Vonesat, Kërkesat dhe Shqetësimet

0
166

Psikologji/ Tri minuta terapi, libri i dy autorëve amerikanë që ndryshon të menduarit në shqip nga “Plejad”, përkthyer nga Aleksandër Loli

 

 

Majkëll R. Edelshtajn

Dejvid Ramsej Stile

 

 

stres_ne_pune1Hedhëri, një grua 35-vjeçare me flokë të gjata bjonde dhe vështrim si të përvajshëm, u konsultua me mua sepse ndjente shpesh herë melankoli dhe mungesë motivacioni.

– Ndihem përherë sikur nuk dua të ngrihem nga shtrati, – më tha mua me hidhërim. – Thjesht, ndjej se asgjë nuk ia vlen më sadopak.

Përveçse ndihej përgjithësisht e depresuar, ajo shpesh shqetësohej seriozisht dhe e zinin spazma të qarash. Pas ca pyetjeve të kujdesshme, arrita në përfundimin se pakënaqësitë e Hedhërit qenë fokusuar kryesisht te martesa e saj gjashtë-vjeçare. Në mjaft aspekte kjo martesë dukej e rregullt. Bashkëshorti i saj, Pitëri, ishte tip i dashur, ndihmues dhe komunikues. Por ajo thjesht ndjente se nuk mund t’i duronte dot vonesat e tij të palogjikshme.

Për sa kohë e njihte ajo Piterin, ai s’i kishte ardhur kurrë ndonjëherë nëpër takime në kohën e caktuar. Sado i kërkonte ndjesë dhe tregohej i gatshëm për të qenë këtej e tutje i përpiktë, ai prapëseprapë, madje edhe në rastin më të mirë, do të dukej me njëzet minuta vonesë. S’është nevoja ta themi se kjo i krijonte probleme serioze jo vetëm atij vetë, por edhe Hedhërit. Përveç vonesave në oraret e kinemave apo aktiviteteve sociale, Hedhëri pati humbur edhe fluturimet apo aktet e para të operave, për shkak të tij.

Gjatë tërë atyre viteve Hedhëri kishte provuar stategji të shumta. Për ca kohë pati refuzuar të shkonte ndokund bashkë me të, por kjo praktikisht u kishte shkatërruar jetën sociale. Ta ndihmoje që të bëhej gati ishte sërish diçka e kotë, sepse ai thoshte se ajo veç e vononte edhe më shumë me ato nxitjet e saja. Duke e yshtur e duke ia kujtuar atij parreshtur këtë huq, dukej sikur me to ia shtonte të shoqit edhe më shumë prirjen për tu vonuar, kështu që të gjitha ato përpjekje përfundonin me atë që Hedhëri shpërthente përherë nga zemërimi. Në nja dy raste ajo u përpoq ta gënjente për orët e takimeve dhe disi i eci, por më pas e braktisi edhe këtë taktikë ngaqë kjo i dha Piterit një arsye shtesë për tu vonuar edhe më shumë. Ai nisi ta ketë parasysh gënjeshtrën e saj dhe në kalkulimet që bënte, përcaktonte se koha e vërtetë e ndonjë takimi ishte më vonë se ora që i pati thënë e shoqja.

Në përgjigje të pyetjes sime, Hedhëri e pranoi me mjaft ngurim se për shkak të këtyre vonesave kronike, po e urrente deri në atë pikë Piterin, sa po e mendonte seriozisht divorcin.

Problemi Praktik i Hedhërit ishte se ajo qe bezdisur mjaft shpesh nga vonesat e të shoqit. Problemi emocional ishte se po ndihej fatkeqe për shkak të zemërimit që ndjente ndaj të shoqit.

 

Kërkesat e Hedhërit përmblidhnin:

 

•           Piteri DUHET të më trajtojë me më shumë vëmendje.

•           Ai DUHET të vijë në kohën e duhur.

•           Ai nuk DUHET të m’i prishë planet e mia.

•           Ai nuk DUHET t’i bëjë miqtë e mi të presin.

•           Ai DUHET të jetë më i kujdesshëm.

•           Meqë ai është kaq i përgjegjshëm në fusha të tjera të jetës, edhe në këtë fushë ai DUHET të veprojë me më shumë përgjegjshmëri.

 

Gjatë sesionit tim të dytë me Hedhërin, i mësova metodën e Terapisë Tri-minutëshe. Doli se ajo ishte një nga klientet e mia më të ndërgjegjëshme dhe pas njëfarë kohe, nisi t’i praktikonte Ushtrimet Tri-minutëshe nga tri herë në ditë. Ndërkohë që mendimet po i merrnin trajta më realiste, zemërimi i saj u pakësua.

Më pas ajo arriti t’i reduktojë Ushtrimet Tri-minutëshe dhe të ishte përsëri e aftë për të mos e shqetësuar veten nga mërzitja që i shkaktonte Pitëri. Pastaj, mbasi i peshoi më realisht të mirat dhe të metat e martesës së saj, vendosi se Piteri kishte më shumë anë pozitive sesa anë negative.

 

Ushtrimet Tri-minutëshe të Hedhërit

 

Ja një shembull prej atyre shumë Ushtrimeve Tri-minutëshe që kopjoi dhe përsëriti me mend Hedhëri, derisa i çrrënjosi tërësisht “DUHET” e saja.

 

A.        (Ngjarja Aktivizuese): Piteri më trajton në mënyrë të pavëmendshme, duke arritur 30 minuta me vonesë në takimin tonë.

B.        (Bindja Irracionale): Piteri DUHET të më trajtojë me më shumë vëmendje.

C.        (Pasoja Emocionale): Zemërim, tërbim, inat.

D.        (Diskutimi): Përse DUHET të më trajtojë ai mua më me kujdes?

E.        (Mendimi i Ri Efektiv): Nuk ka ligj në univers që të thotë se Piteri DUHET të më trajtojë më me kujdes. Do të doja shumë që të më trajtonte kështu, por nuk jam unë ajo që e drejton universin apo që e komandoj Piterin. Meqenëse është qënie njerëzore e papërkryer me vullnet të lirë dhe zgjedhje të lira, ai ka për të vepruar nganjëherë në mënyrë të pakujdesshme. Çdonjeri është i papërkryer dhe vonesat e përhershme janë papërkryeshmëria e Piterit. Kjo është tepër e pakëndshme, por aspak tmerr! Megjithëse unë nuk e pëlqej një sjellje të tillë të pakujdesshme, unë mund ta duroj atë çka s’më pëlqen. Në vend që të gërryej veten nga brenda për këtë, më mirë ta përballoj sy më sy dhe njëherë e përgjithmonë faktin se, sa herë të le takim me ndokënd, probabiliteti është se Piteri do të vonohet. Ç’fatkeqësi! Por realiteti na bën që për t’i shijuar avantazhet e martesës, duhet të vuajmë gjithashtu edhe disavantazhet e saja.

F.         (Ndjenja e Re): Më shumë e pakënaqur, sesa e zemëruar.

Dy muaj terapi e ndihmuan Hedhërin të ndihej më pajtuese ndaj problemit të Piterit. Megjithatë, herë pas here ajo përjetonte kthime të shkurtra mbrapsht, ngaqë i kërkonte Piterit të vinte saktësisht në oraret e takimeve.

Por menjëherë e pa mëdyshje, ajo merrte lapsin e fletoren dhe bënte një ushtrim tri-minutësh. Ato pak minuta meditimi të përqëndruar ia ndryshonin zemërimin në thjesht një pakënaqësi të mprehtë, ngaqë i duhej ta duronte një problem si ky.

 

 

Psikologji/Biznes

 

 

Taktikat e presionit pozicional

 

Kjo lloj taktike negocimi është hartuar për ta strukturuar situatën në mënyrë të tillë që vetëm njëra palë të mund të bëjë në të vërtetë lëshime.

 

Refuzimi për të negociuar

 

Kur në nëntor 1979 diplomatët dhe personeli i ambasadës amerikane u morën peng në Teheran, qeveria iraniane bëri të ditur kërkesat e saj dhe nuk pranoi të negocionte. Një avokat shpesh do të bëjë të njëjtën gjë, thjesht duke i thënë avokatit kundërshtar: “Do të shihemi në gjykatë”. Çfarë mund të bëni kur pala tjetër kundërshton me forcë të negociojë?

Së pari, njiheni taktikën si një marifet të mundshëm negociues: një përpjekje për ta përdorur hyrjen e tyre në negocim si një mjet për të siguruar ndonjë lëshim në përmbajtje. Një variant për këtë marifet është të vihen parakushte për negocimet.

Së dyti, flitni për mospranimin e palës tjetër për të negociuar. Komunikoni ose në mënyrë të drejtpërdrejtë, ose nëpërmjet palëve të treta. Mos i sulmoni ata pse nuk pranojnë të negociojnë, më mirë zbuloni cilat janë interesat që i shtyjnë të mos negociojnë. A janë të shqetësuar se mos ju japin status duke biseduar me ju? A do të kritikohen ata që flasin me ju se janë “të butë”? A mendojnë ata se negocimi do të shkatërrojë unitetin e tyre të brendshëm të pasigurt? Apo thjesht nuk besojnë se mund të arrihet një marrëveshje?

Sugjeroni disa opsione, të tilla si: negocimi nëpërmjet palëve të treta, dërgimi i letrave ose nxitja e individëve privatë, për shembull gazetarëve, për të diskutuar çështjet (siç ndodhi në çështjen iraniane).

Së fundi, këmbëngulni në përdorimin e parimeve. A është kjo mënyra se si ata do t’ju kërkonin të vepronit? A duan ata që edhe ju të vini parakushte? A duan që të tjerët të mos pranojnë të negociojnë me ta? Cilat janë parimet që ata mendojnë se duhet të përdoren në këtë situatë?

 

Kërkesa ekstreme

 

Negociatorët shpesh do të fillojnë me propozime ekstreme, si për shembull, duke ofruar 75.000 dollarë për shtëpinë tuaj, e cila në të vërtetë vlen 200.000 dollarë. Synimi është të mos dalin parashikimet tuaja. Ata gjithashtu mendojnë se një pozicion fillestar ekstrem do t’u japë një rezultat përfundimtar më të mirë, sipas teorisë se palët, në fund të fundit, do të përfundojnë në një kompromis midis pozicioneve. Kjo metodë ka disa të meta edhe për negociatorët mashtrues. Duke bërë një kërkesë ekstreme, nga e cila të dyja palët e dinë se do të hiqet dorë, minohet besueshmëria e tyre. Një fillim i tillë gjithashtu mund ta prishë pazarin; nëse ofrojnë shumë pak, ju mund të mendoni se nuk ia vlen të merreni me ta. Ta drejtoni vëmendjen e tyre nga kjo taktikë, funksionon mirë këtu. Kërkojini një justifikim parimor për pozicionin e tyre, derisa edhe atyre vetë ky pozicion t’u duket qesharak.

 

Kërkesa në rritje

 

Një negociator mund të nxjerrë një nga kërkesat e tij pas çdo lëshimi që i bën një tjetri. Ai gjithashtu mund të rihapë çështje të cilat ju i mendonit të zgjidhura. Interesi i kësaj taktike qëndron në zvogëlimin e lëshimit të përgjithshëm, si dhe në efektin psikologjik për t’ju detyruar të kërkoni të bini dakord shpejt, përpara se ai të paraqesë ndonjë kërkesë tjetër të tij.

Kryeministri i Maltës e përdori këtë taktikë në negocimet me Britaninë e Madhe në vitin 1971 lidhur me çmimin e të drejtave të bazës detare dhe ajrore. Çdo herë që britanikët mendonin se kishin arritur një marrëveshje, ai thoshte: “Po, për këtë kemi rënë dakord, por ka edhe një problem të vogël”. Dhe problemi i vogël dilte të ishte një paradhënie prej 10 milionë paundë në dorë ose vende pune të garantuara për punëtorët e portit dhe të bazës gjatë kohës së kontratës.

Kur ta kuptoni këtë taktikë, tërhiqeni vëmendjen e tyre drejt saj, kurse më pas bëni një ndërprerje për të shqyrtuar nëse doni ta vazhdoni negocimin dhe mbi ç’baza. Kjo shmang ndonjë reagim të rrëmbyer dhe njëkohësisht tregon seriozitetin e qëndrimit të tyre. Dhe përsëri këmbëngulni te parimi. Kur të ktheheni, kushdo që është i interesuar për marrëveshje, do të jetë më serioz.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency