Intervista Vaso Tole: Duhen ringjallur kompozimet

0
175

Besi Londo

VasoWebInstitucionet më të rëndësishme të promovimit të artit muzikor shqiptar, kur bëhet fjalë për vepra kombëtare, prej vitesh ofrojnë për publikun vetëm krijimtari të prodhuara para viteve ’90.

Rivëniet e veprave, të kompozuar nga emra që kanë bërë historinë e muzikës së kultivuar shqiptare, përbëjnë çdo vit kalendaret artistike të instituciove dhe fare pak ose aspak vend zënë premierat e reja të muzikës shqiptare.

Muzikologu Vasil Tole deklaron për ATSH-në se shikon një lidhje direkte mes mungesës së kompozimeve të reja të veprave madhore me politikat shtetërore. Askush sipas tij, nuk ruan në sirtar një opera, balet, rapsodi ato vepra të tjera madhore nëse nuk ka një kërkesë nga shteti për realizimin dhe më pas mbështetjen e këtyre veprave, që kërkojnë jo vetëm shumë kohë për t’u realizuar, por dhe impenjimin e shumë profesionistëve.

Po t’i referohemi të dhënave nga institucionet kryesore të muzikës, fatkeqësisht ka shumë pak vepra madhore të krijuara pas viteve ’90. Fenomeni i lirisë artistike pas këtyre viteve nuk u shoqërua edhe me krjimin e veprave të reja artistike. Sipas muzikologut Tole, këto 20 vite nuk ka pasur vepra të rëndësishmë muzikore krahasuar me para viteve ’90, jo vetëm nga ana sasiore, por edhe nga pikëpamja e një jete të gjallë të muzikës kombëtare në koncerte të financuara nga shteti apo financues privat.

Në institucionet kryesore,  ku prodhohet dhe promovohet krijmtaria  muzikore nuk ekziston një fond për krijimet e reja, që do të mbështeste krijimtarinë artistike kombëtare në fushën e muzikës duke nxitur krijuesit e saj për të shkruar vepra të reja muzikore.

Sipas Toles, legjislacioni për artin, miratuar në vitin 2010-të, në tërësi është një legjislacion bashkëkohor, por ky legjislacion nuk ka ngritur mekanizmat të cilat të bëjnë të mundur kujdesin e shtetit për krijimtarinë muzikorë.  “Unë shoh një lidhje të drejtpërdrejtë mes mungesës së financimeve për krjimtarinë e re artistike ose për organizimin e konkurseve me mekanizmat që duhen ngritur për t’i financuar ato”, u shpreh Vasil Tole për ATSH.

Edhe opera “Eumenides” që Tole ka kompozuar dhe që është vënën në skenë në vitin 2005, ka qënë me iniciativë të Ministrisë Greke të Kulturës, pas çmimit që opera e tij fitoi në një konkurs të huaj për kompozimin.

“Në një nga nenet e ligjit për artin është një detyrim,  i cili angazhon qeverinë që të nxjerr një vendim për pagesat e atyre që do të marrin pjesë në një projekt artistik. Përpara se të bëhet efiçent një fond për krijimtarinë duhet të ketë një tabelë orjentuese për pagesat të cilat të specifikojnë saktë se sa është në gjëndje shteti të paguajë për një opera, simfoni, rapsodi, etj”, tha Tole.

Deri më tani nuk ka pasur asnjë vendim qeverie që është hallka ndërmjetëse mes politkës së shtetit dhe atyre që e përfitojnë këtë poltikë, krijuesve. Këta të fundit sipas Toles, nuk mund të punojnë në gjendje të lirë, pa financim për vepra shumë të mëdha.

Muzikologu Tole, shprehet se ka pasur një traditë shumë të mirë të financimit të muzikës,  e cila me gjithë problematikat që ka pasur si një muzikë me platformë politike të realizmit socialist, brenda saj gjendej tradita e madhe e muzikë sonë e cila në të gjitha rastet është kompozuar me financim shtetëror.  Institucionet qendrore të muzikës në Shqipëri janë Teatri i  Operas dhe Baletit, Orkestra Simfonike e Radio Televizionit Publik Shqipëtar,  Universiteti i Arteve, Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore. Përveç kësaj në Shqipëri ekzistojnë edhe dhjetra formacione të tjera muzikore të cilat veprojnë  jo vetëm në Tiranë por edhe në Durrës, Korçë, Fier, Vlorë, Shkodër, etj shtetërore dhe private të krijuara nga nisma individuale dhe në formë  shoqatash që prodhojnë koncerte të mbështetura financiarisht nga MK apo sponsorizime private. Por, të gjitha këto formacione muzikore interpretojnë në pjesën më të madhe të tyre vepra të huaja.

Në fakt sa herë është diskutuar mes specialistëve në lidhje me ngërçin e muzikës së kultivuar në vendin tonë, nuk ka qenë problem mungesa e krijuesve të muzikës, por problemet e politikave shtetërore për nxitjen e këtyre krijimeve.

Pas një mungese 12-vjeçare, konkursi i shpallur nga Ministria e Kulturës, në kuadër të 100-vjetorit, ishte një nismë e mirë për krjimin e prodhimeve të reja muzikore, por në fakt ai nuk rezultoi i suksesshëm. Që me shpalljen e tij e tij të vonuar, duke mos respektuar afatet kohore për të cilat ka nevojë krijimi i vepre muzikore, ky konkurs pati kritika nga kompozitorët. Pas shpalljes së konkursit në qershor të vitit 2012-të, pritej që çmimet të ndaheshin në muajin nëntor dhe veprat fituese do të interpretoheshin në një  koncert publik zyrtar në Tiranë, po atë muaj. Asgjë nga këto nuk ndodhi…

Kompozitorët Aleksandër Peçi, Shpëtim Kushta, Endri Sina, Aleksandër Lalo kërkuan që edhe pse me vonëse, MK, të shpallte çmimet fituese dhe ata të marrin edhe vlerën monetare që u takon për vënien në jetë të projekteve të tyre. As kjo nuk ka ndodhur…

Ministria e Kulturës, krijoi në vitin 2012-të një strategji kombëtare për zhvillimin e artit, ku parashikohej edhe krijimi e një fondi për krijimtarinë për institucionet kryesore ku  lëvrohet muzika. Ishte parashikuar gjithashtu që në fondin financiar të MTKRS-së, në atë kohë, të  përcaktoheshin gjinitë dhe format  muzikore që duhen mbështetur. Por edhe sot, situata është e njëjtë…

Akademiku Vasil Tole, nxjerr në vëmendje edhe mungesën e çmimeve për muzikës, siç ka për letërsinë, por që të egzistojnë këto çmime duhet të ketë krjime muzikore, të nxitura nga politikat shtetërore.

 

 

NJË VEPËR PËR 70 VJETORIN E ÇLIRIMIT

Përvejtoret e ngjarjeve të rëndësishme kombëtare kanë qenë gjithmonë një arsye për nxitjet e krijuesve në realizimin e veprave të ndryshme artistike, mes tyre edhe ato muzikore. Viti që vjen shënon 70-vjetorin e Çlirimit të Vendit. Sipas muzikologut Vasil Tole, ky përvjetor do të ishte një rast shumë i mirë që me anë të një konkursi, kompozitorë të ndryshëm të fillonin punën për krijimin e veprave muzikore frymëzuar nga kjo ngjarje. “Do ishte mirë që të shpallej konkursi për veprat muzikore sepse përvjetoret festohen me vepra. Është moment që të shpallet konkursi sepse kështu i jepet një vit kohë krijesve të realizojnë veprën e kërkuar”, tha Vasil Tole.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency