Drejtori për Evropën Jugore dhe Qendrore në Departamentin e Shtetit, Jonathan Moore, viziton Tiranën

 

Drejtori i Zyrës për Evropën Jugore dhe Qendrore në Departamentin e Shtetit, Jonathan Moore, i bëri thirrje klasës politike të shmangë konfliktin politik për interesa të ngushta partiake dhe të votojë tri ligjet e integrimit. Sipas zyrtarit të lartë të Uashingtonit, konfliktet politike kanë më pak rëndësi në raport me votimin e tri ligjeve të kërkuara nga Brukseli, për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian. Gjatë intervistës së tij për “Zërin e Amerikës”, drejtori për Evropën Jugore dhe Qendrore në Departamentin e Shtetit shpjegoi se mungesa e dialogut politik për të përmbushur reformat në parlament, bëri që vendit të humbte mundësinë për të realizuar kërkesat e BE-së brenda afateve të përcaktuara më parë.

Ndërkaq, ngërçi i krijuar mes dy partive të mëdha PD dhe PS për çështjen në Qarkun e Fierit bëri që Shqipëria të mos realizonte në kohë plotësimin e kërkesave për miratimin e tri ligjeve, draftin për Gjykatën e Lartë, projektligjin për nëpunësin civil dhe rregulloren e parlamentit. Afati i vënë nga Komisioni Evropian për miratimin e tyre ishte data 20 nëntor.

Nga ana e saj mazhoranca ka ftuar vazhdimisht opozitës të votojë tri ligjet duke argumentuar se ngërçi i krijuar në Këshillin e Qarkut të Fierit nuk duhet të pengojnë integrimin e vendit, ndërsa opozita ka insistuar në zbatimin e vendimeve gjyqësore në këtë qark.

Jonathan Moore

Drejtori i zyrës për Evropës Jugore dhe Qendrore në Departamentin e Shtetit, Jonathan Moore, gjatë një interviste të dhënë për “Zërin e Amerikës” një ditë më parë, u bëri thirrje krerëve të partive dhe deputetëve të votojnë tri ligjet e integrimit. “…U humbën mundësitë për disa vendime të rëndësishme që duhet të ishin marrë nga parlamenti për të plotësuar kriteret e kandidaturës për në Bashkimin Evropian. BE-ja pas disa ditësh do të dalë me vendimin e saj për Shqipërinë dhe ka mungesë përparimi për shkak të mungesës së bashkëpunimit dhe vullnetit të partive politike për të punuar së bashku për të plotësuar kriteret… Ne do t’i bënim thirrje gjithë deputetëve dhe anëtarëve të të gjitha partive që t’i linin mënjanë diferencat, t’i linin mosmarrëveshjet e brendshme mënjanë dhe të punojnë së bashku për miratimin e tri ligjeve”, – tha Moore. Sipas zyrtarit të lartë të Uashingtonit mosmarrëveshjet politike duhen trajtuar më vete në raport me reformat e kërkuara nga Brukseli. “Është e rëndësishme që Partia Demokratike dhe Partia Socialiste, si dhe anëtarët e tjerë të parlamentit të ulen së bashku për të miratuar tri ligjet në fjalë, që janë të domosdoshme për përparimin e vendit, diçka që është për të mirën e të gjithë vendit. Në se ka mosmarrëveshje të brendshme politike, ato duhen trajtuar veçmazi, ato janë të një përparësie më të ulët”, – tha Jonathan Moore.

Vizita në Tiranë

Ngërçi politik i krijuar mes mazhorancës dhe opozitës për votimin e tri ligjeve të integrimit duket se është edhe qëllimi kryesor i vizitës që pritet të bëjë në fillim të javë në Tiranë zyrtari i lartë i Uashingtonit. Drejtori i zyrës për Evropës Jugore dhe Qendrore në Departamentin e Shtetit, Jonathan Moore, pritet të vijë për një vizitë disa ditore në kryeqytetin shqiptar. Ndërkohë, vizita e zyrtarit të lartë të Uashingtonit vjen pak ditë pas festimeve të bujshme të 100-vjetorit të pavarësisë në Shqipëri dhe pak ditë para diskutimit të statusit të kandidatit nga Këshilli i Ministrave i Bashkimit Evropian në datën 10 dhjetor. Gjithashtu në intervistën e tij për VOA-n, Jonathan Moore foli edhe për kryeprokurorin e ri që pritet të zgjidhet, duke vënë theksin tek figura jashtë radhëve të politikës.

 

“Ne do t’u bënim thirrje gjithë deputetëve dhe anëtarëve të të gjitha partive që t’i linin mënjanë diferencat, t’i linin mosmarrëveshjet e brendshme mënjanë dhe të punojnë së bashku për miratimin e tri ligjeve”

 

 

“Çështja e Fierit”, PS mban kusht Gjykatë e Lartë

Afrimi i datës 10 dhjetor gjatë së cilës Këshilli i Ministrave i Bashkimit Evropian pritet të marrë një vendim për statusin kandidat të Shqipërisë, të rekomanduar më parë nga Komisioni Evropian që në javën e dytë te tetorit, ka shtuar edhe deklaratat e ndërkombëtarëve për konsensus në votimin e tri ligjeve. Përpos kësaj, klasa politike duket se ende nuk e ka gjetur konsensusin. Partia Socialiste disa ditë më parë u tërhoq nga vendimi për të kushtëzuar votën e saj për tri nismat ligjore që janë vënë kusht për marrjen e statusit nga Brukseli, pa zgjidhur më parë çështjen në Qarkun e Fierit. Më herët deputeti i opozitës, Armando Subashi, ka thënë se jo të tria ligjet janë kusht për zgjidhjen e ngërçit politik të krijuar në këtë qark. Sipas Subashit, njëkohësisht i zgjedhur i kësaj force politike në Qarkun e Fierit, projektligji për statusin e nëpunësit civil dhe reforma parlamentare nuk janë kusht për Qarkun e Fierit. Për herë të parë opozita, që pas ngërçit politik të krijuar me mazhorancën për votimin e tri ligjeve të integrimit, duke e kushtëzuar votën e saj me zgjidhjen e çështjes së “Fierit”, ndryshoi qëndrim, duke vënë si kusht vetëm voton kundër projektligjit për Gjykatën e Lartë.

 

Kukan: Tri ligjet, të nevojshme për marrjen e statusit

Deklaratat e komisionerit Fule ishin një inkurajim për politikën shqiptare në mënyrë që ajo të votojë ligjet dhe t’i japë Evropës një shenjë konfirmimi, deri në momentin që do të merret vendimi për dhënien ose jo të statusit të vendit kandidat në samitin e dhjetorit. Ky është mendimi i eurodeputetit Eduard Kukan, i cili i bëri thirrje politikës shqiptare që të votojë tre rekomandimet e bëra në KE-ja, pavarësisht se koha për plotësimin e tyre ka kaluar që në datën 20 nëntor. Duke i quajtur si të nevojshme për marrjen e statusit miratimin e këtyre ligjeve, Kukan tha se në Shqipëri duket se ora e reformave ka ndaluar. “Opinioni i Komisionit Evropian është shumë i favorshëm për dhënien e statusit të vendit kandidat Shqipërisë, por për këtë nevojitet që parlamenti shqiptar të aprovojë tre ligjet e mbetura. Është po ky formulim që kemi ruajtur edhe në rezolutën e komisionit t jashtëm të Parlamentit Evropian. Samiti i dhjetorit po afron, por ora e reformave ka ndaluar në Shqipëri, pasi Parlamenti shqiptar nuk ka aprovuar ende çështjet e mbetura. Nëse do të isha një politikan shqiptar nuk do më zinte gjumi pa plotësuar kushtet për të marrë statusin e kandidatit. Pa plotësimin e tre kushteve që janë cilësuar kaq qartë nga Komisioni Evropian, nuk e di se si mundet të binden shtete anëtare skeptike që mendojnë se Shqipëria mund të presë”, – shtoi Kukan. Ky i fundit nënvizoi faktin se KE është i gatshëm të japë statusin dhe kjo duhet shfrytëzuar nga politika për të mos humbur më tepër kohë. Eurodeputeti tha se është shumë e vështirë që të binden disa shtete të cilat hezitojnë pasi politika shqiptare nuk ka plotësuar 100 për qind kushtet e vendosura nga Komisioni dhe vendimet e Këshillit të Ministrave nuk janë vendime me të cilat mund të luash.


“Opinioni i Komisionit Evropian është shumë i favorshëm për dhënien e statusit të vendit kandidat Shqipërisë, por për këtë nevojitet që Parlamenti shqiptar të aprovojë tri ligjet e mbetura…”

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency