Mësues matematike, Sotir Peci botoi një gramatikë shqip

0
1874

Sotir Peci, për gjuhën dhe arsimin kombëtar/Të metat e librit mund të justifikohen, pasi edhe tradita në këtë fushë ishte e pamjaftueshme. Shqipëria ishte e pushtuar, shkolla në gjuhën amtare ende nuk kishte dhe vetë autori nuk ishte një filolog i mirëfilltë, meqë interesat e tij ishin nga shkencat matematikore. J.Kastrati, i cili është marrë me historinë e gramatikave i ka dhënë pak vend këtij botimi. Për autorin “tekstit i mungon  ana metodike dhe në mjaft vende ajo shkencore”. Duke ditur se ky botim qarkulloi 100 vjet më parë, kur dija e kohës ishte e tillë, ajo mund të vlerësohet si një kontribut modest në fushën e gramatologjisë shqipe

 

Prof.dr.Tomorr Osmani

 

Pak nga jeta…

Sotir Peci është një ndër figurat e rëndësishme të periudhës së Rilindjes Kombëtare Shqiptare  dhe Pavarësisë, patriot, publicist, pedagog dhe autor tekstesh. Lindi në fshatin Dardhë të Korçës, më 13 korrik 1873 dhe vdiq, më 8 prill 1932 në moshën 59-vjeçare. Mësimet e para i mori në vendlindje, të mesmen në Korçë, ndërsa të lartën e kreu në Athinë. Në moshën 32 –vjeçare emigroi në ShBA, duke u bërë një nga figurat e shquara të emigracionit shqiptar. Pa kaluar një vit nga qendrimi në Boston, themeloi dhe drejtoi gazetën “Kombi”, e para gazetë që dilte në gjuhën shqipe në SHBA. Sotir Peci gjatë qendrimit në SHBA  qe shumë aktiv për çështjen tonë kombëtare. Ai qe iniciuesi për formimin e shoqërisë “Besa-besë” dhe “Lidhja”. Në Kongresin e Manastirit  (1908) qe delegat i kolonisë shqiptare të Amerikës dhe të Bukureshtit. Një vit më pas, kur Kongresi i Elbasanit  (1909) vendosi hapjen e Normales në këtë qytet, ai u caktua pedagog  për shkencat e natyrës në këtë shkollë. Nuk qendroi gjatë këtu pasi u përsekutua nga pushtuesi. Në vitin shkollor 1911-1912, pa u shpallur pavarësia e Shqipërisë, emërohet drejtor i shkollës “Mësonjëtorja shqipe në Korçë”. Dhe më vonë caktohet drejtor i arsimit të Prefekturës së Korçës (1914). Është një jetë plot aktivitet, duke kryer shumë detyra që i përkisnin fushës së arsimit.
Ai është emëruar edhe në Drejtorinë e përgjithme të arsimit në Shkodër që drejtohej nga Luigj Gurakuqi. Më 1915 u zgjodh anëtar i Komitetit të fshehtë që vepronte në këtë qytet, i cili kundërshtonte veprimet e fuqive të mëdha për copëtimin e Shqipërisë. Më 1916, kur shërbente në Drejtorinë e përgjithshme të arsimit, u zgjodh anëtar i Komisisë Letrare Shqipe në Shkodër (1916-1918). Duke parë veprimtarinë e dendur pedagogjike dhe aftësistë e tij në fushën e arsimit, Kongresi i Lushnjes (1920) e zgjodhi Ministër të Arsimit dhe më vonë, për disa kohë, anëtar i Këshillit të Lartë (1922-1924). Me rikthimin e Ahmet Zogut në Shqipëri, ai emigroi përsëri.
Vdiq në Follorinë, Greqi, më 8 prill 1932 dhe u varros në Korçë, më 9 prill 1932.

1-Sotir Peci themelues dhe drejtues i gazetës “Kombi”, delegat në Kongresin e Manastirit

me t’u vendosur në SHBA iu përkushtua edhe publicistikës. Themeloi dhe drejtoi gazetën e parë në gjuhën shqipe “Kombi”, një e përjavshme politike, kulturore dhe letrare, e cila qarkulloi në Boston të SHBA. Ajo dilte pas botimit të suksesshëm të Revistës “Albania” të Faik Konicës dhe “Dritës” së Shahin Kolonjës, duke pasur lexues të shumtë. Numri i parë i saj qarkulloi, më 15 qershor 1906 e vazhdoi me shumë vështirësi financiare deri në shkurtin e vitit 1909. Shtypi shqiptar tashti do të përfaqësohej me gazetën “Dielli”, themeluar nga Fan Noli dhe Faik Konica. Nga “Kombi” u botuan 110 numra. Gazeta botohej në shqip, por kishte shkrime edhe në italisht, frëngjisht dhe anglisht. Ajo u bë vazhduese e idealeve të Rilindjes sonë Kombëtare, por njëkohësisht shërbeu për ndërgjegjësimin e vetëdijes së shqiptarëve përtej oqeanit, kur do të duheshin 4-5 vjet që të shpallej pavarësia e Shqipërisë. Sotir Peci do të jetë edhe një përkrahës i çetave të lirisë dhe i luftës së armatosur të popullit shqiptar për çlirim kombëtar. Ai propagandonte rolin e madh të shtypit që i shërbente çështjes sonë kombëtare. Për aq kohë sa qarkulloi ky organ, trajtoi probleme politike, kulturore dhe historike dhe u bë një organ i dashur në duart e shqiptarëve të Amerikës, gjithashtu tribune e mendimit bashkëkohor.
Në këtë periudhë zien edhe çështja e zgjidhjes së alfabetit të përbashkët të shqipes, kur jemi në prag të Kongresit të Manastirit. Tashti durimi i shqiptarëve për zgjidhjen e këtij problemi kishte arritur kulmin. Janë mbi dhjetë artikuj të shkruar me këtë tematikë. Mungesa e një alfabeti të vetëm për gjuhën shqipe ka tërhequr vazhdimisht vëmendjen e stafit drejtues të gazetës “Kombi”.
Një problem tjetër, që shkaktoi edhe polemika, qe përdorimi në këtë organ i alfabetit të shoqërisë “Bashkimi”. Stafi i gazetës u detyrua që në numrat e parë të sqarojë opinionin, veçanërisht shqiptarët e Amerikës, pse zgjodhi një sistem të tillë shkrimor. Në radhë të parë ishin arsyet financiare që e detyruan “Kombin” të përdorë këtë alfabet, pasi shkronjat latine ishin të thjeshta dhe gjendeshin lehtë. Gjithashtu sqarohej se me këtë alfabet mund të ndihmoheshin shqiptarët e Amerikës për të mësuar anglishten, ndonëse kishte rezerva për shkronjat dyshe. Sigurisht kjo nuk u pëlqente ithtarëve të alfabetit të Stambollit. Në këtë situatë Fan Noli, një ndër bashkëpunëtorët e ngushtë të Pecit, duke mos u pajtuar me një qendrim të tillë radikal të disa shqiptarëve, por që kjo çështje të merrte udhë, i mërzitur dhe i shqetësuar ngrinte zërin: “Një abece për të gjithë shqiptarët, dhe si të dojë le të jetë. Mjaft abecera se është turp”. Do të jetë Kongresi i Manastirit ai që i dha zgjidhje përfundimtare çështjes së alfabetit të njësuar, 100 e ca vjet më parë.
Në një atmosferë entuziaste shqiptarët e Amerikës dhe më pas ato të Bukureshtit zgjodhën Sotir Pecin delegat në Kongresin e Manastirit. Ishte një vlerësim që i bëhej Pecit për kontributin që kishte dhënë në këtë fushë personalisht ose përmes gazetës “Kombi”.
Ai arriti të zgjidhej anëtar i komisionit prej 11 vetësh për hartimin e alfabetit të shqipes, përkrah M.Frashërit, L,Gurakuqit, Nd. Mjedës, Sh. Kolonjës, Gj.Qiriazit, Dh. Budës etj., dhe që do të drejtohej nga atë Gjergj Fishta.
Së fundi, në Kongresin e Manastirit u miratuan dy variante: ai i Stambollit me pak ndryshime dhe varianti me shkronja latine, që përdorte edhe dyshkronjëshat. Kështu përfundoi me sukses kjo marathonë e gjatë prej më shumë se tre shekujsh, duke i dhanë fund njëherë e përgjithmonë kësaj odiseje dhe duke miratuar alfabetin që kemi sot. Sotir Peci dha ndihmesën e tij për zgjidhjen e alfabetit të përbashkët në dy rrafshe: së pari, para Kongresit të Manastirit me shkrimet që botoi në gazetën “Kombi” për këtë problem dhe së dyti, si anëtar i komisionit të hartimit të alfabetit të shqipes.

 

2.Sotir Peci autor i një gramatike të gjuhës shqipe për shkollën fillore, botuar 100 vjet më parë

Shqipëria ishte në prag të Shpalljes së Pavarësisë. Intelektualët shqiptarë të asaj kohe, kryesisht arsimtarë, u përpoqën me ato mundësi që kishin, të përgatitnin infrastrukturën e nevojshme, pasi Kongresi i Elbasanit, që u quajt edhe Kongresi i shkollave, i dha rëndësi përgatitjes së kuadrit për mësimin e gjuhës shqipe, numri i të cilëve erdhi gjithnjë duke u rritur.
Një aspekt i veprimtarisë arsimore në vendin tonë, krahas hapjes së shkollave në gjuhën amtare, ishte edhe hartimi i teksteve shkollore, përfshirë edhe gramatikat e gjuhës shqipe.
Gjatë 10-vjeçarit të parë të shekullit XX hartues të tyre do të jenë autorë shqiptarë dhe të huaj, por me kalimin e viteve kjo situatë do të ndryshojë në të mirë të shqiptarëve.
Gjatë viteve 1901-1912, në periudhën kur qarkulloi gramatika e Sotir Pecit, u botua një gramatikë shkollore në vit, pasi shkolla kishte nevojë për tekste mësimore në gjuhën amtare.
Autori ynë e kishte ndjerë që në rini politikën  antishqiptare që ndiqte qeveria dhe kleri grek ndaj gjuhës shqipe. Në një shkrim të botuar kohë më parë për S.Pecin thuhej se kur erdhi dhespoti i Kosturit në kishën e Dardhës u tha besimtarëve orthodhoksë që të hiqnin dorë nga gjuha barbare shqipe që nuk e shkruani dhe të flisni greqishten që e mësoni në shkollë. Kryeplaku i fshatit iu përgjigj: “Mirë thua hirësi…Por si t’ia bëjmë që ëndrat e natës i shohim shqip?”

(http: //gazetadielli.com/gazetakombi-e para-gazete-e-shqiptareve te-am…)

Në vizitat e tjera dhespoti nuk e përsëriti një kërkesë të tillë.
Në këto rrethana, më 1912, në Korçë, mësuesi i matematikës Sotir Peci mori guximin dhe botoi një gramatikë të gjuhës shqipe për klasat e treta dhe të katërta të shkollës fillore, që do t’i shërbente kryesisht shkollave në Jug të Shqipërisë.
Ai i vuri titullin simbolik “Viti premtar i grammatikës”. Libri ka 104 faqe. që e shoqëroi me një parathënie prej një faqeje dhe vuri një shënim, të firmosur prej tij, ku shkruan: “Çdo libër që nukë ka ndënëshkrimin t’onë gjykohet si e vjedhurë nga shtypi”. Po në atë vit kemi një botim të dytë të kësaj gramatike, por pa firmën e autorit.
Të çudit fakti se Sotir Peci, një ndër përkrahësit e alfabetit latin në Kongresin e Manastirit, përdori alfabetin e Stambollit, kur numri i ithtarëve të këtij sistemi shkrimor zvogëlohej nga dita në ditë, duke u përfaqësuar, kryesisht, me shkrimet e Mithat Frashërit.
Në parathënien e shkurtër të kësaj gramatike autori parashtron disa nga konsideratat për probleme gjuhësore. Janë dy faktorë që e shtyn S.Peci të merret me një botim të tillë. Faktori i parë: Ai e quan si një detyrë që po plotëson një boshllëk për shkollat fillore të Jugut, duke përdorur një tekst të tillë që është i lirë të përdoret “ ndën hijen e qeverisë”, se ndryshe kjo barrë do t’u binte profesorëve të gjuhës shqipe Aleksandër Xhuvanit dhe Luiogj Gurakuqit, ndërsa vetë autori do të merrej me degën shkencore dhe matematike. Faktori i dytë: Në këtë kohë, por edhe më parë gjatë Rilindjes sonë Kombëtare, vihen re përpjekje dhe ide për një gjuhë të përbashkët ose kombëtare. Kjo e shqetësonte autorin pasi edhe gjuhët e zhvilluara e kishin zgjidhur këtë çështje. Peci theksonte se, të gjitha gjuhët kanë dialekte dhe nëndialekte dhe asnjë nga këto gjuhë, sipas autorit, nuk kanë pëlqyer njërin nga ato, por kanë vepruar, duke u bashkuar për të krijuar një gjuhë kombëtare, ndonëse për arsye politike apo për raste të tjera, një nga këto dialekte e kanë ngritur në gjuhë kombëtare. Për S.Pecin kjo gjendje është e papranueshme, kur njerëzit shkruajnë sipas dialektit që dëshirojnë. Për autorin duhet të bashkohemi toskët dhe gegët dhe “duke përmbledhur të gjithë ndënëdialektet”, dhe sekush të bëjë një gjuhë shkollore ose të shkruar  dhe të lëmë kohën të bëjë punën e saj.
Autori premton se, nëse kjo gramatikë do të zërë vend në librat shkollorë, atëherë Peci do të nxjerrë në dritë një tekst tjetër gramatike për klasat më të larta.
Autorët e gramatikave, duke qenë se mungonte një terminologji gjuhësore, në botimet e tyre ose kanë huazuar terma gjuhësorë nga tekstet e mëparshme ose kanë krijuar ato vetë terma të tillë.
Një praktikë të tillë ndoqi edhe Sotir Peci.
Të metat e librit mund të justifikohen, pasi edhe tradita në këtë fushë ishte e pamjaftueshme. Shqipëria ishte e pushtuar, shkolla në gjuhën amtare ende nuk kishte dhe vetë autori nuk ishte një filolog i mirëfilltë, meqë interesat e tij ishin nga shkencat matematikore. J.Kastrati, i cili është marrë me historinë e gramatikave i ka dhënë pak vend këtij botimi. Për autorin “tekstit i mungon  ana metodike dhe në mjaft vende ajo shkencore”. Duke ditur se ky botim qarkulloi 100 vjet më parë, kur dija e kohës ishte e tillë, ajo mund të vlerësohet si një kontribut modest në fushën e gramatologjisë shqipe.
3.Sotir Peci mis i Komisisë Letrare Shqipe në Shkodër (1916-1918).

Sotir Peci kaloi një jetë plot peripeci, duke u përndjekur dhe burgosur. Pasi qëndroi për pak kohë në Durrës, u largua nga ky qytet dhe u punësua në Shkodër në Drejtorinë e Përgjithshme të Arsimit që e drejtonte patrioti Luigj Gurakuqi. Me themelimin e Komisisë Letrare Shqipe në Shkodër, me 1 shtator 1916  Sotir Peci u caktua mis i këtij institucioni. Është me interes të vihet në dukje se nga 7 misët e parë që qenë edhe themeluesit e kësaj komisie përfshirë edhe kryetarin e saj Gjergj Pekmezin, ishte edhe Sotir Peci, intelektuali i vetëm jugor që mori pjesë. Ai nuk qe një pjesëmarrës i thjeshtë, por shumë aktiv në debatet që zhvilloheshin për problemet gjuhësore. Duke u mbështetur në procesverbalet e Komisisë, Sotir Peci nga 64 mbledhje të zhvilluara gjatë periudhës 1 shtator 1916-22 maj 1918 mori pjesë në 43 mbledhje, pasi emrin e tij e gjejmë së fundi në procesverbalin e dt. 3 korrik 1917. Ai nuk hesht, por diskuton dhe debaton me atë përgatitje filologjike që kishte. Kur filloi diskutimi për gjuhën e përbashkët në Komisinë Letrare Shqipe¸ në mbledhjen e dt .21.11.1916, një ide e tillë u kundërshtua nga Gjergj Pekmezi dhe Sotir Peci. Ndërsa debati vazhdon, S.Peci shtron pyetjen para anëtarëve të Komisisë: “Në ka Komisia në gji të saj elementet e nevojshme për me ba një gjuhë administrate në mënyrë që të jetë e kuptueme për të tana viseve të Shqipnisë, mbasi sot për sot të shkruem janë dialekti i Shkodrës dhe i toskënisë. “Pavarësisht nga diversiteti i mendimeve u vendos për t’i hyrë punës për të zgjidhur këtë problem delikat. Kur u caktua të merrej për bazë e folmja e Elbasanit dhe shkrimet e Kristoforidhit. Gjergj Pekmezi në cilësinë e kryetarit ë Komisisë nuk u pajtua me një mendim të tillë, pasi gjuha e shkruar prej Kristoforidhit nuk ishte e Elbasanit. Edhe S.Peci  e kundërshtoi një mendim të tillë pasi “shkrimet e K.Kristoforidhit… nuk janë shkruem thjeshtë në gjuhë të Elbasanit, po ndë një gjuhë gegënishte të përzieme, pasi qëllimi i tij pat qenë ta përhapi ungjillin në gegëni dhe për këtë e ka botuem edhe toskënisht. Sintaksa e shkrimit të Kristoforidhit i afrohet me të vërtetë toskënishtes, por edhe kjo rrjedh prej tekstit greqisht, i cili ka influencuem dialektin toskënisht”                                                                                               Problem i dytë qe ai i hartimit të një kodi drejtshkrimor, që të ishte i përbashkët për të dy dialektet, diskutim i cili filloi që në mbledhjen e dt.13 nëntor 1916 e në vazhdim. Në mbledhjen  e dt. 29 janar 1917 u miratua për herë të parë “Parime dhe rregulla mbi orthografinë e gjuhës së shkrueme”, mbështetur mbi të folmen e Elbasanit, që u nënshkrua dy ditë më vonë nga Gjergj Pekmezi, Ndre Mjeda, Ndue Paluca, Luigj Gurakuqi, Sotir Peci, Gjergj Fishta, Luigj Naraçi dhe Hilë Mosi. Do të jetë pra, edhe Sotir Peci nënshkrues i këtij kodi drejtshkrimor, mbështetur në të folmen e Elbasanit. Ai u aktivizua edhe në hartimin e teksteve dhe të terminologjisë shkollore, pasi ishte i njohur në këtë fushë. Kështu në mbledhjen e dt.7 maj 1917 S. Peci njoftoi për përfundimin e punës  për përgatitjen e librit të aritmetikës për pesë klasat, ndonëse e pengonte vendimi i gjuhës dhe termat. Për aq kohë sa mori pjesë në Komisi, ai kontribuoi në debatet e zhvilluara për çështje të ndryshme gjuhësore.

4. Sotir Peci hartues i një fjalori shqip mbetur në dorëshkrim

S.Peci në veprimtarinë shkencore iu kushtua edhe gjuhës. Ai hartoi dhe botoi një gramatikë të gjuhës shqipe, mori pjesë në KLSH në Shkodër dhe la në dorëshkrim një fjalor shpjegues shqip-shqip.Por patriotëve shqiptarë gjatë gjithë kohëve u ka vluar dëshira për të hartuar një fjalor të shqipes, punë e cila nisi në shekullin XVII me fjalorin latinisht- shqip të Frang Bardhit të vitit 1635. Në fillim të shekullit XX dy fjalorë zënë kryet e vendit, Fjalori shqip-greqisht i K.Kristoforidhit botuar në Athinë pas vdekjes së autorit, më 1904 dhe fjalori i shoqërisë “Bashkimi” shqip-italisht 1908. Më parë dhe më pas kemi edhe fjalorë të tjerë. Për fjalorin të dhëna me interes, ndonëse shkurt, jepen nga G.Peci në artikullin “Fjalori shqip i Sotir Pecit”, botuar në revistën “Studime filologjike”, 1974. Autori e filloi mbledhjen e materialit, duke nisur nga një traditë, e cila njihte disa botime. Ai u mor me hartimin e një vepre të tillë në vitin 1925 kur ishte në moshën 52-vjeçare. Peci ishte ngarkuar që të redaktonte dhe të mbikqyrte botimin e fjalorit të K.Kristoforidhit. Fillimisht dukej se puna po i shkonte mbarë. Shtypi i kohës shkruante për këtë eveniment në fushën e kulturës kombëtare. Por nuk ngjau kështu dhe plani i Pecit ndryshoi, pasi qeveria greke nuk lejonte një veprim të tillë. Duke mos u pajtuar që fjalori të botohej me shkronja greke, ai u tërhoq nga kjo punë. Në këto rrethana ai u angazhua të hartojë një fjalor shpjegues të gjuhës shqipe më të gjerë dhe më të pasur se ai i Konstandin Kristoforidhit. Hartimi i një vepre të tillë nuk ishte një punë e lehtë. Atij i dilnin shumë detyra përpara: të gjurmonte fjalën shqipe, t’i mblidhte ato nga goja e popullit e të gjitha krahinave, të vilte materiale nga librat e revistat e botuara, duke i dhënë përparësi edhe fondit diturak dhe kur ishte nevoja të krijonte edhe neologjizma dhe si rrugë për pasurimin e fjalorit të përdorte edhe kalkun.
Peci e nisi veprën, duke punuar pa ndërprerje ditë e natë. Dhe sipas familjarëve, vetëm javën e fundit  të jetës u shkëput nga puna e tij, ndonëse sëmundja nuk e la ta rishikonte dhe ta linte dorëshkrimin në variantin përfundimtar. Sipas Gaqo Pecit  fjalori përfshin rreth 24.100 fjalë.
Një çështje që të tërheq vëmendjen, është se autori, duke qenë nga jugu, fjalorin në dorëshkrim e ka të shkruar në gegërisht. Ndonëse fillimisht nuk qe për zgjidhjen e menjëhershme të gjuhës së përbashkët, por kur KLSH në Shkodër vendosi të merrej për bazë e folmja e Elbasanit dhe drejtshkrimi i saj të mbështetej këtu, duke u udhëhequr që në të shkruar të afroheshin të dy dialektet, Peci së fundi u pajtua me një mendim të tillë. E përsëritëm këtë fakt pasi S.Peci qe nder të parët autorë jugorë që përdori në të shkruar gegërishten jugore.Dhe kjo është arsyeja për të cilën dorëshkrimi i fjalorit është shkruar gegërisht.
Katër ditë pas vdekjes, më 12 prill 1932 “Gazeta e Korçës” në një shkrim të saj, duke vlerësuar këtë fjalor dhe duke dashur që dorëshkrimi të shohë dritën e botimit, shkruante në mes të tjerash: “Shpresohet që kompetentët nuk do të vonojnë botimin kaq të nevojshmë për arësimin tone”. Studiuesit kanë theksuar se ky fjalor nuk duhet konsideruar si një inventar fjalësh, me shpjegimet e tyre, por si një vepër leksikografike e pasur me shembuj dhe frazeologji.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency