Reportazh/ Gjermanët e fundit të Transilvanisë ndihen të braktisur dhe të penduar

0
102

Nga Eva Konzett

Komuna. Foto Eva KonzettBIRN/ Bukuresht

Pas revolucionit në vitin 1989, shumica e saksonëve të Transilvanisë u larguan për në Gjermani – dhe disa prej atyre që qëndruan janë pllakosur nga ndjesia se morën vendimin e gabuar.

Dyshimi ka qenë një shoqërues kokëfortë dhe i vazhdueshëm për Dorothea Ziegler-Badea në fshatin e saj periferik në Transilvani, çdo ditë për 25 vitet e fundit. Ajo e ndien atë çdo mëngjes, ndërsa pastron kopshtin e perimeve nga barërat e këqija, në drekë kur sistemon famullinë dhe në mbrëmje kur ushqen qenin dhe përkëdhel macen.

Çfarë do të kishte ndodhur, pyet veten kjo grua me pamje të vendosur, nëse, atëherë truri i saj do të kishte mbizotëruar zemrën dhe jo e kundërta? Çfarë do të kishte ndodhur pas revolucionit rumun në 1989, nëse ajo nuk do të kishte qëndruar në shtëpinë në Transilvani, por do të largohej për në Gjermani si shumë të tjerë?

Rreth 225,000 saksonë të Transilvanisë lanë shtëpitë e tyre në harkun e Karpateve rumune që nga vitet shtatëdhjetë. Rreth gjysma e tyre u larguan nën regjimin komunist të Nikolai Çausheskut për në Gjermaninë Perëndimore, nga e cila Rumania fitoi monedhë të huaj. 115,000 të tjerë u larguan pas rënies së sistemit, duke përfituar nga grantet bujare të Gjermanisë pas revolucionit në dhjetor 1989.

Pakica gjermane në Rumani gjithashtu përfshin grupe të tjera si banat suabianët. Kjo e bën të vështirë të dallohet se sa saksonë jetuan dikur në Rumani. Një gjë është e sigurt, megjithatë. Vetëm një pjesë mbetet në Transilvani – më pak se 15 mijë njerëz.

Emigrantët lanë pas vetëm shtëpitë dhe kulturën e tyre. Këto zakone dhe tradita, të paketuara me kujdes në kuti, ngadalë mblodhën pluhur. Një histori që filloi gjatë shekullit 12 me imigrimin e kolonëve gjermanishtfolës nga zonat e Rajnas së Mesme dhe Frankonisë së Mesme, përfundoi vetëm pas disa dekadash të komunizmit rumun.

Komuna Keizd, Saschiz në rumanisht, është tani shtëpi e vetëm 26 prej 1200 saksonëve vendas. Shumica paketuan plaçkat menjëherë pas revolucionit 1989. Në vjeshtën e 1990, njerëzit në përllogaritjen në Keizd, rreth 80 për qind e komunitetit sakson kishte lënë shtëpitë dhe fermat. Edhe kleri emigroi.

Megjithatë, dy shtyllat e jetës saksone ende qëndrojnë në Keizd, pavarësisht se në gjendje të rrënuar. Kulla në sheshin qendror varet në vend që t’i rrijë mbi krye një kishe të vjetër të fortifikuar.

Përkarshi kullës, fjalët “Shkolla fillore ungjillore gjermane”, tregojnë një histori të së shkuarës. Kisha e fortifikuar u përdor si një mbrojtje kundër tartarëve dhe otomanëve gjatë Mesjetës në këtë bazë ushtarake të dobët në Evropën Juglindore. Shkolla përcolli solidaritet kulturor, duke përdorur gjuhën gjermane dhe veçanërisht dialektin e Transilvanisë.

Sot, kulla me muret e krisura ruan vetëm një territor modest. Shumica e shtëpive me ngjyra të saksonëve qëndrojnë bosh. Ngjyrat po zbehen dhe tullat mungojnë. Në shkollën e braktisur, asgjë nuk është studiuar prej vitesh. Nuk ka më fëmijë saksonë. Vetëm gjëmimet e kalimit transit gjatë rrugës rurale që të çon në qendrën e distriktit Brasov, që saksonët e quajtën Kronstadt, 100 kilometra nga Keizd.

“Trafiku i rrugës do ta shkatërrojë kullën tërësish”, – thotë Dorothea, e zemëruar. Ajo menaxhon pronat e komunitetit të kishës Luteriane në Keizd: kullën, kishën, dy salla koncertesh, një kopsht të madh në skaj të famullisë dhe një copë të vogël toke pjellore. Ajo nuk do ta vazhdojë menaxhimin e pronës për shumë gjatë. “Përndryshe ky vend do të më thyejë edhe muaj gjithashtu”, – thotë ajo.

Dorothea e vëzhgoi me shqetësim largimin e saksonëve në 1989. Por t’i bashkohej atyre as që bëhej fjalë atëherë. Ajo kishte pasur shpresa për zgjim demokratik të Rumanisë, kujton 51-vjeçarja. Në fakt, ajo aplikoi për largim në Gjermani në vitet ’80 dhe si pasojë u ndalua të punojë si mësuese. Por ajo nuk donte ta braktiste Transilvaninë në 1989 kur diktatura nuk pengonte progresin e Rumanisë.

Prindërit dhe motra e saj kishin marrë një vendim tjetër dhe u larguan. Më shumë se një herë motra u përpoq ta bindte Dorothean t’i ndiqte ata në Gjermani. Pa dobi.

“Kisha shtëpinë time të vogël këtu dhe një copë tokë. Jam ndjerë gjithnjë e lidhur me këtë rajon”, – thotë ajo. Atëherë me besim te vetja, ajo i vendosi shpresat në Rumani. “Menduam se një jetë perëndimore do të ishte e mundur së shpejti në Rumani. Vendi kishte potencial. Burimet, njerëzit, gjithçka!” Ajo e përplas grushtin në tryezë.

Por, mungonin elementët kyçë, thotë ajo. Politikanët e rinj ishin të korruptuar dhe sensi i komunitetit ishte ulur. Dhe liria? “Çfarë lloj lirie është ajo ku mund të përballoj vetëm një udhëtim deri përtej gardhit tim?”, – pyet ajo. Pak ka ndryshuar në Rumani gjatë 25 viteve të fundit, thotë Dorothea. Dhe shumë pak ka ndryshuar për mirë. Në fshat, kushdo sheh punën e tij. Nuk ka jetë në komunitet mes fshatarëve të vjetër, rumunëve dhe romëve që kanë marrë shtëpitë e saksonëve.

Jeta në Transilvani ka qenë e thjeshtë dhe e vështirë për shekuj. Sipas stinëve, fermerët punonin tokat dhe e ndanin peizazhin kodrinor në rripa shumëngjyrësh të grurit, verës dhe kullotës. Fqinjët punonin, mbillnin, korrnin dhe festonin së bashku. Ishte e rrallë që ndokush në fshat të vdiste vetëm. Si një orë, të gjithë punon bashkë, komuniteti mbronte të dobëtin, vejushat dhe jetimët dhe kontrollonte pjesën tjetër. Pyetjeve iu përgjigjej pastori luterian, që predikonte zellin dhe modestinë mes ndjekësve të tij.

Rudi Ziegler, djali i Dorotheas, është i mësuar me faktin se prifti nuk jeton më në famullinë në qendër të fshatit por vjen në Keizd për shërbime. 28-vjeçari punon si inxhinier në një kompani gjermane të ndodhur në qytetin Sighiṣoara aty pranë dhe nuk e ka të vështirë të pranojë realitetin e ri si nëna e tij. Ai nuk ka njohur kurrë gjë tjetër.

Kur e pyet nëse do të emigrojë, ai thotë me kujdes se shpreson që gjërat të përmirësohen në Transilvani. Për tani, ai do të qëndrojë mes peizazhit kodrinor, buzë një korije të vogël, ku gjithçka ndjek ritmin e natyrës.

“Falë kompanive gjermane, kamë perspektiva këtu”, – thotë burri me pamje djaloshi. Pa investitorë të huaj, megjithatë, situata do të ishte krejt ndryshe. Pak nga industria rumune i ka mbijetuar ndryshimit të sistemit dhe shumica e njerëzve në rajon jetojnë duke u mjaftuar me ato që kultivojnë në fermat e vogla. Dhe presidenti i ri i vendit me etni gjermane? Zgjedhja surprizë e Klaus Iohannis, një burrë me origjinë saksone, dhjetorin e shkuar, ‘nuk e ka ndryshuar situatën’, këmbëngul Rudi, ndonëse i jep gjermanëve të mbetur një ndjesi krenarie.

Pak hapa më tej, Katharina Ziegler pret në kishë për disa vizitorë. Ajo gjithashtu zgjodhi të qëndrojnë në Keizd jo vetëm kur ra sistemi komunist por edhe kur bota u shemb në Keizd – megjithëse ajo nuk e kishte plotësisht nga vullneti. Prindërit e saj donin të qëndronin, ndaj gruaja trupvogël veproi po ashtu.

“Çfarë më mungon më shumë janë miqtë e mi”, – thotë 48-vjeçarja. Ndonjëherë Dorothea, me të cilën ajo ndan të njëjtin mbiemër, por që nuk kanë lidhje, e viziton atë. Gratë pinë çaj dhe flasin rreth kohërave të shkuara. Së bashku rimbledhin një periudhë të humbur. Dorothea është e shoqja e fundit e ngushtë me të cilën mund të flasë në gjuhën saksone, thotë Katharina, pasi fëmijët e tyre nuk e kanë mësuar dialektin.

Kur filxhanët zbrazen, Dorothea rikthehet në shtëpi në këmbë. Asaj i duhet të marrë rrugën e shkretuar që ecën krah shkollës së shkatërruar gjermane. Ajo mbyll derën pas vetes dhe përkëdhel macen. Në kohë si këto, ajo mendon se jeta do të kishte qenë më e mirë për të në Gjermani. Por tani është shumë vonë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here