Kategoria Superiore, Skënderbeu fiton sfidën e kampioneve

0
1231

Në kuotën e 27 pikëve në 11 javë kampionat, pa e njohur ende se ç’do të thotë humbje, skuadra e Mirel Josës marshon bindshëm drejt triumfit, të cilin e ka provuar për dy vite me radhë. Distanca e juglindorëve nga ndjekësit më të afërt, durrsakët e Teutës, është tashmë 7 pikë, duke e bërë “mision të pamundur” për këdo kreun e Superiores.
Nëntëdhjetëminutëshi i luajtur në Korçë i ka dhënë një goditje të rëndë luftës për titull kampion në Shqipëri. Skënderbeu, me fitoren që mori ndaj Flamurtarit, tregoi se praktikisht nuk ka rivalë edhe në këtë edicion. Djemtë e Josës treguan se janë më skuadër se Flamurtari i Rubios. Një tjetër verdikt interesant i kësaj sfide ishte edhe ai që doli pas duelit të bomberave si Pejiç dhe Memelli. I pari, me dy golat që shënoi, bëri të pendohen ata të Flamurtarit që e patën dhe e lëshuan.

Ish-i i tmerrshëm
Supersfida e Korçës “u ndez” shumë shpjet. Për të bërë diçka të tillë mendoi një ish i Skënderbeut, Gjergji Muzaka. Mesfushori ofensiv i Flamurtarit që në minutën e tetë do të kalonte lehtë Gvozdenoviçin për t’u gjendur ballë për ballë me Shehin që nuk mundi të ndalte topin.

Pejiçi bën bomberin
Në të tilla situata vetëm bomberat arrijnë që të nxjerrin nga balta ekipet. Kështu bëri edhe Pero Pejiçi dje, që u kthye protagonist me golat që shënoi. Kështu, në minutën e 17 sulmuesi kroat arriti që të ekuilibrojë shifrat, pasi gjeti një gol me kokë. Gjithçka nisi nga një goditje dënimi nga e majta, e shkaktuar nga Rajoviçi, që u ndëshkua me kartonin e parë të verdhë. Souza krosoi në zonën vlonjate, ku Pejiçi u ngrit më lart se të gjithë për të goditur me kokë.

Dy tre
Goditjen përfundimtare Skënderbeu ia dha Flamurtarit në pjesën e dytë. Në harkun e 9 minutave Plau dhe Pejiçi shënuan nga një gol që mbyllën çdo histori të një ndeshje që u luajt fort deri në minutat e fundit. Në minutën e 68, Plaku mori një pasim të gjatë nga mesfusha e tij, teksa i gjendur mes Veliut dhe Rajoviçit arrin t’u shpëtojë atyre dhe të godasë nga afër e t’i kalojë të tijtë në epërsi. Ndërkohë që në të 76-ën vendasit kaluan në avantazh pas një goditje këndi nga e majta, prej nga erdhi topi në lartësi në zonën vlonjate, aty ku Pero Pejiçi i vetëm godet dhe shënon golin e tretë për Skënderbeun.

Josa: Kampionati nuk është mbyllur ende
“U ndeshën dy skuadra të ndërtuara për titull. Treguam se jemi më në formë, kemi vazhdimësi. Loja tregoi probleme, gjithsesi, sepse na rrëmbeu dëshira dhe nuk u orientuam si duhet në daljen shumë shpejt në sulm. U hapëm shumë në prapavijë dhe u goditëm në momentin e parë nga Flamurtari. Skuadra vlonjate ka futbollistë me shumë personaliet, megjithatë triumfoi besimi që kishim ne. Kemi krijuar një fizionomi loje, që po jep frytet e duhura. Në finalizim u treguam të mirë dhe të këqij. Shënuam tre gola, por kemi shpërdoruar edhe raste të tjera. Fatkeq dëmtimi i Lilajt, lojtar që i mungon skuadrës, megjithatë Skënderbeu është mësuar me të tilla probleme. I tillë është edhe rasti i Vrapit, që e ka nisur sezonin si zëvendësues dhe është bërë shumë përcaktues në mbrojtjen tonë. Nuk jemi shpallur ende kampionë, sepse kampionati është shumë i gjatë. Diferenca e krijuar prej nesh është e madhe, por kemi dy ndeshje të vështira përpara, si në Gjirokastër, ku synojmë pikë, edhe ndaj Kukësit për kupë. Në Itali ka njëlloj rregulli, kush del kampion dimri nuk fiton dot në fund, ndaj s’duhet të gëzohemi para kohe. Kam gjetur një skuadër të kompletuar në të gjitha drejtimet. Kemi punuar mirë edhe në vazhdimësi. Përveç lojtarëve që u larguan, morëm lojtarë të tjerë cilësorë. Kemi marrë Souzën dhe Tomiçin, që po shprehen shumë mirë”.

Rubio: Na dënuan goditjet standarde
“Duhet të dish ta pranosh si fitoren, edhe humbjen. Sot fitoi lideri i kampionatit. Nuk më mbetet mua ta vë në diskutim atë që po tregon Skënderbeu prej lideri në kampionat. Nuk dua ta komentoj ekipin në mënyrë publike. Ajo që mendoj për veten, po ashtu nuk është e nevojshme që ta bëj publike. Golat nga goditjet standarde kanë qenë si penallti kundër nesh. Kemi pësuar në këtë mënyrë 80-90 për qind të golave. Normale, kemi punuar në këtë drejtim, kemi ndryshuar në mënyrën e markimit, nga markimi zonal në markim personal. Jam munduar me të gjitha mënyrat, por goditjet standarde mbeten pika jonë e dobët. Ne jemi 12 pikë larg Skënderbeut, shumë larg, prandaj ishte e rëndësishme të mos humbisnim sot, më e mira të fitonim. Nuk kemi folur për objektiva të qarta për titull te Flamurtari, edhe pse të gjithë e lakmojnë këtë trofe. Pa filluar kampionati, s’kam parë askund të flitet për titull, vetëm këtu në Shqipëri. Kampionati është një rrugë e gjatë dhe titulli vendoset javë pas jave. Skënderbeu ka marrë një avantazh të madh ndaj të tjerëve, kështu që ai është më afër këtij objektivi”.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency