Integrimi evropian si çështje strategjike kombëtare

0
281

Artan Fuga

Javët e fundit, klasa politike shqiptare po debaton se cilat janë kushtet brenda të cilave Shqipëria do t’i përgjigjet kërkesës së Brukselit për të miratuar edhe ato ligje që duhet për t’i ardhur në ndihmë integrimit evropian të vendit.
Shumica qeverisëse duket se ka vullnetin për t’i miratuar tri ligjet, të cilat për të kaluar në Kuvendin e Shqipërisë kërkojnë votat jo vetëm nga shumica e Partisë Demokratike dhe aleatët e vet në qeverisje, por edhe nga opozita socialiste. Ndërkaq, zëra nga opozita ose edhe nga aleatë të saj që nuk përfaqësohen në Kuvendin e Shqipërisë, sidomos këta të fundit, për miratimin e këtyre ligjeve, vendosin si kusht zgjidhjen e problemit të kryetarit të Qarkut të Fierit.
Sikurse ndofta shumica e qytetarëve të këtij vendi, e kam të vështirë të hyj në detajet juridike, procedurale, politike, që kanë të bëjnë me atë se cili është dhe duhet konsideruar kryetari legjitim i Këshillit të Qarkut të Fierit. Ndofta ka të drejtë Partia Demokratike, por ndofta janë të drejta kundërshtimet dhe argumentet e Partisë Socialiste. Thuhet se çështja duhet të zgjidhet nga gjykatat. Por, edhe gjykatat se mos kanë gjithmonë të drejtë. Aq më shumë që rruga gjyqësore mund të jetë shumë e gjatë, ndërkohë që çështja për t’i dhënë një përgjigje Brukselit nëpërmjet miratimit edhe të tri ligjeve të rëndësishme që kanë të bëjnë me zgjedhjet, gjykatat dhe funksionimin e Kuvendit të Shqipërisë është urgjente dhe nuk pret.
Mundet që çështja e Fierit të jetë e lidhur edhe me të ardhmen e rezultatit të votimeve në këtë qark të rëndësishëm. Asgjë nuk mohoj. Megjithatë, nuk kam se si të mos them se tjetër është Fieri dhe tjetër Brukseli.

Hane Fieri, hane Brukseli!

Ka dhjetëra probleme që duhen korrigjuar apo zgjidhur në jetën e brendshme politike, administrative dhe juridike shqiptare. Pa diskutim. Mijëra halle të qytetarëve shqiptarë presin për t’u zgjidhur. Dhjetëra probleme të përmirësimit të demokracisë qëndrojnë në rend të ditës. Nga ana e funksionarëve të ndryshëm ka vend të dëgjohen shumë padrejtësi që u bëhen qytetarëve shpesh edhe në mjedis latent korruptiv. Ekonomia e vendit pret të gjejë forma të reja për t’i bërë ballë krizës ekonomike dhe financiare globale në këto ditë të vështira për të.
E çfarë problemesh të rënda dhe të mprehta nuk ka! As e dinim që paska pasur edhe një problem për kolltukun e kryetarit të Qarkut të Fierit. Kur bien këmbanat nuk dëgjohen zilkat!
Do të ishte njësoj sikur në një shtëpi të kishte rënë zjarri dhe duheshin shpëtuar mobiliet, duke i zhvendosur në mënyrë urgjente jashtë. E ndërkohë, familjarët të mos e bënin këtë, por të harxhonin kohë duke debatuar se mos zhvendosja e mobilieve do të gërvishte edhe parketin e shtëpisë.
Megjithatë, dalja në plan të parë e historisë fierake, sado e rëndësishme të jetë ajo atje, alibi apo e vërtetë, përbën një shmangie nga çështja e integrimit evropian të Shqipërisë. Nga njëra anë janë negociatat midis Tiranës dhe Brukselit, në mënyrë që Shqipëria të fitojë statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Evropian, nga ana tjetër Fieri thërret: “Prisni sepse ka një problem në Fier!” Por edhe Amsterdami thërret: “Jam skeptik”.

Midis Tiranës dhe Brukselit vendoset Amsterdami dhe Fieri.

Mirë Amsterdamit mbase nuk kemi se çfarë i bëjmë. Dakord. Po Fierit? Ky i fundit varet kryekëput nga shqiptarët.
E para, sepse mbetet e pakuptueshme përse kryetari qenka kaq i rëndësishëm brenda një këshilli qarku. Nëse është vërtet i tillë, pikërisht këtu duhet të nisur reforma e demokracisë lokale. Një këshill qarku duhet të mbetet një vendim-marrës kolektiv, dhe jo të manipulohet nga kryetari tij. Por, demokracia lokale ka te ne shumë probleme që duhen zgjidhur. Përpara sesa të diskutohet se kush do të ulet në kolltuk në Fier, duhen debatuar ato rrethana që bëjnë që të ketë një rëndësi të tillë posti i kryetarit në një këshill, kur forcën vendim-marrëse atje duhet ta kenë anëtarët e këshillit. E them këtë sepse nesër a pasnesër mund të dali majtas apo djathtas çështja e një nëpunësi administrate apo e ndonjë sekretari kabineti. Ku i dihet!

Së dyti, edhe sikur çështja e Fierit vërtet të ketë peshën që duhet për t’u vendosur midis Tiranës dhe Brukselit, kjo çështje nuk mund të prevalojë mbi interesin qytetar të integrimit evropian të Shqipërisë.
Integrimi evropian i Shqipërisë është një çështje që ka të bëjë me strategjitë kombëtare të vendit. Lidhet me vendin e Shqipërisë në bashkësinë e shteteve evropiane. Pra, është më së pari një problem gjeopolitik thelbësor për të ardhmen politike të vendit. Pastaj, ka të bëjë me politikat afatgjata ekonomike dhe financiare, të cilat përcaktojnë fatet e zhvillimit të Shqipërisë dhe vendin e saj në ekonominë globale. Më në fund lidhet edhe me marrëdhëniet mes të drejtave dhe detyrave demokratike të qytetarit shqiptar, pra me shtimin dhe zgjerimin e të drejtave të tij në një plan përtejshqiptar. Integrimi evropian është kështu edhe një mekanizëm që supozohet se do ta demokratizojë jetën e brendshme shqiptare, në Fier, dhe kudo.
Parë kështu, çështja e integrimit evropian mbisundon ndaj të gjitha halleve të tjera të vendit. Sigurisht, ai i kolltukut të kryetarit të Qarkut Fier mund të ketë një lloj peshe, por janë pa fund problemet e tjera dhe shqetësimet e tjera qytetare me gjykatat, ekonominë, administratat, me fuqinë blerëse, me tregun, me të drejtat në punë e kudo. Nuk ka vend pa këto halle e probleme. Puna është se jemi të detyruar që ta vendosim secilin prej tyre në vendin e duhur.
Marrja e statusit të vendit kandidat për të hyrë në BE prek ndjeshëm dhe drejtpërdrejt interesin kolektiv qytetar. Ajo nuk mund të trajtohet veçse si çështje më vete dhe e pavarur nga çdo gjë tjetër sa kohë edhe opinioni publik edhe partitë politike janë shprehur se janë për integrimin evropian të Shqipërisë.
Kurse lufta politike për këtë apo atë çështje konkrete dhe të veçantë ka kohën e vet për t’u zhvilluar si edhe mjetet e veta, mundësitë e ardhshme që nuk do të mungojnë të paraqiten.
Është koha për të vepruar bashkërisht lidhur me këtë, partitë politike, qytetarët, shoqëria civile dhe të gjithë faktorët e tjerë demokratikë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency