Skandali me paratë greke për portalet shqiptare, shpërthen debati në Athinë. Ja ç’shkruajnë mediat greke

0
320

Në Greqi ka shpërthyer skandali i financimit të mediave shqiptare dhe atyre maqedonase me fonde sekrete të Ministrisë së Jashtme, shumë kjo që kap rreth një milion euro.

Sipas medias greke, diskutimi rreth këtij skandali në Parlament dhe publikimi i lajmeve në media, provokoi edhe dorëheqjen si ministër i Jashtëm të Nikos Kotzias, pas sulmeve që i bëri atij ministri i Mbrojtjes, Panos Kamenos.

Gazeta e madhe greke, “Kathimerini”, shkruan se, në Greqi ka pasur një reagim të madh politik, pas dorëheqjes së Ministrit të Jashtëm, Nikos Kotzias, pas konfliktit të tij të ashpër me Ministrin e Mbrojtjes, Panos Kamenos gjatë mbledhjes së kabinetit, që tashmë referohet si çështja e “fondeve sekrete”.

Zëdhënësi i Qeverisë, Dimitris Tzanakopoulos, duke hedhur poshtë pretendimet mediatike, theksoi se, nuk ka asnjë arsye politike në dorëheqjen e Kotzias, dhe se nuk ka “asnjë hije dyshimi në integritetin moral të Nikos Kotzias”.

Liderja e “Lëvizjes për Ndryshim”, deputetja Fofi Gjenimata, tha në lidhje me fondet sekrete, që është edhe “guri i skandalit” në konfliktin Kamenos-Kotzias, se çështja do të diskutohet në detaj.

Edhe ish-ministrja e Jashtme e Greqisë, Dora Bakojanis, e cilësoi një skandal të madh çështjen e daljes në publik rreth përdorimit të fondeve sekrete. “Është një teatër absurd”, citohet ajo nga gazeta greke.

Portali grek, Iefimerida.gr, duke cituar burime të saj nga Parlamenti helen, risjell në vëmendje debatin e seancës së 10 tetorit, vetëm “një javë para përplasjes brutale Kamenos-Kotzias në lidhje me paratë e shpenzuara, e cila detyroi Z.Kotzias të dorëhiqet”.

Sipas informacionit të sjellë nga specialistët e Ministrisë së Jashtme të Greqisë, ishin “tre kode përdorimi, ndërkohë që shuma në total e flokuar ishte rreth një milion euro”.

“Kodi i parë lidhej me paratë e kanalizuara në median shqiptare. Kodi i dytë lidhej me financimin e medias së ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë. Kodi i tretë lidhej me kanalizimin e parave për të mbështetur kishat ortodokse dhe ortodoksizmin në përgjithësi”, citohet në portalin grek.

Dy kodet e para, sipas Iefimerida.gr, që i referohet shpjegimeve të nënkryetarit të Parlamentit, ishin përdorur për të pasur publikime pozitive rreth Greqisë nga gazetarët dhe krerët e medias së dy vendeve në të mirë të interesave greke.

Kryetari i Parlamentit grek, Nikos Voutsis, në deklaratën e tij, shprehu indinjatën e tij, që çështja dhe sekretet kishin rrjedhur në shtyp, duke theskuar se “çështja është shumë serioze në lidhje me qëllimet dhe aspiratat e atyre politikanëve dhe medias elektronike që i dhanë dhe i riprodhuan këto ‘lajme’”, shkruan portali grek.

Në fakt, në Greqi diskutohet për herë të parë në lidhje me përdorimin e fondeve sekrete, edhe pse për to ishte miratuar një ligj strikt në vitin 2017.

Portali grek, Epiruspost.gr, e cilëson “propagandë të zezë” lajmin e publikuar në Shqipëri, në lidhje me përdorimin e “fondeve sekrete të Ministrisë së Jashtme”, ndërsa shton se “media shqiptare gjeti një arsye të mirë për të sulmuar minoritetin grek”.

“Bëhet fjalë për miliona që janë kanalizuar për të mbështetur politika kombëtare të minoritetit grek, për mbështetje sekrete nga Greqia për interesa të minoritetit, madje edhe për ndërtimin e njësive hoteliere në jug të vendit”, shkruan portali helen, duke iu referuar indirekt lajmeve të publikuara në Shqipëri.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here