De Biazi: Të harrojmë atë çka ndodhi në Serbi, të shohim para Italinë dhe Francën

0
116

de-biasi3

JurgesVeizaj

Tekniku italian është shprehur se është i lumtur për ekipin që ka, duke thënë se do të bëjnë më të mirën si ekip, që të shkojnë edhe më lart

Tekniku i Shqipërisë, Xhani de Biazi, ka folur në një konferencë në shtyp para ndeshjeve miqësore me Italinë dhe Serbinë. Tekniku italian ka prezantuar lojtarët që do të ketë në dispozicion dhe është shprehur shumë entuziast për lojtarët dhe për frymën që ekziston brenda ekipit. Kuqezinjtë do të përballen me Francën më 14 nëntor dhe Italinë më datë 18, në ndeshjen pas një tetori të vështirë për kombëtaren, për shkak të ngjarjeve në Beograd. Trajneri italian si fillim gjeti rastin të falënderonte tifozët kuqezi për suportin, por shprehu dhe mbështetjen për portierin Alban Hoxha, që po kalon një moment të vështirë në jetën e tij personale: “Këto dy sfida vijnë në një moment të veçantë, pas incidenteve në Beograd dhe tashmë duhet t’i rikthehemi normalitetit. Tifozët na kanë mbështetur së tepërmi në gjithë këtë periudhë, duke organizuar dhe protesta në mbarë Evropën. I falënderoj që na kanë qëndruar pranë dhe që kanë shprehur dashurinë e tyre për ngjyrat tona, ngjyrat kuqezi. Gjithashtu gjej rastin të shpreh mbështetjen time, por portierin tonë Alban Hoxha, që po kalon një moment të vështirë në jetën e tij private. Uroj që bashkëshortja e tij ta kalojë sa më shpejt këtë moment të vështirë dhe Albani të rikthehet sa më shpejt pranë nesh”. Për sa i përket listës me 27 emrat e përzgjedhur nga De Biazi spikasin, ai i Arlind Ajetit i grumbulluar për herë të parë në përfaqësuese por dhe ai i mesfushorit të Tiranës, Erando Karabeci. “Arlind Ajeti është lojtar i ri, me perspektivë, e kemi grumbulluar dhe të shikojmë nëse do të na ndihmojë por baza mbetet formacioni me Portugalinë”. Por cilat janë synimet e Shqipërisë në këto dy përballje, objektivat në eliminatore pas tre ndeshjeve të para dhe pse Shkëlzen Gashi nuk është aktivizuar ende titulluar nga trajneri, ishin disa prej pyetjeve që De Biazi arriti. “Të jemi realist, nuk jemi në lartësinë e kombëtareve të tjera të grupit dhe nuk jemi as favoritë për t’u kualifikuar por po bëjmë një punë mjaft të mirë dhe kemi një grup të rinj lojtarësh. Këtë do të përpiqemi ta tregojmë dhe në dy miqësoret e radhës. Me Italinë është një ndeshje e rëndësishme, do të synojmë të mos pësojmë shumë gola por nuk do të jetë e lehtë. Gjithashtu mendoj se do të jetë e vështirë të bëjmë surprizën me Francën, pasi është një nga ekipet më të forta në Evropë, kanë lojtarë të jashtëzakonshëm. Gjithsesi ju garantoj se ne do të japim më të mirën tonë. Pse nuk po gjen hapësira Gashi? Me skemën aktuale luajmë me 1 sulmues, por kjo nuk do të thotë se nuk do të aktivizohet. Në të ardhmen jam i sigurt se do të gjejë më shumë hapësira”. De Biazi foli gjithashtu dhe për një çështje të nxehtë të ditëve të fundit, atë të DionisAvdiajt, duke pranuar se ka pasur kontakte me babain e futbollistit. “Të hënën bisedova me babain e tij, do të flas gjithashtu dhe me Di Mateon për situatën e futbollistit te Shalke. Nëse Avdiaj do të luajë për ekipin e parë të Shalkes nuk do të ketë asnjë problem për t’u grumbulluar në kombëtare”. Në fund edhe sqarimi i De Biazit lidhur me dënimin e UEFA-s dhe atë se çfarë ndodhi në Beograd më 14 tetor: “FSHF do të apelojë vendimin e Disiplinorit, jam optimist se drejtësia do të vihet në vend. Në Beograd nuk ishte e mundur të riktheheshim në fushë, nuk është e vërtetë që kemi refuzuar të luanim sërish, por në atë situatë ku hidheshin sende, tifozët hynë në fushë ishte gjithsesi e pamundur të luhej”. Kombëtarja shqiptare sfidën e parë do ta ketë me Francën në Rene me 14 nëntorit, ndërsa 4 ditë më pas do të luajë në Xhenova ndaj Italisë. Ndërsa kjo është dhe lista e plotë e kuqezinjve për këto dy miqësore.

 

 

 

Raporti UEFA-s  / FSHF kundërshton arsyetimin: Dënimi, kontradiktor

Federata Shqiptare ka deklaruar dje për mediat se raporti i UEFA-s nuk ka qenë i bazuar mbi fakte reale, por i bazuar mbi supozime, çka hedh edhe më shumë dyshime mbi vërtetësinë e dënimit

UEFA ka dorëzuar pranë Federatës Shqiptare arsyetimin e saj se pse u dhanë ato sanksione për kuqezinjtë në ndeshjen ndaj Serbisë. Vendime që sollën një revoltë të madhe nga të gjitha trevat që e cituan si të pakuptimtë këtë dënim. Madje, shqiptarët në emigrim arritën të bënin protestë nëpër vendet e tyre, duke e kritikuar Federatën e Futbollit Evropian, që me këto vendime i tha “po racizmit” që është dhe lufta kryesore që kjo organizatë mundohet të bëj. Federata Shqiptare e Futbollit nëpërmjet përfaqësuesit të zyrës së saj ligjore, Envi Hicka, ka njohur mediat në një konferencë të posaçme për shtyp me vendimin e arsyetuar të Komisionit të Disiplinës në UEFA, që e dënoi Shqipërinë me humbjen e ndeshjes në tavolinë dhe me 100 mijë euro gjobë. Sipas Hickës, FSHF është e pakënaqur nga argumentimi i vendimit, pasi është kontradiktor dhe në përpjesëtim të zhdrejtë me arsyetimin e vendimit për palën serbe. “Jemi njohur me vendimin e arsyetuar si për ne ashtu edhe për palën serbe. Jemi të pakënaqur, sepse dallojmë se arsyetimi është kontradiktor. Provat që janë paraqitur nga ana jonë, nuk janë arsyetuar në mënyrë të logjikshme nga trupa e gjyqësorit”. Çudia më e madhe, sipas Hickës, qëndron në faktin se Shqipëria është dënuar për shfaqjen e dronit, ndërkohë që në stadium nuk ka pasur tifozë kuqezi. “Tifozët shqiptarë nuk kanë qenë të pranishëm në stadium dhe është e pakuptimtë që ne të dënohemi për një veprim që s’kemi mundësi ta bëjmë. Vendimi për ta na gjobitur është marrë me hamendësime”. Përfaqësuesi i zyrës ligjore të institucionit të futbollit shqiptar beson se provat që nuk u morën aspak parasysh nga Komisioni i Disiplinës nuk mund të anashkalohen nga Apeli apo nga Gjykata e Arbitrazhit Sportiv. “Mendoj se i kemi të gjitha provat dhe argumentet për ta fituar çështjen në Apel apo edhe në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv, ku siç e kemi theksuar edhe më parë, do ta ndjekim çështjen, në rast se Apeli nuk na jep të drejtë”.

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency