Mbledhja e Këshillit të Mandateve, ku po diskutohet raporti përfundimtar për Saimir Tahirin, është duke u zhvilluar me dyer të mbyllura, pasi kreu i këtij komisioni, Gramoz Ruçi, nuk lejoi praninë e mediave.
Ndërkohë që burime pranë kryesisë së Kuvendit, bëjnë me dije se në përfundim të kësaj mbledhjeje pritet që anëtarët e këtij komisioni të dalin me dy raporte.
Në përbërje të këshillit të mandateve janë 10 anëtarë, ku 5 i përkasin mazhorancës, 4 PD-së dhe 1 LSI-së. Por pasi LSI e bëri të qartë se anëtari i saj në këtë Komision Nasip Naço, do të votonte pro heqjes së imunitetit të Saimir Tahirit, atëherë numri i anëtarëve në këtë komision do të jetë i barabartë mes mazhorancës dhe opozitës.
Kështu në njërin krah janë 5 anëtarët socialistë të këshillit dhe në krahun tjetër janë 4 demokratë, përfshi këtu edhe votën e Nasip Naços.
Sipas burimeve, deputetët e opozitës do të vijojnë të mbështesin kërkesën e prokurorisë për heqjen e imunitetit të Saimir Tahirit, ndërsa socialistët pritet të dalin në mbrojtje të ish-ministrit të brendshëm.
Pra ditën e hënë pritet që në seancën plenare të hidhen në votë të dy raportet, dhe më pas do të jenë deputetët e Kuvendit të Shqipërisë ata që do të vendosin me votën e tyre nëse do ti hiqet apo jo imuniteti Saimir Tahirit.