1953/Debati për gjuhën / Përgjigje studiuesve të huaj, sa fjalë të shqipes vijnë nga latinet dhe italianet

0
151

Mustafa_Kruja

Kuvend letrash me miqtë, letërkëmbimi i pasur i Mustafa Merlikës-Kruja, i përfshirë në katër vëllime, jep dimensionin jo vetëm të këtij personaliteti, por dokumenton e zbardh shumë anë të errëta të historisë sonë në periudhën më delikate, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur pushtetin e morën komunistët. Janë 11 vjet letërkëmbim me fratin pukjan që e gjeti firmëtarin krutan në një gjendje të vështirë shpirtërore “pa familje, por me uzdajë se nji ditë e shoh, veçse pa miq përgjithmonë”. “Standard” nis publikimin çdo fundjavë të letrave

 

Jeta në mërgim e shqiptarëve, sidomos e shkrimtarëve, intelektualëve që lanë Shqipërinë më `45 nuk mbeti në kufijtë e ikjes. Në përpjekjen për veprimtari kombëtare për “shpëtimin” e vendit nga Enver Hoxha, ishin edhe çështjet për gjuhën, letërsinë dhe shkrimin e historisë së Shqipërisë. Gjuha shqipe, më shumë e panjohur dhe pak e depërtuar në origjinalitetin e saj, në argumentin e përfshirjen në familjen indoevropiane, si nga më të vjetrat në rrënjë, jo pak herë hidhte në dyshime e spekulime studiues të huaj. Për këtë rast, Mustafa Merlika i dërgon letër priftit pukjan, at Paulinit, ku jepen saktësisht edhe ndërhyrjet latine apo italiane në fjalorin e gjuhës. Kështu, në vëllimin e katërt të serisë së letërkëmbimeve të Mustafa Krujës me miq e bashkëpunëtorë, personalitete të jetës politike e kulturore të Shqipërisë të fushave të ndryshme, të botuara nga “OMSCA-1”, ky konsiderohet më i ploti e ndoshta më interesanti për lexuesin, mbasi paraqet një letërkëmbim mes dy personalitetesh krejt të ndryshëm nga mosha e nga formimi, por me një ndihmesë të çmuar në kulturën kombëtare që, nëpërmjet bisedës së tyre letërore, marrin në shqyrtim e ftillojnë ndodhi e tema të ndryshme të historisë shqiptare të gjysmës së parë të shekullit të shkuar. Njëri ishte një protagonist i jetës politike, por edhe i asaj kulturore, njëri nga firmëtarët e Dokumentit të Pavarësisë, pjesëmarrës në shumicën e ngjarjeve që shënuan historinë e shtetit shqiptar në tridhjetë vitet e para të qenies së tij. Tjetri ishte një frat françeskan, një ish-mësues historie në liceun “Illyricum”, që e kishte bërë hulumtimin e kësaj lënde qëllimin kryesor të jetës së tij, krahas atij të shërbyesit të fesë.

I ndante një ndryshim moshe prej njëzet vitesh, por i bashkonte dëshira e studimit të thellë, dashuria për vendin e tyre, ngulmimi në kërkimin e së vërtetës historike, shpresa, e mbetur vetëm në kufijtë e termit, për të parë një Shqipëri demokratike e dinjitoze. Letërkëmbimi filloi një ditë prilli të vitit 1947, kur Atë Paulini, që jetonte në Bolzano, në një kuvend ku kryente detyrën e meshtarit, merr vesh se në Ortisei, një lokalitet turistik i Trentinos, një nga vendet më të bukura të Italisë, banonte Mustafa Kruja, një emër i njohur i jetës shqiptare. Vendos t’i shkruajë për të vendosur një lidhje me të. Këto letra bëjnë pjesë në vëllimin e katërt, ku letërkëmbimi i pasur i Mustafa Merlikës-Kruja, i përfshirë në katër vëllime, jep dimensionin jo vetëm të këtij personaliteti, por dokumenton e zbardh shumë anë të errëta të historisë sonë në periudhën më delikate, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur pushtetin e morën komunistët. Gazeta “Standard”, me të drejtat e botimit nga “OMSCA-1”, çdo fundjavë publikon disa letrave të rralla, me personalitete të politikës e të kulturës. Edhe pse letërkëmbim, ajo që çmohet në to është sqima e dijes, sikur këta të ishin artikuj të publikuar për lexues, e jo mes vetes. Ndoshta kjo ishte një projekt-perspektivë e Krujës, gjë që ia impononte çdo letërkëmbyesi, si në këtë rast, duke na dhënë një shkollë të mendimit.

 

 

 

 

***

Ramleh, 28. II. 1953

 

I dashuni mik,

Kam marrë t’ânden me 13 k.m. Mâ e mbrapmja para ksaj ka qênë me 7 dhetuer. Kam qênë habitun për nji heshtje kaqë të gjatë prej anës s’ate, mbasi un t’isha përgjegjun edhe jo fort vonë, me gjith qi s’e mbaj mênd kur. Tash po e marr vesht prej letrës s’ate se na paska ndodhun edhe ksi shtegu si nji herë tjetër : na paska humbun edhe nji letër. Por s’po dij me i dhânë dum në se ka qênë e jotja apo e imja. Me gjithë këtê, po ka fort gjâsë qi ka qênë e jotja. Se ti shkruen tash: “Shpresoj se kjo leter s’ka me u ndeshun rrugës me letrën t’ânde, me përgjegjen e letrës së kalueme”. Prej këtyne fjalve del se ti m’a ke nisun edhe nji letër tjetër tash vonë para ksaj të fundit, qi un s’e kam marrë. Nuk besoj se letrat e shkëmbyeme ndërmjet neve të dyve i ndal cenzura, se kuj jemi tue i a çamë kryet na të shkretët me politikë. Këtê mâ va kemi lânë specjalistavet! Apo mâ mirë me thânë profesjonistavet? Prandej kisha me thânë se ka humbun gand, ndoshta pse disa përdasa të postave të këtushme mund të mos dijnë me i kënduem adresat në gjuhë të hueja. Për kët’arsye ksi shtegu po të mbyll këtu edhe dy zarfe të shkrueme arabisht e ti shtoju, kur të shkruejsh, edhe latinen.

Librin, atij studentit qi po më porosit kam me i a dërguem pa tjetër. Mundesh me më porositun edhe kêdo tjetër qi t’a dijsh se i vjyen. Ky libër âsht shkruem për nji qëllim kombtar e po për atë qëllim duhet shpërdamë në sa mâ shumë duer, ku nuk shkon kot.

Tý due me t’imtuem në mënyrë të posaçme qi t’a studjojsh me sŷ kritiku e jam gati me të dhânë çdo kthiellim qi të më kërkojsh, e kisha me dashun, madje, qi të më rrjedhin letra me kso kërkesash prej gjithandej. Por kush ka ngé sod me çamë kryet për gjuhën shqipe?!

Matja âsht lugin’ e lumit të njiêmënt e rrethueme me male në tri anë dhe e hapët vetëm në perëndim ku përpiqet me bajrakun e Bazes e Bishkashit prej tre bajrakve t’Ohrit. Malet e saja nuk janë përnjimênd aqë të nalta sa me u quejtun të pakapërcyeshme. Besoj se nuk i kalojnë 1200-1500 metrat kurrkund. Âsht e vërtetë se sundimi tyrk ka qênë edhe n’atë krahinë sa për emën si ndër gjithë malet tjera të Gegnisë. Por feja mohamedane, qi âsht mjaft e vonë atje, ka bâmë efektin e vet si në gjuhë ashtu edhe ndër doke. Matjanët tash vonë, ndoshta nja njiqind vjet e këndej, kanë rrahun mjaft rrugat e mërgimit për punë në Stamboll e ndër qytete tjera të mbretnisë. E kur janë kthyem ndër votrat e tyne kanë sjellë me vete fjalë e zakone të hueja. Sa për me e qujtun Maten gurrë të popullit shqiptar, siç po dashka Stadtmülleri, kishte me qênë nji gabim trashanik. Auktorët e IAF njimênd pohojnë nji gjâ të këtilë, por për gjithë Shqipnin’e Mesme e jo për Maten vetëm. Un madje i ap këtij pohimi nji tjetër kuptim. U shtri prej Shqipnisë së Mesme jo populli, por emni i Arbanvet-Arbnorvet-Arbnet-Arbneshvet – thuej si të duesh -, përmbi krahinat tjera, të cilat ishin të banume prej së njâjtës farë, ndonse me emna fisesh qi kemi edhe sod.

Âsht e vërtetë edhe se Krahin’ e Korçës s’ka qênë kurrë greke, as heret as vonë, posë kur ka sundue mbi tê mbretnija byzantine, sikur mbi Shqipninë tjetër.

Për shkolla e kulturë tyrke kam folë rrëshqitas në krye t’Abetarit t’em. Por âsht krejt e vërtetë qi Tyrqit e kanë ndaluem këndimin e shkrimin e gjuhës shqipe për arsye politike. Abdyl-Hamidi II – se vetëm në kohë të tij kanë nisun shqiptarët e Shqipnisë me u kujtuem për shkrimin e gjuhës së tyne – e quente vêndin e popullin t’onë si mâ të fortën fortesë të mbretnisë n’Evropë e dronte – me të drejtë ndoshta – se shkolla do t’u çilte sŷtë e do të fillojshin mbandej me kënduem tjera kângë, e jo atë të babës dovlet. Ky ndalim s’pështetej në ligjë, por bâhej me veprime arbitrare, si të gjitha punët e atij sundimi autokratik. Edhe mbas shpalljes së regjimti kushtetuer në 1908, Tyrqit e rij po nj’ashtu bânë e të gjitha ndeshjet e intelektualvet shqiptarë me Tyrqit ato katër vjet, deri në luftën balkanike, andej filluen.

Kujtoj se me kaqë, ndonse shkurt, u jam përgjegjun gjithë pyetjeve të tua.

Sod mora nji letër prej t’im bir qi më kallzon edhe për letrën t’ânde “molto gentile”. I kam dhânë vetë lêjë me më shkruem italisht. Ai âsht rritun n’Italí qysh tri vjetsh e shqipja i vjen e vështirë në shkrim e un i lyp letra të gjata.

Me shumë shëndet e urime qi mos të na hupin mâ letra tjera.

MKruja

 

  1. S. Qe se paskam harrue nji pyetje pa i u përgjegjun: ALBANOPOLIS, mbas auktorëve të IAF ka qênë afër Krujës ku sod gjindet katund’ i Zgurdheshit (Skorteshe e shkruejnë ata) e ku gjinden edhe shumë gërmadha, qi un s’kam pasë rasë kurrë me i pamë vetë.

 

 

Graz, me 4 Marc 1953

 

I dashuni mik,

Edhe nji herë paska pasë hupë nji leter e êmja. Kta po e xjerri prej letres s’ate qi e mora njetash mjesditë. Po vêhem me t’i bâ edhe njiherë pyetjet e asaj letre, me sá të më bíjn nder mend, pse kso heret nuk po e kam para vedit kopjen e asaj.

Të pata pyetë n’at leter se sá fjalë kishe n’at fjalorin t’and, gati per shtyp, qi kanë rrjedhë prej gjuhës latine ase italjane. Prap edhe ktu âsht Stadtmüller-i qi po m’ep rasen me t’a bâ ket pyetje. Ky thotë, tue persritë fjalët e Meyer-it, qi nuk ka pasë veç 5000 fjalë para duersh, se gjuha shqipe ka mâ se nji të katërt të fjalve të rrjedhuna prej latines. Kishe me dashtë me dijtë me taminá se sa fjalë me rrâjë latine ké pasë në fjalorin t’and të pabotuem. Natyrisht s’ka nevojë me më dhânë nji numer egzakt, por vetem me më thânë se sá per qind, e kta vetem me gjasë.

Pyetje tjeter kje, në se ti mundesh me më diftuem, se ku mund i gjêj me i lexue kta libra të shkruem prej dores së palodhshme tande: Librin e Kuq, qi ké pasë shtypë në

Romë në rasen e konferencës së Parisit e librin e Gjorçeviqit, qi ké pasë perkthye prej serbishtje e botuem në Zarë. Mbas të tana gjasësh vetë do t’udhtoj njandej kah gjysa e prillit per Bologna e Romë, e due me dijtë ku mundem me i shtî në dorë kta dy libra, sa me i lexue nemose.

Edhe ksaj letre, pra, ké me mujtë me m’i pergjegjë, pse deri në gjysen e prillit jam sugurisht endè ktû në Graz, per mâ vonë tash kam me mujtë me të njoftue me sugurí vetëm mbas gjysës së prillit. E puna e jote si u bâ, qi nuk po mundesh me kalue n’Amerikë? E miku yt i madh si nuk po shkon n’ Amerikë? A thue âsht ndonji hundë-lesh qi nuk po e lên me kalue atje, a si âsht puna?

Ndoshta mâ vonë tash më bien nder mend pyetjet tjera të letres së hupun.

Librin t’and endè nuk e kam kndue, ashtu si e kam zanat vetë, por vetem sa marrë neper dorë e shfletsue sa grima. Më vjen keq qi nuk ké pasë para sysh Botimin e katert të “MRIZI I ZANAVET”, të shtypun në vjetën 1941 me komentim prej A. Viktor Volaj. Aty në faqe 15-17 âsht vjersha “Hymni i Flamurit Kombtar”. Perkthesen “Bini Toskë, ju, bini Gegë” etj. në rasen e njizet e pesë vjetorit, kúr u rrah çashtja e flamurit kombtar, per të zhdukë çdo regjonalizem, P. Gjergji e ka pasë shndrrue. Rreshtin e tretë e ka pasë vjerrshue kshtu:

“A njadhnjyesë a t’gjith deshmorë!”. Mbasi më rrshiti nji gabim, po më duhet me t’a shkrue krejt strofen si âsht në ket botimin e katert të MRIZIT:

“Bini, Toskë, ju bini Gegë!

Si dý rrfé, qi shkojn tue djegë!

A ngadhnjyesë a t’gjith deshmorë!

Trima, mbrendë! Me dorë! Me dorë!

 

Kështu âsht taman, pa kurrnji gabim, krejt si në liber! – Tash nji grimë humor e gaz. Ket strofë nji i pahajr, nuk e dij as vetë se kush, me gjasë P. Gjergji vetë, e ka pasë dredhë sá per gaz njiherë kshtu: “Bini, kokës, ju bini krés – se u ka mblue jú faqja e zezë – Bini n’pshesh, bini në laknorë – Trima, mbrendë! Me dorë! Me dorë!”. Në nji botim të dytë të librit t’and, mos gabo me vû ket të dyten si perkthesë, por atë të sypermen!…

Me kaq po i ap fund edhe ksaj letres së shkurtë s’ême, me shpresë se nuk do të hupë ndokund neper ujnat e njelmta të Mjesdheut.

Shum shndet e të mira të dergon nga zemra.

Iyti

  1. P. MargjokajO.F.M.

 

 

 

Ramleh, 22. III. 1953

I dashuni mik,

Po i përgjegjem s’ates me 4 të këtij mueji.

Un s’i kam pasë njehun fjalët qi ka marrë gjuha shqipe prej latinishtes e gjuhësh tjera romane e neolatine. Me thânë të drejtën, as numrin e përgjithshëm të fjalve të fjalorit t’em s’e dij me të saktë. Por të thânat e Meyerit tashmâ janë vjetruem e duhet me kërkuem ndër shkrimet e Joklit ndonji të vërtetë mâ të sigurtë. Mue mjerisht pak më ka râmë me këndue prej veprave të këtij albanologu të madh. Stadtmülleri âsht nji publicist, por jo nji dijetar as studjues, sidomos jo nji gjuhtar, as nji historjan. Ai ka qukrruem andej e këndej edhe ka nxjerrë nji libër qi mund të ketë ndonji vjeftë të përgjithshme si shumë libra tjerë qi janë shkruem mbi Shqipninë e Shqiptarët. Natyrisht edhe me shumë gabime ndoshta si ndodh gati kurdoherë për këtë kategorí shkrimtarësh jo të specjalizuem. Ai ka cituem tekstualisht mbase, apo gati ashtu, fjalët e Meyerit qi ka gjetun 1420 vokabuj me rrâjë latine në shqipet. Jireceku mbandej shkruen, e kushdi se cili tjetër mâ qi “mbasi shqipja s’ka mâ shumë se 5000 fjalë gjithsejt”, don me thânë se mâ tepër se e katërta e tyne kanë rrjedhun nga latinishtja e gjuhët latine. Por tekembramja, edhe si të jetë kështu e në dashtë le të jetë edhe gjymsa e fjalëvet shqipe t’ardhuna prej latinishtes, ç’del prej ksaj? Âsht vetëm nji çâshtje gjuhtare. Fakti âsht qi shqipja themelisht âsht nji gjuhë indevropjane e vjetër e provueme me prova shkencore të pakundrështueshme. Bullgarët me racë janë Tatarë, siç e din gjithë bota e me gjuhë janë sllavizuem aqë sa janë Sllavë Sërbt e Rusët. Ç’u ka mbetun vallë hungarvet prej gjuhës tyrko-tataro-mongolle? E Finvet?

Librin e Kuq besoj se do të mundesh me e gjetun në Romë. Mâ mirë se kushdo tjetër mundet me e ndriçuem Dhimitër Beratti qi gjindet atje. Se edhe ky ka qênë delegat i kolonisë shqiptare të Bukureshtit në konferencën e Paqës e âsht edhe ky nji biblijofil, si na. N’e gjeça un këtu nji të dytë do t’a kemë për ty. “Shqipnija e Fuqit’ e Mëdhá” do të gjindet ndoshta n’ Amerikë, se i kam pasë dërguem nja 500 copë atje e njeriu qi i ka pasë marrë prej meje gjindet ende gjallë. S’e kam gërgamë, por po shpresoj se nji ditë kam me votun vetë e… kur të më shohë me sŷ mund të merrem vesht mâ lehtë me tê se me letër a me ndërmjetës! Edhe për këtê mund t’a pyetsh Berattin kur të vetsh në Romë. Tjetër udhë s’po dij me të kallzuem. Po të premtoj veç edhe për këtê të dytin qi në më rafshin në dorë ndonji herë edhe vetëm dy, njâni ka me qênë i yti.

Or po a e ke pasë marrë fotografinë t’eme? Më duket se t’a kam pasë dërguem.

Amerik’ e ime âsht ende pezull. Kam me të shkruem për tê kur të jetë damë ndo andej ndo këndej. Sa për mikun t’em, ky s’kishte me pasun ndonji pengim prej Amerikanvet, për këtê mundem me të siguruem. Por se ç’arsye tjetër âsht tue e penguem, këtë as un s’e dij. E shi ky ngurrim i tij m’a ka ngatrruem kryesisht lâmshin edhe mue.

Ah, lum miku, me e dijtun ti me sa vështirsina, ngutë e pa mjete âsht përgatitun ai Abetar i të Mërguemit! Kurrgjâ s’kam pasun këtu qi të më vjyej për tê, jo se mâ botesën e re të Mrizit të Zânavet. Të falem nderës fort për versjonin humoristik të strofës qi më çove. Më ka kënaqë. Po kush tjetër mund t’a ketë kthyem ashtu, veç P. Gjergjit? A e din me ça kam pasë dashun t’a mbyll Abetarin? Me Nakdomonicin! Por kam plasun tue i kërkuem në këtë mërgim Anzat e Parnasit e Gomarin e Babatasit e kurrsesi s’kam mundun t’i gjêj. Në këtë gjêndje shpirtnore, jo Lahuta e Malcisë, por ato kishin me më kënaqun.

Me kaqë e më gzofsh edhe Pashkët. Borxh’ i vonë ngushllon të zonë thonë ndër ne. Po e kundërta, dmth. kur t’a lán kush borxhin para kohet?

Mustafa

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency