Samiti i PPE-ve në Bruksel/ Basha: Marrëveshje për dekriminalizimin, reflektimi hap rrugën e normalitetit në Kuvend

0
109

Sot kryedemokrati takim me ndërmjetësuesin Fleckenstein, të hënën me Kukanin

basha ne bruksel 2Kryeopozitari Lulzim Basha është shprehur për marrëveshjen që pritet të ndodhë me ndërmjetësimin e dy eurodeputetëve, Eduard Kukan dhe Knut Fleckenstein këtë javë. Ndërmjetësimi i dy europarlamentarëve do të jetë përcaktues nëse deputetët e opozitës do të thyejnë bojkotin e Parlamentit, tani kur po afrohet edhe data e djegies së mandateve. Në një intervistë dhënë në Bruksel, ku po merr pjesë në punimet e samitit të Partive Popullore Evropiane, kryedemokrati Lulzim Basha këmbënguli në kërkesën për dekriminalizimin e Kuvendit dhe të institucioneve të larta publike. Sipas Bashës, kjo është jetike për rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian. “Do të mundësonte zbatimin e Kushtetutës, vendimet e Gjykatës Kushtetuese sot dhe të nesërmen, jo si një favor i njërës palë ndaj tjetrës, por si një detyrim për shtetin e së drejtës. Do të mundësonte procesin jetik për Shqipërinë në rrugëtimin e saj evropian, dekriminalizimin e Kuvendit dhe të institucioneve të larta publike”, – është shprehur Basha gjatë intervistës. Kreu i PD-së është shprehur se opozitës asnjëherë nuk i ka munguar vullneti për të marrë pjesë në punimet e Parlamentit, por që të realizohet kjo duhet të ekzistojë edhe gatishmëria e shumicës qeverisëse. “Partia Popullore Evropiane është shprehur qartë me rezolutën e Asamblesë Politike dhe ka ecur një hap më përpara, duke emëruar europarlamentarin Kukan si një nga dy negociatorët evropiane, të cilët kanë marrë përsipër misionin e ndërmjetësimit midis opozitës dhe shumicës për një marrëveshje politike që do të mundësonte funksionimin normal të parlamentit”, – është shprehur kryedemokrati.

 

Intervista

 Partia Evropiane Popullore ka një rol kyç tashmë në negociatat apo ndërmjetësimin mes mazhorancës dhe opozitës në Shqipëri për të zgjidhur ngërçin politik dhe çfarë ju është thënë sot?

Partia Popullore Evropiane është shprehur qartë me rezolutën e Asamblesë Politike dhe ka ecur një hap më përpara duke emëruar europarlamentarin Kukan si një nga dy negociatorët evropianë, të cilët kanë marrë përsipër misionin e ndërmjetësimit midis opozitës dhe shumicës për një marrëveshje politike që do të mundësonte funksionimin normal të Parlamentit. Do të mundësonte zbatimin e Kushtetutës, vendimet e Gjykatës Kushtetuese sot dhe të nesërmen, jo si një favor i njërës palë ndaj tjetrës, por si një detyrim për shtetin e së drejtës. Do të mundësonte procesin jetik për Shqipërinë në rrugëtimin e saj evropian, dekriminalizimin e Kuvendit dhe të institucioneve të larta publike.

 

Kemi marrë vesh në fakt nga burime të ndryshme se jeni afër arritjes së një marrëveshjeje dhe, me sa duket, palët janë dakord për të pesë pikat. Është e vërtetë?

Unë nesër do të takoj në Tiranë zotin Fleckenstein dhe të hënën zotin Kukan. Shpresat dhe besimi im është që përmes reflektimit në përputhje me problemet kryesore që shkaktuan këtë gjendje, që ishte përdorimi i dhunës me skenarë të mirorganizuar në Kuvendin e Shqipërisë kundër opozitës si dhe shkelja flagrante e Kushtetutës dhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nga shumica, të tejkalojmë këtë situatë përmes një marrëveshje politike, do t’i hapim rrugë rikthimit të normalitetit të Parlamentit të Shqipërisë.

 

Ministri i Jashtëm i Sllovakisë, Lajçak, ka thënë se ai është optimist se, në fakt, Shqipëria mund të arrijë një marrëveshje shumë shpejt, madje është edhe një lloj dhurate ditëlindjeje për Krishtlindjet. Mund të jetë e arritshme kjo?

Unë nuk besoj në dhurata, besoj në vullnet të palëve për të kontribuar në përputhje me parimet, normat, standardet e Bashkimit Evropian për një Shqipëri evropiane, e cila nis me një Parlament që i bindet Kushtetutës, që e zbaton atë, në një Parlament të pastër nga influencat e krimit të organizuar, i denjë për përfaqësimin e qytetarëve shqiptarë. Dhe pa dyshim, nëse ka vullnet politik, kjo është në dorën e palëve. Në radhë të parë të shumicës që ka edhe përgjegjësinë kryesore për situatën e krijuar dhe së dyti edhe të opozitës shqiptare, e cila e ka shprehur tashmë prej kohësh vullnetin për të ecur përpara.

 

 Takim me Fleckenstein/ Meta: Të hapur për çdo iniciativë të opozitës

 Ndërsa sot pritet të takojë dy krerët e PS dhe të PD-së, dje pasdite kreu i Kuvendit, Ilir Meta, zhvilloi një takim me eurodeputetin, ndërmjetësuesin mes qeverisë dhe opozitës, Knut Fleckenstein. Pas takimit, kreu i Kuvendit zbardhi bisedën që zhvilloi me të dërguarin e posaçëm për një marrëveshje të mundshme qeveri-opozitë. Pesë pikat kyçe të integrimit të Shqipërisë në BE, bëri të ditur Meta, ishin në fokusin e bisedës dhe po ashtu marrëveshja që pritet të realizohet mes qeverisë dhe opozitës. Mes të tjerash Meta tha se mazhoranca është e hapur për çdo iniciativë që ka ndërmarrë opozita. “Me eurodeputetin Fleckenstein diskutuam për marrëveshjen. Diskutuam për 5 prioritetet e integrimit të Shqipërisë. Gjithashtu diskutuam edhe për marrëdhëniet pozitë-opozitë. Jemi të hapur për çdo dialog mbi baza të parimeve demokratike. Të hapur për çdo iniciativë që propozohet nga opozita”, – tha Kryeparlamentari.

 

Sot Fleckenstein takim me Ramën dhe Bashën

 Gjatë ditës së sotme, kreu i qeverisë dhe ai i opozitës pritet të realizojnë, veç e veç, takim me eurodeputetin Knut Fleckenstein për një marrëveshje të mundshme mes dy palëve. Kjo pritet t’i japë fund bojkotit gati 6-mujor të opozitës ndaj Kuvendit. Bisedat pritet të fokusohen në 5 kërkesat e opozitës për dekriminalizimin e Kuvendit dhe të respektimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nga ana e mazhorancës. Dy nga kërkesat tashmë qeveria i ka përmbushur, ngritja e komisioneve hetimore dhe koha e barabartë për të folur në Parlament të një përfaqësuesi të PD-së. Ndër 5 kërkesat duket se më e ndjeshmja është deklarimi i deputetëve nëse janë të përfshirë në ndonjë vepër penale. Kjo, sipas PD-së, duhet të ndodhë në fillim të nisjes së një mandati të mazhorancës që krijohet mbas zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare.

 

5 pikat e opozitës për rikthimin në Kuvend

Marrëveshja me 5 pika

1- Respektimi i të drejtës së opozitës për ngritjen e komisioneve hetimore (u votuan dy komisionet)

2- Zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese (u zbatua vendimi për ngritjen e komisioneve)

3- Ndryshimi i rregullores së Parlamentit për të njësuar kohën në Parlament me Kryeministrin, të kreut të grupit të PD-së ose një deputeti të mandatuar nga grupi (u votua në Parlament)

4- Garanci se mazhoranca nuk do të bëhet pengesë e drejtësisë për rastet e hetimit të deputetëve

5- Hartimi dhe miratimi i një ligji në muajt e parë të vitit të ardhshëm për dekriminalizimin e Kuvendit

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency